Korrektori 1.0
Lexuesi 1.0
Fjalori i madh i gjuhës shqipe 2.0
Morfologjia digjitale e shqipes 2.0
Drejtshkrimori 3.0
Sintaksori 1.0
Sinonimia 1.0
Autokorrektori 2.0
Shkrimori 1.0
Ndarësi i fjalëve në rrokje 2.0 për MS Office
Abetarja digjitale e shqipes 1.0
Tastiera digjitale e shqipes 3.0 për MS Windows
Fillestarja digjitale e shqipes 1.0
Testo shqipen tënde 1.0
Mëso shqip 1.0
Korpusi i shqipes 1.0

Fjalori i madh i gjuhës shqipe 2.0

Është pjesë e softuerit Kulla e shqipes 2.0, pra, nëse e ke instaluar apo nëse e instalon Kullën e shqipes 2.0, në kompjuterin tënd instalohet edhe Fjalori i madh i gjuhës shqipe 2.0

Duke u nisur nga mungesa e theksuar e një fjalori të madh të gjuhës shqipe, Qendra për Edukim dhe Përparim në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës të Republikës së Kosovës, me ekspertë, gjuhëtarë, inxhinierë nga institucione të rëndësishme, si dhe me organizatat e specializuara në gjuhësi kompjuterike, Albasoft nga Prishtina e Albatag nga Tirana, kanë hartuar Fjalorin e madh të gjuhës shqipe me 100.000 zëra.

Softueri përmban mbi 100.000 fjalë e shprehje të gjuhës shqipe me kuptimet përkatëse dhe shpjegimet për secilin kuptim. Ky softuer shërben si një mjet i shpejtë referimi për çdo përdorues që kërkon të dijë kuptimet e një fjale, nuancat e saj kuptimore, si dhe shprehjet frazeologjike e fjalët e urta që kanë si kryesore fjalën e përzgjedhur. Secili prej kuptimeve të fjalëve është i shoqëruar me ilustrime të thjeshta të lidhjes së fjalës kryesore me fjalë të tjera. Përdoruesit i duhet vetëm të nisë të shkruajë fjalën dhe automatikisht renditen të gjitha fjalët që fillojnë me germat e shënuara në kërkim. Madje softueri ofron edhe kërkimin e përafërt, kur përdoruesi nuk është i sigurt për formën e saktë të fjalës që po kërkon. Softueri ofron gjithashtu mundësinë e kërkimit të fjalëve dhe grupeve të fjalëve edhe brenda shpjegimit të fjalëve dhe jo vetëm në fjalën titull. Një komandë mjaft e rëndësishme është ajo e kopjimit, që krijon mundësinë e kopjimit të një fjale së bashku me shpjegimet e saj. Nëse përdoruesi dëshiron të mbajë një shënim në faqen e kërkuar, këtë mund ta bëjë falë komandës së shënimit në fund të faqes.

Është pjesë e paketës softuerike Kullës së shqipes 2.0. Pra, nëse e e instalon Kullën e shqipes 2.0 në kompjuterin tënd me MS Windows, instalohet edhe ky softuer. 

Kujt i kushtohet?

Softueri Fjalori i madh i gjuhës shqipe 2.0 u vjen në ndihmë punëtorëve të administratës shtetërore, shkrimtarëve, gazetarëve etj. Po ashtu, nxënësve e studentëve, të huajve që dëshirojnë të mësojnë shqipen, si dhe studiuesve që dëshirojnë të bëjnë studime të thelluara në fushën e gjuhës shqipe. Ky softuer u shërben mësuesve gjatë procesit të mësimdhënies së gjuhës shqipe, për t’ua konkretizuar në mënyrë digjitale temat rreth kuptimeve të fjalëve, duke nxjerrë kuptimet e shumta të një fjale nëpërmjet kërkimit të drejtpërdrejtë. Kjo teknikë e re e mësimdhënies edhe mësimnxënies, mbështetur nga Fjalori i madh i gjuhës shqipe 2.0 e bën mësimin e shqipes edhe më cilësor, edhe më argëtues.

Ai është një vegël e rëndësisë së veçantë për gjithë ata që janë ose dëshirojnë të jenë në kontakt me gjuhën shqipe dhe ta përdorin drejt atë kurdoherë.

Si funksionon?

Softueri Fjalori i madh i gjuhës shqipe 2.0 është realizuar për t’u përdorur në disa versione, sipas mundësisë dhe zgjedhjes së përdoruesit. Ai ofrohet në këto versione për t’u shfrytëzuar: si aplikacion për në internet në një shfletues uebi, si aplikacion për kompjuter dhe si aplikacion për telefona apo tabletë (me sistem operativ Android ose iOS).

Fjalori i madh i gjuhës shqipe 2.0 për përdorim në internet është në dispozicion për të gjithë përdoruesit. Ai nuk kërkon shkarkim ose instalim, por kërkon lidhjen e internetit. Ky version përditësohet më lehtë dhe në ndryshim nga aplikacionet për celularë, një përdorues nuk ka pse të instalojë versionin e ri për të parë përmirësimet në faqen e internetit. Për pjesën më të madhe, përdoruesit nuk e vërejnë as procesin e përditësimit. Ata thjesht mund të shijojnë produktin e përditësuar. Ne ju rekomandojmë që të përdorni Fjalorin e madh të gjuhës shqipe 2.0 në internet. Për këtë mjafton që të regjistroheni në GjuhaShqipe.com

Versioni i Fjalorit të madh të gjuhës shqipe 2.0 për kompjuter dhe celularë është një produkt softuerik që mund të instalohet në kompjuterin dhe telefonat e zgjuar (smartphone) apo në tabletët e gjithsecilit. Në krye të faqes ku ndodhet softueri është butoni për shkarkim dhe instalim. Pas instalimit, në tryezë do të paraqitet një ikonë dhe mjafton që të klikohet mbi dritare me mi dhe hapet dritarja kryesore nga e cila mund të futesh në dritaret e tjera. Ky aplikacion funksionon ndryshe nga versioni për në ueb sepse duhet të instalohet veçmas, por është i mirëmenduar për t’i dhënë përdoruesit të gjitha mundësitë për ta shfrytëzuar vetëm me disa klikime të thjeshta. Ai mund të funksionojnë jashtë linje dhe në varësi të funksioneve të aplikacionit, mund të shkarkohen informacione ose përmbajtje dhe t'i përdorur edhe pa qasje në internet. Fjalori i madh i gjuhës shqipe 2.0 për pajisjet celularë ka dizajn të veçantë e miqësor për përdoruesit. Ky program nuk sjell vështirësi në përdorim. Komunikimi mes përdoruesit dhe programit është në gjuhën shqipe, madje në program gjendet edhe një skedar ndihmës për përdorimin e tij.

Funksioni bazë i këtij softueri në të gjitha versionet e tij është i njëjtë: Mjafton që përdoruesi të nisë të shkruajë germat e para të fjalës së dëshiruar dhe përnjëherë i ofrohet lista e fjalëve që nis me germat e kërkuara. Programi është i pajisur me disa butona për meny të ndryshme, ndër të cilët më i rëndësishmi është shiriti i kërkimit parësor. Me anë të një komande tjetër e cila është e vendosur ngjitur me komandën për kopjim, përdoruesi mund të kërkojë edhe për fjalë e grupe fjalësh brenda në shpjegimin e fjalëve. Pra, me anë të këtij softueri, përdoruesi jo vetëm mëson  dhe plotëson njohuritë për kuptimet e fjalëve, por edhe mund t’i kopjojë, të mbajë shënime për fjalë të ndryshme të cilave mund t’u rikthehet më pas. Si çdo softuer, edhe Fjalori i madh i shqipes 2.0 është i pajisur me dokumentin e ndihmës i cili është një burim i rëndësishëm për çdo pyetje a nevojë që mund të ketë përdoruesi në lidhje me funksionimin e komandave të softuerit.

Këtë softuer mund ta hasni me këta emra: “Fjalori elektronik shpjegues”, “FESh 2.0”, “Fjalori i madh i shqipes”, “FMSh”, Fjalori i madh i gjuhës shqipe", “FMGjSh”. 

Çfarë përmban?

Fjalori i madh i shqipes 2.0 përmban fjalët e gjuhës shqipe të zbërthyera në kuptimet përkatëse, të drejtpërdrejta ose të figurshme. Secila nga fjalët ka përbri shënimin për klasën e fjalës së cilës i përket. (HOLLËSISHT. ndajf.) 

Për secilin kuptim të fjalës janë dhënë shembuj të shumtë ilustrues të cilët e konkretizojnë më mirë kuptimin dhe i japin përdoruesit më shumë ide për shoqërimin e fjalës së kërkuar me fjalë të tjera. Përshkrimi i fjalëve është plotësuar shpesh me shprehjet frazeologjike dhe fjalët e urta që lidhen me fjalën kryesore:

GUR

Lëndë minerale e fortë dhe e patretshme në ujë, por e thyeshme, që gjendet në brendësi ose në sipërfaqe të tokës si masë e ngjeshur ose në copa të veçanta dhe që përdoret kryesisht si lëndë ndërtimi; një copë e veçantë e kësaj lënde me përmasa të ndryshme. Gur i fortë (i butë). Gur vullkanik (gëlqeror). Gur stralli kuarc. Gur i gdhendur. Gur lumi (zalli). Gurët e kalldrëmit. Guri i themelit. Gur vatre secili nga të dy gurët e vendosur në anë të vatrës, carani i vatrës. Gurët e qosheve (e pragjeve). Rrasë guri. Çekan (sëpatë) prej guri. Shtëpi prej guri. Punime në gur. I gdhendur (i shkruar) në gur. Thyej gurin. Hedh gurin. Shtroj me gurë. I ra (e qëlloi, e gjuajti, e goditi) me gurë. Me një gur s`bëhet mur. fj. u. Gur, gur bëhet mur. fj. u. Gurë, gurë bëhet kalaja. fj. u. Pika shpon gurin. fj. u.

Si tregues për kuptimet e ndryshme të së njëjtës fjalë janë përdorur shifrat arabe, duke ruajtur kështu mënyrën tradicionale të paraqitjes në fjalorët e ndryshëm shpjegues të shqipes. Po ashtu, edhe për fjalët homonime si tregues është ruajtur ai tradicional: shifrat romake të poshtëshënuara te fjala titull. Këto modele paraqitjeje e bëjnë programin edhe më familjar për përdoruesin.

VERË I 

1. Stina e dytë dhe më e ngrohtë e vitit, që vjen pas pranverës (në gjysmërruzullin verior fillon më 21 qershor e mbaron më shtator) ... 

2. Tërësia e muajve të ngrohtë të vitit, behar. Verë e dimër. Dita e verës dita e parë e marsit ...

VERË II 

1. Pije alkoolike që nxirret zakonisht nga tharbëtimi i mushtit të rrushit; një sasi e kësaj pijeje sa nxë një gotë ... 

2. Pije e tillë që del nga tharbëtimi i disa pemëve dhe që ka një shije të veçantë ...

Kuptimet e ndryshme të fjalëve janë të shoqëruara dhe me shkurtesa të ndryshme që tregojnë fushën e përdorimit (gjeogr., gjeol., hidrol., hist., kim. etj.), vlerat dhe nuancat kuptimore (bised., iron., shar., zvog. etj.), si dhe veçori të ndryshme gramatikore: em., f., v., nj., kal. etj.).

Të drejtat autoriale – Copyright (c) 

Ky softuer është zhvilluar nga Albasoft dhe Qendra për Edukim dhe Përparim, me seli në Prishtinë, dhe Albatag, me seli në Tiranë. Ne jemi 100% pronarë të këtij softueri!

Po ashtu, të gjitha të drejtat e tjera janë të rezervuara nga këto subjekte: ato që konsiderohen shpikje; rezultatet e punës hulumtuese; sekretet tregtare; dokumentet teknike; materialet gjuhësore; kodi burimor; të dhënat financiare, afariste, shkencore, teknike, ekonomike apo inxhinierike, duke përfshirë planet, formulat, dizajnet, prototipat, metodat, teknikat, proceset, procedurat, programet, kodet e çdo të dhënë tjetër. 

Përveç të drejtave që lejohen nga ne për përdorimin e softuerit, në përputhje me rregullat e përshkruara në “Kushtet e përdorimit”, askush nuk mund ta përdorë këtë softuer në asnjë mënyrë të njohur sot dhe në asnjë mënyrë tjetër që mund të shpiket në të ardhmen. 

Shumica e softuerëve tanë janë rezultat i projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri” me synimin e qartë “Një komb një gjuhë, një softuer”.