Javën e shkuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Tiranës është mbajtur seanca përfundimtare kundër të akuzuarit Valter Memisha, zyrtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, i cili është shpallur fajtor e dënuar për kryerjen e veprave penale kundër Qendrës për Edukim dhe Përparim, me seli në Prishtinë, për fjalorin e gjuhës shqipe.
Në Shqipëri
Në këtë proces gjyqësor, rol vendimtar për zbardhjen e së vërtetës kishin avokatët tanë në Tiranë z. Spartak Ngjela dhe znj. Dorela Gjika, të cilët i falënderojmë për punën profesionale.
Përveç tjerash, sekretari i projektit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Valter Memisha, në një emision të datës 02.06.2021, të transmetuar në Radiotelevizionin Shqiptar, kishte shpifur ndaj Qendrës për Edukim dhe Përparim, duke shfaqur një urrejtje e përçmim për projektin e Prishtinës për përparimin e gjuhës shqipe.
Heshtja e institucioneve zyrtare që Memisha përfaqëson, e pamundëson të dihet nëse qëndrimet e tij kundër projektit të Kosovës dhe shpifjet e vazhdueshme janë në emrin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë e të Qeverisë së Shqipërisë apo janë private, ndonëse kjo mund të sqarohet gjatë proceseve të tjera gjyqësore për kompensimin e dëmeve materiale që na janë bërë.
Në të shkuarën kemi pasur bashkëpunim të kontraktuar me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe është pranuar roli ynë si partner i Microsoft-it për gjuhësinë kompjuterike të shqipes për tërë rruzullin. Nuk kanë munguar as rezultatet e përbashkëta sikur janë përkthimi i MS Windows dhe MS Office në një version të vetëm në shqip për tërë përdoruesit anembanë botës. Kontratat tona kanë qenë dhe janë të drejtpërdrejta me selinë qendrore të Microsoft-it në Redmond Washington dhe në Dublin të Irlandës. Me punën tonë dhe qëndrimet e duhura politike e juridike dy dekada e kemi penguar ndarjen e gjuhës shqipe në tri gjuhë, pra e kemi penguar ndarjen në tri gjuhë të ndryshme, në tri shtete që e kanë gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, dhe kemi imponuar trajtimin e gjuhës shqipe si një të vetme me një standard për këto tri shtete dhe për tërë rruzullin. Rol ky i pranuar dhe i mbështetur atëherë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, si partner yni i kontraktuar. Tash kjo Akademi ka marrë qëndrim të kundërt për gjuhën dhe pa ngurrim dëmton të ardhmen e gjuhës shqipe. Përfaqësues të Qeverisë së Shqipërisë, të frymëzuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, kanë bërë veprime konkrete për përçarje kombëtare, duke ndikuar, lejuar dhe miratuar trajtimin e gjuhës shqipe si tri gjuhë të ndryshme zyrtare në platformat e Microsoft-it, që përdoren nëpër institucionet shtetërore e arsimore në Shqipëri. Korporata Microsoft, pa fajin e vet, duke respektuar qëndrimin politik dhe juridik të Shqipërisë, ka lejuar teknikisht dhe juridikisht në platformat e saj softuerike (MS Windows, MS Office etj.) të ketë tri gjuhë shqipe: Albanian Albania, Albanian Kosovo dhe Albanian North Macedonia.
Nga ky qëndrim në dëm të gjuhës së përbashkët me një standard ende mund të hiqet dorë nëse do të kishte vullnet të mirë në institucionet zyrtare të Shqipërisë. Megjithatë, tani për tani, ata refuzojnë që softuerët e prodhuar në Kosovë të jenë të përbashkët edhe për banorët e Shqipërisë dhe për tërë rruzullin. Ky refuzim bëhet kinse për ta ruajtur tregun nga kosovarët, me shpresë që një ditë Shqipëria do t’i zhvillojë vetë softuerët e njëjtë e që do të mund të përdoreshin vetëm në Shqipëri. Nuk duan as ta kuptojnë që me këtë veprim krijohet përçarje kombëtare, sepse teknikisht dhe juridikisht krijohen mundësitë që në kompjuterë (softuerët e Microsoft-it) të ketë tri gjuhë shqipe me tri standarde të ndryshme, e jo një, siç e do interesi kombëtar. Lëvizjet e para në këtë drejtim të gabuar, me pasoja të paparashikuara kundër gjuhës standarde të përbashkët, janë realizuar tashmë, siç mund t’i hasni në çdo version të ri të softuerëve të Microsoft-it në përdorim nëpër institucionet e Shqipërisë. Ne kemi tërë informacionin e mbledhur për personat dhe angazhimin e tyre në emër të qeverisë shqiptare, që kanë kërkuar dhe lejuar këtë. Sikur të kishte një adresë të besueshme në Shqipëri, me strategji të qartë kombëtare, do t’i dorëzonim me dëshirë këto informacione dhe kjo mund të ndodhë në momentin që Ministria e Arsimit e Shqipërisë të heqë dorë nga ndikimi përçarës, në fushën e gjuhës, i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe i Akademisë së Studimeve Albanologjike. Refuzimi i Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë për të vazhduar financimin e fjalorit përçarës të Akademisë, është një shenjë e mirë në këtë drejtim.
Ne nuk kemi asnjë interes ekonomik që të jemi bashkë me dikë nga Shqipëria për një projekt të vetëm për digjitalizimin e gjuhës shqipe si një gjuhë të përbashkët. Përkundrazi, ne kemi ngarkesa të konsiderueshme ekonomike, nga shpenzimet e mëdha financiare që bëjmë në Shqipëri që ky synim të jetësohet, që të ketë vetëm një projekt për tri shtetet shqiptare e gjithandej. Përcaktimi ynë kombëtar e politik dhe i institucioneve të Kosovës, po ashtu, për “Një komb, një gjuhë, një standard” e mban ende të vlefshme thirrjen tonë që, në këtë vit jubilar për gjuhën, të bashkohemi e të ketë vetëm një komb, një gjuhë, një standard dhe vetëm një softuer për shqipen për tërë rruzullin, e jo nga tre softuerë të ndryshëm me standarde gjuhësore e teknike të ndryshme; bëhet fjalë për softuerin e drejtshkrimit të shqipes për Microsoft Office (Albanian Spellchecker), softuerin për sintaksën e shqipes për Microsoft Office (Albanian Grammar), për Fjalorin e madh të shqipes me 200.000 zëra, për Morfologjinë digjitale të shqipes etj.
50-vjetori i standardizimit të gjuhës shqipe
Jemi në vitin jubilar të gjuhës shqipe e do të duhej të festojmë bashkë, por, nëse nuk arrihet një marrëveshje e përbashkët për përparimin dhe digjitalizimin e gjuhës shqipe, në dobi të qytetarëve të Shqipërisë, Qendra për Edukim dhe Përparim nuk do të tërhiqet as nga paditë e tjera penale, as nga ato civile për kompensimin e dëmeve materiale, por do të vazhdojë edhe me padi të tjera penale për piratërinë kompjuterike dhe vjedhjen e softuerëve tanë gjatë 20 viteve të fundit nga institucionet shtetërore gjithandej Shqipërisë.
Andaj, avokatët tanë në Shqipëri janë udhëzuar të shqyrtojnë mundësinë ngritjes së padisë në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë për veprimet e qeverisë dhe institucioneve qeveritare në kundërshtim me Kushtetutën e kundër veprimtarisë sonë të ligjshme ekonomike në Shqipëri e gjithandej për një gjuhë të përbashkët dhe kundër angazhimit politik, financiar e juridik të tyre, në kundërshtim me kushtetutën e Shqipërisë, të nxitur e të frymëzuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë për ndarjen e gjuhës shqipe në tri gjuhë: “gjuha shqipe e Shqipërisë”, “gjuha shqipe e Kosovës” dhe “gjuha shqipe e Maqedonisë së Veriut”.
Ndërsa kundër Valter Memishajt, zyrtarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, po shqyrtojmë të nisim padi penale edhe në gjykatën kompetente në Republikën e Kosovës sepse, sipas nesh, të njëjtat vepra penale për të cilat u dënua në Tiranë, ai i ka kryer edhe në Prishtinë, në rrethana tjera, në takimet e tij me zyrtarë të institucioneve të Kosovës, duke u munduar të ndikojë me shpifjet e njëjta në aktivitetin e tyre kundër nesh, e t’i rekrutojë në projektin e tyre djallëzor të Tiranës për përçarje kombëtare.
Në Kosovë
Ne e falënderojmë Qeverinë e Kosovës për korrektësinë e deritashme dhe qëndrimin e saj politikisht të paanshëm, me dinjitet e atdhetari. E falënderojmë Ministrinë e Arsimit, të Shkencës e të Teknologjisë të Kosovës për mbështetjen financiare, për më shumë se dhjetë softuerë për gjuhën shqipe, që do të jenë të gatshëm për instalim deri në fund të vitit 2022. Softuerët janë në teknologjinë e Microsoft si: Drejtshkrimori 3.0 për MS Office, Sintaksori 1.0 për MS Office, Morfologjia digjitale e shqipes 2.0, Fjalori i madh i gjuhës shqipe me 100.000 fjalë e shprehje etj.
E falënderojmë Qeverinë e Kosovës për respektimin e thirrjes sonë publike për mospërfshirje në projektet përçarëse për gjuhën shqipe të Qeverisë së Shqipërisë derisa të përfundojnë proceset gjyqësore që kemi nisur kundër tyre, e proceset e tjera që do të nisim nëse nuk zmbrapsen nga përçarja kombëtare.
E falënderojmë çdo institucion tjetër në Kosovë e në Shqipëri që respekton rolin tonë në përparimin e gjuhës shqipe përmes digjitalizimit të tërësishëm të saj dhe që gëzohet për kapacitetet tona shkencore e organizative dhe bashkëpunimin tonë me kompani ndërkombëtare prestigjioze, e me kompani private në Shqipëri, sikurse edhe për shndërrimin e këtij bashkëpunimi në rezultate konkrete në dobi të qytetarëve.
I falënderojmë institucionet qeveritare të Republikës së Kosovës dhe partitë politike në Kosovë që shmangin ndikimin e tyre politik dhe lejojnë pavarësinë tonë shkencore për zbatimin e kritereve të larta të punës e të procedurave të përcaktuara me ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
Ftesë për bashkëpunim
Vendimin gjyqësor të shpallur në dobinë tonë nuk e marrim si një fitore për ne, por si një dëshmi se edhe në Shqipëri po krijohen rrethanat që askush të mos jetë mbi ligjet e shtetit shqiptar, të cilave u nënshtrohemi edhe ne.
Ne jemi shumë të lumtur që drejtësia shqiptare dhe shteti shqiptar po hyn në një fazë të re të zbatimit të ligjit, ku asnjë keqbërësi nuk i ndihmojnë më lidhjet politike për t’iu shmangur drejtësisë.
Kurrë nuk do ta harrojmë betimin tonë për gjuhën dhe me sinqeritetin më të madh i ftojmë institucionet përgjegjëse për gjuhën shqipe në Shqipëri që të bashkohen me ne si të barabartë në këto synime fisnike, sepse gjuha shqipe është pasuri kombëtare e përbashkët, e politika gjuhësore, kompetenca dhe detyrimet për përparimin e saj, janë të përcaktuara tashmë me Kushtetutën e Shqipërisë e të Kosovës e me ligje të tjera, ndërsa këto detyrime ligjore duhen zbatuar me guxim. Ndryshe, refuzimi për t’u bashkuar me ne rreth digjitalizimit të gjuhës shqipe është i pafalshëm dhe në afat më të gjatë shumë i dënueshëm për secilin që guxon ta përçajë gjuhën shqipe.
Prishtinë, 12.02.2022
Lulëzim Shishani, drejtor
Qendra për Edukim dhe Përparim