Laurie Anderson: Është koha e duhur, për realitete të reja!
Laurie Anderson: Është koha e duhur, për realitete të reja!
14.06.2019 | 04:01

Artistja avangarde Laurie Anderson, më 12 korrik rikthehet me një instalacion që ndërlidhet me realitetin virtual, raporton Guardian, 

Për imagjinatën tonë, Hëna gjithmonë ka qenë një si shesh lojërash. Qëkur raketa e hedhur nga një top preku sipërfaqen e Hënës – në filmin e vitit 1902, “Le Voyage dans la Lune”, të regjisorit Georges Meliesit – sateliti i vetëm natyror i Tokës është subjekt i magjepsjes për krijuesit e filmave dhe për artistët vizualë. Janë bërë 50 vjet qëkur Neil Armstrong hodhi hapin gjigant për njerëzimin, por Hëna ende të mahnit dhe të frymëzon.

Hëna është fokusi i punës së fundit të avangardes Laurie Anderson, gjë që i përshtatet, duke pasë parasysh se është një ish-artiste e Rezidencës së NASA-s (programi që fton artistët, akademikët dhe kuratorët në godinat e institucionit – v.j.). “To the Moon”, bashkëpunimi i saj i ri me artistin tajvanez Hsin-Chien Huang, i ka lejuar Andersonit të krijojë një udhëtim…

Për ekspozitën e Festivalit Ndërkombëtar të Mançesterit, që hapet më 12 korrik, ajo thotë: “Jam e lumtur kur nuk mund ta përcaktoj dot punën time. Hëna është eksperiment me hibride, me media të ndryshme që afrohen dhe këmbejnë imazhe, rrëfime e muzikë”.

Anderson nuk iu ka shmangur kurrë risisë apo të panjohurës. Teksa bënte hapin e parë në realitetin virtual më 2017, me projektin “Chalkroom”, ajo hasi në sfida të reja të të rrëfyerit, në një medium që i jep audiencës një nivel kontrolli gjatë përvojës së tyre: “Duhet të harrosh gjithçka që di për narrativën. Fillimisht isha e tmerruar pse hiqja dorë nga kjo autonomi – nga ideja e strukturës përfundimtare”.

Është ky një format që Andersoni e ka përqafuar, duke iu kthyer realitetit virtual me projektin “To the Moon”. Ajo e sheh këtë si ikje nga ekranet kaq qendrore në jetën tonë të përditshme: “Kam humbur [aq shumë] kohë në telefonin tim, duke parë këta drejtkëndësha, saqë doja veç të çohem dhe të dal. Pra, është lehtësim për mua për të punuar në një medium që mund të jetë më fizik”.

Është eskapizëm edhe për audiencën. Gjatë gjithë veprës 15-minutëshe të realitetit virtual dhe filmit shoqërues, audienca kalon nëpër peizazhe të shumta hënore, duke u ballafaquar me mbeturinat e dërguara nga Toka ose duke shijuar një udhëtim me gomar nëpër hapësirë.

Në kohën tonë kaotike dhe konfliktuale, Anderson është e prirë të shmanget, duke mos injoruar botën rreth nesh: “Ka kaq shumë gjëra të trishtuara në botë. Nëse pretendon se nuk janë aty, jeni një idiot. Ato janë aty; do t’ju gjejnë. Pra, dijeni se janë aty, por mos u bëni të tillë”.

Ajo e sheh gjendjen e botës si mundësi për të eksploruar peizazhe alternative: “Është kohë shumë e mirë për të krijuar realitete të reja. Hëna është temë e mrekullueshme për këtë – është mënyrë e shkëlqyer për të hetuar jorealen”.

Risitë dhe ballafaqimi me të ardhmen, siç mund të jetë ekspozita, mbështeten nga nocioni pothuajse i përjetshëm i aventurës, ëndrrave për hapësirën që kanë frymëzuar njerëzit për shekuj me radhë. Anderson për këtë thotë: “Hëna ka një ekzistencë shumë frymëzuese dhe ëndërrimtare. Në fshehtësi, gjithçka që unë dua të bëj është t’i lë njerëzit të fluturojnë”.