
Ndarësi i fjalëve në rrokje 2.0 për MS Office
Është pjesë e softuerit Kulla e shqipes 2.0, pra, nëse e ke instaluar apo nëse e instalon Kullën e shqipes 2.0, në kompjuterin tënd instalohet edhe Ndarësi i fjalëve në rrokje 2.0 për MS Office.
Ndarësi i fjalëve në rrokje 2.0 për MS Office është softuer për ndarjen e fjalëve në rrokje në fund të rreshtit, sipas rregullave të drejtshkrimit duke marrë parasysh strukturën morfologjike të fjalës.

Secila gjuhë i ka rregullat e veta të ndarjes së fjalëve në rrokje në fund të rreshtit, gjuha shqipe po ashtu. Në teknologjinë e Microsoft Office, në gjuhën angleze ky aplikacion softuerik njihet si “Hyphenation in MS Word”.
Ky softuer është pjesë e paketës softuerike Kulla e shqipes 2.0 dhe instalohet apo çinstalohet bashkë me Kullën e shqipes. Përdoruesi e vendos vet nëse do ta përdor apo nuk do ta përdorë duke bërë ‘aktivizimin’ apo ‘çaktivizimin’ e tij. Versioni i ri i “Ndarësit të fjalëve në rrokje 2.0 për MS Word” është në realizim e sipër dhe po përmirësohet e po përditësohet si nga ana teknike, edhe nga ana gjuhësore.
Çfarë është teksti me vizë?
Është procesi i automatizuar i ndarjes së fjalëve midis rreshtave për të krijuar më shumë qëndrueshmëri, përputhje, dhe lidhje logjike në një bllok teksti. Në tekstin e qendërzuar, viza është e detyrueshme, ndërsa në tekstin e rreshtuar majtas, viza barazon skajin e djathtë të parregullt të tekstit.
Disa nga perimet dhe kriteret gjuhësore për zhvillimin e këtij softueri janë përshkruar në vijim.
Softueri është zhvilluar për ndarjen e fjalëve në fund të rreshtit sipas këtyre rregullave:
a). Fjalët njërrokëshe nuk ndahen në fund të rreshtit: afsh, ankth bulkth, çmend, dash, dru, kënd, kopsht, lak, lëng, i lig, ngjall, shkep, tremb, thumb, vrull, zmbraps etj.
b). Bashkëtingëllorja që ndodhet ndërmjet dy zanoresh shkon me zanoren që vjen pas: ba-rra, bre-dhi, de-ti, do-ra, gë-zim, li-sat, lu-le, mi-ku, ndri-qim, ple-pi, po-pu-lli, shpre-sa, xi-xë-llo-nja etj.
c). Kur ndërmjet dy zanoresh ndodhen dy a më shumë bashkëtingëllore, ndarja në fund të rreshtit është e lirë, mjafton që të paktën bashkëtingëllorja e fundit e togut përkatës të kalojë në krye të rreshtit me zanoren pasuese; nga dy ose më shumë ndarje të mundshme të një fjale duhet parapëlqyer ajo që ruan më të qartë kufijtë e pjesëve të kuptimshme të fjalës:
ko-dra ose kod-ra
hu-dhra > hudh-ra
shu-fra > shuf-ra
ko-fsha > kof-sha
ve-gla > veg-la
la-kra > lak-ra
ko-krra > kok-rra
ve-pra > vep-ra
po-sta > pos-ta
mu-shka > mush-ka
vi-shnje > vish-nje
ku-shti > kush-ti
la-vdi > lav-di
ek-skavator > eks-kavator
ek-skursion > eks-kursion
ek-speditë > eks-peditë
ek-sport > eks-port
fu-nksion > fun-ksion
të-mblat > tëm-blat ose tëmb-lat
the-mbra > them-bra > themb-ra
lu-ndra > lun-dra > lund-ra
qe-ndra > qen-dra > qend-ra
që-ndroj > qën-droj > qënd-roj
hë-gra > hën-gra > hëng-ra
por: korr-je, lodh-je, ndjek-je, ngec-je; i këtej-më, e nesër-mja, i par-më, i pas-më; e ardh-shmja, i brend-shëm, i buj-shëm, i dhimb-shëm, e dhimb-shme, e mëtej-shme, e nder-shme, e nder-shmja, të ngadal-shmit, e paprek-shme, e pavdek-shme, e përbot-shme, e përbot-shmja, e përjav-shmja, e vrull-shme; i fla-të, i pes-të, i shesh-të etj.
Bashkëtingëllorja j e ndjekur nga një bashkëtingëllore tjetër lidhet gjithmonë me zanoren që i prinë: kuj-tim, laj-thi, maj-tas, mbruj-ta, paj-toj, vaj-ta:
ç) Kur në një fjalë vijnë dy zanore njëra pas tjetrës ato mund të ndahen në fund të rreshtit:
vëlla-it, xhaxh-it, ka-ut, va-ut, mete-or, atdh-ut, kre-ut, muze-ut; e di-el, di-ell, mi-ell, qi-ell; ari-ut, bari-ut, njeri-ut, shi-ut, veri-ut; blua-aj, dua-jt, gru-as, kru-aj, ku-adër, (por edhe kua-dër), ku-arc, mu-aj, punu-ar, ru-aj, sku-adër (por edhe skua-dër),shkru-an; ku-otë (por edhe kuo-të), dy-er, fy-ell, kthy-er, ly-ej, ly-ejmë, thy-ej, thy-ejmë etj.
Në shkrimin e trajtave si mësuesi, sulmuesi, përkthyesit etj. dhe në fjalët e prejardhura si i arsyeshëm, i pathyeshëm etj. të parapëlqehen ndarjet mësue-si, sulmue-sin, përkthye-sit, etj.; i arsye-shëm, i pathye-shëm etj.
d). Ndarja në fund të rreshtit e fjalëve të përbëra e të përngjitura, si edhe e fjalëve të formuara me parashtesa që përdoren edhe si fjalë më vete në gjuhën e sotme, bëhet në kufirin e pjesëve përbërëse të tyre; kur paraqitet nevoja për ndarjen e vetë pjesëve përbërëse, zbatohen rregullat e mësipërme: Hekur-udhë ose he-kurudhë ose hekuru-dhë (por jo heku-rudhë);gjith-monë ose gjithmo-në; i shum-anshëm ose i shuman-shëm; mos-ardhje ose mosardh-je (por jo mo-sardhje); për-emër ose përe-mër (por jo pë-remër); i për-jetshëm ose i përjet-shëm etj.
Nuk ndahen në fund të rreshtit:
a) fjalët e përbëra të shkurtuara si:
RPSh, PPSh, BPSh, BRPSh, ATSh, BRSS, FIFA, ISIS, KEMP, KK, KONARE, NATO, NB, NIL, NISH, NTLAI, NTLAP, NTSHAI, NTSHAP, OKB, PK, PS, PTT, RDGj, RSR, SEATO, ShBA, UP etj,;
b) prapashtesa e një numërori rreshtor të shënuar me shifra arabe dhe nyja e prapme e mbaresat në ato raste kur shkruhen me vizë lidhëse (shih 68, pikat gj, j, l):
Kongresi i 6-të, internacionalja e 2-të, shekulli i 20-të etj.; SMT-ja, PTT-së, TEC-it etj,; dhe-ja, pse-ja, ah-et dhe oh-et etj.;
c) shkurtimet e tipave:
a.i. (ad interim), b.f.(bie fjala), d.v. (dora vetë), e.r. ( era e re), f.v. (fjala ven), p.sh. (për shembull) etj.;
ç) emërtimet e veçanta të mjeteve teknike, si edhe emërtimet e ngjashme konvencionale, në përbërjen e të cilave hyn edhe një numër i shënuar me shifra (shih 68 pika i); shkurtimet e njësive të masave dhe shenjat e përqindjes:
TU-104, Boing-707, Gaz-69, Mig-21; 35 cm, 50 dm, 40 km, 28 800 km2, 90 ha, 3 m 3, 200g, 35 kg, 75 kv, 2 l ; 100 %, 112 %. 30 %o etj.;
d) shenja e paragrafit dhe numri i shkronjave që vijnë pas saj, si edhe shkurtime të tjera që shënojnë nënndarje të kapitujve, neneve etj.;
$ 12, $ 12 a, $ 67 Ba, Kreu IV, Kreu VI c etj.;
$ 12, $ 12 a, $ 67 Ba, Kreu IV, Kreu VI c etj.;
dh) numrat që përmbajnë një thyesë dhjetore:
15,5; 0,06; 10,53 etj.;
e) shkronjat e një dyshkronjëshi:
da-lloj (e jo dal-loj), ha-rroj (e jo har-roj), pe-sha (e jo pes-ha), hu-dhër (e jo hud-hër) etj.
Në ndarjen e fjalëve në fund të rreshtit duhen pasur parasysh edhe këto rregulla plotësuese:
a) një shkronjë e vetme nuk mund të lihet në fund të rreshtit e as të çohet në rreshtin tjetër, edhe kur është zanore. Kështu shkruhet: aca-rim (e jo a-carim), acid ( e jo a-cid), urë (e jo u-rë), ba-riu (e jo bari-u), li-ria (e jo liri-a), miu (e jo mi-u), shkoi (e jo shko-i), Shqi-përia ose Shqipë-ria (e jo Shqipëri-a) etj.;
b) dy shkronja të njëllojta që takohen në një fjalë mund të ndahen në fund të rreshtit: i pa-anshëm, i pa-arsyeshëm, ko-operativë, vaku-um, kundër-revolucionar, hesht-te, (në mos) prit-të, etj.;
c) kur kalon në rreshtin tjetër pjesa e dytë e një fjale a e një emërtimi të përbërë, që shkruhet me vizë lidhëse, para saj, në krye të rreshtit, përsëritet viza lidhëse: hyrje- / -dalje, marksist- / -leninist, copa- / -copa, aty- / -këtu etj.
Nuk mund të hapen kllapa a thonjëza në fund të rreshtit e as të mbyllen në fillim të rreshtit tjetër.
Nuk mund të kalojnë në rreshtin tjetër shenjat e pikësimit, me përjashtim të vizës së gjatë.

Të drejtat autoriale – Copyright (c)
Ky softuer është zhvilluar nga Albasoft dhe Qendra për Edukim dhe Përparim, me seli në Prishtinë, dhe Albatag, me seli në Tiranë. Ne jemi 100% pronarë të këtij softueri!
Po ashtu, të gjitha të drejtat e tjera janë të rezervuara nga këto subjekte: ato që konsiderohen shpikje; rezultatet e punës hulumtuese; sekretet tregtare; dokumentet teknike; materialet gjuhësore; kodi burimor; të dhënat financiare, afariste, shkencore, teknike, ekonomike apo inxhinierike, duke përfshirë planet, formulat, dizajnet, prototipat, metodat, teknikat, proceset, procedurat, programet, kodet e çdo të dhënë tjetër.
Përveç të drejtave që lejohen nga ne për përdorimin e softuerit, në përputhje me rregullat e përshkruara në “Kushtet e përdorimit”, askush nuk mund ta përdorë këtë softuer në asnjë mënyrë të njohur sot dhe në asnjë mënyrë tjetër që mund të shpiket në të ardhmen.
Shumica e softuerëve tanë janë rezultat i projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri” me synimin e qartë “Një komb një gjuhë, një softuer”.