Të gjitha format morfologjike
Për çdo fjalë, qoftë ajo folje, emër, përemër ose mbiemër, softueri ofron informacion të plotë morfologjik, përfshirë të gjitha format gramatikore në të cilat shfaqet.
Integrimi në paketën softuerike Kulla e shqipes - Është pjesë e softuerit Kulla e shqipes 2.0. Pra, nëse e ke instaluar apo nëse e instalon Kullën e shqipes 2.0, në kompjuterin tënd instalohet edhe Morfologjia digjitale e shqipes 2.0.
Analizë morfologjike: Shfaq në mënyrë specifike trajtat e fjalëve dhe veçoritë e tyre gramatikore.
Mjet për përvetësimin e gjuhës shqipe: Lehtëson mësimin e gjuhës shqipe, teston njohuritë gjuhësore të përdoruesve dhe mbështet studimet e thelluara të gjuhës shqipe.
Mjet referimi: Shërben si një mjet referimi i besueshëm për secilën fjalë që përdoret në tekst, pasi që është i vetmi softuer që përmban të gjitha format e fjalëve në gjuhën shqipe.
Kutia e kërkimit: Funksioni kryesor i saj është kërkimi i fjalëve. Mjafton që përdoruesi të nisë të shkruajë germat e para të fjalës së dëshiruar dhe përnjëherë i ofrohet një listë me sugjerime, nga e cila ai zgjedh fjalën e synuar.
Kërkim i përparuar: Kërkimi nuk është i kufizuar vetëm në formën bazë (përfaqësuese) të fjalës, p.sh. po të kërkojmë foljen “rënç”, do të na këshillohet folja “bie”; pasi të përzgjidhet, shfaqen të gjitha trajtat e saj.
Bazë e gjerë fjalësh: Përmban fjalët e gjuhës shqipe (të ndryshueshme e të pandryshueshme) të zbërthyera në format dhe trajtat e tyre përkatëse.
Forma të ndryshme gjuhësore: Mbulon një spektër të gjerë të formave dhe të kategorive të fjalëve (numri, rasa, shquarsia, gjinia, koha, veta, mënyra, diateza etj.).
Fjalëformat: Pjesët e ligjëratës zbërthehen në forma fjalësh: një folje del deri në 480 forma, një mbiemër deri në 100 forma, një emër deri në 20 forma etj.; në tërësi mbi 8 milion forma fjalësh.
Analizë e detajuar e fjalëve: Në dritaren kryesore janë 10 butona që përfaqësojnë 10 pjesët e ligjëratës, duke ua mundësuar përdoruesve të eksplorojnë forma dhe klasa të ndryshme fjalësh.
Organizimi i bazuar në tabelë: Materiali është i organizuar në tabela specifike, si një sistem. Për shembull, emrat, përemrat, mbiemrat e numërorët lakohen në rasa sipas njëjësit e sipas shumësit, në të dy trajtat, në të shquarën dhe të pashquarën. Kjo e bën të lehtë qasjen dhe studimin e formave të ndryshme të fjalëve.
Pasqyrë e plotë e foljeve: Ofrohet numër i madh mënyrash e kohësh për secilën folje: dëftore, lidhore, habitore, lidhore-habitore, dëshirore, kushtore, urdhërore; e tashme, e pakryer, e kryer e thjeshtë, e kryer, më se e kryer, e kryer e tejshkuar, e ardhme, e ardhme e dytë, e ardhme e përparme, e ardhme e së shkuarës, e ardhme e përparme e së shkuarës.
Format e mbiemrave: Përfshin mbiemrat e nyjshëm e të panyjshëm, të paraqitur me format mashkullore e femërore, në numrat njëjës e shumës: i bukur, e bukur, të bukur, të bukura, të lakuara në të pesë rasat. Përfshin edhe format që marrin këta mbiemra kur emërzohen (i bukuri, i të bukurit, të bukurin, të bukurit, të bukurit; e bukura, i së bukurës, së bukurës, të bukurën, së bukurës etj.).
Përfshirja e numërorëve: Përfshin një numër të konsiderueshëm numërorësh të mirëfilltë. Përveç formave të tyre bazë, janë paraqitur në tabela të veçanta, me synim dhënien e të gjitha trajtave me të cilat mund të ndeshet një numëror, rastet kur janë në bashkëvajtje me emrat, ashtu edhe kur përdoren të emërzuar në kontekst: gjashtë, gjashta, i gjashti, e gjashta, e gjashtë, të gjashtë, të gjashta, të gjashtat etj.
Përputhshmëria me shumë pajisje: I disponueshëm për versione të ndryshme, duke përfshirë atë për Ueb, për desktop si dhe për pajisjet celulare Android dhe iOS, aplikacioni u përshtatet preferencave të përdoruesve.
Mjet i gjithanshëm i të mësuarit: Ndihmon në mësimin, mësimdhënien dhe studimin e gjuhës. Ai është një burim i dobishëm për nxënësit, studentët, mësuesit, të huajt apo këdo tjetër që është i interesuar për gjuhën shqipe.
Përditësime të rregullta: Versioni në ueb përditësohet rregullisht pa pasur nevojë për shkarkim ose për instalim nga përdoruesi.
Burim i domosdoshëm gjuhësor: Në përgjithësi, është një mjet gjithëpërfshirës për studimin e aspekteve morfologjike të gjuhës shqipe, duke ofruar tabela të strukturuara dhe informacion të detajuar rreth formave të fjalëve, duke përfshirë emrat, përemrat, mbiemrat, foljet etj. Mbulon një gamë të gjerë tiparesh gramatikore dhe është krijuar për të lehtësuar mësimin e morfologjisë shqipe.