Prof. dr. Shefkije Islamaj
A mund t’i caktohen kufij hapësinorë gjuhës?
Jetojmë në kohën e lëvizjeve të mëdha të popullatës në hapësirën shqiptare. Këto lëvizje dhe zhvillimet e shpejta shoqërore, ekonomike, dhe, sidomos, ato tekniko-teknologjike, në dy dhjetëvjetëshat e fundit, e kanë lëkundur ndjeshëm pamjen gjuhësore në arealin gjuhësor të shqiptarëve, duke krijuar situatën që në një territor jo të madh gjeografik e gjuhësor të bashkëjetojnë folës të të gjitha të folmeve tona, rrjedhimisht të bashkëjetojnë të folme të ndryshme të të dyja dialekteve tona, brenda Shqipërisë dhe Kosovës e më gjerë. Rezultate të lëvizjeve të tilla dhe rrjedhimisht edhe të “përzierjeve” çdo ditë e më të dukshme gjuhësore, janë ligjërimet të cilat nën ndikimin e ndërsjellë më të madh a më të vogël dhe, sidomos, të ndikimit të gjuhës standarde, po marrin pak a shumë fizionomi të reja. Shembuj për të dëshmuar një “përzierje” të tillë janë sidomos ligjërimet a të folurat e qyteteve të mëdha, posaçërisht të dy kryeqyteteve tona, Tiranës e Prishtinës [i], të cilat, sidomos në dy dhjetëvjetëshat e fundit, kanë shënuar rritje të madhe të popullsisë, si pasojë e lëvizjeve fshat – qytet, por edhe lëvizjeve prej qyteteve te tjera kah ato dhe lëvizjeve të tjera më të gjera hapësinore. Siç dihet, të folmet dialektore shpesh janë identifikuar si forma rurale të ligjërimit, ndërkaq sot po shtohen edhe dialektet urbane, të cilat nuk janë vetëm identitete gjeografike po edhe identitete shoqërore dhe kontekstuale.
Ndikimi i ndërsjellë ligjërimor po ndodh sot në gjithë arealin gjuhësor shqip, pra në të gjitha të folmet e të dyja dialekteve, po sidomos në të folmet e dialektit gegë, në të folmet verilindore, të cilat për rrjedhojë janë çdo ditë jo vetëm, ta themi, më pak “të pastra”, por po marrin një pamje dukshëm të përzier. Ky ndërndikim përmbajtjesor lidhet me ndryshimin e kontekstit të ri sociolinguistik në hapësirën shqiptare, me lëvizjen e shpejtuar dhe të shpeshtuar demografike ndërshqiptare e ndërqytetëse, me komunikimin e papenguar në gjithë hapësirën shqiptare, po edhe me ndikimin shumë të gjerë të gjuhës standarde në këtë areal gjuhësor dhe, sidomos, me mosnjohjen e normës së saj gjuhësore, moszotërimin ose zotërimin e pjesshëm ose jo të kënaqshëm të saj. Për ato që u thanë deri këtu, gjuhëtarët që merren me studimet dialektologjike dhe, sidomos me studimet sociolinguistike, sot nuk duhet të kënaqen vetëm me përfundime përshkruese të gjendjes dhe as me aktualizimin sipërfaqësor të dukurive aktuale për të cilat e kemi fjalën këtu.
Shfrytëzimi i të arriturave të gjuhësisë së sotme ofron një bazë e mirë që mundëson të gjenden përgjigjet për një varg çështjesh të rëndësishme për temën e ngritur për shqyrtim. Studimi i raporteve të reja gjuhësore brenda vetë shqipes është i rëndësishëm posaçërisht për gjuhën standarde dhe jetën e saj, por edhe për të folmet në kontakt, sepse ato mund të vijojnë rrugët e tyre zhvilluese në drejtime, shpesh, edhe “të papritura”, kurse studiuesit mund dhe duhet të hetojnë e të identifikojnë drejtimet e prirjet zhvilluese gjuhësore, sepse jo vetëm gjuha standarde po edhe çdo dialekt e çdo idiomë dialektore paraqet pasuri më vete gjuhësore e kulturore: njëra nga to ruan më shumë lashtësinë tonë gjuhësore, tjetra shpreh më shumë gjallësinë tonë shekullore, e para qëndrueshmërinë, e dyta risimtarinë, e kështu me radhë, por të gjitha bashkë paraqesin pasuri e larmi të madhe gjuhësore, pasuri e larmi të madhe kulturore. Zhvillimi gjuhësor dhe ndryshimet dialektore më së miri përfushin larminë gjuhësore, pra larminë dialektore. Nuk duhet të harrohet asnjëherë që dialektet e një gjuhe janë zhvillim i saj hapësinor [ii], prandaj ndryshimet që ndodhin në dialektet pa marrë parasysh nëse fjala është për ndryshime gjuhësore të ndikuara së jashtmi a së brendshmi, nuk mund të jenë të parëndësishme për teorinë e pragmatikën e saj.
Kur flasim në mënyrë të përgjithësuar për “përzierjen” gjuhësore para së gjithash parakuptojmë kontaktet dhe ndikimet ndërgjuhësore, por kjo vlen deri në një farë mase edhe për kontaktet e ndikimet ndërdialektore, rrjedhimisht edhe për “përzierje” ndërdialektore. Parimet themelore dhe ligjësitë e “përzierjes” gjuhësore janë të njëjta si për gjuhët në kontakt ashtu edhe për dialektet në kontakt. Përzierjet realizohen, në të dyja rastet, sipas ligjësive të përcaktuara, në mënyrë sistemore, por, nëse gjatë këtyre përzierjeve gjuhësore këto ligjësi nuk janë sistemore në vazhdimësinë dhe natyrshmërinë e tyre, por ndodhin si rezultat vetëm i nevojave të domosdoshme komunikuese të pjesëtarëve të bashkësive të ndryshme t’i quajmë, kushtimisht, dialektore, mund të krijohet situatë mjaft e përbërë gjuhësore, për të mos thënë se mund të “lindin” ligjërime të përziera dhe pa një identitet të qartë gjuhësor, pra as dialektor. Shembuj të tillë sot, besoj, se kemi edhe jashtë gjuhës shqipe.
Situata e re gjuhësore që po krijohet, sidomos në Kosovë, kërkon vëmendjen e studiuesit shqiptar. Nëse ndikimet ndërgjuhësore, për të cilat kanë tërhequr vëmendjen me kohë edhe studiues të shumtë, ndër ta në mënyrë të veçantë Jesperseni, Meje, Martine e të tjerë, janë fare të kuptueshme, për ndikimet brendagjuhësore të shqipes sot, për shkaqet dhe rrjedhojat e tyre, duhet të përcaktohen të dhëna, kritere e përmasa të reja për analizat dhe studimet që duhen të ndërmerren në këtë fushë. ”Përzierjet” gjuhësore lindin nga nevoja për komunikim, ndërkaq nevoja të tilla themelore komunikuese nuk ka brenda një gjuhe dhe, rrjedhimisht, as brenda gjuhës shqipe, sepse ngjashmëria a afria e strukturave gjuhësore midis atyre të gjuhës standarde dhe atyre të dialekteve, pra edhe të atyre gege, është shumë reale dhe nuk çon në krijimin e formimeve të veçanta gjuhësore çfarë njeh, pa dyshim, historia e gjuhëve botërore. Ndonëse parimet themelore të “përzierjes” së gjuhëve të veçanta dhe të “përzierjes” së dialekteve të një gjuhe janë të njëjta ose të përafërta, në mjaft raste edhe faktorët gjuhësorë dhe ata jashtëgjuhësorë mund të përcaktojnë rrugë të ndryshme të zhvillimit të dialekteve që gjenden në kontakt dhe, sidomos, të zhvillimit të gjuhës standarde dhe të dialekteve në kontakt - rrugë këto të ndryshme nga ato që njihen e që vlejnë për përzierjet gjuhësore, përkatësisht për gjuhët në kontakt në përgjithësi. Dialektet e së njëjtës gjuhë nuk janë entitete gjuhësore plotësisht të huaja ndërmjet tyre, siç janë gjuhët me struktura plotësisht të ndryshme, ose dialektet strukturat e të cilave shprehin shkallë të ndryshme dallimi. Dallime të caktuara midis dialekteve të një gjuhe mund të ekzistojnë edhe vetëm në një rrafsh të sistemit të gjuhës, pra jo domosdoshmërisht në të gjitha rrafshet e gjuhës. Kështu, siç dihet, brenda dy dialekteve të shqipes a të folmeve ndërdialektore, ka elemente dalluese në rrafshin fonetik dhe në rrafshin morfo-sintaksor, përkatësisht foljor, dallime të cilat, rrjedhimisht, ndërtojnë raportin gjuhë standarde – dialekte. Për të kuptuar dhe shpjeguar më për së afërmi “përzierjen” dialektore dhe “përzierjen” gjuhë standarde – dialekt është e nevojshme të përcaktohen qartë strukturat ligjërimore të të dyja dialekteve që marrin pjesë në “përzierjen” që ndodh gjatë kontaktit të tyre dhe të shpjegohen faktorët kryesorë që e shkaktojnë këtë përzierje. Pra, e rëndësishme është të përcaktohet se për çfarë kontaktesh e për çfarë ndikimesh bëhet fjalë.
Tërësia e mikrosistemeve gjuhësore të një krahine krijon një makrosistem që është përmbledhje e veçorive karakteristike për atë makrosistem në tërësi dhe e atyre veçorive që e bëjnë atë makrosistem të dallueshëm prej makrosistemeve të tjera. Areali ynë gjuhësor nga ana dialektore është mjaft i degëzuar. Brenda dy makrostrukturave të rendit më të lartë (dialekti gegërisht dhe dialekti toskërisht) përfshihen shumësi strukturash sikundër edhe brenda këtyre dy strukturave që ekzistojnë shumësi mikrostrukturash të rendit më të ulët. Në studimet dialektore, sidomos të këtyre dy dhjetëvjetëshave të fundit, janë trajtuar edhe risitë fonetike e morfo-sintaksore në të folmet tona të konkretizuara mjaftueshëm me lëndë nga terreni. Këto risime flasin për ndryshimet aktuale që kanë ndodhur dhe që po ndodhin në rrafshin e shprehjes dhe në rrafshin e përmbajtjes ose vetëm në njërin prej këtyre rrafsheve, si pasojë e përzierjeve, në të vërtetë si pasojë e kontakteve dialekt – dialekt dhe sidomos si pasojë e kontaktit gjuhë standarde – dialekt. Gjuhëtarëve u takon të përcaktojnë llojin e këtyre ndikimeve si dhe të identifikojnë ndryshimet dhe risimet që janë rezultat i bashkëjetesës dhe i lëvizjeve. Në këtë rast faktorët e jashtëm jogjuhësorë, historik-shoqërorë, duhet të zënë vend të rëndësishëm në studimin dhe në analizat e situatës së re gjuhësore në hapësirën shqiptare.
Përzierja dialektore, përzierja e idiomave organike a e të folmeve lokale si mikrosisteme gjuhësore bazë, dhe ndikimi i shqipes standarde mbi dialektet dhe të folmet, sidomos përmes shkollës dhe mjeteve të informimit (të shkruara dhe elektronike), rrjedhimisht edhe shfaqja e dukurive dhe e risimeve gjuhësore, ende nuk janë bërë gjerësisht objekt studimi në gjuhësinë shqiptare. Në “Sociolinguistikën” [iii] e studiuesit Gjovalin Shkurtaj, në të cilën, pos të tjerash, janë trajtuar e analizuar dallueshëm edhe aspekte të shtresëzimeve gjuhësore, rrjedhimisht edhe të diferencimeve gjuhësore-shoqërore sipas kritereve të ndryshme brenda bashkësive folëse, përkatësisht etniteteve gjuhësore, dhe ndërmjet tyre, gjejmë të trajtuara edhe këto “përzierje” bashkë me klasifikimet e variacioneve gjuhësore, si forma gjuhësore të sistemuara dhe të përkufizuara qartë, si: kohore, krahinore, sociale, funksionale e të tjera.
Ndryshime dhe risitë e përftuara nga këto kontakte e provojnë mirë se gjuha, pasojisht edhe dialektet a të folmet, nuk janë të mbyllura në vetvete dhe as nuk janë monosisteme dhunshëm homogjene, po janë polisisteme të veçanta, të përbëra, të gjalla, të epshme, të cilat për së brendshmi ndërdepërtohen përmes lëvizjeve të pashkëputshme, kurse për së jashtmi shtrihen edhe përtej bazës së vet. Mund të thuhet, prandaj, se nuk është e mundshme të përcaktohen qartë asnjëherë kufijtë hapësinorë gjuhësorë, as dialektorë dhe as nuk është gjithmonë e lehtë të përcaktohet cilat janë ndryshime të brendshme në një dialekt e cilat ndryshime të jashtme, çka është zhvillim i vetë atij e çka është ndikim, ta themi kushtimisht, i ardhur së jashtmi, natyrisht duke i parë këto procese gjithnjë sipas një rregullsie të parasupozuar.
Nëse, megjithatë, këta kufij mund të përcaktohen qartë në raport me gjuhët e tjera, çka mund të thuhet për “kufijtë” e brendshëm, ose çka ndodh brenda një gjuhe – ku bashkohen e ku ndahen dialektet, nëndialektet a të folmet tona? Po kufiri midis gjuhës standarde dhe dialekteve a mund të përkufizohet? Është vërtetuar se veçantitë gjuhësore a dialektore asnjëherë nuk kanë shkallë të njëjtë të përshtrirjes hapësinore, që do të thotë se kufijtë e izoglosave nuk pajtohen, ato janë të pavarura njëra kundrejt tjetrës siç e provon edhe vetë “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe” [iv].
Nga kjo anë hulumtimi dhe studimi i ligjërimit të shqiptarëve të Kosovës paraqet interes për studime të kësaj natyre. Konteksti i ri socio-gjuhësor sidomos këtu e mbi 20 vjet ka nxitur e përshpejtuar një varg ndryshimesh, prirjesh zhvilluese e procesesh, që flasin për ndërndikime në rrafshe të ndryshme gjuhësore, rrjedhimisht edhe në raportet dialekt – gjuhë standarde dhe sidomos në raportet e anasjella gjuhë standarde – dialekt, por edhe dialekt – dialekt. Jo vetëm për studiuesit e gjuhës standarde dhe për dialektologët, po sidomos për sociolinguistët, janë me interes sot studimet që do të kenë për objekt këto kontakte brendagjuhësore dhe rrjedhojat e tyre, gjithnjë duke pasur parasysh faktin, si thotë gjuhëtari Zhozef Vandrie, [v] se mënyra se si është formuar një gjuhë e përbashkët mund të ndikojë në raportin midis saj dhe dialekteve, sepse kur një gjuhë e përbashkët në thelb përfaqëson dialektin, i cili falë rrethanave është zgjedhur si bazë e gjuhës letrare, ai do të përthithë më lehtë a më pak të vështirë gjuhën e përbashkët, kurse dialekti tjetër që nuk është marrë për bazë, me kohë e shkallë-shkallë, do të shkrihet në gjuhën e përbashkët. Ndonëse ato përfaqësojnë nivele të ndryshme gjuhësore dhe funksionale, ndaj ndërdepërtimeve gjuhësore nuk janë “imune” asnjëra palë, sepse, siç e thamë më lart, kufij të prerë midis tyre nuk mund të ekzistojnë dhe se, ashtu siç është e natyrshme dhe e pritshme, midis tyre realizohen ndërkëmbime të ndërsjella, por jo me sasi, me peshë e me vlerë të njëjtë. Rezultatet e hulumtimeve për këto raporte në rrethanat e krijuara sot do të sillnin të dhëna teorike me interes për gjendjen e lëndës sonë gjuhësore dhe të elementeve të saj, që do të dëshmonin qartë për korpusin tonë gjuhësor nën trysninë e lëvizjeve shoqërore e gjuhësore dhe prirjet që shfaqen në këtë korpus nga këto trysni.
Përzierjet krijojnë variacione gjuhësore të rrafshit shqiptimor, rrafshit gramatikor dhe rrafshit leksikor dhe ato të shumtën e herës kanë karakter sistemor dhe janë rezultat i ndikimeve të ndërsjella të faktorëve gjuhësorë e socialë, por jo rrallë këto variacione kanë karakter rastësor. Ndërndikimet si rrjedhojë e kësaj përzierjeje mund të shihen në të gjitha rrafshet e gjuhës, por më të dukshmet janë në rrafshet: fonetik, fonologjik, morfosintaksor dhe, patjetër, leksikor. Faktorët pragmatikë, siç e thotë enciklopedisti Dejvid Kristal [vi], ndikojnë gjithmonë në përzgjedhjen tonë gjuhësore duke filluar nga rrafshi fonetik e deri te fjalori. Kështu në rrafshin fonetik-fonologjik gjuha standarde dhe dialekti gegë ose edhe të dyja dialektet shprehin mjaft kundërvënie (fonetike dhe fonologjike) sipas kualitetit, kuantitetit dhe sipas njësive segmentore dhe mbisegmentore.
Në këtë kontekst, siç u tha më sipër, është me interes të dihet se, në këto ndërkëmbime, cilat elemente gjuhësore tregojnë qëndrueshmëri, paqëndrueshmëri a dobësi më të madhe në raport me tjetrën, në të vërtetë cila është shkalla e “zbutjes” së shënjuesve përdallues të të dyja këtyre niveleve ligjërimore. Duke qenë se fjala është për dy dialekte mjaft të afërta, gegërishten dhe toskërishten, do të ishte mirë të studiohej cila është hierarkia dhe shkalla e ndryshimeve si rrjedhojë e “përzierjes” së dy dialekteve ose e përzierjes së gjuhës standarde me dialektet në këto afër 30 vjetësh, më saktësisht nga fillim vitet ‘90 e këndej.
Edhe në rrafshet e tjera gjuhësore mund të identikfikohen shumë risime – elemente të reja, forma të përziera foljore, ndërtime të reja strukturore, fjalë e togfjalësha deri edhe terma, si pasojë e ndërndikimeve nga raportet e sipërpërmendura. Duhet të thuhet se ndryshimet a risimet zakonisht ndodhin në ato rrafshe gjuhësore midis të cilave ekzistojnë dallime më të mëdha strukturore, por duke qenë se te dialektet tona këto dallime nuk janë gjithmonë të njëjta, ashtu siç nuk është e njëjtë as shtrirja e tyre, rezultatet e përzierjes së tyre mund të jenë të ndryshme dhe të papritshme. Studimi i gjerë i këtyre ndryshimeve dhe risimeve do të ndihmonte nëse jo për të parë një pamje sado kudo të qartë gjuhësore, përkatësisht dialektore të shqiptarëve sot, atëherë ai do të dokumentonte dukuri të reja gjuhësore në gjuhën standarde dhe në të ligjërimet e shqiptarëve sot.
Nëse për ndërkëmbimet e rrafshit fonetiko-fonologjik dhe të atij morfo-sintaksor duhen analiza të gjera dhe të përbëra, çështja e ndërndikimeve në rrafshin e leksikut duket më e thjeshtë dhe më konkrete. Duke qenë se leksiku është shprehje e jetës shpirtërore e materiale të njerëzve në një mikro- e makroterritor të caktuar dhe, njëkohësisht, shprehje e qenësisë dhe e veprimtarisë së përgjithshme të folësve të tij, dialektet e shqipes, nëndialektet dhe të folmet e saj ofrojnë shtresa shumë të larmishme leksikore të kushtëzuara nga hapësira, tradita, historia dhe kultura, për çka kontaktet midis këtyre shtresave janë me rëndësi të pamatshme jo vetëm për zhvillimet gjuhësore. Në këtë kontekst vlen të shtohet mendimi se norma gjuhësore nuk mund të ndjekë çdo zhvillim gjuhësor në hapësirën shqiptare. Detyra kryesore e gjuhës standarde, përkatësisht përcaktimi i normës së saj gjuhësore, siç parakuptohet, është të zvogëlojë natyrshëm sa të jetë e mundur larminë kohore e hapësinore të formave gjuhësore, në mënyrë që të zotërohet sa më lehtë e sa më shpejt prej folësve të saj.
Ashtu siç mund të flitet për raportin midis dialekteve dhe gjuhës standarde, mund të flitet edhe për raportin midis leksikut dialektor dhe leksikut standard. Kur një gjuhë e kulturës ka standardizim të gjatë dhe të qëndrueshëm ky raport është mjaft i qartë dhe kufijtë midis këtyre dy realiteteve janë të përcaktuar plotësisht, ndërkaq në rastet kur historia e standardit është e shkurtër dhe kur ky standardizim ende nuk është i stabilizuar mjaftueshëm ose ky stabilizim është i pjesshëm, siç është rasti me standardin e gjuhës shqipe – ky raport paraqitet më i ndërlikuar, kurse përcaktimi i kufijve midis njërës dhe tjetrës shtresë leksikore nuk është shumë i qartë edhe për faktin se përzgjedhja shpesh është subjektive. Fjala dialektore si element i çdo idiome jonormuese i “kundërvihet” asaj standarde me faktin e thjeshtë se ajo është normuar më vonë. Në këtë kontekst duhet të vështrohen edhe raportet kryesore midis fjalorit dialektor dhe fjalorit të gjuhës standarde.
Kur normohet një fjalë, ajo njëkohësisht normohet në të gjitha nivelet e strukturës së saj: fonologjike, morfologjike-fjalëformuese dhe semantike dhe për këtë arsye çdo realizim i saj i veçantë i konsideruar i ndryshëm nga ai që quhet standard duhet të pranohet si jostandard, do të thotë si realizim nënstandard. Si do të përcaktohet më tej statusi i asaj njësie leksikore, në të vërtetë cila do të jetë rruga e saj normuese do të varet nga shumë tregues të tjerë, sepse ajo mund të jete dialektore, bisedore, zhargonore ose e shënjuar në çfarëdo mënyre tjetër.
Leksiku i gjuhës standarde mund të pasurohet me leksikun dialektor më lehtë kur ai shpreh gjallësi dhe kur “asnjanësohet” prejardhja e tij dialektore ose kur një njësie leksikore i përcaktohet plotësisht ngjyrimi i saj stilistik, semantik ose funksional, me fjalë të tjera, çdo fjalë dialekttore, sipas disa “mekanizmave” pak a shume të qëndrueshëm, mund të standardizohet, sepse gjuha standarde shqipe është “një strukturë e hapur për të gjitha ato njësi që sjellin mundësi të reja të shprehjes së nocioneve a të ngjyrimeve të holla semantike e stilistikore-shprehëse.” [vii]
Dialektet dhe leksiku dialektor janë pjesë përbërëse të pasurisë sonë të përbashkët gjuhësore, rrjedhimisht edhe kulturore e kombëtare, kurse përshtrirja dhe larmia e tyre janë dëshmi të historisë sonë në përgjithësi dhe të historisë sonë politike në veçanti, sepse çdo lëvizje e popullsisë dhe çdo lëvizje kufijsh është shoqëruar dhe shoqërohet edhe me lëvizjen e fjalëve dhe me ndryshime të shumta dhe të llojllojshme të strukturave të tyre, kurse shkalla e ndryshimeve më drejtpërdrejt kushtëzohet nga faktorë të jashtëm.
Literatura
Bugarski, Ranko, Jezik u društvu, “Prosveta”, Beograd, 1996.
Dejvis Kristal, Enciklopedijski rečnik moderne lingvistike, “Nolit”, Beograd. 1997.
Katičić, Radoslav, Jezikoslovni ogledi, “Školska knjiga”, Zagreb, 1974.
Lloshi, Xhevat, Shqipja gjuhë e hapur dhe dinamike, “Onufri”, Tiranë, 2011.
Simeon, Rikard, Enciklopedijski rečnik lingvističkih naziva, Matica Hrvatska, Zagreb, 1969.
Škiljan, Dubravko, Pogled u lingvistiku, “Školska knjiga”,
Zagreb, 1985.
Shkurtaj, Gjovalin, Disa dukuri të së folmes së Kurbinit në dritën e sociolinguistikës, “Studime filologjike” 3–4, IGJL, ASHSH, Tiranë, 2000.
Shkurtaj, Gjovalin, Sociolinguistika e shqipes. Nga etnologjia te etnografia e të folurit, Tiranë, 2009.
Thomai, Jani, Leksiku dialektor e krahinor në shqipen e sotme, Tiranë, 2000.
[i] Në Prishtinë gjuha standarde funksionon në një farë realizimi të vetin variantor (varianti vendor i gjuhës standarde), kurse me të bashkëjetojnë edhe realizime të tjera gjuhësore, si urbano-krahinore, dialekto-rurale sociolektale (idiomat shoqërore), stilet funksionale dhe idiolektet. Mendoj se edhe Tirana ka një situatë përafërsisht të ngjashme gjuhësore, në të vërtetë të dyja kryeqytetet tona, Tirana dhe Prishtina, në kuptimin linguistik paraqiten si dy entitete tejet të përbëra gjuhësore. Edhe në qytetet e tjera të mëdha shqiptare po ndodh një lloj diferencimi jo vetëm territorial i gjuhës, prandaj mund të thuhet se sot nuk ekziston gjuha e qytetit, por gjuhët e qytetit, prandaj sot flitet edhe për dialektologjinë urbane. Madje edhe për një dialektologji sociale.
[ii] Radoslav Katičić, Jezikoslovni ogledi, Zagreb, “Školska knjiga”, 1971, f. 127.
[iii] Gjovalin Shkurtaj, Sociolinguistika e shqipes. Nga dialekologjia te etnografia e të folurit, „Morava“ , Tiranë, 2013.
[iv] Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe. Vëllimi I, Napoli, 2007; Vëllimi II, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. Università degli Studi di Napoli L’Orientale, Napoli, 2008, 464 f. + harta me ngjyra; 601 f. Ky atlas, sipas gjuhëtarëve hartues të tij, paraqet realitetin dhe dukuritë gjuhësore të regjistruara, të vëzhguara e të studiuara deri në vitet tetëdhjetë dhe, siç thotë drejtuesi i këtij projekti të madh, Jorgji Gjinari, me rastin e përurimit të tij në janar 2009, shërben “për njohjen e dialekteve në momentin kur është hartuar atlasi,” pra në vitet ’80-’90 dhe është “i rëndësishëm për historinë e gjuhës shqipe, për gjuhën letrare, për marrëdhënien e gjuhës letrare me dialektet pas formimit të saj, për pasurimin e saj” (“Panorama” 23.1.2009), që do të thotë se në të nuk kanë mundur realisht të përfshihen e të merren për bazë as lënda gjuhësore dhe as realiteti i viteve nëntëdhjetë e tutje kur shoqëria shqiptare në gjithë hapësirën e saj njeh zhvillime të gjera e të përshpejtuara, lëvizje të ndërsjella të popullatës dhe përgjithësisht ndryshime edhe në rrafshin gjuhësor. Së këndejmi mund të thuhet se përcaktimi i këtyre kufijve jo vetëm se është i vështirë, por sa vjen e bëhet edhe më i ndërlikuar.
[v] Žozef Vandrijes, Govor, Novi Sad, Knjižarnica “Zorana Stojanovića”, 1998, f. 257.
[vi] Dejvis Kristal, Enciklopedijski rečnik moderne lingvistike, “Nolit”, Beograd, 1997, f.120.
[vii] Androkli Kostallari, Parimet themelore për hartimin e “Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe”, “Studime mbi leksikun dhe mbi formimin e fjalëve në gjuhën shqipe” II, ASHSH, IGJL, Tiranë, 1972, f. 17.