Duke u nisur nga mungesa e theksuar e një softueri të përparuar mbarëkombëtar të gjuhës shqipe, Qendra për Edukim dhe Përparim, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës të Republikës së Kosovës, me ekspertë, gjuhëtarë, inxhinierë nga institucione të rëndësishme, si dhe me organizata të specializuara në gjuhësi kompjuterike, Albasoft nga Prishtina dhe Albatag nga Tirana, kanë zhvilluar softuerin më të përparuar për gjuhën shqipe - Kullën e shqipes.
Me synimin që të rrisë cilësinë dhe zbatimin e shqipes standarde në punën e saj, Qendra për Edukim dhe Përparim (QEP), më 2003, ka formuar Këshillin Kombëtar Shkencor për projektin “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”, i cili ndër vite ka pasur anëtarë studiues të njohur e të merituar të gjuhës shqipe si: prof. dr. Emil Lafe, prof. dr. Shefkije Islamaj, prof. dr. Enver Hysa, prof. dr. Isa Bajçinca, prof. dr. Fadil Raka, prof. asoc. Adelina Çerpja, prof. asoc. Anila Çepani, prof. dr. Mustafa Ibrahimi, prof. dr. Hysen Matoshi, prof. dr. Asllan Hamiti, prof. dr. Ismet Osmani, prof. ass. Bahri Koskoviku.
Këshilli ka punuar me përgjegjësi të lartë dhe me autonomi të plotë shkencore, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm ndër vite. Duke ndjekur zhvillimet e shqipes e duke bërë rishikimet e nevojshme e të domosdoshme, p.sh. ndryshe nga rregullat e vitit 1973 emërtimet e festave fetare, si Pashkë, Bajram, Krishtlindje etj. është vendosur të shkruhen me shkronjë të madhe. Po ashtu, në raste të veçanta, kur nga veprat e parimet e përgjithshme normative të gjuhës shqipe nuk mund të arrihej në një zgjidhje konkrete, është dashur të merren edhe vendime tjera të nevojshme për ecurinë e punës së projektit.
Platforma softuerike Kulla e shqipes, ka mundësuar përfshirjen në diskutimet tona rreth problemeve të gjuhës shqipe, ashtu si edhe në diskutime të ngjashme për gjuhë të tjera, të një numri të madh njerëzish jo vetëm të fushave filologjike, po edhe të fushave tjera.
Ne presim që softueri Kulla e shqipes jo vetëm ta përmirësojë ndjeshëm përdorimin e gjuhës shqipe në arsim, në shtyp, në botime dhe në administratë, por edhe ta pasurojë e ta ngrejë dukshëm kulturën gjuhësore të folësve të shqipes. Po ashtu, presim që të përmirësohet cilësia e mësimdhënies dhe e mësimnxënies së gjuhës shqipe, duke ndikuar në ngritjen e cilësisë dhe në përvetësimin e lëndëve të tjera mësimore.
Shpresojmë që pakoja softuerike Kulla e shqipes, të çojë përpara edhe bashkëpunimin ndërshtetëror Kosovë – Shqipëri, duke bërë të mundur mënjanimin e dallimeve gjuhësore të krijuara, sidomos në fushën e terminologjisë, si pasojë e ndarjeve politiko-administrative dhe të vështirësive jo të vogla në komunikimin kombëtar shqiptar.
Kjo vepër shkencore në formë elektronike është lehtësisht e përdorshme, lehtësisht e përmirësueshme, e mbikëqyrur dhe në përparim e zhvillim të vazhdueshëm, e lehtë për t’u qasur nga çdo shqiptar kudo që ndodhet.
Këshilli Kombëtar Shkencor edhe në të ardhmen do të angazhohet për realizimin e këtij projekti mbarëkombëtar në dobi të të gjithë shqiptarëve dhe të njësimit kombëtar, në funksion të zhvillimit të arsimit, shkencës e kulturës shqiptare.
Qendra për Edukim dhe Përparim