
Fjalori i madh i gjuhës shqipe
Mbi 100.000 fjalë dhe shprehje të Fjalorit të madh mund kërkohen lehtë përmes Kutisë së kërkimit.
Kutia e kërkimit në GjuhaShqipe.com (anglisht Search Box) është një vegël shumë e rëndësishme për gjetjen e shpejtë dhe të lehtë të çdo fjale të gjuhës shqipe që është në bazën e të dhënave tona.
- Kutia e kërkimit ofron edhe sugjerimin e fjalës. Pra, sapo të fillosh të shkruash fjalën, t’i sugjeron fjalët e përafërta dhe kështu mund të zgjedhësh njërën nga fjalët “e sugjeruara”.
- Kutia e kërkimit ofron kërkimin e drejtpërdrejtë në Fjalorin e madh të shqipes, në Morfologjinë e shqipes dhe në Fjalorin e termave të informatikës dhe shumë shpejt edhe në Korpusin e gjuhës shqipe dhe në Fjalorin Anglisht – Shqip – Anglisht etj.
- Pasi të gjeni fjalën në Kutinë e kërkimit mund të klikosh mbi atë fjalë, ose të shtypësh tastin Enter në tastierën tënde për më shumë informacion rreth fjalës që kërkon duke e shpalosur atë fjalë në softuerin gjegjës, përkatësisht në softuerin e parë lart, në të majtë. Vetëm me një klik mund të kalosh nga një softuer në tjetrin.
- Kutia e kërkimit të ndihmon ta gjesh fjalën në të gjithë softuerët dhe të jep sinjal me një shenjë të gjelbër nëse ajo fjalë gjendet në atë softuer apo jo.
- Nëse klikoni mbi softuerin që ka shenjën e gjelbër sinjalizuese, hapet ajo fjalë në atë softuer, pa pasur nevojë që ta shkruash prapë fjalën që ke kërkuar. Pra, me një klik mund të kalosh nga një softuer në tjetrin për studimin e fjalës së dëshiruar.
Teknika e kërkimit
Mund të kërkosh fjalë apo shprehje përmes Kutisë së kërkimit.
1. Nëse kërkon një fjalë, p.sh. “civil”, do të gjesh:
- Kuptimin e fjalës: “Që ka të bëjë me gjendjen dhe me të drejtat ligjore të qytetarëve në një shtet; që siguron të drejtën qytetare; që i përket qytetarit, që ka të bëjë me të”.
- Shembuj të përdorimit për atë fjalë.
- Sinonimet e asaj fjale.
- Antonimet e asaj fjale.
- Format e fjalës, civilë, civilëve, civilësh etj.
- Mund të gjesh përkthimin e saj në gjuhët tjera.
- Përdorimin e saj brenda Korpusit të shqipes.
2. Nëse kërkon një shprehje apo term, p.sh. “e drejtë civile”, do të gjesh:
- Kuptimin e shprehjes: “Akt legjislativ, në të cilin janë paraqitur në mënyrë sistematike normat që rregullojnë marrëdhëniet pasurore ndërmjet ndërmarrjeve, institucioneve, organizatave shoqërore, midis këtyre e shtetasve, si edhe marrëdhëniet pasurore e vetjake midis shtetasve.
- Përdorimin e “E drejta civile” brenda Korpusit të shqipes.
Pjesë e Fjalorit të madh të gjuhës shqipe është edhe Fjalori i termave të informatikës
Është pjesë e softuerit Kulla e shqipes 2.0. Pra, nëse e ke instaluar apo nëse e instalon Kullën e shqipes 2.0, në kompjuterin tënd instalohet edhe Fjalori i termave të informatikës 2.0.
Fjalori shpjegues i termave të informatikës 2.0, një fjalor dygjuhësh me 3000 terma nga kjo fushë, synon të jetë një mjet pune për një rreth shumë të gjerë përdoruesish, në radhë të parë për specialistët e fushës, si edhe për studentët, përkthyesit dhe për të gjithë ata që merren me teknologjinë e informacionit. Ai është një fjalor shpjegues dykahësh: anglisht – shqip – anglisht. Termat e përfshirë në këtë fjalor janë kryesisht nga këto nënfusha: Informatika si shkencë dhe teknologji, Hardueri dhe Softueri, Rrjetet kompjuterike, Gjuhët e programimit, Interneti dhe aplikacionet e tij etj.
Puna për hartimin e këtij fjalori ka qenë e lidhur ngushtë me procesin e lokalizimit të softuerëve të Microsoft-it në gjuhën shqipe: të Windows-it (Windows XP, Windows Vista, Windows 7) dhe të Office-it (Office 2003, Office 2007, Office 14), nismë kjo e ndërmarrë nga Qendra për Edukim dhe Përparim (QEP, Prishtinë) në korrik të vitit 2004. Paralelisht me lokalizimin e softuerëve të ndryshëm të rëndësishëm, u krijua një bazë të dhënash për termat kompjuterikë, e cila, sidomos dy vitet e fundit (2009-2010) erdhi duke u plotësuar dhe përmirësuar: u shtuan terma të rinj, termat ekzistues u plotësuan me kuptime të reja që kanë fituar ndërkohë dhe secili term u pajis me shpjegimet përkatëse. Për këtë, krahas termave në anglishte, që tashmë konsiderohet si lingua franca në këtë fushë, gjatë këtij procesi kemi pasur qasje edhe në përvojat e hartimit të fjalorëve të gjuhëve të tjera, si italisht, anglisht, frëngjisht, kroatisht etj. Për këtë është përdorur dhe baza e të dhënave në portalin e gjuhës të sajtit zyrtar të Microsoft-it, një bazë të dhënash për më shumë se 80 gjuhë, që mund të shfrytëzohet nga partnerët për lokalizime, përkthime e studime të ndryshme. Sigurisht që gjatë punës janë pasur parasysh dhe zgjidhje që ofrohen nga fjalorë të mëhershëm, qofshin ata të përgjithshëm apo specialë.
Version i shkurtër i emrit të këtij softueri është “AS FTI 2.0” ose “FTI 2.0”