Shkrimori 1.0
Lexuesi 1.0
Fjalori i madh i gjuhës shqipe 2.0
Korrektori 1.0
Morfologjia digjitale e shqipes 2.0
Drejtshkrimori 3.0
Sintaksori 1.0
Sinonimia 1.0
Autokorrektori 2.0
Ndarësi i fjalëve në rrokje 2.0 për MS Office
Abetarja digjitale e shqipes 1.0
Tastiera digjitale e shqipes 3.0 për MS Windows
Fillestarja digjitale e shqipes 1.0
Testo shqipen tënde 1.0
Mëso shqip 1.0
Korpusi i shqipes 1.0

Morfologjia digjitale e shqipes 2.0

Është pjesë e softuerit Kulla e shqipes 2.0, pra, nëse e ke instaluar apo nëse e instalon Kullën e shqipes 2.0, në kompjuterin tënd instalohet edhe Morfologjia digjitale e shqipes 2.0.  

Softueri Morfologjia e shqipes 2.0 është program për përvetësimin e gjuhës shqipe. Nëpërmjet këtij softueri mundësohet mësimi i gjuhës shqipe, testimi i njohurive të secilit përdorues për gjuhën, si dhe kryerja e studimeve të thelluara për gjuhën shqipe. Ky program shërben gjithashtu si një mjet i sigurt referimi për çdo përdorues që nuk është i sigurt për trajtën e fjalës që zgjedh të përdorë në shkrimin e tij, pasi është i vetmi softuer që përmban të gjitha fjalëformat e gjuhës shqipe.

Programi përmban fjalësin e gjuhës shqipe të zbërthyer në të gjitha trajtat dhe format me të cilat dalin këto fjalë. Aty përfshihen të gjitha pjesët e ligjëratës (pjesët e ndryshueshme dhe pjesët e pandryshueshme) me trajtat përkatëse. 

Kujt i kushtohet?

Softueri Morfologjia e shqipes 2.0 u vjen në ndihmë nxënësvestudentëve, të huajve që dëshirojnë të mësojnë shqipen, si dhe studiuesve që merren me studime të thelluara në fushën e gjuhës shqipe. Ky softuer u shërben mësuesve në mësimdhënien e gjuhës shqipe për t’ua konkretizuar temat për format e fjalëve me pamje nga Morfologji e shqipes, si dhe për t’ua ngulitur njohuritë për to me detyra praktike për plotësimin e formave të munguara. Kjo teknikë e re e mësimdhënies edhe mësimnxënies, mbështetur nga Morfologjia e shqipes e bën mësimin e shqipes edhe më cilësor, edhe më argëtues.

Ai është një vegël e rëndësisë së veçantë për gjithë ata që janë ose dëshirojnë të jenë në kontakt me gjuhën shqipe dhe ta përdorin atë drejt kurdoherë.

Si funksionon?

Softueri Morfologjia e shqipes 2.0 është realizuar për t’u përdorur në disa versione, sipas mundësisë dhe zgjedhjes së përdoruesit. Ai ofrohet në këto versione për t’u shfrytëzuar: si aplikacion për në internet në një shfletues uebi, si aplikacion për kompjuter dhe si aplikacion për telefona apo tabletë (me sistem operativ Android ose iOS).

Versioni i Morfologjisë për përdorim në internet është në dispozicion për të gjithë përdoruesit. Ai nuk kërkon shkarkim ose instalim, por kërkon lidhjen e internetit. Ky version përditësohet më lehtë dhe në ndryshim nga aplikacionet për celularë, një përdorues nuk ka pse të instalojë versionin e ri për të parë përmirësimet në faqen e internetit. Për pjesën më të madhe, përdoruesit nuk e vërejnë as procesin e përditësimit. Ata thjesht mund të shijojnë produktin e përditësuar. Ne ju rekomandojmë që të përdorni versionin e Morfologjisë së shqipes 2.0 në internet. Për këtë mjafton që të regjistroheni në GjuhaShqipe.com

Versioni i Morfologjisë për kompjuter dhe celularë është një produkt softuerik që mund të instalohet në kompjuterin dhe telefonat e zgjuar (smartphone) apo në tabletët e  gjithsecilit. Në krye të faqes ku ndodhet softueri është butoni për shkarkim dhe instalim. Pas instalimit, në tryezë do të paraqitet një ikonë dhe mjafton që të klikohet mbi dritare me mi dhe hapet dritarja kryesore nga e cila mund të futesh në dritaret e tjera. Ky aplikacion funksionon ndryshe nga versioni për në ueb sepse duhet të instalohet veçmas, por është i mirëmenduar për t’i dhënë përdoruesit të gjitha mundësitë për ta shfrytëzuar vetëm me disa klikime të thjeshta. Ai mund të funksionojnë jashtë linje dhe në varësi të funksioneve të aplikacionit, mund të shkarkohen informacione ose përmbajtje dhe t'i përdorur edhe pa qasje në internet. Morfologjia për pajisjet celularë ka dizajn të veçantë e miqësor për përdoruesit. Ky program nuk sjell vështirësi në përdorim. Komunikimi mes përdoruesit dhe programit është në gjuhën shqipe, madje në program gjendet edhe një skedar ndihmës për përdorimin e tij.

Funksioni bazë i këtij softueri në të gjitha versionet e tij është i njëjtë: Mjafton që përdoruesi të nisë të shkruajë germat e para të fjalës së dëshiruar dhe përnjëherë i ofrohet një listë me sugjerime në të cilat ai zgjedh fjalën e synuar prej tij. Pra, kërkimi nuk është i kufizuar vetëm në formën bazë të fjalës.  Në dritaren kryesore janë 10 butona që përfaqësojnë 10 pjesët e ligjëratës. Në mes të dritares është një kuti teksti në të cilën mund të shënoni fjalën. Pasi të shtypni tastin “ENTER” ose “TAB” në tastierë, një ose më shumë butona do të marrin kornizë me ngjyrë të gjelbër dhe lloji i pjesës së ligjëratës do të bëhet me ngjyrë të bardhë. Kjo tregon se fjala që keni shënuar u takon atyre pjesëve të ligjëratës, butonat e të cilave ndryshuan si më sipër. Me shigjetat që janë në formë, mund të vazhdoni të kërkoni fjalë të tjera para ose prapa, si dhe në fillim ose në fund. Në të njëjtën mënyrë mund të lëvizni dhe me shigjetat në tastierë. Në butonat me secilën pjesë ligjërate, aktivizohet ai të cilit i përket fjala e kërkuar dhe përdoruesi vijon më tej duke shtypur butonat pasues për të gjitha format e asaj fjale nëse i përket një klase fjale të ndryshueshme. Nëse fjala e kërkuar i përket më shumë se një klase fjalësh, atëherë do të aktivizohen njëkohësisht të gjithë butonat me emërtimin e klasave të fjalëve që mund t’i përkasë fjala e përzgjedhur. Në këtë rast është përdoruesi i cili vendos cilin buton të shtypë. Kjo mënyrë shfaqjeje bën që përdoruesi të marrë njëkohësisht informacion për përkatësinë e klasës së fjalës së përzgjedhur.

Këtë softuer mund ta hasni edhe me emra tjerë: “Morfologjia 2.0”, “Morfologjia e shqipes 2.0”, “Morfologjia digjitale e shqipes 2.0” 

Çfarë përmban?

Softueri Morfologjia e shqipes 2.0 është një megaparadigmë e trajtave të fjalëve në gjuhën shqipe.

Për të lehtësuar perceptimin e trajtave të shumta, si dhe mësimin e tyre të strukturuar, nisur nga veçoritë leksiko-gramatikore të gjuhës shqipe, pjesët e ndryshme të ligjëratës janë dizajnuar për t’u paraqitur në mënyra të ndryshme.

Për këtë arsye materiali është strukturuar në tabela të veçanta për lakimin e emrit, përemrit, të mbiemrit e numërorit dhe të zgjedhimit të foljes.

Emrat janë përfshirë sipas gjinisë dhe lakimit përkatës në numrin njëjës dhe shumës:

Lakimi I: pallat - pallate, libër - libra etj.

Lakimi II: shok - shokë, zog - zogj etj.

Lakimi III: tryezë - tryeza, festë- festa etj.

Lakimi IV: të ftohtë, të ecur etj.

Ata janë lakuar në rasën emërore, gjinore, dhanore, kallëzore dhe rrjedhore, në trajtën e pashquar njëjës (ditë, i (një) dite, dite, ditë, dite) e shumës (ditë, i ditëve, ditëve, ditë, ditësh / ditëve) dhe të shquarën njëjës (dita, i ditës, ditës, ditën, ditës) e shumës (ditët, i ditëve, ditëve, ditët, ditëve).

Një dizajn i veçantë është krijuar për lakimin e emrave të përveçëm të njerëzve (Driton, Ardita) dhe të vendeve (Kosovë, Shqipëri). Disa emra (singularia tantum) që përdoren vetëm në numrin njëjës janë dhënë vetëm me trajtat njëjësit, p.sh. ajër, benzinë, naftë etj. Disa emra të tjerë (pluralia tantum) që përdoren vetëm në numrin janë dhënë vetëm me trajtat e shumësit, p.sh. kopalla, të korra, krela, krunde, pantallona.

Përemrat zënë një vend të veçantë në këtë program për vetë larminë që paraqesin. Krahas përemrave që janë të pandryshuar, si: çfarë, shumë, sa etj., në program janë përfshirë përemrat me gjithë format me të cilat dalin, në varësi të llojit. Disa përemra dalin me forma të ndryshme sipas rasës (kush, i kujt, kujt, kë, kujt), disa të tjerë me forma sipas vetës, gjinisë, numrit dhe rasës: im, tim, ime, sime, time, e mi, të mi, e mia, të mia etj.

Mbiemrat, të nyjshëm e të panyjshëm, janë paraqitur në tabelat përkatëse me format që marrin në gjininë mashkullore e femërore, në numrin njëjës e shumës: i bukur, e bukur, të bukur, të bukura, të lakuara në të pesë rasat.

Programi është gjithashtu i plotësuar me të gjitha format që marrin këta mbiemra kur emërzohen (i bukuri, i të bukurit, të bukurin, të bukurit, të bukurit; e bukura, i së bukurës, së bukurës, të bukurën, së bukurës etj.).

Në program janë përfshirë një numër i konsiderueshëm numërorësh të mirëfilltë. Përveç formave të tyre bazë, ata janë paraqitur në tabela të veçanta, me synim dhënien e të gjitha trajtave me të cilat mund të ndeshet një numëror, si kur është në bashkëvajtje me emrat, ashtu dhe kur përdoret i emërzuar në kontekst: gjashtë, gjashta, i gjashti, e gjashta, e gjashtë, të gjashtë, të gjashta, të gjashtat etj.

Foljet zënë një vend të konsiderueshëm në Morfologjia e shqipes 2.0 në raport me fjalët e tjera, nisur nga numri i madhe i fjalëformave të tyre dhe sidomos nga veçoritë e tyre gramatikore. Ato jepen të sistemuara sipas zgjedhimit përkatës, në tabela për zgjedhimin vepror dhe jovepror, sipas mënyrave e kohëve të ndryshme, në numrin njëjës e shumës. 

Foljet në mënyrën dëftore janë dhënë të plota në kohët:

  • e tashme: drejtoj / drejtohem
  • e pakryer: drejtoja / drejtohesha
  • e kryer e thjeshtë: drejtova / u drejtova
  • e kryer: kam drejtuar / jam drejtuar
  • më se e kryer: kisha drejtuar / isha drejtuar
  • e kryer e tejshkuar: pata drejtuar / qeshë drejtuar
  • e ardhme: do të drejtoj / do të drejtohem
  • e ardhme e dytë: kam për të drejtuar / kam për t’u drejtuar
  • e ardhme e përparme: do të kem drejtuar / do të jem drejtuar
  • e ardhme e së shkuarës: do të drejtoja / do të drejtohesha
  • e ardhme e përparme e së shkuarës: do të kisha drejtuar / do të isha drejtuar.

Në mënyrën habitore foljet dalin me format kohore:

  • e tashme: drejtuakam / u drejtuakam
  • e pakryer: drejtuakësha / u drejtuakësha
  • e kryer: paskam drejtuar / qenkam drejtuar
  • më se e kryer: paskësha drejtuar / qenkësha drejtuar.

Foljet në mënyrën lidhore kanë format kohore:

  • e tashme: të drejtoj / të drejtohem
  • e pakryer: të drejtoja / të drejtohesha
  • e kryer: të kem drejtuar / të jem drejtuar
  • më se e kryer: të kisha drejtuar / të isha drejtuar.

Në mënyrën kushtore foljet janë dhënë në dy kohët përkatëse:

  • e tashme: do të drejtoja / do të drejtohesha
  • e kryer: do të kisha drejtuar / do të isha drejtuar.

Në mënyrën dëshirore foljet dalin me kohët:

  • e tashme: drejtofsha / u drejtofsha
  • e kryer: paça drejtuar / qofsha drejtuar.

Foljet në mënyrën urdhërore janë dhënë në vetën e dytë njëjës drejto / drejtohu dhe shumës drejtoni / drejtohuni.

Të dobishme për përdoruesin janë dhe format e ndryshme foljore të përftuara nga bashkimi i foljeve me trajtat e shkurtra:

drejtomë                          drejtomëni

drejtoma                          drejtomani

drejtomi                            drejtomini

drejtoje                             drejtojeni

drejtoja                             drejtojani

drejtona                            drejtonani

drejtoji                              drejtojini

drejtoju                             drejtojuni

drejtojua                          drejtojuani

Një vend të rëndësishëm në program zënë pjesët e pandryshueshme të ligjëratës: ndajfoljet (hollësisht, pak, nesër, atje) , parafjalët, lidhëzat, pjesëzat e pasthirrmat.

Të drejtat autoriale – Copyright (c) 

Ky softuer është zhvilluar nga Albasoft dhe Qendra për Edukim dhe Përparim, me seli në Prishtinë, dhe Albatag, me seli në Tiranë. Ne jemi 100% pronarë të këtij softueri!

Po ashtu, të gjitha të drejtat e tjera janë të rezervuara nga këto subjekte: ato që konsiderohen shpikje; rezultatet e punës hulumtuese; sekretet tregtare; dokumentet teknike; materialet gjuhësore; kodi burimor; të dhënat financiare, afariste, shkencore, teknike, ekonomike apo inxhinierike, duke përfshirë planet, formulat, dizajnet, prototipat, metodat, teknikat, proceset, procedurat, programet, kodet e çdo të dhënë tjetër. 

Përveç të drejtave që lejohen nga ne për përdorimin e softuerit, në përputhje me rregullat e përshkruara në “Kushtet e përdorimit”, askush nuk mund ta përdorë këtë softuer në asnjë mënyrë të njohur sot dhe në asnjë mënyrë tjetër që mund të shpiket në të ardhmen. 

Shumica e softuerëve tanë janë rezultat i projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri” me synimin e qartë “Një komb, një gjuhë, një standard”.