Publikime

Bashkimi i ri gjuhësor mbarëshqiptar, i domosdoshëm!
Gjuha standarde shqipe dhe dialektet e shqipes sot
U mbajt punëtoria për përdorimin e “Kullës së shqipes”
Forma paralele të së pakryerës së foljes ‘them’
Mirëmëngjesi Kosovë – Mirëmëngjes Shqipëri
Shqipja e përdorur në rrjete sociale, rasti i Facebook-ut
Ruaju apo ruhu? Një problem i diskutueshëm morfologjik
Lidhet marrëveshja për digjitalizimin e gjuhës shqipe në Malin e Zi
Mundësi të reja të pasurimit të gjuhës
Intervistë me z. Lulëzim Shishani në ATV
Barasvlerësit shqip të termëve të huaja në terminologjinë e informatikës
Gabimet më të shpeshta gjuhësore në gazetat që botohen në Maqedoninë e Veriut
Parimet dhe kriteret për hartimin e Fjalorit të madh të gjuhës shqipe
Toponimia dhe shtrirja dialektore e shqipes - dëshmi e autoktonisë së shqiptarëve edhe në Maqedoninë e Veriut
Letër e hapur për bashkim gjuhësor
Konferencë për media më 5 nëntor, 2022 (e shtunë), ora 14.00, në hotelin “Swiss Diamond” në Prishtinë
Digjitalizimi i gjuhës shqipe në Mal të Zi
Disa këshilla të thjeshta gjuhësore
Shpallet fajtor dhe dënohet për shpifje zyrtari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Valter Memisha
Gjuha shqipe në erën digjitale
Falas për banorët e Republikës së Kosovës
Konflikte gjuhësore gjatë përdorimit të varieteteve në terminologjinë kompjuterike
Fjalori i madh i gjuhës shqipe i Republikës së Kosovës drejt suksesit
Fjalori i madh drejtshkrimor me 300.000 faqe i Republikës së Kosovës
Këshilli Kombëtar Shkencor i projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”
Fjalori i madh i gjuhës shqipe – problemet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë!
Padi penale kundër Valter Memishajt, zyrtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Formohet Këshilli Kombëtar Shkencor i projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”

Gjuha shqipe në erën digjitale

Projekti “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”

2020 – 2025

Gjuha shqipe në erën digjitale

Kemi nderin t‘ju paraqesim projektin tonë të madh e ambicioz Gjuha shqipe dhe kompjuteri, qëllimin, pritshmëritë dhe përgatitjet në këtë fazë të re të punës. Ky është projekti më i gjerë dhe më serioz i ndërmarrë ndonjëherë për gjuhësinë kompjuterike, përkatësisht për digjitalizimin dhe teknologjitë gjuhësore në gjuhën shqipe. Këtë vit shënojmë njëzetvjetorin e daljes së softuerit tonë të parë 1.0 për drejtshkrim, një arritje frymëzuese që na shtyu të sfidojmë veten e të vijojmë me guxim punën edhe për shumë softuerë të tjerë.

Qëndrimi ynë është: “NJË KOMB NJË GJUHË, NJË STANDARD NJË SOFTUER”. Pra, synimi ynë përmes këtij projekti, përveç të tjerash, është edhe bashkimi i të gjithë shqiptarëve pa dallime rajonale, politike apo fetare rreth pasurisë kombëtare të përbashkët më të çmuar – gjuhës shqipe.

Ky është realizim mbarëkombëtar në dobi të të gjithë shqiptarëve dhe të njësimit kombëtar, në funksion të zhvillimit të arsimit, shkencës e kulturës në gjuhën shqipe.

Mbështetur në përvojat e vendeve të zhvilluara, ne gjykojmë se gjuhësia kompjuterike është mundësia më e mirë, më frytdhënëse dhe më e përshtatshme në kushtet e sotshme për ruajtjen, begatimin dhe përparimin e gjuhës shqipe.

Në bashkëpunim me kompani ndërkombëtare dhe me kompani vendore në Kosovë dhe në Shqipëri e më gjerë, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, mendojmë se ky projekt në 5 vitet e ardhshme jo vetëm do ta përmirësojë ndjeshëm përdorimin e gjuhës shqipe në arsim, në shtyp e në botime, në administratë dhe përgjithësisht, por edhe do të pasurojë e do të ngrejë dukshëm kulturën gjuhësore të folësve të shqipes.

QEVERIA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Qeveria e Kosovës ka vendosur që të mbulojë shpenzimet e licencave për përdorim të shumicës së këtyre softuerëve për të gjithë banorët e Kosovës, duke përcaktuar në bashkëpunim me ne shumë kritere teknike dhe gjuhësore për këta softuerë.

Softuerët e paraparë për t’u realizuar brenda projektit tonë do të ndihmojnë në mënjanimin e dallimeve gjuhësore të krijuara si pasojë e ndarjeve politiko-administrative dhe vështirësive në komunikimin kombëtar.

KËSHILLI KOMBËTAR SHKENCOR

Qendra për Edukim dhe Përparim (QEP), nisur nga përvoja paraprake dhe në mbështetje të synimit themelor “Një komb, një gjuhë, një standard”, ka vendosur të formojë Këshillin Kombëtar Shkencor për projektin “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”.

Duke pasur parasysh se gjuha shqipe është tipari kryesor i identitetit shqiptar, mjeti themelor që siguron ndërlidhjen shpirtërore midis shqiptarëve kudo që janë, me krijimin e këtij Këshilli, QEP-i synon rritjen e cilësisë së zbatimit në praktikë të shqipes standarde e njëkohësisht të kujdesit të vijueshëm për të.

Këshilli fillimisht do të ketë 9 anëtarë: 4 anëtarë nga Kosova, 4 anëtarë nga Shqipëria dhe 1 anëtar nga Maqedonia e Veriut.

KONFERENCA DHE TRYEZA SHKENCORE

Që nga pranvera e këtij viti (2020) do të fillojmë me organizimin e rregullt të konferencave dhe tryezave shkencore për problemet dhe arritjet në fushën e gjuhës shqipe, duke mirëpritur dhe mundësuar pjesëmarrjen e të gjithë gjuhëtarëve dhe intelektualëve që dëshirojnë të japin ndihmesën e tyre.

Do të përkrahim gjuhëtarët dhe profesionistët e tjerë që merren me gjuhën, në mënyrë që të kenë hapësirën e duhur për të shprehur qëndrimet e tyre shkencore rreth temave kryesore që lidhen me gjuhën shqipe.

Presim nga të gjithë ata që kanë synim përparimin e gjuhës shqipe, si shenjën më të qartë të identitetit kombëtar, të bashkohen me ne në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm në fushën e digjitalizimit të pasurisë sonë gjuhësore, si: institucionet akademike dhe universitare shqiptare, shtëpitë botuese, medien e shkruar dhe elektronike, shkrimtarët, intelektualët, politikanët, njerëzit e kulturës, të artit e të jetës shoqërore në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.

PËRFSHIRJA NË PROJEKTIN GJUHA SHQIPE DHE KOMPJUTERI

Ky projekt ka filluar si një nismë private dhe me një përkushtim personal të Lulëzim Shishanit, por sot është kthyer në një projekt mbarëkombëtar shqiptar, me një përfshirje të gjerë të shumë institucioneve dhe organizatave vendore e ndërkombëtare, disa prej të cilave janë:

Qendra për Edukim dhe Përparim – bartëse e projektit dhe e të gjitha përgjegjësive shkencore, gjuhësore, juridike dhe financiare.

Albasoft – kompani nga Prishtina e specializuar në teknologjinë e informacionit, përgjegjëse për programimin dhe anët e tjera teknike.

Qeveria e Republikës së Kosovës – mbështetëse financiare dhe blerëse e licencave të shumta të softuerëve tanë.

Instituti Albanologjik i Prishtinës – pjesëmarrës dhe kontribuues për anën shkencore gjuhësore.

Microsoft – partner për gjuhësinë kompjuterike shqiptare.

Amebis – kompani ndërkombëtare këshilluese.

Albatag – kompani për gjuhësi kompjuterike, e vendosur në Tiranë.

PORTALI WWW.GJUHASHQIPE.COM

Brenda vitit 2020 do të përfundojë faza e parë e zhvillimit të portalit www.gjuhashqipe.com, ku do të jenë të gjithë softuerët për shkarkim, softuerët për përdorim në internet dhe softuerët për instalim në telefona celularë.

SOFTUERËT QË DO TË OFROHEN NGA VITI 2020 DERI NË VITIN 2025

1. Sinonimet në MS Office

Softueri për sinonimet do të funksionojë njëlloj si ai në gjuhën angleze, pra, kur shkruesi i një teksti shqip të shkruajë një fjalë në MS Word, MS Outlook etj., në çdo kohë mund të klikojë mbi fjalën për të cilën dëshiron të ketë sinonimet dhe softueri aty për aty do të sugjerojë sinonimet / antonimet e fjalës së kërkuar. Synimi ynë është që, nisur nga veçoritë gjuhësore të shqipes, të ofrohet jo thjesht forma përfaqësuese e fjalës, por të sugjerohet sinonimi apo antonimi edhe në formën përkatëse.

2. Drejtshkrimori i fjalëve

Ky softuer është në përdorim që nga viti 2005 dhe ka mundësuar mënjanimin e miliarda gabimeve drejtshkrimore nga dokumentet e të gjithë përdoruesve gjithandej. Është softueri shqiptar më i përdorur, me mbi 400.000 shkarkime dhe miliona instalime. Softueri do të përmirësohet dhe përditësohet si nga ana teknike, edhe nga ana gjuhësore, me të cilën kuptohet: 1) shtimi i fjalëve të reja që mungojnë; 2) çaktivizimi i fjalëve të vjetra, të cilat pothuajse nuk përdoren; 3) shtimi i një numri termash bazë nga fusha të ndryshme të dijes etj.

3. Korrigjuesi sintaksor / morfologjik

Korrigjuesi sintaksor / morfologjik në gjuhën shqipe (Grammar) do të jetë një softuer shumë i përparuar dhe do të ofrohet për shfrytëzim falas për të gjithë banorët e Kosovës. Ai verifikon një tekst të shkruar dhe në varësi të cilësisë së shkrimit:

- vë në dukje pasaktësitë e tij të zakonshme sintaksore,

- në disa raste ofron sugjerime për korrigjimin e këtyre gabimeve, dhe

- në raste të tjera thjesht sinjalizon përdoruesin se në tekst ka gabime dhe ato duhen korrigjuar.

Për këtë softuer jemi duke shfrytëzuar korpusin tonë të fjalëve të gjuhës shqipe me të gjitha veçoritë morfosintaksore, me të gjitha trajtat e mundshme që merr secila fjalë, në varësi të pjesës së ligjëratës së cilës i përket.

Ky softuer jo vetëm që ndihmon në korrigjimin e gabimeve, pra në shkrimin si duhet të një teksti, por nëpërmjet varianteve që sugjeron, në mënyrë të tërthortë ndihmon dhe në përvetësimin e ndërtimeve të drejta sintaksore të gjuhës shqipe.

4. Korpusi i gjuhës shqipe

Për rritjen e cilësisë së softuerëve të projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri” duhet edhe një Korpus i shqipes i përparuar dhe shumë funksional, andaj edhe ky do të jetë pjesë e rëndësishme e tij. Përveçse për nevojat e projektit tonë, Korpusi do të jetë në shërbim të atyre që kanë interes për studime shkencore rreth leksikut dhe gramatikës, si dhe për gjurmime të tjera rreth gjuhës shqipe të lidhura me historinë e zhvillimit të saj. Pas fazës së parë dhe kur të bëhet një lidhje e mirë e funksionale midis Korpusit dhe softuerit “Kulla e shqipes”, do të punohet edhe për korpusin dialektor dhe tekstet e shkruara gjatë periudhave më të hershme të gjuhës shqipe.

Sistemin e analizës morfologjike të korpusit do ta zhvillojë kompania Albasoft në Prishtinë në bashkëpunim me kompaninë Albatag në Tiranë.

5. Fjalorët shpjegues

Ky softuer është në përdorim të brendshëm nga QEP-i dhe partnerët për përgatitjen e fjalorëve shpjegues apo shumëgjuhësh. Edhe ky softuer do të jetë në portalin www.gjuhashqipe.com për përdorim nga të gjithë. Pjesë e kësaj platforme softuerike për fjalorët do të jenë të gjithë fjalorët e gjuhës shqipe të autorëve me të cilët kemi marrëveshje. Çdo autor apo grup autorësh i fjalorëve të shqipes me vlera gjuhësore dhe praktike për përdoruesit mund të kërkojë ndihmën tonë për publikimin e fjalorit të tij / tyre në këtë platformë, pra në formë digjitale.

Forma elektronike e fjalorëve shpjegues përveç lehtësisë që sjell në përdorim, ka edhe një përparësi tjetër ndaj formës librore: ajo mund të përditësohet herë pas here dhe pjesë-pjesë pa shpenzimet e mëdha që kërkon ribotimi i një fjalori si libër.

Leksikografia është cilësuar si dega më e hershme e gjuhësisë shqiptare, sepse zë fill me “Fjalorin latinisht-shqip” të Frang Bardhit më 1635, megjithatë fjalori i parë shpjegues i shqipes u botua pas më se tre shekujsh (1954). Me gjithë përparimet e shënuara në këta 70 vjet, siç është vënë shpesh në dukje, tradita e leksikografisë shqipe njëgjuhëshe mbetet ende e pamjaftueshme përballë kërkesave të kohës. Ne kemi besim se nëpërmjet projektit “Gjuha dhe kompjuteri”, duke e renditur punën për fjalorin shpjegues ndër detyrat parësore, do të sjellim përparim të ndjeshëm dhe të shpejtë në këtë fushë shumë të rëndësishme të gjuhësisë sonë dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në kulturën kombëtare.

6. Softueri “Testo shqipen tënde!

Ky do të jetë një softuer për testimin e njohurive gjuhësore të gjithsecilit në vetëm pak minuta. Çdo i interesuar mund të testojë nivelin e njohjes së gjuhës shqipe, saktësinë, por dhe dobësitë në këto njohuri. Sipas përvojës edhe të gjuhëve të tjera, testimi do të kryhet në nivele të ndryshme, duke nisur me atë fillestar për të vijuar deri tek i përparuari. Pyetjet do të jenë të formave dhe tipave të ndryshëm, duke mundësuar shpalosjen e njohurive të secilit.

Synimi ynë është që ky softuer të kthehet në një konkurs me përmasa të gjera për gjuhën shqipe, duke shërbyer në të njëjtën kohë dhe si motiv i mirë për përvetësimin sa më cilësor të njohurive për shqipen.

7. Fillestarja digjitale

Pothuajse ka mbaruar puna për realizimin e aspektit teknik të këtij softueri për fillestarë në mësimin e gjuhës, matematikës, kompjuterit etj. E kemi quajtur “Fillestarja”, por është më shumë se kaq, sepse është një fillestare multimediale (mbi 90% përfunduar, përveç disa aspekteve, si ai gjuhësor dhe aspekti i metodikës, i përmbajtjes, pra i materialeve që duhen futur në këtë softuer), gjëra këto që mund të bëhen më lehtë në krahasim me aspektin teknik të softuerit, për të cilin është dashur kohë që ta konsiderojmë të përfunduar.

Fëmija apo ai që i mëson fëmijës shkrimin, leximin, përdorimin e kompjuterit etj., me këtë softuer multimedial nuk mund të gabojë, por vetëm mund t’ia dalë me sukses mësimit të shkrimit, të leximit dhe të njohurive të tjera.

Duke pasur parasysh moshën shumë të re të nxënësit, është menduar gjithashtu që përmes lojërave ai të joshet për mësim, duke krijuar afërsi me dijen, me të mësuarit, pra loja të shërbejë si mënyrë e këndshme për të mësuarit, më pak detyruese dhe stresuese.

8. Tastiera shqipe

Përdorimi i plotë i alfabetit për çdo gjuhë është domosdoshmëri. Kjo është një detyrë e realizuar prej kohësh nga kombet e tjera, e tashmë, edhe për të gjithë shqipshkruesit mund të konsiderojmë se është zgjidhur problemi për përdorimin e të gjitha shkronjave të alfabetit të shqipes, përkatësisht "Ë / ë" dhe "Ç / ç", shpresojmë, në mënyrë standarde.

Disa zgjidhje të deritashme kanë qenë të vështira dhe të ndërlikuara, shumë pak përdorues arrinin që t`i praktikonin. Tastiera standarde shqipe është softuer që mund të instalohet në më pak se dy minuta dhe funksionon në çdo aplikacion në kompjuter.

9. Të folur në tekst (Speech to text)

Ky softuer zë një vend të rëndësishëm në projektin tonë. Jemi në përfundim të zhvillimit të metodologjisë dhe të teknologjisë që mundëson njohjen nga kompjuteri të gjuhës së folur shqipe në tekst.

10. Tekst në të folur (Text to speech)

Ky softuer është një riprodhim artificial i të folurit të njeriut përmes kompjuterit (softuerit). Pra, mundësohet shndërrimi në të folur për të gjitha shkrimet në gjuhën shqipe. Bazat e të dhënave që kemi nga softuerët e cekur më sipër e lehtësojnë edhe më shumë punën për këtë softuer. Riprodhimi i të folurit nga teksti digjital i bazuar në të gjitha format e fjalëve të gjuhës shqipe siguron një cilësi të lartë. Ky softuer do të ndihmojë shumë personat me aftësi të kufizuara për të lexuar, sidomos ata me aftësi të kufizuara në shikim.

11. Si të mësosh shqip?

Ky softuer është i përshtatshëm për të gjithë të rinjtë dhe të rriturit, si dhe për të huajt që dëshirojnë të mësojnë shqipen, pavarësisht nga niveli i njohurive apo i moshës. I bazuar në modelet më të shpeshta të softuerëve për të mësuar anglishten, do të përmbajë module për të ndihmuar përdoruesin në shkrim, lexim, dëgjim dhe në të folur.

12. Kulla e shqipes

Kulla e shqipes 2.0 është paketa softuerike më e përparuar në treg për gjuhën shqipe, me shumë vegla gjuhësore për mësimin dhe përdorimin e lehtë të gjuhës shqipe. Po ashtu, Kulla e shqipes 2.0 është menaxheri i të gjithë softuerëve të GjuhaShqipe.com.

Ky aplikacion mund të instalohet në kompjuterët me MS Windows dhe përmes tij mund të përdoren dhe kontrollohen të gjithë softuerët e GjuhaShqipe.com: instalimi apo çinstalimi i tyre, aktivizimi apo çaktivizimi, pakoja e zgjedhur etj.

Kulla e shqipes përmban dy lloj aplikacionesh: ato për mësimin e gjuhës shqipe nga nxënësit, studentët, mësimdhënësit dhe ato për drejtshkrimin e gjuhës shqipe në dokumentet e Microsoft Word nga punëtorët e administratës shtetërore, shkrimtarët, gazetarët etj.

Rezultatet shkencore që kemi arritur me këtë softuer dhe bazat e të dhënave janë unike dhe është pothuajse e pamundur që t’i ketë cilido institucion tjetër shkencor shqiptar, andaj i ftojmë të gjitha institucionet për bashkëpunim në përparimin edhe më të madh të këtij softueri, i cili në fund të përdoret falas nga të gjithë shqiptarët.

Këtë softuer mund ta përdorni që tani në portalin www.gjuhashqipe.com, ndërsa ne së shpejti do ta pasurojmë edhe me module të tjera, ashtu si softuerët për mësimin e anglishtes “How to Learn English”.

13. Libri i madh

Përmasat e këtij libri do të jenë: 8000 faqe, 180 cm x 110 cm x 60 cm. Jo vetëm për përmasat e tij këtë libër e konsiderojmë si një përmendore të gjallë e gjuhës shqipe, në të cilin paraqitet me rreptësinë më të madhe shkencore struktura e saj gramatikore, e realizuar në tërësinë e formave të mundshme paradigmatike të fjalëve, si dhe pasuria më e madhe leksikore e shqipes e mbledhur në një libër të vetëm – rreth 150 mijë fjalë.

Qendra për Përparim dhe Edukim ka siguruar fonde për publikimin e këtij libri

Këtij libri mund t’i drejtohet kushdo që dëshiron të njohë pasurinë leksikore, bukuritë dhe të fshehtat e gjuhës shqipe. Ai është në të njëjtën kohë një burim i pazëvendësueshëm dhe unik për studime në fushën e gjuhës shqipe.

Lënda e librit përbën një krijimtari shkencore gjuhësore të mirëfilltë dhe botimi në formë libri e vendos shkencën shqiptare në Librin e Rekordeve Botërore Guinness (sipas informatave tona, libri më i madh deri sot ka 4000 faqe të zakonshme të një libri).

PROJEKTI “GJUHA SHQIPE DHE KOMPJUTERI” I PËRMBAHET PLANIT STRATEGJIK TË ARSIMIT NË KOSOVË DHE STRATEGJISË KOMBËTARE TË SHKENCËS, TEKNOLOGJISË DHE INOVACIONIT NË SHQIPËRI

Si partnerë të Microsoft-it ne tashmë i kemi zhvilluar këta softuerë dhe shumë prej tyre fatbardhësisht janë pjesë e paketës MS Office. Kjo paketë është më e përdorura ndër shqiptarët, sidomos MS Word-i. Andaj ka qenë dhe është e domosdoshme që, edhe ne, punën tonë për shumë projekte të tjera ta orientojmë drejt kësaj platforme dhe këtij bashkëpunimi.

Me një punë të palodhshme shkencore më se njëzetvjeçare, të bërë me shumë kujdes dhe nën parimet më të larta të gjuhësisë kompjuterike po krijohet pasuria më e madhe gjuhësore e kombit shqiptar, e veçantë për shumëçka, lehtësisht e përdorshme, lehtësisht e përmirësueshme, elektronike, e mbikëqyrur dhe në përparim e zhvillim të vazhdueshëm, e lehtë për t’u shfrytëzuar nga çdo shqiptar dhe nga çdo cep i botës.

Pas 20 vjetësh përvoje në programim, në punën tonë, në projektin tonë të madh për gjuhën shqipe, planifikojmë që brenda tre vjetësh t’i themi lamtumirë programimit të rregullt dhe t’i themi mirë se vjen programimit përmes Inteligjencës Artificiale. Ne synojmë që Java, Python, Lisp, Prolog dhe C++ të bëhen gjuhët tona kryesore për “Artifical Inteligence Programming”.

Këto janë arsyet pse ky projekt është mbarëkombëtar dhe në dobi të të gjithë shqiptarëve.

Dëshira jonë ka qenë dhe është që gjuha shqipe, ashtu si gjuhët e tjera, të përparojë e të ecë në hap me to.

QENDRA PËR EDUKIM DHE PËRPARIM

Lulëzim Shishani

Nismëtar dhe drejtues i projektit

[email protected]

www.qepks.com