Fillimi i fushatës
Këshillat e anëtarëve rreth fushatës
Rregullat e pjesëmarrjes
Lista e fituesve të shpërblimeve
Sqarime plotësuese rreth fushatës
Mbarimi i fushatës

Rregullat e pjesëmarrjes

Fushata “100€ shpërblim për çdo gabim drejtshkrimor”

  • Afati për të raportuar gabimet për shpërblim. Fushata është e vlefshme nga data 1 maj 2023 deri më datë 27 maj 2023, rrjedhimisht për çdo gabim të raportuar brenda kësaj periudhe ka shpërblime. Pas përfundimit të kësaj periudhe, fushata me shpërblime mbaron. Nëse përvoja jonë do të jetë e mirë, fushata të ngjashme do të përsërisim çdo muaj apo herë pas here, në të ardhmen.
     
  • Tri faza të raportimit të gabimeve. Raportimet e gabimeve dhe përmirësimi i tyre do të jetë në tri faza, në mënyrë që të përmirësohen sa më shumë prej tyre gjatë fazës së parë e të dytë.
  • Faza e parë, nga data 1 maj 2023 deri më 7 maj 2023. Për çdo gabim të raportuar brenda kësaj periudhe shpërblimi është 10€.
  • Faza e dytë, nga data 11 maj 2023 deri më 17 maj 2023. Për çdo gabim të raportuar brenda kësaj periudhe shpërblimi është 50€.
  • Faza e tretë, nga data 21 maj 2023 deri më 27 maj 2023. Për çdo gabim të raportuar brenda kësaj periudhe shpërblimi është 100€.
  • Pas përfundimit të një faze, për 1-2 ditë, do t’i bëjmë korrigjimet e duhura sipas raportimeve dhe do t’i konfirmojmë shpërblimet për ata që kanë ndihmuar. Do të mundohemi që edhe teknikisht, këto 1-2 ditë mes fazave, ta bllokojmë mundësinë e raportimit të gabimeve, por edhe nëse kjo s’është e mundur, raportimet e dërguara në këtë periudhë, të cilësuar jashtë fushatës raportuese, nuk shpërblehen. Pra, mes fazës së parë dhe të dytës dhe mes të dytës dhe të tretës, janë lënë disa ditë për t’u bërë nga ne ndreqjet e gabimeve të raportuara tashmë nga të tjerët, përkatësisht për të kaluar në fazën tjetër me shpërblime më të larta.
     
  • Mund të marrin pjesë të gjithë ata që janë të regjistruar në portalin GjuhaShqipe.com. Personat e paregjistruar në portalin GjuhaShqipe.com, as teknikisht as juridikisht nuk mund të marrin pjesë, sepse nuk mund të postojnë (raportojnë gabime) pa u regjistruar. Për të mësuar, si duhet të regjistroheni, nëse nuk e keni bërë tashmë, lexoni “Si të regjistrohesh
     
  • rast kontesti. Ata që raportojnë gabimet, por raportimi i tyre vlerësohet si jo i saktë nga ne, duhet të pajtohen me vlerësimin tonë. Të drejtën e ankesës e kanë ata që me profesion janë gjuhëtarë. Ankesën duhet ta bëjnë me e-postë (emali) në [email protected], pasi të jetë postuar refuzimi i ndihmës së tyre, në vendin e njëjtë ku ka qenë raportimi. Ankesa e tyre do të shqyrtohet nga Këshilli Kombëtar Shkencor, në përbërje të: Prof. dr. Emil Lafe, prof. dr. Enver Hysa, prof. dr. Hysen Matoshi, prof. asoc. Anila Çepani, prof. asoc. Adelina Çerpja, prof. dr. Mustafa Ibrahimi, prof. dr. Asllan Hamiti, Prof. ass. Bahri Koskoviku, Prof. dr. Ismet Osmani.
    Në shqyrtimin e ndonjë ankese, qëndrimi gjuhësor i Këshillit do të jetë përfundimtar, mbështetur mbi rregullat standarde të gjuhës shqipe, por, ata vendosin edhe për çështjet që deri sot nuk janë të kodifikuara me saktësi, si: fjalët e huaja, termat etj.
    Ata, të cilët nuk e pranojnë Këshillin Kombëtar Shkencor si organin më të lartë mbarëkombëtar për saktësinë gjuhësore, nuk duhet të marrin pjesë në raportimin e gabimeve.
     
  • Nuk mund të ketë më shumë se një fitues për të njëjtin gabim të raportuar. Për një gabim të raportuar më shumë se një herë, shpërblimi i takon vetëm raportuesit të parë të tij. Ndryshe do të kishte mundësi të manipulimit, përmes familjarëve, shokëve etj. duke bërë raportimin e njëjtë, pa meritë, pasi e kanë parë raportimin e tjetrit.
     
  • Për një fjalë të raportuar si të gabuar paguhet vetëm një herë. Janë mbi 100.000 fjalë, me të gjitha format shteruese të tyre, vetëm për raportimin e gabimit të parë tek ajo fjalë ka shpërblim, e jo për të gjitha format në të cilat del ajo fjalë. Pra, nëse është raportuar për një gabim tek ajo fjalë (cilado nga format e saj), nuk keni nevojë të raportoni gabimet e tjera rreth asaj fjale, sepse vetëm gjetja e gabimit të parë shpërblehet. Shembull: nëse është gjetur emri "infrakti", si formë e gabuar e "infarkti" (emërore), dhe si i gabuar është lakuar nëpër rasat tjera: "infarktit" (dhanore) "infraktin" (kallëzore) etj., që logjikshëm janë rrjedhojë e të njëjtit gabim, kemi të bëjmë me vetëm një raportim, për një fjalë kryesore, dhe jo për secilën nga trajtat rasore. Pra shpërblehet gjetja e gabimit dhe jo e të gjitha derivateve tjera të të njëjtit gabim.
     
  • Vetëm gabimet drejtshkrimore. Në këtë fushatë nuk duhet të raportoni gabime të tjera, p.sh. sintaksore, stilistike, kuptimore etj. Mos u merrni me kuptimin e fjalëve, sinonimet, antonimet apo frazeologjinë. Kjo fushatë ka të bëjë vetëm me raportimin e gabimeve në format drejtshkrimore, te butoni “Fjalori drejtshkrimor”.
     
  • Shuma e tërësishme e shpërblimeve për tri fazat është 50.000€. Por, një person i vetëm mund të shpërblehet më së shumti deri në 1000€, edhe nëse raporton më shumë gabime.
     
  • Si duhet të veproni më saktësisht për të fituar shpërblimin! 
    1. Sigurohu që në Fjalorin e madh drejtshkrimor të gjuhës shqipe, në versionin digjital në ueb, ta kesh gjetur një fjalë gabim. Sigurohu për këtë, mos raporto me hamendësim, nëse nuk je i sigurt. P.sh. nëse do të gjenit formën e gabuar “tynel”, në vend të formës së duhur “tunel”. 
    2. Afër fjalës, në anën e djathtë, është kolona “Raporto gabimet”. Aty formuloje thjesht postimin tënd. P.sh. te emri “tunel”, në fushën përkatëse, shkruaj:
  • Formë e gabuar e fjalës “tynel” në rasën emërore, duhet të jetë “tunel”;

Ose p.sh, tek folja “shkoj”, në fushën përkatëse për raportim, mjafton të shkruash: 

  • Formë e gabuar e fjalës “shkojsha” në të pakryerën duhet të jetë "shkoja".

Pra, mos bëj raportime të gjata e as sqarime të panevojshme. Mjafton, si në vijim:

a). Formën e gabuar të fjalës së gjetur,

b). Kohën, apo rasën e saj, që ta gjejmë më lehtë, dhe 

c). Formën e drejtë të fjalës, të shkruar saktë, pa gabim (propozimi/sugjerimi yt).

  • Identiteti i personit që raporton gabimet. Identiteti i personit që raporton gabimet dhe kërkon shpërblimin duhet të përputhet me identitetin e personit të regjistruar në portalin GjuhaShqipe.com, përkatësisht të dhënat në llogarinë e tij në këtë portal. Nëse je regjistruar në portal me të dhëna të rrejshme që nuk përputhen me identitetin e vërtetë nuk mund ta marrësh shpërblimin. Disa nga të dhënat që duhet të përputhen janë: Emri dhe mbiemri, shteti, emaili yt, numri i llogarisë tënde në GjuhaShqipe.com etj.
     
  • Falsifikimi dhe mashtrimi. Pjesëmarrësi nuk duhet të provojë të mashtrojë gjatë raportimit të gabimeve dhe nuk duhet të përdorë identitet të rremë. Nëse dyshojmë për mashtrim apo falsifikim, mund të përjashtojmë cilindo pjesëmarrës. Po ashtu, për të shmangur mashtrimin e mundshëm, kemi të drejtë të hetojmë dhe të verifikojmë çdo gjë rreth identitetit të personit të regjistruar.
     
  • Pse ka rëndësi koha e raportimit të gabimit dhe identiteti? Ai që raporton i pari saktë për një gabim, fiton, jo të tjerët pas tij. Koha kur është raportuar gabimi regjistrohet automatikisht (dhe shfaqet për të gjithë në internet) në momentin që bëhet raportimi, që mos t’i shkojë mendja ndokujt për manipulim, p.sh. që ta dërgojë vetë edhe me një email tjetër, apo të njëjtin gabim ta raportojë edhe anëtari tjetër i familjes, miku etj. Pra, vetëm ai që e raporton i pari gabimin shpërblehet; paguajmë vetëm një herë për një gabim të raportuar, sipas parimit “Qui prior est tempore potior est jure”. Ai që ka dyshime, mund ta verifikojë raportimin e tjetrit tek ajo fjalë (online). Po ashtu, ne marrim përsipër ta publikojmë listën e fituesve në një shkrim përmbledhës në GjuhaShqipe.com.

    Nuk mund ta marrin shpërblimin: 
  • Nuk e kanë të drejtën e shpërblimit, edhe nëse raportojnë gabime, punëtorët dhe bashkëpunëtorët tanë dhe të afërmit e tyre; ata që punojnë tani apo kanë punuar në të kaluarën në kompanitë tona të përfshira në projekt, si: Albasoft, QEP, Albatag, Amebis, Microsoft, Eaglesberg etj.
  • Personat apo të afërmit e tyre që kanë ndonjë borxh të papaguar ndaj kompanive të përfshira në projektin tonë, si: Albasoft, QEP, Albatag etj.
  • Ata të cilët më herët kanë kryer ndonjë vepër penale ose që janë në ndonjë proces gjyqësor me kompanitë e përfshira në projektin tonë, si: Albasoft, QEP, Albatag etj., apo me pronarët ose titullarët e këtyre kompanive.
  • Ata që gjatë kësaj fushate bëjnë komente përçmuese, fyese apo të pavërteta në mediumet e tjera, në Facebook apo kudo tjetër në internet kundër nesh, para se të përfundojë fushata, pra gjatë periudhës së raportimit të gabimeve dhe vlerësimit të kontributit të tyre.
  • Me keqardhje ju njoftojmë se, për çështje teknike, shpërndarja e shpërblimeve për banorët e Shqipërisë për këtë fushatë nuk është e mundur, për shkak të pamundësisë së verifikimit fizik dhe juridik të identiteteve e të xhirollogarive dhe pamundësisë së transferimit bankar jashtë vendit. Pavarësisht kësaj, të gjithë janë të mirëseardhur ta përdorin Kullën e shqipes dhe mund të raportojnë gabimet e të japin kontributin e tyre, pa asnjë diskriminim, kudo që gjenden.
     
  • Pezullimi apo ndërprerja e parakohshme. Kjo mund të ndodhë vetëm për ndonjë arsye qenësore p.sh. sulme kibernetike masive etj. Edhe në rast të një situate të tillë, të gjithë raportuesve të gabimeve, deri në momentin e ndërprerjes, u takon shpërblimi sipas këtyre rregullave.
     
  • Marrja e shpërblimit. Shpërblimet jepen nga Qendra për Edukim dhe Përparim, me seli në Prishtinë, përmes kompanisë partnere Albasoft ShPK nga Prishtina. Dorëzimi i shpërblimit është i mundur vetëm për ata që kanë shtetësinë e Republikës së Kosovës dhe kanë llogari bankare në njërën nga bankat në Kosovë, rrjedhimisht vetëm ata e kanë të drejtën e shpërblimit. Për të marrë shpërblimin personit mund t’i kërkohet njëri nga dokumentet zyrtare qeveritare për identifikim, pasaporta ose letërnjoftimi. Nëse personi, i cili ka raportuar një apo më shumë gabime është nën moshën 18 vjeç, me rastin e pranimit të shpërblimit duhet të ketë certifikatën e lindjes dhe ta ketë të pranishëm njërin prind ose kujdestarin me dokumentin zyrtar qeveritar të identifikimit (pasaportën ose letërnjoftimin). 
    Pagesa e shpërblimeve do të bëhet gjatë muajit qershor 2023.
     
  • Komunikimi me fituesit. Ndaj atij që ka raportuar gabime dhe është shpallur fitues, ne e konsiderojmë komunikim zyrtar dhe përgjigjemi vetëm kur na kontakton me emailin e njëjtë me të cilin është regjistruar në GjuhaShqipe.com, pra vetëm me emailin nga i cili ka raportuar gabimet, me të cilin ka hapur llogarinë e tij. Këtë email përdoruesi mund ta shohë te Llogaria ime, te të dhënat e përdoruesit, me emrin dhe mbiemrin e vërtetë. Nëse këto të dhëna ndryshohen më vonë (pas raportimit të gabimeve) konsiderohet si manipulim i identitetit. 
    Gjithashtu nuk lejohet vizita fizike në zyrat tona, përveç nëse është me ftesën tonë, pas përzgjedhjes së fituesve, përkatësisht pas shpalljes publike të listës së fituesve në internet. Komunikimi më i dëshiruar është me email, edhe rreth xhirollogarisë po ashtu. Ndonjë informacion themelor për çështje të përgjithshme, jopersonale rreth fituesit, mund të merret nga ne edhe përmes chat-it apo telefonit.