Fjalëkrijimet rastësore në medien e re shqipe
Fjalëkrijimtaria, përkatësisht neologjia shqipe, që ka njohur zhvillim të vrullshëm gjatë Rilindjes, një zhvillim e një përshtrirje që ka ardhur duke u rritur edhe përgjatë shekullit 20 e më vonë nga shkrimtarët e publicistët tanë, ka ecur mbarë edhe në këta tre dhjetëvjetëshat e fundit, në kohën e ndryshimeve të mëdha shoqërore, politike, ekonomike e kulturore në hapësirën mbarëshqiptare. Sa herë që flitet për periudhën e Rilindjes s’ka se si të mos na shkojë mendja te krijimtaria gjuhësore shumë e frytshme e shkrimtarëve dhe e zelltarëve të fjalës shqipe dhe s’ka si të mos na kujtohen gjithë ato fjalë të krijuara jo vetëm sipas gjedheve sistemore të fjalëformimit të shqipes po edhe të atyre josistemore, që janë bjerrë nëpër kohë. Sa për ilustrim në kontekstin e asaj që u tha po rikujtojmë disa fjalëkrijime vetjake të De Radës: fushamirë, mespurtekë, zemërgrua, buzëmollëmbël, majakredhur, falmbrëmja, zakonbukur, herëzezë, veleqeshur, stërkrekosje, bujtar, djegtar, tejtokësore, bindurisht, yllsi, dhezuri, etj.; të Naimit: mendjelirë, mendjegjerë, shpirterrëtë, zemrëfyl, syqen, leshrakrënde, shpirtlëndonjës, shitblerës, mëshirëshumë, mirësi, mjerësi, qenësi, shtrembëri, përkëdheloshe etj..; të Fishtës: dinarëdashës, dinarfil, mehmurë-mikrob, dhjetëlëkurësh, kuvendisht, pushkatar, kreniçar, ditsore, përmujore, dhuni, turpni, mendetar, mendjehu, kryemushkë, fytyrgjuhëlopë, barkëmullë, etj.; të Konicës: dreqtori (drejtori) atëdhesi, oborrësi, zakonësi, vulgarësi, pemuri, shëndoshësi, kryepunë, mendjepalarë, spicëtar, huator, përralltor fjalëkripur, i ç’sojësuar, rrudhëzoj, moskujtim, vdekjesjellës, vetëvrarë, keqthënie etj.
Vlen të theksohet se krijimtaria gjuhësore ka marrë shtrirje të gjerë sidomos në këta dy dhjetëvjetëshat e fundit, sidomos, në letërsi e në publicistikë. Është e udhës këtu të veçojmë krijimtarinë gjuhësore e publicistike të Rexhep Qosjes dhe të Ismail Kadaresë. Ata që i kanë lexuar veprat e tyre s’kanë si të mos kujtojnë, pos krijimeve të tyre të shumta gjuhësore, edhe këto që po i përmend e që janë nxjerrë nga letërsia dhe publicistika e tyre e që janë bërë tipar individualizues i gjuhës së tyre –Kadare: ajsbergeshë, antigjergj, antivështrim, antivjeshtë, arkëmort, vetëneveri, barasfajtor, bashkëgotas, burgëtoj, grarrëmbyes, herodiadë, bisedëvrasës, diellkanosje, fortafolës, fatthënie, fepak, ferexhekarvan, fushavajë, jashtudhshem (i), munxdhënës, arkivolmbajtës, hyjanjeri, etj.; Qosja: kriptokomunist, servilintelektual, qyrkndërrues, qyqarizëm, rinoçerizëm, çerekintelektual, bashkëgadishullar, puthadorës, puthakëmbës, kërbaçoj, çizmoj, kundërqëndroj, skenarizoj, papagallizoj, fejtonizoj, përtokshëm, gjithkahshikues, lehane, thjeshtësueshëm, sendësueshëm, liriçmuese, etj. Një numër i fjalëkrijimeve të tyre të shumta mund dhe duhet të hyjnë në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe.
Jo vetëm në letërsinë dhe në publicistikën e sotme shqipe, po edhe në mediumet e tjera të shumta ku përdoret shqipja standarde shihen qartë zhvillimi dhe pasurimi i leksikut të saj, pasurimi përmbajtjesor, strukturor, sasior dhe cilësor i saj. Dhe në këtë zhvillim e pasurim mund të vëzhgohen dukuri të ndryshme gjuhësore të reja, të natyrshme, por edhe dukuri të pazakonshme për shqipen. Ndryshimet semantike në leksikun e shqipes sidomos nën ndikimin e anglishtes shihen në disa procese themelore semantike ndër të cilat kryesore janë: prejardhja semantike, modifikimet semantike dhe ristrukturimet semantike të fjalëve.
Në këtë vështrim do të tërheq vëmendjen për një proces të motivuar pak a shume të ri sociolinguistik të krijimit të fjalëve në gjuhën shqipe. Fjala është për një lloj shkrirje fjalësh në një fjalë të vetme si strukturë e si semantikë, një bashkim fjalësh sipas analogjisë me kompozitat, me fjalët e përbëra, fjala është për një ngjitje fjalësh ose ngjitje segmentesh të fjalëve në një fjalë të vetme, pra në një fjalë të tretë, siç shihet në shembujt në vijim: folitika e krijuar prej fjalëve fol dhe politika, demonkracia prej demon dhe demokracia, tregtarokracia prej fjalës tregtar dhe shtesës -kracia, etj. Ky bashkim fjalësh e segmente fjalësh sjell një fjalë të tretë që është kombinim leksikor dhe semantik i këtyre dy fjalëve. Një dukuri të tillë e kemi spikatur edhe në krijimtarinë e dy shkrimtarëve të njohur Qosja dhe Kadare.
Ç’krijim gjuhësor është ky në të vërtetë? Fjala është për një model ta quajmë të qëndrueshëm dhe të njohur në gjuhën shqipe, një model ta quajmë “klasik” fjalëkrijimi, i cili nën ndikimin e gjuhës angleze po modifikohet dhe kjo nuk po ndodh vetëm në gjuhën shqipe, po edhe në gjuhë të tjera. Në këtë vështrim këtë tip fjalësh e kemi quajtur fjalëkrijime rastësore. Në gjuhën angleze për arsye të natyrës së saj dhe, sidomos, për arsye të numrit të madh të fjalëve të shkurtra njërrokëshe në korpusin e saj leksikor, kjo dukuri njeh një histori më të gjatë dhe një lehtësi ta quajmë shumë të natyrshme krijimi të këtyre fjalëformimeve të veçanta gjuhësore, prandaj edhe përshtrirje, me dallim nga gjuha shqipe e cila jo vetme për arsye të karakterit të saj sintetik dhe eptues dhe për arsye të përqindjes jo të lartë të fjalëve njërrokëshe, kjo dukuri nuk ka qenë e përhapur shumë në historinë e saj gjuhësore.
Vlen të theksohet se kjo lloj fjalëkrijimtarie është dukshëm më e përhapur sot në medien e shkruar dhe në medien elektronike sesa në letërsi dhe dukshëm më e zgjeruar në mediet në Shqipëri sesa në Kosovë, Maqedoni e më gjerë. Ky fakt i fundit nuk çon peshë për trajtimin e kësaj teme këtu, sepse sot jetojmë dhe flasim për një hapësirë të përbashkët kulturore, rrjedhimisht edhe gjuhësore dhe, patjetër, mediatike, në saje, pos të tjerash, të zhvillimeve shumë të mëdha e të shpejtuara teknologjike-informatike.
Sa për të kujtuar po shtoj se në teorinë gjuhësore krijimet rastësore ose të quajtura ndryshe kontekstuale konsiderohen ato fjalë përdorimi i të cilave dëshmohet vetëm njëherë ose rrallë herë dhe në kontekste të caktuara, për të cilat në gjuhësi ekzistojnë dy terma: okazionalizëm (1) dhe hapaks (2). Përkufizimet që i gjejmë në literaturën gjuhësore i njëjtësojnë kuptimisht këta dy terma, kurse në këtë shkrim ata janë zëvendësuar me termin fjalëkrijim rastësor. Domethënë: fjala është për të njëjtën dukuri. Sipas teorisë gjuhësore, fjalëkrijimet rastësore si njësi leksikore që shfaqen njëherë ose rrallë herë në gjuhë, i ndeshim më së shpeshti në letërsinë artistike, kurse motivimi i krijimit të tyre mund të jetë, pos të tjerash, nevoja për emërtim ose saktësim më të plotë a më të hollë kuptimor të ndonjë objekti a dukurie në një moment të caktuar dhe në një kontekst, po kështu, të caktuar.
Në gjuhësinë shqiptare këto fjalëkrijime zakonisht konsiderohen leksemat a ndërtimet e krijuara sipas analogjisë gjuhësore dhe për nevojat e një teksti të caktuar dhe në të shumtën e rasteve quhen krijime kontekstuale. Studiuesi Xhevat Lloshi në Stilistikën (3) e tij këto krijime i mbulon me fjalët neologjizma stilistikë dhe duke pasur parasysh strukturën e tyre edhe përftesa stilistike. Shikuar nga ana e saktësisë terminologjike mendoj se emërtimet fjalëkrijime rastësore dhe krijime kontekstuale janë emërtime sinonimike. Ato janë një lloj i neologjizmave, prandaj e konsideroj të drejtë klasifikimin e tyre, siç e gjejmë në Stilistikën e Xhevat Lloshit, në dy grupe themelore: neologjizma asnjanës dhe neologjizma stilistikë. Fjalëkrijimet rastësore përfshihen në grupin e dytë, pra në ato stilistike, për të cilat po flasim këtu. Si të parat ashtu edhe të dytat janë rezultat i proceseve prodhimtare dhe atyre krijuese gjuhësore. Të parat janë fjalë të cilat nga pikëpamja diakronike konsiderohen të reja, që kanë hyrë ose që janë në rrugë për të hyrë në fjalorin e gjuhës shqipe, kurse të dytat janë fjalë të reja të krijuara rishtas, që mund ose jo të bëhen neologjizma. A do të bëhen neologjizma varet nëse do të pranohen ose jo nga bashkësia gjuhësore. Pavarësisht fatit të tyre në gjuhë ato janë tregues të pasurisë së fjalorit të një gjuhe dhe tregues të prodhimtarisë gjuhësore të saj.
Përgjithësisht, neologjizmat stilistikë dallohen sipas motivimit bazë të krijimit te tyre. Ata kanë mundësi të vogla të shtrihen në përdorim të përgjithshëm, prandaj edhe gjasa të vogla për t’u futur në fjalorin e gjuhës shqipe, por kjo sigurisht nuk është e pamundur, sepse siç e thamë ,varet nga shumë faktorë, në rend të parë nga përdorimi i tyre, përkatësisht nga denduria e përdorimit të tyre. Zhvillimi i tyre në neologjizma ua shton gjasat që në një moment të caktuar të kalojnë kufirin e të qenët krijim rastësor.
Mund të thuhet, prandaj, se çdo fjalëkrijim rastësor në një mënyrë është neologjizëm i mundshëm nëse krijohet në përputhje me ligjësitë gjuhësore të fjalëkrijimit shqip dhe nëse gjedhja formuese që shfrytëzohet nga autorët e tyre është prodhuese. Kriteri kryesor për të përcaktuar ç’është neologjizëm e ç’është krijim rastësor në gjuhësinë e sotme teorike merr parasysh faktorin kohë. Në këtë kontekst vlen të shtrohet pyetja se ç’kohë i duhet një krijimi të këtillë të bëhet neologjizëm dhe sa kohë i duhet neologjizmit të bëhet pjesë aktive e fjalorit të gjuhës? Mendoj se çdo përgjigje në këtë pyetje është më shumë arbitrare.
Nga ky këndvështrim dhe duke pasur parasysh motivimin e krijimit të tyre, këto fjalëkrijime rastësore mund t’i quajmë edhe paraneologjizma. Jeta e tyre në gjuhë fillon me statusin e individualizmave, si krijime individuale të cilave në të shumtën e rasteve, madje, u identifikohet autori, por rruga e tyre për t’u bërë neologjizma dhe për të hyrë në fjalor është e gjatë e në rastin më të shpeshtë ndërpritet, sepse ato pa kontekstin ku janë krijuar vështirë s’e mund të qëndrojnë, vështirë se kuptohen dhe, për më tepër, vështirë se marrin emërtimin fjalë e pavarur strukturo-semantike. Fjala është për krijimet rastësore të kohës së fundit që i hasim dendurisht jo vetëm në letërsi e në publicistikë, po çdo ditë e më shpesh në mediet elektronike, si këto: çadrist, çadraman, çadror, çadreske, krimoçadër, çadëropozitë, snapçadër, prontopolitikë, prontoparti, prontoklan, rrumpallistan, rrumpallhane, plehrogazetar, dasmomani, kolltukomani, fantagjuhësi, fantomafi, kokbile (kokë + debil/e), avdallanalist, kanabistan, dykorrikës/i, sallator, zhongloj, drogëzoj, kanabist, blogberllog, bloger, shoubizer, neoskenderbegas, hiçpresident, mosgjuhë, mosletërsi, mosshkrim, hiçforcë, supermegakatedrale, kapobandë, bashkëgangester, askundland, bulldozeroj, brutalizoj, mjekërrzoj, maloqëri, breshkëri, konsumerizëm, industri kapsndjellëse, kulturist, korporatist, vikipedintelektual, vikipedian, postpopatriotizëm, hiperpatriotizëm, bretkosëri, filozofal, bashëndërr, ëndërrçues, ëndërrrparje, pesëvaktellinjtë, lulush/ët, bashkëintrigant, detshitës, ikonathyes, kryerrënimtar, kapobandë, korpkrim, bashkëgangster, kioskëzim, rikioskëzim, kioskederdhje, lazaratizim, kastriotizim, demodiktaturë, forumokraci, antiamanet, antinënëterezist, xhepist, hajnist, kopjac, mërdhac, etj.
Të shohim si aktualizohen këto krijime në tekstet e nxjerra nga gazetat e portalet e vëzhguara:
Fushata çadreske e PD-së i ngjiste provave pa fund të trupës teatrale të ndonjë ndërmarrjeje, p.sh., të qilimave...
Krejt jashtë suazës është postçadra, e ndarë nga çadra me një ylber, i cili fashiti yshtjet, britmat dhe mallkimet ...
Dhe këtu nis e mendon se nuk është edhe aq fantashkencë dyshimi për një thembër të dhimbshme Akili. (Albanian Free Press, 4.7.2017)
Mbaroi edhe pluralizimi politik.
Jemi në Askundland!
Në ajër. (Rilindja demokratike, 29.4.2017)
Ajo u përball këto vite me dinjitet dhe vendosmëri të madhe me farsat e panumërta gjyqësore, me presionet dhe armiqësitë e egra të Edi Ramës dhe sojit të tij të neo-bllokmenëve, falangat e egra të policisë sekrete hoxhiste, përpjekjet e hoxhistëve për zhdukjen e saj ...(Gazeta 55, 19.10.2015)
Njëlloj si Noriega në Panama, që kishte bankën e tij private për larjen e parave të drogës, narko-policinë që organizonte mbjelljet dhe tregun ...Ai edhe pasi largoi skafo-ministrin Tahiri si më të mirin e qeverisë, ... e zëvendësoi po me njërin nga "tanët", pra të narko-klubit, konkretisht me Agron drogën. (Politiko.al, 30.4.2017)
Punët shkuan deri aty me Soros-maninë sa ithtarë të Trumpit e pyetën aktoren Rosie O’Donnell, e cila luan role humoristike që përtallin administratën e Presidentit të SHBA-ve, sesa e paguante Sorosi.
Por, është ende subjekt i një studimi shumë-disiplinor dhe me përqendrim të lartë të hulumtimeve psikologjike sesi “trumpizmi” – si term i anasjelltë i “sorosizmit” apo “sorizmit”. (Zëri i popullit, 2.3.2017)
Ky gjithologu që profesionin e parë e shkarravinist, ky që vjen këtu dhe na hiqet si nacionalist e nisi në ’90 si anarshist, erdhi me idenë se do bëhej etatist dhe sot u katandis kanabist. (Tirana Observer, 3.11. 2016)
Gjyqtari Kallço gjakatar xhepist, u tall me dhembjen (Titull shkrimi. Panorama 1.12.2015 )
Ndryshe qëndron puna me neologjizmat si këta: mbitekstorësi, ndërtekstorësi, njëfaqësi, syefaqësi, banorësi, shkakësi, shqipologji, kioskologji, kioskografi, hiperteknologji, imazheri, thonjëzamani, gjithpushtetshmëri, antikabilonizëm, anarkoshtet, klientelist, kombëtarist, kulturist, korporatist, konsumist, kosovarist, pluhurizoj, tingullëzoj, binjakshëm, urimtar, autovdekje, kunderfaktual, antikaos, gegocentrik, kosovacentrist, votëshitës, votëblerës, atdheshitës, shtetbërës, natoizim, historizohem, konsumerizëm, e të tjera. Ndonëse jo të gjitha janë krijuar në mënyrë sistemore, pra në pajtim me fjalëformimin e shqipes gjasat e tyre për të hyrë në fjalor një ditë, më shpejt a më vonë, janë dukshëm më objektive, sepse denduria e përdorimit të tyre nuk është e vogël. Shembuj:
Patriotët atdheshitës (Titull shkrimi. Dita, 20, 3.2016)
...por edhe si përfaqësues tipik të jugorit, labit dhe gjirokastritit gegofag, në krye të shtetit komunist. Që ka pasur të tillë, mes brezit të katundarëve të Jugut që solli në Tiranë Enveri, për këtë nuk kam dyshim; por nga Elezi nuk e prisja, sinqerisht, të vishte zhgunin gegocentrik për t’i stigmatizuar, veç në mos atij si autor i vjen për shtat, qoftë edhe simbolikisht, një lloj revanshi maoist, i llojit “borgjezia bëhet proletariat dhe proletariati borgjezi. (Peizazhet e fjalës, 3012.2011)
Për dallim nga këto krijime që kanë në të shumtën e rasteve kuptim asnjanës, krijimet rastësore a kontekstuale në përmbajtjen e tyre kanë shënjues përçmues e ironizues dhe në të shumtën e herës janë të motivueshme. Një prirje të tillë formimi, të motivueshme nga rrethana, dukuri a nga ligjërimi i figurave publike, të huaja e vendëse, përgjithësisht me ngjyresa semantike e stilistike, e shohim shumë të theksuar në mjetet e shkruara informative. Dëshmi e kësaj prirjeje janë edhe këto fjalëkrijime: lazaratizim,kastriotizim, golemizim, berishizëm, nanoizëm, erdoganomanizëm etj., por edhe me fjalë të tjera ndajshtesa e me denduri te theksuar përdorimi si këto: kraci, mani, men, mega: gërdecokraci, dasmomani, neobllokmen, megadushk, etj. Shembull:
Po fillon golemizimi i Jugut. (Lapsi.al, 13.10.2017)
Kastriotizimi i Shqipërisë është bërë sot përsëri i nevojshëm, ashtu si në fund të shekullit të kaluar, kur Rilindja Shqiptare e shpalli atë si flamur të saj të vetëm. (Bota sot, 16.7.2017)
Dëmi i këtij parlamentarizmi tashmë të topallizuar keq e mos më keq, ku të drejtën e gëzon vetëm ai që ka pushtet, do të jetë afatgjatë... Nuk do të ish e drejtë që zonja Topalli të cilësohet si arkitektja e vetme e këtij parlamentarizmi hokatar, punëpabërë, monofonik, paraplegjik... Zonja Topalli është pasqyrë konkave e një maxhorance gjysmëanalfabete, ku reflektohen fytyrat e lloj-lloj nëndialektorësh e hiçintelektualësh të dehur nga një pushtet i pakufizuar ... (Fjala e lirë, 13.3.2011)
Një krijimtari e tillë gjuhësore është shumë e pranishme sidomos në shkrimet me karakter politik. Studiuesi Jani Thomai një studimin e tij Dukuri në leksikun e ligjërimit publicistik në Shqipëri (3) trajton gjerësisht dukuri të reja në ligjërimin publicistik, rrjedhimisht edhe politik, duke vënë në spikamë posaçërisht shtimin dhe dendësimin në përdorim të fjalëve si i quan ai: “konvencionalisht të leksikut të zi, fjalë që i japin ligjërimit tone të forta qortuese, sharëse, fyese, tallëse, poshtëruese, përbuzëse, neveritëse, urrejtëse, zemëruese, inatçore, revoltuese, hakmarrëse, ironike, shpërfillëse etj.”, të cilat i përkasin dy nënshtresave: fjalë me kuptim të drejtpërdrejtë dhe fjalë-emërtime leksiko-stilistike “për njerëz, veprime e cilësi, me ngjyrim keqësues, madje shpesh në çerdhe të plota fjalëformuese po me këtë ngjyrim.” (5)
Edhe në librin Rreth leksikut politik-shoqëror në gjuhën shqipe (6) të Miço Samarës trajtohen hollësisht, në mënyrë kritike e argumentuese, pasurimi dhe shtimi i leksikut të shqipes me njësi të reja, si dhe mënyrat e rrugët e pasurimit të këtij leksiku – të leksikut politik-shoqëror, i cili përfshin fjalë, terma, shprehje dhe kuptime, të cilat përdoren, si thotë autori, në “veprimtarinë ligjërimore më të gjerë e më të dendur për çështje shoqërore e politike” (7), duke plotësuar kështu jo vetëm nevojat e ndërkomunikimit në fushën e publicistikës, po edhe në fushat e tjera ligjërimore sot. Në pasurimin e këtij leksiku kanë ndikuar faktorët gjuhësorë dhe ata shoqërorë ashtu siç kanë ndikuar edhe në motivimin dhe rritjen e shprehësisë në ligjërimin politiko-publicistik, për çka mund të themi se me këtë krijimtari gjuhësore ky ligjërimin prin në raport me ligjërimet e tjera.
Një çështje tjetër që vlen të përmendet këtu është kjo: për shumë njësi leksikore të konsideruara krijime rastësore nuk është me rëndësi nëse janë fjalë të huazuara nga gjuhët e huaja, nëse janë fjalë të krijuara nga lënda gjuhësore e shqipes, apo nëse janë rrjedhojë e përzierjes së elementeve të huaja me ato të gjuhës shqipe; nuk është e rëndësishme as nëse këto krijime janë ndërtuar në mënyrë të zakonshme apo jo të zakonshme, që do të thotë në pajtim me natyrën e fjalëformimeve të shqipes, sepse krijimi i tyre në rend të parë lidhet me efektin e tyre stilistik.
Dallimi midis fjalëkrijimeve rastësore dhe fjalëve të reja që mund të bëhen pjesë e fjalorit, pra që kanë gjasa për t’u bërë të tilla, të cilat i quajtëm kushtimisht paraneologjizma ose krijime potenciale (8), qëndron në mënyrën e ndërtimit të tyre, pra në gjedhen fjalëformuese. Kështu fjalët si këto njëfaqësi, syefaqësi, banorësi, shqipologji, kioskologji, kioskografi, etj., ndjekin gjedhet fjalëformuese të gjuhës shqipe, mjaft prodhuese në dy a tre dhjetëvjetëshat e fundit, kurse krijimet rastësore si këto mosshkrim, mosgjuhë, mosletërsi, narkoshtet, hiçforcë, hiçpresident, neoskenderbegas, etj., krijohen a ndërtohen qoftë në pajtim me tipat fjalëformues joprodhues, qoftë me shmangie te caktuara nga gjedhet fjalëformuese shqipe. Do të thotë kriteri kryesor për dallimin midis tyre është shkalla e rëndomtësisë së gjedhes fjalëformuese dhe e mjeteve fjalëformuese: të parat janë fjalëkrijime të zakonshme sepse janë krijuar, në të shumtën e herës, përmes gjedheve të zakonshme, të njohura e të mbarëpranuara, me lidhjen e morfemave me prodhimtari të lartë dhe me numër të madh të temave fjalëformuese - pikërisht ky fakt ua krijon edhe gjasat më të mëdha për t’u bërë fjalë të pranueshme, të zakonshme dhe, më në fund, standarde për të hyrë në fjalor, kurse të dytat janë fjalëkrijime jo të zakonshme, në të shumtën e herës të krijuara a të ndërtuara në mospajtim me gjedhet fjalëformuese të shqipes.
Së këndejmi, mund të nxjerrim një përfundim se natyra e këtyre fjalëkrijimeve përcakton numrin dhe përhapjen e tyre në gjuhë, prandaj numri i tyre nuk mund të jetë i madh. Tregues për përcaktimin dhe pranimin e mundshëm të tyre janë e reja që sjellin në gjuhë, përshtrirja, denduria e përdorimit si dhe jetëgjatësia e tyre. Veçoritë kryesore të fjalëkrijimeve rastësore që i bëjnë të dallueshme nga krijimet neologjike janë, ndërkaq, veçanësia, përshtatësia, natyrshmëria, papërsëritshmëria, rastësia, varësia nga konteksti, funksioni i tyre i veçantë, informacioni i ngjeshur, efekti i shprehur stilistik dhe pak ose aspak struktura e tyre fjalëformuese. Duhet të thuhet se shumica e tyre shprehin shmangie jo vetëm në rrafshin fjalëformues po edhe në rrafshet e tjera: fonologjik, morfologjik dhe semantik, si dhe pamundësi për t’iu nënshtruar procesit të leksikalizimit. Pikërisht kjo e fundit, pamundësia për leksikalizim, paraqet përdallimin kryesor të tyre në raport me neologjizmat e mirëfilltë. Natyrisht sikur te çdo dukuri tjetër gjuhësore edhe të këto krijime ka përjashtime, që do të thotë se mjaft nga to mbeten si krijime individuale me përdorim të rrudhur dhe të varur domosdoshmërisht nga konteksti.
Për dallim nga ato, fjalëkrijimet potenciale ose paraneologjjizmat kanë gjasa ta kalojnë procesin e leksikalizimit dhe ky leksikalizim varet nga një varg faktorësh siç janë nevoja për shënjues të tillë brenda një bashkësie komunikuese, rregullsia fjalëformuese si dhe raporti i tyre ndaj shënjuesve të tjerë gjuhësorë konkurrues në atë komunikim.
Njëri prej kritereve kryesore për dallimin e neologjizmit nga fjalëkrijimi rastësor, siç u theksua disa herë në këtë vështrim, është e reja, risia, pra nëse ajo njësi leksikore sjell kuptim të ri në gjuhë. Kohëzgjatja dhe denduria e përdorimit të tij do të përcaktojë për sa kohë ai do të mbajë këtë emër, përkatësisht sa shpejt do ta humbë këtë emër. Ligjësimi i tij në përdorim të përgjithshëm bën që ai të mos jetë më i ri, pra të mos jetë neologjizëm përkatësisht paraneologjizëm.
Për dallim nga neologjizmat që kanë, në të shumtën e rasteve, kuptim asnjanës, fjalëformimet e reja të sajuara mbi ose jo modelin ndërtues të shqipes kanë, ndërkaq, dy tregues themelorë të lidhur ndërsjelltas mes vete: karakterin komik dhe lojën gjuhësore. Po sjellim dy shembuj:
Tre yjet që shkëlqejnë në qiellin e Dibrës do vazhdojnë të shndrisin. Këta janë Deliri, Saliri dhe Iliri. (Panorama, 3.5.2017)
Ajo që e bën debil këtë devil është çështja e tramit. Ajo tregon se ky jo vetëm që është “alifmatriak”, që është Lul-Nul se nuk kishte mundësi, por nga ana urbanistike bashkëkohore ishte gomarllëk. (Tema, 29.5.2017)
Të tilla formime, si këto në shembujt e sipërsjellë, përdorimi i të cilave sa vjen e shpeshtohet në gjuhën e medieve, sidomos në mediet e reja elektronike, janë me interes për vëzhgime gjuhësore. Mbështetur në lëndën e vjelë nga gazetat në formate elektronike, në portale të ndryshme, në ueb faqe, në Fejsbuk dhe Tuiter, dhe duke pasur parasysh edhe klasifikimet tashmë standarde të formimit të fjalëve në gjuhën shqipe sipas fushave të përdorimit dhe sipas modeleve fjalëformuese, gjithnjë duke pasur parasysh edhe përshtatjen e tyre, e kemi parë të arsyeshme të bëjmë një përpjekje klasifikimi të këtyre fjalëformime rastësore.
-Në grupin e parë kemi përfshirë ato fjalëkrijime leksikore e togfjalëshore që shquhen me veçori komike që i gjejmë të aktualizuara në polemikat dhe në shkrimet kritike si: shpellar, gjelafytes, shqepadru, mushkpolitikan kokëpalarë, kokëqoshe, kokëlope, kokëdomate, kokëshpullë, kokëtharë, kokëdrogë, kokëskrapari, palaçoburrë, shpirtqen, sypeshk, kurrizpërkulje, histeriadë, mobiliadë, papagallizoj, karrigehumbës, i zombifikuar, sfingëzoj, mushkpolitikan, shqepadru, gjelafytës, thashetheme elektronike, intelektual vikipedian, delir superinteligjence, industri kapës-ndjellëse, besëlidhje çadreske, sallatë fjalësh, dokrra hiri, zylyfgjatë europianë, ferracujë skrapari, mall gomari, etj., dhe shumë të tjera, të cilat nuk janë dhe as nuk mund të përfshihen këtu për arsye etike:
Sipas këtij manifesti, protestuesit do të jenë të ndarë në dy grupe kryesore: Llastikorët dhe Kaçavidorët. (Kryeministria.org.)
Puna është që partitë, të cilat janë vigjilente dhe shumë të ndjeshme rreth emocioneve të tilla si inat, dashuri, simpati, antipati, përbuzje, respekt, kurrizpërkulje etj. etj. e dinë, që i ka inat. (kuendemi.blogspot.com, janar 2015)
Si janë duke shkuar punët ndër ne, në këtë dyndallë portalesh e fejsbuqesh, nuk përjashtohet mundësia që secili katund dhe secila mëhallë të shpallë gjuhën dhe drejtshkrimin e vet! (Gazeta ekspres, 12.9.2017)
-Në grupin e dytë janë përfshirë fjalëkrijimet neologjizma me ngjyresa politike: protoproletar, fantapolitikë, kokëministër, narkoshtet, narkorepublikë, narkoqeveri, narkopolici, narkokryeministër, narkodeputet, narkoklub, skafo-ministër, bllokmen, neobllokmen, antireformë, antiveting, ramofobizëm, çantokracizëm, etj.:
Ndërkohe, ende pa u publikuar romani, përmbajtja ideore, kjo “fantapolitikë dylekshe” ka patur jehonë të gjerë dhe jo vetëm në Francë. (Peizazhe të fjalës, 23.1.2015)
Në grupine tretë përfshihen një numër krijimesh rastësore, po kështu, të fushës politike, por që motivohen mbi emra njerëzish, vendesh, përkatësish fetare etj., natyrisht me mesazhe politike, siç janë: rambodemokrat, saligerdec, likofloriri, llallobandë, Nastradin Rama, Hashzeza, Isëbanda, Salibasha, Saliri, Beribasha, Salërrumpalla, Bashë-spurdhjaku, Lulsala, Lulçadra, Llallaland, albanistan, devollistan, salikozanostra, llallëri, gjingjoneri, lulushëri, gërdecokraci, erdoganofobi, sorist, putist, hoxhist, putinizëm, trampizëm, enverizëm, berishizëm, nanoizëm, merkelizim, topallizim, antiberluskonian, talibanizëm, aziatizim, etj.:
Nuk e di a e kupton Ilir Meta se të tjerë ia lexojnë për ligësi personale kur të gjitha lëshimet ia kërkon qeverisë dhe asgjë Pashës së çadrës dhe lulushëve të tij. (Tema, 6.4.2017)
Pra, i korruptuari nuk e lufton dot korrupsionin, krimineli nuk e lufton dot krimin, o LulSala e SalLuli. (Dita, 8.7.2016)
Enigmë do ngeli kush e komandoi Lubashën që pikërisht në vigjilje të çlirimit të Tiranës me partizanët (të ndihmuar nga anglo-amerikanët) të sjellë eshtrat e Rrahmet Zogut ... (Dita, 27.3.2014)
Për hulumtimin e kësaj dukurie gjuhësore dhe për vjeljen e lëndës gjuhësore dëshmuese për këtë temë trajtimi janë shfrytëzuar gazetat: Dita, Shqiptarja.com, Gazeta shqiptare, Tema, Rilindja demokratike, Zëri i popullit, Mapo, Panorama, Telegraf, Shekulli, Zëri, Ekspresi, Kosova sot, Fakti, etj., në formatin e tyre elektronik dhe një numër i madh portalesh si Peizazhet e fjalës, Fjala e lirë, Skandal.al, NOA, Albanian Free Press, Politiko.al etj. Nga gazetat në formën elektronike janë vjelë mbi 45% e tyre, rreth 40% nga portalet e ueb faqet, kurse rreth 15% nga komentet që kanë shoqëruar shkrime të ndryshme të botuara në gazetat dhe portalet e ndryshme. Më shumë neologjizma, fjalëkrijime potenciale ose paraneologjizma janë regjistruar në shkrimet analitike, editorialet, komentet, përgjithësisht nga tekstet që i përkasin stilit analitik ose letrar-publicistik, kurse krijimet rastësore përgjithësisht janë vjelë nga kolumnet e polemikat, sepse në këto lloje shkrimesh mundësohet liri më e madhe shprehëse dhe individualitet stilistik autorial. Analiza tematike e teksteve të shqyrtuara nga ku është vjelë lënda ka treguar se mbi 70% e këtyre shkrimeve kanë trajtuar tema politike, ngjarje politike e shoqërore, më së shpeshti aktuale a ditore, dhe shumë më pak nga ato që trajtojnë çështje kulturore e të tjera. Shumica e këtyre të dytave janë krijime leksikore e togfjalëshore stilistike, me ngjyresa theksueshëm përçmuese, ironizuese, befasie, habie, komike, qesharakëzbuese. Të shohim edhe disa shembuj:
M’u deshën 2 minuta kërkim në “Google” për të gjetur që fotografia nuk kishte të bënte fare me kandidaten e Durrësit. Gjë që nuk e bënë as gazetat e as “share”-llinjtë. ...
Në një shpifurinë urbane të ngjashme rri sot edhe skllavi anonim i pajtuar 8 orë në ditë, që shet produkte industriale kaps-ndjellëse për një pagesë të mjerë. (Peizazhe të fjalës, 15.5.2017)
Opozitës i mjafton vetëdemaskimi i mazhorancës dhe bretkosëria e saj aspak kavalereske. (Rilindja demokratike, 16.4 2017)
Dhe, për të qenë gjendja edhe më tragjikomike, edhe më qesharakëzuese: këtë Akademi qe rreth 20 vjet e drejtojnë .... (Dita, 15.7.2017)
Siç shihet nga ky shembull dhe në mbështetje të korpusit të mbledhur gjuhësor mund të përfundohet se shumica e krijimeve rastësore kuptohen lehtësisht vetëm brenda kontekstit ku paraqiten, për çka është i përligjshëm për to termi krijime kontekstuale. Në të shumtën e herës të kuptuarit e tyre e lehtëson struktura e tyre fjalëformuese: më lehtë kuptohen fjalët e prejardhura sesa fjalët e përbëra dhe ato të përngjitura. Mund të thuhet, prandaj, se krijimeve rastësore pikërisht konteksti ua zbulon funksionin e veçantë stilistik. Për t’i kuptuar këto krijime më mirë, pos kontekstit, shpesh është e nevojshme edhe njohja e mirë e realitetit jashtëgjuhësor, përkatësisht njohja e rrethanave shoqërore, politike e kulturore të bashkësisë gjuhësore, madje edhe botëkuptimi, mendësia, më në fund edhe pikëpamjet e autorit të tekstit ose të komentuesit apo pozicionimi i tyre politik..
Në vëzhgim të parë të lëndës gjuhësore të nxjerrë nga mediet e reja krijohet përfytyrimi se veçoria kryesore e këtyre krijimeve është jonormësia. Por, analiza pak më e hollë e tyre zbulon se një numër mjaft i madh i tyre është krijuar në pajtim me sistemin fjalëformues të shqipes për çka afrohen mjaft edhe me neologjizmat. Më të shumtat në numër kanë gjetur përdorim në disa stile funksionale sidomos në stilin publicistik-polemik dhe atë bisedor:
Kur një popull e qeveris hajvanëria ... Tani ta vras mendjen të gjej kush gënjen ... legenët e ambasadës apo legenia e çadrës, pse u bën thirrje ky kryehajvan shqiptar. (Dita, 27.3.2017)
Motivimi bazë i krijimit të këtyre fjalëformimeve, siç shihet, është analogjia, si njëra ndër parimet bazë të funksionimit të sistemit gjuhësor, dhe kjo mënyrë krijimi hap mundësi të mëdha fjalëformuese në çdo gjuhë, pra edhe në shqipen. Në gjuhën e sotme shqipe, sipas analogjisë janë shtuar shumë formimet si me ndajshtesa të burimit të huaj, si me ndajshtesa burimore shqipe, ku hyjnë edhe fjalëkrijimet rastësore. Krijimet rastësore janë njëkohësisht edhe krijime analogjie dhe e kundërta: shumë krijime analogjie mbeten krijime rastësore.
Krijimet rastësore dhe krijimet analogjike shpesh paraqiten në të njëjtin kontekst me fjalë, mënyra e ndërtimit të të cilave shpreh ngjashmëri sipas strukturës e jo kuptimit. Fjala është për fjalëformimet që krijohen dhe përdoren për efekteve stilistike (humor, habi, satirizim, ironi etj.), kurse për krijime jo te rregullta analoge kjo mënyrë shpesh është e vetmja për ta deshifruar kuptimin e tyre:
Lehjet nuk janë opozitarizëm por qenizëm. (Tema, 16.9..2017)
Shpend “Prontoja” devollizon Prishtinën. (Kosova sot, 9.5.2017)
Në një tjetër shkrim (9) për prirjet e reja në fjalëformimin e gjuhës shqipe kam theksuar se fjalët e ndërtuara me shmangie nga rregullsia, në korpusin gjuhësor që kam vjelë e vëzhguar, janë përgjithësisht me pranëvënie: snapçadër, krimoçadër, megavampir, nekropolitikë, blogbërllog, blukauzë etj.) ose fjalëkrijime të ndërtuara me përzierje (10. Veçori e përbashkët e këtyre krijimeve është se përbëhen prej temave të dy fjalëve. Fjala e re paraqet semantikisht kombinimin e të dyja këtyre temave dhe në të shumtën e rasteve ka karakter komik a humoristik. Më së shpeshti ngjiten pjesa e parë e një fjale me pjesën a segmentin e dytë të fjalës tjetër.
Lënda gjuhësore e vjelë nga gazetat e portalet e shfrytëzuara për këtë vështrim na zbulon disa gjedhe fjalëformimi (11): bashkimi i pjesës së parë të fjalës së parë me segmentin e dytë të fjalës së dytë;bashkimi i fjalës së parë të plotë me pjesën e dytë të fjalës së dytë; bashkimi i segmentit të parë të fjalës së parë me fjalën e dytë të plotë, dhe bashkimi i fjalës së parë me fjalën e dytë, që të dyja të plota.
Përfundim
Ky vëzhgim për fjalëkrijimet rastësore në medien e shkruar ka treguar se ndryshimet në leksikun e shqipes e në semantikë e saj, sidomos në dy dhjetëvjetëshat e fundit, shihen në disa procese themelore kuptimore, ndër të cilat, në prejardhjen semantike, në modifikimet semantike dhe në ristrukturimet semantike dhe formale të fjalëve. Ka treguar gjithashtu se:
- shumicën e fjalëkrijimeve rastësore i gjejmë të përdoren dendurisht në shkrimet me karakter analitik-letraro-publicistik (kolumnet, editorialet, blogjet, komentet, polemikat), sepse liria autoriale në to është më madhe;
- një numër i madh i këtyre fjalëkrijimeve përdoren me funksion stilistik, pra janë të ngjyrosura theksueshëm stilistikisht, zakonisht me kuptim përçmues, ironizues, madje vulgarizues, janë shprehje e botëkuptimit, e mendësisë dhe e qëndrimit të autorit, kurse qëllimi i krijimit të tyre zakonisht është nxitja e efekteve të caktuara (humor, habi, përçmim, fyerje);
- për një numër të fjalëkrijimeve rastësore nevojitet njohja e kontekstit ku janë aktualizuar ato;
- për një numër të konsiderueshëm të këtyre krijimeve rastësore, pos njohjes së kuptimit asnjanës dhe vlerës së tyre stilistike, duhet të njihet edhe realitet jashtëgjuhësor përkatësisht duhet të njihen rrethanat shoqërore, politike dhe kulturore të asaj bashkësie gjuhësore, për t’i kuptuar ato plotësisht.
- numri më i madh i tyre janë fjalë të prejardhura, pastaj fjalë të përbëra dhe më pak fjalë të përngjitura;
- numri më i madh i tyre janë krijime sistemore, që do të thotë se janë krijuar në përputhje me rregullat fjalëformuese të gjuhës standarde. Ndër fjalëkrijimet josistemore, pra, që nga pikëpamja e normësisë paraqesin shmangie, më të shumtat janë ato të krijuara me pranëvënie dhe përngjitje. Për arsye të larmisë dhe të dendurisë së madhe të përdorimit të tyre këto përngjitje duhet t’i konsiderojmë si gjedhe të reja fjalëformuese në gjuhën shqipe.
- duke qenë se mjaft fjalëkrijime janë fjalë të përbëra temat bazë të të cilave nuk bashkohen po kryqëzohen, ato japin edhe efekt të lojës së fjalëve;
- duke qenë se mediet e reja janë të përdalluara nga ana stilore dhe larmia e llojeve, ato shquhen me krijimtari të madhe gjuhësore.
- këto krijime paraqesin lëndë me interes jo vetëm për studiuesit e morfologjisë shqipe, po edhe për studiuesit që ndjekin zhvillimin dhe pasurimin e leksikut të shqipes në përgjithësi.
- duke qenë se fjala është për fjalëformime, krijimi të cilave, më së shpeshti, është i motivuar nga arsye jashtëgjuhësore, ato tërheqin vëmendjen jo vetëm të gjuhëtarëve, por edhe të sociolinguistëve.
Prof. dr. Shefkije Islamaj
(1) Okazionalizëm në teorinë gjuhësore quhet një leksemë e krijuar ad-hoc nga një folës në një moment të caktuar të komunikimit për të mbushur një zbrazëti leksikore ose për efekte stilistike.
(2) Dejvid Kristal në Fjalorin enciklopedik të linguistikës moderne (Nolit, Beograd, 1988, f. 92) termin hapaks e përkufizon si formë gjuhësore që sajohet në mënyrë të vetëdijshme dhe që përdoret në një rast të vetëm.
(3) Xhevat Lloshi, Stilistika dhe pragmatika, “Toena”, Tiranë, 1999, f. 121.
(4) Jani Thomai, Dukuri në leksikun e ligjërimit publicistik në Shqipëri, kumtesë e lexuar në Konferencën e mbajtur në kuadër të Javës së albanologjisë, maj 2017, në Institutin Albanologjik të Prishtinës.
(5) Jani Thomai, po aty, në dorëshkrim në formën elektronike, f. 9.
(6) Miço Samara, Rreth leksikut politik-shoqëror në gjuhën shqipe, ASHSH, Tiranë, 2008.
(7) Miço Samara, po aty, f. 5.
(8) Përdorimi i termit fjalëkrijim potencial nuk është i zakonshëm në gjuhësinë shqiptare. Jemi të detyruar ta përdorim këtë term për arsye të mospërkufizimit të qartë që ekziston për këto krijime të reja leksikore.
(9) Shefkije Islamaj, Prirje fjalëformuese në kontekstin e ri sociolinguistik, në librin “Gjuha - teksti dhe konteksti”, Instituti Albanologjik, 2014, Prishtinë, f. 117.
(10) Fjala është për krijimin që përbëhet me bashkimin e pjesës së parë të një fjalë dhe pjesës së dytë të fjalës tjetër me ç’rast krijohet fjala e trete, e cila semantikisht paraqet kombinimin e të dyja këtyre fjalëve. Studiuesi i njohur Ranko Bugarski i quan kompresion fjalëformues (ngjeshje fjalëformuese) - rječotvorna kompresija (Ranko Bugarski, Dve reči u jednoj: leksičke skrivalice. “Nova lica jezika”, XX vek, Beograd, 2002, f. 219-227.
(11) Edhe në gjuhë të tjera ndeshen dukuri të njëjta a të përafërta, si edhe gjedhe fjalëformimi si këto që po shqyrtohen këtu (shih Ranko Bugarski, po aty, f. 219-227).