Publikime

Bashkimi i ri gjuhësor mbarëshqiptar, i domosdoshëm!
Gjuha standarde shqipe dhe dialektet e shqipes sot
U mbajt punëtoria për përdorimin e “Kullës së shqipes”
Forma paralele të së pakryerës së foljes ‘them’
Mirëmëngjesi Kosovë – Mirëmëngjes Shqipëri
Shqipja e përdorur në rrjete sociale, rasti i Facebook-ut
Ruaju apo ruhu? Një problem i diskutueshëm morfologjik
Lidhet marrëveshja për digjitalizimin e gjuhës shqipe në Malin e Zi
Mundësi të reja të pasurimit të gjuhës
Intervistë me z. Lulëzim Shishani në ATV
Barasvlerësit shqip të termëve të huaja në terminologjinë e informatikës
Gabimet më të shpeshta gjuhësore në gazetat që botohen në Maqedoninë e Veriut
Parimet dhe kriteret për hartimin e Fjalorit të madh të gjuhës shqipe
Toponimia dhe shtrirja dialektore e shqipes - dëshmi e autoktonisë së shqiptarëve edhe në Maqedoninë e Veriut
Letër e hapur për bashkim gjuhësor
Konferencë për media më 5 nëntor, 2022 (e shtunë), ora 14.00, në hotelin “Swiss Diamond” në Prishtinë
Digjitalizimi i gjuhës shqipe në Mal të Zi
Disa këshilla të thjeshta gjuhësore
Shpallet fajtor dhe dënohet për shpifje zyrtari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Valter Memisha
Gjuha shqipe në erën digjitale
Falas për banorët e Republikës së Kosovës
Konflikte gjuhësore gjatë përdorimit të varieteteve në terminologjinë kompjuterike
Fjalori i madh i gjuhës shqipe i Republikës së Kosovës drejt suksesit
Fjalori i madh drejtshkrimor me 300.000 faqe i Republikës së Kosovës
Këshilli Kombëtar Shkencor i projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”
Fjalori i madh i gjuhës shqipe – problemet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë!
Padi penale kundër Valter Memishajt, zyrtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Formohet Këshilli Kombëtar Shkencor i projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”

Fjalori i madh drejtshkrimor me 300.000 faqe i Republikës së Kosovës

Është i gatshëm për botim Fjalori i madh drejtshkrimor me rreth 300.000 faqe të formatit A4, krijimtaria më e madhe gjuhësore shkencore shqiptare. 

Rezultatet e punës në digjitalizimin e gjuhës shqipe, të udhëhequra nga z. Lulëzim Shishani e të përkrahura nga Qeveria e Kosovës, në këtë vit jubilar për gjuhën shqipe, nuk kanë të ndalur. 

Ky fjalor i madh drejtshkrimor i gjuhës shqipe në formatin e printuar do të ketë: 

  • Rreth 8.000 faqe me dimensione 2 metra gjatësi e 1.2 metra gjerësi, me shkronja të madhësisë normale.
  • Mbi 100.000 zëra e 200.000 kuptime të fjalëve, mbi 9.000 folje, 59.000 emra, 35.000 mbiemra, mijëra sinonime e antonime.
  • Mbi 8 milionë forma fjalësh dhe rreth 4.5 milionë forma fjalësh të papërsëritshme.

Ky është përparimi më i madh i morfologjisë shqiptare si shkencë, ndërsa digjitalizimi i kësaj shkence dhe shpërndarja e rezultateve të saj përmes platformës softuerike ‘Kulla e shqipes’ fiton vlerë të madhe praktike dhe konsiderohet një hap i madh i metodës së mësimdhënies dhe mësimnxënies së gjuhës shqipe.

Përgjegjësinë kryesore në hartimin e këtij fjalori e ka Qendra për Edukim dhe Përparim, në Prishtinë, e themeluar dhe udhëhequr nga drejtori i saj z. Lulëzim Shishani. 

Në një intervistë të dhënë për agjencinë e lajmeve Lajmëtari.com z. Shishani tha:

“Të bashkojmë gjuhëtarë të të gjitha trojeve shqiptare në një projekt të përbashkët nuk ka qenë punë e lehtë, të bashkojmë politikanë shqiptarë në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka qenë punë shumë e vështirë, por të bindim Qeverinë e Shqipërisë për një gjuhë të përbashkët e një softuer të standardizuar, duket e pamundur edhe sot.”

Në pyetjen se a është Kongresi i Drejtshkrimit ngjarja që hapi rrugën për Fjalorin e madh drejtshkrimor të gjuhës shqipe, ai tha: 

“E vërtetë që në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972) u mor vendimi për standardizim, por kurrë askush nuk e vuri në letër gjuhën shqipe, sipas strukturës gramatikore të saj. Ky fjalor, për herë të parë në historinë e gjuhës shqipe, është zbërthimi i plotë morfologjik i leksikut kryesor. Kongresi i Drejtshkrimit ishte një vendim, një ngritje dore lart, ndërsa puna 25-vjeçare për digjitalizimin e gjuhës shqipe, sipas rregullave të atij kongresi, ka qenë e vështirë dhe ka kërkuar shumë vendosmëri”. 

Në pyetjen a jeni marrë me dallimet gjuhësore, ai tha: Fjalori i madh i drejtshkrimor, i realizuar nga ne, do të ndihmojë në mënjanimin e dallimeve gjuhësore të krijuara si pasojë e ndarjeve politiko-administrative dhe vështirësive në komunikimin kombëtar.

Praktikisht kemi bërë punën që është dashur ta bëjë Qeveria e Republikës së Shqipërisë me e institucionet e saja, por që ka dështuar ta bëjë. 

Mbështetur në përvojat e vendeve të zhvilluara, gjykojmë se gjuhësia kompjuterike shqiptare, prijëse e së cilës është Qendra për Edukim dhe Përparim, është mundësia më e mirë, më frytdhënëse dhe më e përshtatshme në kushtet e sotshme për ruajtjen, begatimin dhe përparimin e gjuhës shqipe.

Shishani më tutje tha:

“Presim nga të gjithë ata që kanë përgjegjësi në përparimin e gjuhës shqipe që të bashkohen me ne në realizimin e mëtutjeshëm të digjitalizimit të gjuhës shqipe si një gjuhë të vetme dhe jo si tri gjuhë shqipe e në tri shtete, për çfarë po angazhohen në Shqipëri në ditët tona.” 

E përfshirë në hartimin e këtij fjalori është edhe kompania Albasoft. Drejtori i saj, z. Ernest Culaj, tha: 

Ky projekt ka filluar si një nismë private dhe me një përkushtim personal të Lulëzim Shishanit, por që sot është kthyer në një projekt mbarëkombëtar shqiptar, me një përfshirje të gjerë të shumë institucioneve dhe organizatave vendore e ndërkombëtare. 

Me të vërtetë duhet shumë kohë ta lexoni fjalorin tonë drejtshkrimor me 300.000 faqe, për të mësuar rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, por, këtë mund ta arrini shumë lehtë nëse e përdorni softuerin Kulla e shqipes të cilin mund ta gjeni në faqen GjuhaShqipe.com. 

Këtë libër, tërë materialin gjuhësor të tij, në formë digjitale përmes softuerit Kulla e shqipes duhet ta ketë në shtëpi e në zyrë, në kopsht e në shkollë, çdo shqiptar gjithandej botës. 

Nisur nga përvoja paraprake dhe në mbështetje të synimit themelor “Një komb, një gjuhë, një softuer”, Qendra për Edukim dhe Përparim ka formuar edhe Këshillin Kombëtar Shkencor me pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, e Maqedonia e Veriut, të cilët gjatë tetorit, do ta kenë mundësinë e vlerësimit të cilësisë gjuhësore e të rregullave drejtshkrimore të zbatuara gjatë hartimit të këtij fjalori.

Në fund z. Shishani, duke falënderuar të gjithë mbështetësit e këtij fjalori, tha:

“Ky fjalor është realizim mbarëkombëtar në dobi të të gjithë shqiptarëve. Për punën tonë të suksesshme falënderoj edhe partitë politike në Kosovë që kanë shmangur ndikimin e tyre politik dhe kanë lejuar pavarësinë tonë për zbatimin e kritereve të larta shkencore në punën tonë. 

Falënderojmë Ministrinë e Arsimit, të Shkencës e të Teknologjisë të Republikës së Kosovës për mbështetjen financiare në botimin e këtij fjalori. Falënderojmë çdo institucion tjetër në Kosovë, në Shqipëri e në Maqedoni të Veriut që respekton rolin tonë në përparimin e gjuhës shqipe përmes digjitalizimit të tërësishëm të saj dhe që gëzohet për aftësitë tona shkencore, organizative e kombëtare. 

Drejtshkrimi i gjuhës shqipe është i mundur vetëm përmes këtij fjalori. Besojmë shumë që shpërndarja në formatin digjital e këtij fjalori në çdo familje shqiptare do ta lehtësojë shumë përdorimin e drejtë të gjuhës shqipe.