Rreth nesh

Gjuha shqipe dhe kompjuteri është projekti më i madh dhe më serioz i ndërmarrë ndonjëherë në përparimin e gjuhës shqipe. U bën më shumë se njëzet vjet nga dalja e softuerit tonë të parë Drejtshkrimori 1.0 për MS Office. Ky ishte një rezultat frymëzues që na shtyu të vazhdojmë me guxim e maturi edhe me shumë softuerë të tjerë.

Zgjidhjet që ne ofrojmë për disa probleme gjuhësore janë të bazuara në praktikat dhe përvojat e organizatave të rëndësishme që merren me gjuhësi kompjuterike, si Microsoft, Albasoft, Amebis etj., madje testimet që u janë bërë softuerëve tanë kanë treguar se niveli i tyre jo vetëm i shkallës teknike por edhe i asaj gjuhësore është shumë i lartë.

Realizime të tilla janë të çmuara në histori, madje edhe në kombet më të zhvilluara dhe, për këtë arsye, me krenari i falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi për angazhimin e tyre profesional. I falënderoj veçanërisht gjuhëtarët më të mirë në nivel kombëtar, që pa hezitim çdoherë kujdesen për anën gjuhësore të softuerëve tanë dhe programuesit e kompanisë Albasoft që kanë barrën kryesore për funksionalitetin e këtyre programeve kompjuterike. 

Veprimtaria e deritanishme gjuhësore dhe organizative mund të thuhet që përbën vetëm një aspekt të këtij projekti, i cili s’ka qenë aspak i lehtë. Nuk ka mbetur edhe shumë për t’u bërë, në përparimin e këtyre softuerëve, ashtu edhe për krijimin e disa softuerëve të rinj. Megjithatë nuk mund të thuhet se puna për këta softuerë konsiderohet e përfunduar, këta janë softuerë në zhvillim për sa kohë që kanë në qendër gjuhën, e cila është gjithmonë në ndryshim, prandaj dhe gjatë gjithë kohës punojmë për përmirësimin dhe përditësimin e këtyre softuerëve.

Jemi të përqendruar në dy lloj aplikacionesh: ato për mësimin e gjuhës shqipe nga nxënësit, studentët, mësimdhënësit dhe ato për drejtshkrimin e gjuhës shqipe nga punëtorët e administratës shtetërore, shkrimtarët, gazetarët etj.

Aplikacionet e GjuhaShqipe.com mund të përdoren në pajisjet me Android, në pajisjet me iOS, në pajisjet me Ueb, në pajisjet me Microsoft Windows, në pajisjet me Microsoft Office, në varësi të teknologjisë së parapëlqyer. 

Me një punë të palodhshme shkencore, më shumë se njëzetvjeçare e bërë me shumë kujdes nën parimet më të larta të gjuhësisë kompjuterike është krijuar pasuria më e madhe gjuhësore e kombit shqiptar; e veçantë për shumëçka; lehtësisht e përdorshme; lehtësisht e përmirësueshme; elektronike; e mbikëqyrur dhe në përparim e zhvillim të vazhdueshëm; e lehtë për t’iu qasur nga çdo shqiptar dhe nga çdo cep i botës.

Ky është projekt mbarëkombëtar në dobi të të gjithë shqiptarëve.

Misioni dhe vizioni

Duke pasur parasysh se gjuha shqipe është tipari kryesor i identitetit shqiptar, mjeti themelor që siguron ndërlidhjen shpirtërore midis shqiptarëve, ne mendojmë që gjuhësia kompjuterike është alternativa më e mirë, më frytdhënëse dhe me e përshtatshme në kushtet e sotshme për ruajtjen, begatimin dhe përparimin e gjuhës shqipe.

Ne kemi synim të qartë:  “NJË KOMB NJË GJUHË, NJË STANDARD NJË SOFTUER”. Sot është e pamundur që një komb të paramendohet si i përparuar pa gjuhën e standardizuar. Prandaj as ne shqiptarët nuk duhet dhe nuk jemi përjashtim i këtij rregulli.

Ne që në fillim kemi pasur parasysh që gjuha shqipe është pasuri gjithëkombëtare. Edhe kur kemi punuar dhe kur kemi marrë vendime të rëndësishme për gjuhën dhe për drejtshkrimin çdoherë jemi nisur nga e ardhmja e gjuhës shqipe. Prandaj përvetësimi me lehtësi dhe zbatimi me përpikëri i drejtshkrimit nga të gjithë ka qenë në plan të parë dhe synim themelor i të gjithë bashkëpunëtorëve.

Rezultatet e punës sonë duhet të jenë në dobi të të gjithë shqiptarëve dhe të njësimit kombëtar, në funksion të zhvillimit të arsimit, shkencës e kulturës në gjuhën shqipe.

Ky projekt, përkundër vështirësive të shumta, realizohet me dashuri të madhe për gjuhën shqipe. Nëpërmjet këtyre softuerëve, ne dëshmojmë se nuk jemi vrojtues të rëndomtë që vërejmë bastardimin e gjuhës shqipe, por kontribuojmë në ngritjen e nivelit të saj çdo ditë e më shumë.

Në kohën që jetojmë, në kohën e internetit, të ofrosh një pjesë të thesarit të gjuhës shqipe, përmes softuerëve të këtillë, jo vetëm që është nderë, por, duhet të jetë detyrë e secilit nga ne, duke pasur parasysh kërkesën e brezit të ri, për të përvetësuar dijet, në mënyrë bashkëkohore si bashkëmoshatarët e tyre, anembanë botës. Sa më shumë që vonohemi për këtë aq më i vështirë është synimi i shenjtë mbarëkombëtar shqiptar.

Siç dihet, Albanologjia është shkenca që merret me studimin e historisë, gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare apo tërësia e studimeve që bëhen në këtë fushë. Përmes portalit GjuhaShqipe.com synojmë po ashtu, bashkëpunimin mes institucioneve të ndryshme shkencore, organizimin e projekteve të hapura me pjesëmarrje të gjerë, përfshirja e komunitetit në hulumtime përmes internetit, bashkëpunimi në distancë, me një fjalë – përparimin e albanologjisë.

Në punën tonë, në projektin tonë të madh për gjuhën shqipe, brenda tri vitesh planifikojmë qe t’i themi lamtumirë programimit të rregullt dhe t’i themi mirë se vjen programimit përmes Inteligjencës Artificiale (Java, Python, Lisp, Prolog, and C++ si gjuhë kryesore për “Artifical Inteligence Programming”).

Lulëzim Shishani

Nismëtar i Kullës së shqipes!