FUSHATA E FUNDIT
15 dhjetor 2023 - 31 mars 2024
Rregullat e pjesëmarrjes
Këshillat e anëtarëve rreth fushatës
Lista e fituesve të shpërblimeve
FUSHATA E VJETËR
Lista e fituesve të muajit maj 2023

15 dhjetor 2023 - 31 mars 2024

100€ shpërblim për çdo gabim drejtshkrimor që mund të gjeni në softuerin Kulla e shqipes!

Qendra për Edukim dhe Përparim në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës, ka hartuar Fjalorin e madh të gjuhës shqipe me 300.000 faqe A4.

Duam të sigurohemi që sa më pak ose asnjë gabim i vetëm të mos mbetet në këtë vepër të rëndësishme shkencore mbarëkombëtare. 

Andaj, ftojmë të gjithë përdoruesit e Kullës së shqipes që të raportojnë gabimet drejtshkrimore që mund të hasin. E ne marrim përsipër që për çdo gabim të raportuar të japim 100€ shpërblim, sipas kritereve të shpjeguara në faqen GjuhaShqipe.com

Pra, pjesë e Kullës së shqipes është edhe Fjalori i madh drejtshkrimor me rreth 8.000.000 forma fjalësh, për të cilin kërkojmë bashkëpunimin e përdoruesve të softuerit Kulla e shqipes dhe mirëpresim vlerësimin e gjerë të publikut shqiptar nga çdo vend përmes vërejtjeve e sugjerimeve. 

Fjalori i madh drejtshkrimor me rreth 8.000.000 forma fjalësh është publikuar tashmë në GjuhaShqipe.com, duke ia dhënë, në këtë mënyrë, përdoruesit Fjalorin drejtshkrimor më të madh të mundshëm të gjuhës shqipe gjer më sot, i cili do të përdoret si material gjuhësor burimor për softuerin Kulla e shqipes

Struktura morfologjike e gjuhës shqipe ka një larmi të madhe formash, sepse ajo është e pajisur me sistemin e rasave e të lakimit në fushën e emrave, mbiemrave, përemrave e pjesërisht edhe të numërorëve, dhe me sistemin e diatezave, të mënyrave, të kohëve e të zgjedhimit në fushën e foljeve.

Duke i paraqitur të gjitha format që marrin fjalët  e ndryshueshme, përdoruesi do të njihet me pasurinë e madhe të strukturës gramatikore të shqipes dhe do të ketë mundësinë të mësojë a të thellojë njohuritë e tij për shkrimin e fjalëve e të fjalëformave në gjuhën standarde, të njihet me mjetet morfologjike formëformuese që përdor shqipja për nënsistemin e fjalëformave të saj si dhe me mjetet fjalëformuese që shfrytëzon ajo gjatë formimit të fjalëve të reja në dobi të rritjes së leksikut të saj. 

Ne i falënderojmë hartuesit e Fjalorit të madh të gjuhës shqipe për një punë kaq të madhe e me cilësi. Megjithatë, edhe përkundër angazhimit të tyre të shkëlqyer, një punë e rëndësishme si kjo e Fjalorit të madh drejtshkrimor duhet të ketë sa më pak gabime, ose asnjë gabim drejtshkrimor. Këtej, jemi të gatshëm për një përpjekje shtesë në mënyrë që të marrim përsipër përmirësimin e çdo lëshimi që mund të ketë rrjedhur gjatë punës për këtë vepër të vëllimshme, madje duke ofruar shpërblim për çdo gabim të raportuar. 

Softueri më i përparuar për gjuhën shqipe, Kulla e shqipes, një punë e organizuar nga një shtet i përgjegjshëm siç është Republika e Kosovës, nuk bën të ketë shmangie drejtshkrimore, prandaj Qendra për Edukim dhe Përparim merr përsipër në çdo kohë përmirësimin e çdo gabimi që ka mund të rrjedhë gjatë punës sonë, madje duke dhuruar 100€ për çdo gjetje. Pra, do të bëjmë çmos jo vetëm tani, por edhe në të ardhmen, që kjo të jetë vepra me e besueshme shkencore gjuhësore për shqiptarët kudo që janë.

Gjuha shqipe ka qenë ndër të paktat gjuhë të kontinentit tonë që nuk kishte një fjalor të tillë drejtshkrimor, andaj kjo vepër shkencore e vonuar në shkencën shqiptare është një domosdoshmëri, kurse saktësia e këtij fjalori digjital përcakton saktësinë e miliona dokumenteve përmes softuerit “Drejtshkrimori 3.0”.

Shpresojmë që sa më parë edhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë të bashkohet në këtë projekt me synim të qartë: “Një komb, një gjuhë, një softuer”. 

Kjo fushatë, që synon përfshirjen e qytetarëve në raportimin e gabimeve të mundshme dhe përmirësimin e tyre, është ndarë në tri faza brenda periudhës 15 dhjetor 2023 deri më 31 mars 2024. Një proces i ngjashëm mund të organizohet sërish pas një kohe për kuptimet e fjalëve, sinonimet e antonimet.

Ky është linku për regjistrim:

https://sso.gjuhashqipe.com/Identity/Account/Register 

Deri tani jemi të mahnitur nga dëshira dhe gatishmëria e shumë qytetarëve për të dhënë sugjerime, për të shpalosur problemet e tyre në këtë fushë dhe për të propozuar fjalë të reja për Fjalorin e madh të gjuhës shqipe. Përfshirja e përdoruesve në paraqitjen e kërkesave të tyre të drejtpërdrejta te hartuesit e fjalorit është një praktikë e shpeshtë dhe bashkëkohore. Gjatë punës sonë janë me mijëra kontribuuesit që kanë dërguar fjalë të reja, shumë prej të cilave janë shqyrtuar nga redaksia e fjalorit dhe janë miratuar për të qenë pjesë e Fjalorit të madh. 

Ka qenë kënaqësi dhe frymëzim për ne mirëkuptimi e mbështetja nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës të Republikës së Kosovës për këtë vepër shkencore, si edhe gatishmëria e shumë bashkëpunëtorëve të njohur për të marrë pjesë në hartimin e saj, të cilëve u shprehim falënderimet tona.

Gjatë muajit prill 2023 me anëtarët e regjistruar në portalin GjuhaShqipe.com kemi pasur një debat rreth idesë së përfshirjes së tyre në përmirësimin e cilësisë gjuhësore të Kullës së shqipes. Kemi marrë qindra sugjerime e këshilla me vlerë për ne, të cilat mund t’i lexoni në faqen tonë. 

Jemi të vetëdijshëm se kjo është një fushatë e vështirë për t’u organizuar, sidomos për shkak të komunikimit në kohë reale me mijëra përdorues. Nga bashkëbisedat e deritashme me përdoruesit e Kullës së shqipes kemi vërejtur kryesisht tri lloje qëndrimesh:

  • Ata që me shumë dëshirë duan të marrin pjesë në këtë fushatë, edhe për shkak të pagesës.
  • Ata që duan të marrin pjesë, por kanë dyshime e nuk na besojnë, përveç nëse është çdo gjë drejtpërdrejt në internet.
  • Ata që janë të gatshëm të marrin pjesë edhe pa pagesë dhe kanë besim të plotë te ne.

Kësisoj, për ta hequr çdo dyshim, për të shmangur çdo keqkuptim, sipas kërkesës së disa përdoruesve, kemi vendosur që secili gabim të jetë i raportuar vetëm në internet (“online” përmes komentimit/postimit) e jo me e-postë (email) dhe çdo shpallje e fituesit, po ashtu, vetëm në internet. 

Kjo metodë e kërkuar nuk është fare praktike për ne, sepse duhet të përcjellim mijëra komente dhe t’i analizojmë në kohë reale e të mundohemi të përgjigjemi po ashtu përmes komentimit në internet. Kjo kërkon më shumë njerëz nga ana jonë për ta bërë dhe më shumë mund, do të na duhet të lexojmë edhe shumë komente të tjera që nuk raportojnë gabime etj. Nga ana tjetër, nëse do të ndiqej metoda e email-ave, raportimet do që do të grumbulloheshin në një vend e do të verifikoheshin nga gjuhëtarët tanë më me lehtësi.

Kjo është fushata e dytë për Kullën e shqipes dhe është vendosur të jetë përsëri e hapur, teknikisht në atë mënyrë që raportimi i gabimit të mbetet në internet, por edhe konfirmimi ynë apo mohimi të mbetet në internet, në të njëjtin vend, te fjala përkatëse. Shpresojmë që kjo mënyrë nuk do t’i pengojë të raportojnë edhe ata që hezitojnë t’iu shfaqet emri gjatë raportimit, por urojmë ta bëjnë këtë për hir të gjuhës shqipe. 

Për shkak të përvojës së mirë me fushatën e parë, gjatë muajit maj 2023, këto fushata do t’i përsërisim herë pas here, varësisht nga buxheti dhe mundësitë financiare.

Raportimet e gabimeve dhe përmirësimi i tyre do të organizohet në tri faza, në mënyrë që të përmirësohen sa më shumë gabime të mundshme në dy fazat e para. 

  • Për çdo gabim të raportuar në fazën e parë, nga data 15 dhjetor 2023 deri më 31 janar 2024, shpërblimi është 10€.
  • Për çdo gabim të raportuar në fazën e dytë, nga data 1 shkurt 2024 deri më 29 shkurt 2024, shpërblimi është 50€.
  • Për çdo gabim të raportuar në fazën e tretë, nga data 1 mars 2024 deri më 31 mars 2024, shpërblimi është 100€. 

Ju nxisim që të merrni pjesë vetë dhe t’i ftoni edhe të tjerët! 

Për të qenë të informuar e për të ditur në hollësi çdo gjë rreth fushatës duhet t’i përcillni këto tri dokumente:

Nëse bëjmë ndonjë gabim të vogël në organizimin e kësaj fushate shpresojmë në mirëkuptimin tuaj, ngase një fushatë e këtillë, për vlerësimin e mbi 100.000 fjalëve të gjuhës shqipe, me të gjitha fjalëformat e tyre, mbi 8.000.000 sosh, për tre muaj e gjysmë e me mijëra përdorues nuk është aspak e lehtë për t’u udhëhequr. 

Shpresojmë të gjeni sa më pak gabime drejtshkrimore, por edhe në rast se gjeni ne do të përfitojmë nga mënjanimi i tyre. Po ashtu, nga kjo fushatë presim përdorues të rinj të Kullës së shqipes në kompjuterat, tabletat, telefonat e tyre dhe një komunikim të mirë e të sinqertë me ta. Ne e bëjmë këtë punë në shërbim të gjuhës shqipe dhe në shërbim të atyre që e përdorin Kullën e shqipes.  

Gjitha të mirat! 

Lulëzim Shishani, drejtor

Qendra për Edukim dhe Përparim

[email protected]

+383 44 197474

Nismëtar i Kullës së shqipes!

GjuhaShqipe.com