Publikime

Bashkimi i ri gjuhësor mbarëshqiptar, i domosdoshëm!
Gjuha standarde shqipe dhe dialektet e shqipes sot
U mbajt punëtoria për përdorimin e “Kullës së shqipes”
Forma paralele të së pakryerës së foljes ‘them’
Mirëmëngjesi Kosovë – Mirëmëngjes Shqipëri
Shqipja e përdorur në rrjete sociale, rasti i Facebook-ut
Ruaju apo ruhu? Një problem i diskutueshëm morfologjik
Lidhet marrëveshja për digjitalizimin e gjuhës shqipe në Malin e Zi
Mundësi të reja të pasurimit të gjuhës
Intervistë me z. Lulëzim Shishani në ATV
Barasvlerësit shqip të termëve të huaja në terminologjinë e informatikës
Gabimet më të shpeshta gjuhësore në gazetat që botohen në Maqedoninë e Veriut
Parimet dhe kriteret për hartimin e Fjalorit të madh të gjuhës shqipe
Toponimia dhe shtrirja dialektore e shqipes - dëshmi e autoktonisë së shqiptarëve edhe në Maqedoninë e Veriut
Letër e hapur për bashkim gjuhësor
Konferencë për media më 5 nëntor, 2022 (e shtunë), ora 14.00, në hotelin “Swiss Diamond” në Prishtinë
Digjitalizimi i gjuhës shqipe në Mal të Zi
Disa këshilla të thjeshta gjuhësore
Shpallet fajtor dhe dënohet për shpifje zyrtari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Valter Memisha
Gjuha shqipe në erën digjitale
Falas për banorët e Republikës së Kosovës
Konflikte gjuhësore gjatë përdorimit të varieteteve në terminologjinë kompjuterike
Fjalori i madh i gjuhës shqipe i Republikës së Kosovës drejt suksesit
Fjalori i madh drejtshkrimor me 300.000 faqe i Republikës së Kosovës
Këshilli Kombëtar Shkencor i projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”
Fjalori i madh i gjuhës shqipe – problemet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë!
Padi penale kundër Valter Memishajt, zyrtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Formohet Këshilli Kombëtar Shkencor i projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”

Letër e hapur për bashkim gjuhësor

Në takimin e radhës të Këshillit Kombëtar Shkencor të projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”, të udhëhequr nga Qendra për Edukim dhe Përparim e të mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Kosovës, të mbajtur në Prishtinë më 4 dhe 5 nëntor 2022, lidhur me problemet e gjuhësisë kompjuterike, anëtarët e Këshillit dolën me një letër të hapur. 

 

 

Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë

z. Edi Rama

Kryeministrit të Republikës së Kosovës

z. Albin Kurti

Prishtinë, më 4 nëntor, 2022

LETËR E HAPUR

“Një komb një gjuhë, një softuer”

Ne, anëtarët e Këshillit Kombëtar Shkencor të projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri” udhëhequr nga Qendra për Edukim dhe Përparim, të mbledhur sot në Prishtinë për të diskutuar për problemet e gjuhësisë kompjuterike, si dhe digjitalizimin e gjuhës shqipe në përgjithësi, nëpërmjet kësaj letre të hapur drejtuar Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë z. Edi Rama dhe Kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Albin Kurti, shprehim shqetësimin tonë të thellë për faktin se në produktet e Microsoft kohët e fundit ka ndarje të gjuhës shqipe në tri variante: Albanian (Albania), Albanian (Kosovo) dhe Albanian (North Macedonia).

Populli shqiptar ka tashmë gjuhën kombëtare të njësuar e të përbashkët, por, jo edhe softuerin e përbashkët për gjuhën Kullën e shqipes, të cilin e ka vetëm Qeveria e Republikës së Kosovës për të gjithë banorët e Kosovës. 

Ftojmë Qeverinë e Republikës së Shqipërisë që të marrë në shqyrtim sipas procedurave ligjore modalitetet për të futur në përdorim nëpër shkolla dhe në administratën shtetërore  Kullën e shqipes, softuerin më të përparuar për gjuhën shqipe, mbështetur dhe financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. 

Ky softuer me 1.000.000 rreshta kod burimor, e me material gjuhësor prej 300,000 faqesh, madhështor e të vëllimshëm, me cilësi të lartë, garanton një përmirësim rrënjësor të nivelit të kulturës gjuhësore sidomos në gjuhën e shkruar. Prandaj, e quajmë të nevojshme që këtë softuer me vlerë të madhe normative dhe praktike, ta kenë falas të gjithë shqiptarët kudo që janë. 

Me realizimin e kësaj, të gjitha institucionet shkencore shtetërore do të kenë qasje dhe kompetencë për përditësimin dhe përparimin e Kullës së shqipes. Çdo organizim paralel i projekteve të tilla, si ky i Kullës, ndryshe në Kosovë e ndryshe në Shqipëri, jo vetëm nuk është i dobishëm, por krijon shpenzime shtesë dhe mundësi për diferencime gjuhësore.

Bashkimi gjuhësor i shqiptarëve ka hapur rrugën për bashkime në shumë fusha të tjera, duke kapërcyer ndasitë e mëparshme. Asnjë institucion shtetëror a shoqëror nuk e ka kundërshtuar zbatimin e gjuhës së njësuar në gjithë hapësirën ku banojnë shqiptarët në Ballkan, e po ashtu në diasporë. Ndërkaq gjuha shqipe përmes softuerit Kulla e shqipes dhe përkrahjes së Qeverisë së Kosovës, duke ndjekur përparimin dhe zhvillimin e shoqërisë shqiptare, ka shënuar përparime e zhvillime të panjohura më parë dhe është bërë faktor i qenësishëm për përparime të reja.

Ndarjet dhe veçimet e së kaluarës kanë sjellë edhe dallime gjuhësore ndërmjet nesh. Detyra jonë është që hap pas hapi të punojmë për përafrimin dhe njësimin e mëtejshëm të praktikës gjuhësore në gjithë hapësirën shqiptare, dhe rruga më e mirë për këtë është zbatimi i Kullës së shqipes, i fjalorëve të përbashkët në përgjithësi, që kanë gjetur tashmë miratim dhe zbatim nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Republikës së Shqipërisë që të përfshihet në projektin “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”, ta pranojë softuerin Kulla e shqipes si softuer të përbashkët ndërmjet dy vendeve dhe ngritjen e një Komiteti Shtetëror të përbashkët për trajtim të përbashkët ndaj Microsoft-it në administratën shtetërore, duke kundërshtuar me rreptësi veprimet që çojnë në variantizimin e saj dhe që sjellin si pasojë diferencime kombëtare. Prandaj ne kërkojmë me këmbëngulje që dy shtetet shqiptare të bashkohen për të hequr dorë nga tri gjuhë shqipe në tri shtete ku shtrihen trojet shqiptare. Pa lënë anash në këtë bashkëpunim Agjencinë për Zbatimin e Gjuhës shqipe në RMV dhe Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve të Malit të Zi.

E përgëzojmë Qeverinë e Kosovës për modelin më të mirë të përkrahjes së gjuhës shqipe përmes digjitalizimit të saj, për të gjithë banorët e Kosovës. 

Gjuha shqipe dhe kombi shqiptar kanë një origjinë të përbashkët, një histori të përbashkët, një të ardhme të përbashkët, kanë qenë e do të jenë një e të pandarë. Andaj, duhet qartazi të bashkohemi rreth idesë sonë “Një komb, një gjuhë, një softuer”.

Anëtarët e Këshillit Kombëtar Shkencor të projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”

Prof. dr. Emil Lafe      Prof. asoc. Adelina Çerpja      Prof. asoc. Anila Çepani

Prof. dr. Hysen Matoshi      Prof. dr. Enver Hysa      Prof. dr. Asllan Hamiti

Prof. dr. Mustafa Ibrahimi      Prof. dr. Ismet Osmani      Prof. dr. Bahri Koskoviku

Prishtinë, 04.11.2022

Lulëzim Shishani, drejtor

Qendra për Edukim dhe Përparim

Cel: +383 44 197 474

Cel: +355 69 273 5760

[email protected]