Njoftimi për media
Në Podgoricë, sot, më 10.07.2023, është nënshkruar marrëveshja për digjitalizimin e gjuhës shqipe në Mal të Zi përmes softuerit Kulla e shqipes. Marrëveshja në fjalë mundëson përdorimin falas të softuerit nga të gjithë banorët e Malit të Zi, ndërsa zbatimi i saj do të fillojë brenda 10 ditësh.
Bartëse e këtij projekti do të jetë Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, në bashkëpunim me kompaninë “Albasoft”, që është përgjegjëse për jetësimin e projektit.
I pranishëm në këtë ngjarje ishte ministri Fatmir Gjeka, bashkë me Sekretarin shtetëror, z. Astrit Hoxha dhe drejtorin e Përgjithshëm për të Drejtat e Popujve Pakicë, z. Arben Xhurreta, si dhe përfaqësuesit e kompanisë Albasoft, përgjegjëse në realizimin e këtij projekti.
Pjesë e Kullës së shqipes, që u ofrohet për përdorim të gjithë qytetarëve të Malit të Zi, janë:
– Fjalori i madh drejtshkrimor i gjuhës shqipe në formatin digjital - me mbi 300 mijë faqe A4, me mbi 8.000.000 forma morfologjike;
– Fjalori i madh shpjegues i gjuhës shqipe - me mbi 80.000 fjalë dhe shprehje;
– Fjalori sinonimik dhe antonimik;
– Softueri për korrigjimin e gabimeve drejtshkrimore në MS Word;
– Softueri për korrigjimin e gabimeve sintaksore;
– Softueri për mësimin e gjuhës shqipe etj.
Përmes këtij projekti partitë politike shqiptare në Qeverinë e Malit të Zi dëshmojnë se nuk janë vetëm vëzhguese, por kontribuuese në baza shkencore, duke përdorur teknologjinë softuerike në përmirësimin e gjuhës shqipe dhe në mbrojtje të identitetit të shqiptarëve, si një program politik i mirëfilltë.
Për gjuhën shqipe, deri tash, në Mal të Zi nuk ka pasur as Fjalor të madh shpjegues apo drejtshkrimor, as softuer për sinonime dhe antonime në MS Office e as korrigjues sintaksor. Edhe në administratën shtetërore kanë munguar këta softuerë, por nga sot do të jetë ndryshe. Me futjen në përdorim të Kullës së shqipes edhe procesi i mësimdhënies në gjuhën shqipe në Mal të Zi do të jetë më i lehtë e më i frytshëm.
Nga kjo marrëveshje përfitojnë të gjithë banorët e Malit të Zi, të cilët mund ta përdorin falas softuerin Kulla e shqipes brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu do të përdoret edhe nga punëtorët e institucioneve të Malit të Zi, qeveritare dhe joqeveritare, punëtorët e ndërmarrjeve private dhe publike si dhe të tjerët që kanë shtetësinë e Malit të Zi.
Disa nga avantazhet kryesore të zbatimit të këtij projekti, përveç përmbushjes së detyrimeve nga Karta Evropiane për Gjuhët Rajonale dhe të Minoriteteve, janë si më poshtë:
– Një vend shumëgjuhësh ofron një mundësi unike për t’i ruajtur kulturat dhe traditat e ndryshme;
– Shumëgjuhësia është një avantazh për ekonominë e vendit tonë, sepse tërheq kompani ndërkombëtare dhe turistë që flasin gjuhë të ndryshme;
– Përmirësimi i komunikimit me vendet e tjera përreth do të ndihmojë marrëdhëniet ndërkombëtare, tregtinë dhe diplomacinë.
Digjitalizimi i gjuhës shqipe në Mal të Zi përmes futjes së Kullës së shqipes në përdorim do të zvogëlojë barrierat e komunikimit, sfidat në arsim dhe do ta pengojë asimilimin kulturor, njoftojnë nga Kabineti i Ministrit për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, z. Fatmir Gjekaj.