Publikime

Bashkimi i ri gjuhësor mbarëshqiptar, i domosdoshëm!
Gjuha standarde shqipe dhe dialektet e shqipes sot
U mbajt punëtoria për përdorimin e “Kullës së shqipes”
Forma paralele të së pakryerës së foljes ‘them’
Mirëmëngjesi Kosovë – Mirëmëngjes Shqipëri
Shqipja e përdorur në rrjete sociale, rasti i Facebook-ut
Ruaju apo ruhu? Një problem i diskutueshëm morfologjik
Lidhet marrëveshja për digjitalizimin e gjuhës shqipe në Malin e Zi
Mundësi të reja të pasurimit të gjuhës
Intervistë me z. Lulëzim Shishani në ATV
Barasvlerësit shqip të termëve të huaja në terminologjinë e informatikës
Gabimet më të shpeshta gjuhësore në gazetat që botohen në Maqedoninë e Veriut
Parimet dhe kriteret për hartimin e Fjalorit të madh të gjuhës shqipe
Toponimia dhe shtrirja dialektore e shqipes - dëshmi e autoktonisë së shqiptarëve edhe në Maqedoninë e Veriut
Letër e hapur për bashkim gjuhësor
Konferencë për media më 5 nëntor, 2022 (e shtunë), ora 14.00, në hotelin “Swiss Diamond” në Prishtinë
Digjitalizimi i gjuhës shqipe në Mal të Zi
Disa këshilla të thjeshta gjuhësore
Shpallet fajtor dhe dënohet për shpifje zyrtari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Valter Memisha
Gjuha shqipe në erën digjitale
Falas për banorët e Republikës së Kosovës
Konflikte gjuhësore gjatë përdorimit të varieteteve në terminologjinë kompjuterike
Fjalori i madh i gjuhës shqipe i Republikës së Kosovës drejt suksesit
Fjalori i madh drejtshkrimor me 300.000 faqe i Republikës së Kosovës
Këshilli Kombëtar Shkencor i projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”
Fjalori i madh i gjuhës shqipe – problemet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë!
Padi penale kundër Valter Memishajt, zyrtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Formohet Këshilli Kombëtar Shkencor i projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”

Parimet dhe kriteret për hartimin e Fjalorit të madh të gjuhës shqipe

Fjalori i madh i gjuhës shqipe, një vepër e re shkencore.

Duke u nisur nga mungesa e theksuar e një fjalori të madh të gjuhës shqipe, Qendra për Edukim dhe Përparim në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës të Republikës së Kosovës, me ekspertë, gjuhëtarë, inxhinierë nga institucione të rëndësishme, si dhe me organizatat e specializuara në gjuhësi kompjuterike, Albasoft nga Prishtina e Albatag nga Tirana, janë duke hartuar Fjalorin e madh të gjuhës shqipes me rreth 100.000 zëra.

Fjalori po hartohet për të plotësuar jo vetëm nevojën, por dhe domosdoshmërinë për një fjalor të këtillë. Ai synon të jetë një vepër e përdorshme në radhë të parë nga punëtorët e administratës shtetërore dhe nga të gjithë ata që merren me shqipen ose e mësojnë atë, pedagogët, nxënësit, studentët, mësuesit, si edhe nga shkrimtarët, publicistët, përkthyesit etj. 

Hartimi i këtij Fjalori është pjesë e projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”, nisma më e madhe e ndërmarrë ndonjëherë për përparimin e gjuhës shqipe përmes digjitalizimit të saj, ku parashihen edhe disa projekte të tjera si, Morfologjia e shqipes 2.0, Drejtshkrimori 3.0 për MS Office, Sintaksori 1.0 për MS Office, Sinonimia 1.0 për MS Office etj.

Ky Fjalor do të pasqyrojë pasurinë leksikore të gjuhës shqipe, në të cilën përfshihet shtresa aktive e përditësuar me fjalë e shprehje të shqipes bashkëkohore, me një sasi termash nga fusha të ndryshme të shkencës e të teknikës, me një varg fjalësh të leksikut dituror e politiko-shoqëror, si edhe me  një numër të mirë fjalësh të leksikut pasiv e krahinor, që sjellin vlera të reja në leksikun e shqipes së përbashkët. Ai do të jetë një fjalor i madh jo vetëm për nga numri i fjalëve, i shprehjeve dhe i njësive frazeologjike, por edhe për nga zgjerimi i strukturave kuptimore dhe përshkrimi i shpjegimeve. Fjalori do të jetë burimi më i pasur dhe më i rëndësishëm i fjalëve të gjuhës shqipe, të cilat do të jenë të pajisura me çdo të dhënë që lidhet gjuhësisht me fjalën. 

Asnjë punë shkencore nuk fillon nga e para. Kjo vlen dhe për punën tonë. Në hartimin e këtij Fjalori janë zbatuar kryesisht parimet shkencore të leksikografisë perëndimore. Kemi qenë të kujdesshëm sa i përket mbështetjes në veprat e tjera leksikografike të hartuara në të shkuarën, duke zbatuar kritere dhe parime të përgjithshme të punës e duke shmangur shpjegimet e formulimet politike dhe kriteret propaganduese të fjalorëve të mëparshëm, si përvojë e deritashme e mishëruar në punën dhe vetëdijen profesionale të gjuhëtarëve me përvojë. Fjalori i madh i shqipes me 100.000 zëra,  që po hartohet, është një vepër e re shkencore në çdo vështrim, si për nga mënyra e trajtimit të zërave ashtu, edhe për nga sasia e zërave. Ky do të jetë një fjalor i ri, së paku 100% më i madh se fjalori i viteve ‘80, që kishte rreth 41.000 zëra. Madje, jo vetëm më i madh me fjalë dhe shprehje të reja, por edhe me elemente të tjera plotësuese për shumicën e zërave, duke pasqyruar edhe sinonimet, antonimet, fjalët e urta, fjalëformat, origjinën etj. Pra, kjo vepër synon të jetë një përmbledhje e shumë llojeve të fjalorëve, me vlera të shumta praktike dhe normative. Ai do të publikohet në formë digjitale apo si libër, për përdoruesin e saj.

Për parimet dhe modelin e ndërtimit të fjalorit tonë jemi mbështetur kryesisht te: Fjalori i anglishtes i Oksfordit (OED) që ka rreth 273.000 zëra; Fjalori i tretë ndërkombëtar i Webster-it që ka rreth 470.000 zëra; Fjalori i gjermanishtes (DWB), leksikoni më i madh i gjuhës gjermane, që ka rreth 330.000 zëra; Fjalori Akademik i Lituanishtes që përmban rreth 500.000 zëra.

Mahnitemi nga dëshira dhe gatishmëria e shumë individëve për të dhënë sugjerime, për të shprehur problemet e tyre në këtë fushë dhe për të propozuar fjalë të reja për Fjalorin e madh të shqipes. Përfshirja e përdoruesve në paraqitjen e kërkesave të tyre të drejtpërdrejta tek hartuesit e fjalorit është një praktikë e shpeshtë dhe bashkëkohore. Edhe gjatë punës sonë, deri tani janë mbi 1000 kontribuues që kanë dërguar fjalë të reja, shumë prej të cilave janë shqyrtuar nga redaksia e fjalorit dhe janë miratuar për të qenë pjesë e fjalorit të madh. 

Ky është një projekt i hapur për bashkëpunim me çdo individ profesionist apo institucion dhe, sapo të përfundojmë Fjalorin e madh të shqipes me 100.000 zëra, do të vazhdojmë punën për Fjalorin e madh të shqipes me 200.000 zëra dhe do të shtojmë përpjekjet për përfshirje më të madhe të institucioneve të tjera nga Shqipëria dhe nga Kosova, që kanë për detyrë të kujdesen për gjuhën.

Pas publikimit të parë testues, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës të Republikës së Kosovës, do të presim disa muaj për sugjerimet e institucioneve të tjera gjuhësore dhe do të shqyrtojmë me vëmendje çdo vërejtjeje me vlerë, në mënyrë që të pasqyrohen në publikimin e plotësuar e të rivështruar.

Fjalori i madh i gjuhës shqipe do të jetë një vepër shkencore “e gjallë”, çdo herë në rritje, me mundësi të mëdha për plotësim, redaktim dhe korrektim në vazhdimësi, duke iu nënshtruar vëzhgimit, vlerësimit dhe kritikës nga çdo përdorues. 

1. Parimet dhe kriteret e zbatuara.

1.a. Struktura e zërave, përzgjedhja dhe vëllimi i fjalësit.

Duke qenë fjalor i një lloji të ri, digjital, me një numër të madh fjalësh e kuptimesh për secilën prej tyre, vëmendje e madhe do t’i kushtohet caktimit të parimeve dhe të kritereve mbi të cilat punohet. 

Të dhënat për çdo fjalë kanë një strukturë të ngjashme me gjedhen e fjalorëve shpjegues kombëtarë, por të plotësuara edhe me informacione të tjera që nuk gjenden te ta: në krye jepen fjalët sipas rendit alfabetik, pastaj shënimet kryesore gramatikore e stilistike, struktura semantike sipas rendit të kuptimeve me shpjegimet përkatëse për çdo kuptim, secili prej tyre i plotësuar me shembuj, e më pas me sinonimet e antonimet për çdo kuptim, më tej, njësitë frazeologjike, fjalët e urta etj. 

Duke qenë se ky nuk është thjesht një fjalor digjital, por është një softuer i ndërlidhur me disa softuerë të tjerë për gjuhën shqipe, fjalët do të jepen në Fjalor vetëm në formën e tyre përfaqësuese, ndërsa format kryesore gramatikore, madje dhe format supletive nuk do të jepen si zëra më vete, sepse, i lidhur me softuerin për morfologjinë e shqipes, i mundësohet përdoruesit lidhja e çdo forme të kërkuar qoftë të sistemit emëror, qoftë atij foljor, me formën përfaqësuese me të cilën del në Fjalor, dhe këtu bëhet fjalë për format shteruese me të cilat dalin pjesët e ndryshueshme të ligjëratës.

Fjalori parashikohet të ketë rreth 100.000 zëra dhe mbi 200.000 njësi kuptimore. Në këtë numër përfshihen dhe fjalët që formohen nëpërmjet emërzimit, përemërzimit, mbiemërzimit, ndajfoljezimit, parafjalëzimit etj., sipas modeleve leksiko-gramatikore të formimit të fjalëve, dhe që jepen si zëra më vete në Fjalor me pjesën përkatëse të ligjëratës me gjithë strukturën e plotësuar të një zëri. Pra, rastet kur kuptimet përkatëse të fjalorëve të mëparshëm jepen me shënimet “edhe si em.”, “edhe si mb.”, “edhe si ndajf.”,”si përem.”, “si pj.” etj., në Fjalor dalin si zëra më vete me përshkrimin e kuptimit që i përshtatet pjesës konkrete të ligjëratës.

Nisur nga karakteristikat e këtij fjalori, i cili është elektronik dhe nuk ka kufizime në përmasat e tij, qoftë në fjalë, kuptime e shembuj etj., si dhe për të qenë sa më i lehtë në përdorim, janë dhënë si zëra më vete dhe të plotësuar me përshkrimin e shpjegimit, pjesën e ligjëratës, fushën e përdorimit, si dhe shembujt ilustrues për secilin kuptim të tyre

  • Emërtimet e pathjeshta të tipit: fik /gjel deti, lule akulli, lule maji, gjize, lule sapuni, vit financiar /shkollor /akademik, arrë kokosi etj., të cilat jepen me shënimin shprehje.
  • Disa variante fonetike, gramatikore e fjalëformuese, që përdoren sot në shqipen standarde si dysorë, pa dallime të tjera, të tipit: rendit e rendis, mat e mas, lajthishtë lajthishte, dhembje dhimbje, çalas çalazi etj., për të cilat është punuar teknikisht që të jenë të lidhur me njëri-tjetrin.
  • Emrat e gjinisë femërore, të prejardhur nga emrat e gjinisë mashkullore të njerëzve sipas mjeshtërisë, sipas tipareve fizike e morale, sipas vendit të banimit etj. në këtë fjalor do të dalin të gjithë si zëra më vete dhe do të kenë shpjegimin e plotë.
  • Emrat prejfoljorë të veprimit dhe mbiemrat prejpjesorë, si dhe emërzimet e tyre, të cilët pavarësisht se kanë forma e struktura kuptimore të njëjta, janë dhënë si zëra më vete, duke ua përshtatur përshkrimin e kuptimit dhe rubrikat e tjera plotësuese pjesës së ligjëratës me të cilën përkojnë, pra emrit, mbiemrit.
  • Emrat e prejardhur me kuptim zvogëlues, që shpjegohen me shprehjen e shkurtuar “Zvog. e...” në fjalorët ekzistues, në këtë fjalor do të dalin të gjithë si zëra më vete dhe do të kenë shpjegimin e plotë.
  • Përdorimet emërore, mbiemërore, ndajfoljore etj. që shpjegohen me shprehjet “Përd. em. sipas kuptimit (sipas kuptimeve) të...”; “Përd. mb. sipas kuptimit (sipas kuptimeve) të...” etj. do të dalin si zëra më vete në këtë fjalor me pjesën përkatëse të ligjëratës.
  • Foljet në diatezën pësore, që shpjegohen me shprehjen e shkurtuar “Pës. e...” në këtë fjalor do të kenë shpjegimin e plotë dhe në fund të shpjegimit, ndarë me pikëpresje do të jetë shënimi <pës.> e “folja”, faqoset – shpjegimi ...; <pës.> e “faqos”.
  • Foljet pavetore (a kuptimet pavetore), që dalin nga foljet jokalimtare dhe që shpjegohen me shprehjet e shkurtuara “Pavet. e...”; Përd. pavet. sipas kuptimit (sipas kuptimeve) të...” në këtë fjalor do të kenë shpjegimin e plotë dhe në fund të shpjegimit, ndarë me pikëpresje do të jetë shënimi <pavet.> e “folja”, fillohet – shpjegimi...; <pav.> e “filloj”.
  • Foljet njëvetore në këtë fjalor do të dalin si zë më vete me formën e vetës së tretë dhe do të kenë shpjegimin e plotë.
  • Mbiemrat e formuar prej numërorëve (numërorët rreshtorë)
  • Mbiemrat e emërzuar në të dyja gjinitë.
  • Fjalët që pavarësisht se me të njëjtën formë përdoren si ndajfolje, si parafjalë, si lidhëz a si pjesëz.

1.b. Metodat dhe teknikat e përpilimit.

Metodat dhe teknikat në përpilimin e këtij fjalori janë të reja dhe përdorin teknologjinë e përparuar kompjuterike duke u fokusuar në këto fusha kryesore: përdorimi i bazave të të dhënave për ruajtjen dhe organizimin e tekstit të Fjalorit; krijimi dhe shfrytëzimi i korpuseve për hartimin e zërave të fjalorit, rritja e vlerës dhe përdorshmërisë së të dhënave të korpusit nëpërmjet aplikimit të mjeteve softuerike të zhvilluara, si dhe migrimi i fjalorëve nga media e shkruar në atë digjital. Gjuhësia e korpusit ka transformuar shumë praktikën leksikografike duke ofruar qasje në sasi të mëdha të dhënash autentike.  Lloji i informacionit, sasia dhe cilësia e tij, si dhe mënyra e paraqitjes së informacionit për përdoruesin është diçka e re për leksikografinë shqiptare. Çdo përdorues do të gjejë në fjalor të dhënat për të cilat është i interesuar, dhe kjo nuk kufizohet vetëm te kuptimi i fjalës.  

1.c. Synimi i fjalorit.

Synim i këtij fjalori është ana informuese dhe gjithashtu ana normative: në fushën e leksikut, të drejtshkrimit e të formave gramatikore. Fjalori përfaqëson një vepër kodifikuese të normës leksiko-semantike të shqipes standarde; ai do të pasqyrojë njëherazi zhvillimet më të fundit të leksikut e të semantikës leksikore të gjuhës shqipe. 

Gjuha shqipe është ndër gjuhët e pakta të kontinentit tonë, që nuk ka një fjalor të tillë, andaj kjo vepër shkencore e vonuar në leksikografinë shqiptare është një domosdoshmëri.

Ka qenë kënaqësi dhe frymëzim për ne mirëkuptimi e  mbështetja nga ana e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës për projektin e kësaj vepre shkencore, si edhe gatishmëria e shumë bashkë-punëtorëve të cilësuar për të marrë pjesë në hartimin e saj, të cilëve u shprehim falënderimet tona. 

2. Burimet dhe kriteret për përzgjedhjen e zërave.

2.a. Burimi i fjalëve të Fjalorit të madh të gjuhës shqipe.

Pjesa më e madhe e fjalësit mbështetet në këto burime: Fjalor i gjuhës së sotme shqipe (“Rilindja” Prishtinë, 1981): a) rreth 41,000 zëra (fjalë) dhe 74,000 njësi kuptimore; b) njësi frazeologjike nga ky fjalor (disa mijëra); fjalë terma nga fjalorët terminologjikë të shqipes (me ose pa shpjegime), ndër të cilët edhe Fjalori i termave të informatikës i Qendrës për Edukim dhe Përparim (disa mijëra); fjalë të reja të shtuara nga fjalori sinonimik i autorëve Ali Dhrimo, Edmond Tupja, Eshref Ymeri, me të drejta të fituara sipas marrëveshjes së veçantë me autorët (rreth 2000); fjalë të reja të shtuara nga Drejtshkrimori i shqipes 2.0 për MS Office (6,500); fjalë të reja të shtuara nga bashkëpunëtorët (6,000) dhe nga vjeljet e përditshme të ekipit të hartuesve (disa mijëra); fjalë të reja të shtuara nga gjenerimet (40.000); fjalë të reja apo shprehje të krijuara sipas gjedheve fjalëformuese të gjuhës, duke shfrytëzuar metoda të gjuhësisë kompjuterike (4,000); njësi kuptimore të shtuara (mbi 100.000).

Këto fjalë janë nxjerrë duke shfrytëzuar burimet dhe teknikat e mëposhtme:

  1. Një pjesë e rëndësishme e Fjalorit është importuar në platformë nga burime të ndryshme që ndeshen në formë digjitale në bazën e të dhënave të Qendrës për Edukim dhe Përparim, e cila pasurohet vazhdimisht nga viti në vit. Për secilin burim janë ndjekur disa rregulla të veçanta të importimit.
  2. Importimi i fjalëve të Fjalorit elektronik të shqipes të “Rilindjes” (FESh)
    • Importimi i fjalëve është kryer duke ndarë secilin kuptim si zë më vete. Hap i rëndësishëm është rishikimi i përkufizimeve të këtyre kuptimeve, duke pasur parasysh zhveshjen nga pasaktësitë dhe nga nuancat ideologjike të kohës, p.sh. në përshkrimet që lidhen me politikën, filozofinë, besimin fetar etj. Kujdes i veçantë tregohet për shembujt ilustrues të këtyre kuptimeve, të cilët duhet të jenë të zhveshur nga vlerësimet ideologjike dhe të pastër nga ngjyrimet fyese për të meta fizike, përkatësi gjinore, racore etj. Është e rëndësishme të theksohet se shpjegimet me përmbajtje ideologjike do të ruhen në fjalor, duke i etiketuar me “Sipas propagandës komuniste”, ndërkohë që do të shtohet një kuptim i ri me shpjegim të përditësuar. Shpjegimi me përmbajtje të ndikuar ideologjikisht do të listohet në fund të gjitha kuptimeve të fjalës, si një dëshmi e kohës jo fort të largët të përdorimit.
    • Gjatë ndarjes së kuptimeve të ndryshme të një fjale në zëra të veçantë tregohet kujdes në renditjen e kuptimeve sipas rëndësisë që kanë në FESh, duke nisur me kuptimet e drejtpërdrejta e më pas me kuptimet e figurshme, me kuptimet më të përdorura e më tej me kuptimet që kanë përdorim më të rrallë.
    • Si një proces i nisur, por për të cilin ka ende shumë punë, do të jepen si zëra më vete shprehjet që dalin në përshkrimet e fjalëve në FESh, duke u bazuar në shpjegimin dhe përdorimin e tyre si grupe të mëvetësishme, veçanërisht në fusha të ndryshme, p.sh. nga fjala DREJTIM mund të dalin si zë më vete: drejtim muzikor, drejtim shkencor, drejtim letrar etj. Por duhet pasur kujdes në cilësimin e tyre si zëra më vete, sepse këtë status do ta kenë vetëm ato grupe që emërtojnë një koncept të caktuar në një fushë të dijes. Si shpjegim për këta zëra do të jetë ai aktual (në rastet kur e kanë), që i shoqëron në shpjegimin e fjalës ku dalin, ose do të plotësohen me shpjegimet përkatëse nga hartuesit.
  3. Importimi i fjalëve të Fjalorit të Termave të Informatikës (FTI).

Gjatë importimit të fjalëve të fjalorit të informatikës një pjesë e tyre do të dyfishohen: nga njëra anë janë fjalët që vijnë nga fjalorët e përgjithshëm, nga ana tjetër fjalët e fjalorit terminologjik të fushës së teknologjisë, p.sh. kompjuter nga FESh-i dhe kompjuter nga FTI. Është menduar që të lihen shpjegimet e tyre nga të dyja burimet: edhe shpjegimi me karakter të përgjithshëm, që i drejtohet një përdoruesi të zakonshëm, dhe shpjegimi më specifik që i drejtohet një përdoruesi të specializuar në atë fushë. Ndarjen nga njëri-tjetri e bën vendosja e fushës së përdorimit për kuptimet që vijnë nga fjalorët terminologjikë. I njëjti parim do të ndiqet edhe për kuptimet që vijnë nga fjalorë të tjerë terminologjikë. 

  1. Përzgjedhja dhe importimi i fjalëve të caktuara nga ‘Drejtshkrimori i shqipes 2.0’ për MS Office.

Drejtshkrimori i shqipes 2.0 për MS Office ka qenë një projekt softuerik shumë i suksesshëm i zhvilluar nga Albasoft-i që nga viti 2003 i cili mundëson korrigjimin e formave të gabuara drejtshkrimore (gabime shtypi ose nga mosnjohja e rregullave). Në kuadrin e këtij programi u krijua një bazë të dhënash, ku u përfshinë të gjitha trajtat e lakuara ose të zgjedhuara të pjesëve të ligjëratës. Kjo bazë të dhënash është pjesë e Morfologjisë digjitale dhe përmban shumë fjalë të reja të papërfshira në fjalorët e mëparshëm të shqipes. Fillimisht është zgjidhur çështja teknike e importimit të këtyre fjalëve, të cilat më tej duhen plotësuar me të gjitha të dhënat e një zëri në platformën leksikografike (përshkrimi i kuptimit, veçoritë gramatikore, shembuj, sinonime, antonime etj.).

Fjalësi është pasuruar edhe nga burime të tjera:

  • Në fjalorin sinonimik ka shumë fjalë si sinonime të fjalëve ekzistuese në fjalor, por që nuk dalin si zëra më vete në FGjSh. Këto do të përfshihen në fjalës dhe për shpjegimin e tyre merret si model shpjegimi i sinonimeve përkatëse që tashmë ekziston.
  • Fjalë të reja që dalin në fjalorë të tjerë, një apo dygjuhësh, dhe që duhet të plotësohen me të dhënat përkatëse.
  • Plot fjalë të reja të dërguara nga përdorues të shumtë të programit Drejtshkrimori 2.0. Këto fjalë janë shqyrtuar e vijojnë të shqyrtohen nga Këshilli mbikëqyrës i projektit e më pas përfshihen në fjalor për t’iu nënshtruar fazave të mëtejshme të plotësimit.
  • Fjalë të reja që shtohen herë pas here nga ekipi, gjatë punës për sistemin dhe plotësimin e të dhënave. Edhe fjalët e reja të krijuara apo të huazuara vitet e fundit, të cilat janë të shumta, i nënshtrohen procesit të shqyrtimit nga Këshilli mbikëqyrës për t’i verifikuar dhe për t’i pranuar si pjesë të fjalësit të fjalorit.
  • Një vend të rëndësishëm, veçanërisht për vazhdimin e projektit dhe hartimin e Fjalorit me rreth 200.000 zëra kanë termat nga fusha të ndryshme të dijes, për të cilët do të shfrytëzohen fjalorë terminologjikë, udhëzues dhe akte juridike. Pas përzgjedhjes së fjalëve që do të përfshihen në fjalor, bashkëpunohet me specialistët e fushave të ndryshme për hartimin e përshkrimit të kuptimeve të tyre duke iu përmbajtur kritereve të fjalorit.
  • Fjalë të reja të nxjerra nga korpusi i hartuar për përdorim në platformën e leksikografisë; këto dalin së bashku me kontekstet e tyre, ndaj ka më shumë lehtësi në hartimin e shpjegimit të tyre dhe gjithashtu të plotësimit me shembuj konkretë.
  • Fjalë të reja të nxjerra nga botime më të hershme të shkrimtarëve tanë, të cilat nuk kanë qenë të përfshira në fjalorë të mëparshëm.
  • Fjalë të reja të krijuara duke shfrytëzuar modelet e larmishme fjalëformuese të gjuhës shqipe. Për këtë, në një dokument më vete “Udhëzues për krijimin e fjalësit”, janë krijuar modele të fjalëformimit sipas klasave të fjalëve, duke pasur parasysh temën dhe mjetin fjalëformues. Falë teknologjisë, për modelet shumë prodhimtare, janë krijuar lista fjalësh që shërbejnë si tema fjalëformuese për prapashtesat dhe parashtesat më prodhimtare dhe në këtë mënyrë shtohen automatikisht shumë fjalë. Për përshkrimin e kuptimit të tyre si bazë do të shërbejë kuptimi i fjalës që shërben si temë fjalëformuese, duke u plotësuar me kuptimet shtesë që ka sjellë ndajshtesa (qoftë parashtesë, qoftë prapashtesë). Në këtë mënyrë arrihet edhe në plotësimin e çerdhes së fjalëve ekzistuese.
  • Në fazën tjetër të projektit është menduar të shfrytëzohen studime të karakterit leksikor për të folme të veçanta, si dhe fjalorë të ndryshëm krahinorë, për të bërë pjesë të fjalësit edhe fjalë, shprehje e kuptime të reja nga ligjërimet popullore, kur ato i shërbejnë pasurimit të leksikut të shqipes së përgjithshme.
  • Fjalë të huazuara, sidomos kohët e fundit, por që do të etiketohen me shënimin si fjalë e huaj dhe do të lidhen teknikisht me fjalën shqipe nëse ekziston barasvlerësja e tyre. Etiketimi si fjalë të huaja dhe lidhja e tyre me barasvlerësen në shqip ndihmojnë në rritjen e cilësisë së Drejtshkrimorit 3.0, pasi falë këtyre lidhjeve, përdoruesit i sugjerohet fjala shqipe edhe kur ai shkruan fjalën e huaj. Fjalët e reja që hyjnë si huazime duhet të futen bashkë me çerdhen përkatëse, në disa raste të kufizuara në raport me fjalët që vijnë nga brumi i shqipes, në varësi të përdorimit.
  • Një vend të rëndësishëm do të kenë edhe toponimet e etnonimet. Fjalori do të plotësohet me emrat e vendeve të Shqipërisë e të Kosovës, me vendet e tjera, kryeqytetet apo qytetet e tyre kryesore. Po ashtu dhe me emrat e banorëve sipas vendeve, në gjininë femërore dhe mashkullore.
  • Fjalori do të pasurohet dhe me fjalë që emërtojnë shkencat dhe specialistët përkatës, këta të fundit në gjininë mashkullore e femërore.
  • Fjalë sinonime dhe antonime të cilat nuk gjenden në fjalorë të shqipes.
  • Do të plotësohen emrat femërorë të frymorëve, të cilët emërtojnë banorë, profesione etj. dhe për të cilët në fjalorë të tjetër të shqipes është vendosur rregullisht emri mashkullor gjegjës.
  • Shkurtesat e ndryshme, si dhe shkurtimet dhe simbolet për elementet kimike do të përfshihen si zëra më vete në fjalor. Këto do të jenë teknikisht dhe vizualisht të lidhura me fjalën e plotë ose grupin e fjalëve prej të cilëve janë formuar.

2.b. Struktura kuptimore e zërave.

Fjalori do të ketë në përbërje rreth 100.000 zëra që përfshijnë fjalë dhe shprehje të cilat vijnë nga burime të ndryshme. Në pajtim me fjalorët e gjuhëve të tjera që kemi pasur si shembull (shih më lart: 0. Hyrje), edhe në këtë fjalor secili kuptim i fjalëve paraqitet si njësi më vete gjatë procesit të hartimit e të përpunimit të Fjalorit, pra, në softuerin për përdorim të brendshëm. Fjalori i publikuar do t’i ketë të grupuara të gjitha kuptimet brenda një fjale. Kjo ndarje e kuptimeve na ndihmon gjatë punës për hartimin e njësive leksikore, sepse mundëson që çdo veçori gramatikore, shembull, sinonim, antonim, shprehje frazeologjike e fjalë të urta të lidhen vetëm me kuptimin përkatës e të mos dalin si elemente përbërëse për të gjitha kuptimet e një fjale, kur në të vërtetë shpesh nuk u përkasin gjithë këtyre kuptimeve. P.sh. nëse një folje në disa kuptime del si folje kalimtare, por në një kuptim tjetër del si folje jokalimtare, është e rëndësishme që veçanërisht ky i fundit të dalë si zë më vete brenda foljes, pasi do të ketë përshkrimin dhe shembujt përkatës sipas këtij kuptimi jokalimtar, sinonimet apo antonimet e veta dhe rubrikat e tjera me të cilat plotësohet çdo zë. Kjo është mjaft e rëndësishme dhe në rastet kur një folje në një prej kuptimeve del si njëvetore. 

3. Platforma softuerike “Leksikografia 2.0.

3.a. Të dhëna të përgjithshme.

Në epokën e sotme digjitale nuk mund të përfytyrohet hartimi i një fjalori të madh si ky, me cilësinë e lartë që kërkohet, përveçse përmes një platforme softuerike si kjo që ka zhvilluar Albasoft-i posaçërisht për këtë projekt. Në hartimin e këtij fjalori janë përfshirë disa organizata vendore e ndërkombëtare. Barrën kryesore për anën gjuhësore e ka grupi realizues prej 15 gjuhëtarësh. Për anën teknike dhe softuerike janë përfshirë mbi 10 inxhinierë-programues, të cilët mundësojnë zbatimin e teknikave dhe metodave bashkëkohore në leksikografi (aplikacionet softuerike, rrjeti kompjuterik, analiza semasiologjike, organizimi i punës mbi bazë projekti etj.). 

Platforma softuerike mundëson komunikimin në distancë dhe bashkëpunimin e lehtë e në çdo kohë midis hartuesve të fjalorit me udhëheqësin e projektit; mundëson komentimin, etiketimin, udhëzimin apo vërejtjen për çdo fjalë apo kuptim të fjalës; mundëson punën në grup me pjesëmarrjen e qindra kontribuuesve në të njëjtën kohë, jo vetëm pa penguar punën e njëri-tjetrit e duke krijuar një lehtësi të madhe (sepse bashkëpunëtorët nuk janë fizikisht në të njëjtin vend), por duke mundësuar përfitimin nga puna grupore në kohë reale. 

Pjesë e platformës softuerike “Leksikografia” është edhe korpusi digjital i gjuhës shqipe. Për rritjen e cilësisë gjuhësore të softuerëve të Fjalorit të madh të gjuhës shqipe është i domosdoshëm edhe “Korpusi i shqipes 1.0”, i zhvilluar tashmë prej nesh, i përparuar dhe shumë funksional si pjesë e rëndësishme e këtij projekti. Ky korpus, i realizuar nga kompania Albasoft në Prishtinë në bashkëpunim me kompaninë Albatag në Tiranë, përmban materiale nga vepra të letërsisë artistike e shkencore, nga shtypi i përditshëm e periodik, nga fjalorë dygjuhësh, sinonimikë, terminologjikë, krahinorë etj. 

Korpusi mund të vihet në shërbim edhe të atyre që kanë interes për studime shkencore rreth leksikut dhe gramatikës, si dhe për gjurmime të tjera rreth gjuhës shqipe, të lidhura me historinë e zhvillimit të saj. Në fazën e dytë, për fjalorin me 200.000 zëra, kur të arrihet një lidhje e mirë e funksionale midis Korpusit dhe softuerit “Morfologjia e shqipes”, do të punohet edhe për korpusin dialektor dhe tekste të shkruara gjatë periudhave më të hershme të gjuhës shqipe. 

Përfshirja e një leksikografi dhe trajnimi i tij fillestar në platformën softuerike është i lehtë dhe pas kësaj ai bën përzgjedhjen e fjalëve që dëshiron të përpunojë (p.sh. shtim të përshkrimit të kuptimit, të sinonimeve e antonimeve, të fjalëve të urta apo të njësive frazeologjike etj., nga fjalësi më i zgjeruar i platformës me mbi 140.000 zëra). 

Çdo 24 orë përftohet në formë elektronike raporti i punës së kryer dhe rezultati i punës i filtruar sipas hartuesit, kohës, zërave, kontributit etj. 

Plotësimi, redaktimi shkencor apo letrar, korrektimi gjuhësor apo teknik mund të bëhet në çdo kohë nga cilido bashkëpunëtor që është përdorues i platformës, duke ruajtur historinë e ndërhyrjeve të tij. 

3.b. Struktura e platformës. 

            Platforma leksikografike e ndërtuar nga Albasoft-i është një harmonizim i kërkesave të gjuhëtarëve dhe realizimit teknik nga inxhinierët e programuesit. Ajo nuk është thjesht një ndërfaqe për çdo zë të Fjalorit, por një ndërthurje modulesh brenda platformës, si moduli i shembujve, moduli i fjalëve të urta, moduli i shprehjeve frazeologjike, i korpusit etj. 

Në platformën për përdorim të brendshëm, pra në të cilën punohet, secili kuptim i një zëri del si njësi kuptimore më vete dhe ka një model bazë standard me disa fusha për t’u plotësuar:

  • Në krye qëndron Fjala ose shprehja (zëri), që vendoset rregullisht në formën përfaqësuese.
  • Pjesa e ligjëratës dhe veçoritë gramatikore

Një element i rëndësishëm si fushë më vete është Pjesa e ligjëratës dhe veçoritë kryesore gramatikore, të kufizuara tek ato që ndikojnë dhe në aspektin kuptimor të fjalës.

  • Për emrin plotësohet gjinia. Për emrat e përveçëm përzgjidhet “I përveçëm (përv.)”, ndërsa veçoria e numrit plotësohet në raste të veçanta kur emri përdoret vetëm apo kryesisht në njëjës ose vetëm apo kryesisht në shumës.
  • Për mbiemrin plotësohet gjinia dhe lloji (i nyjshëm / i panyjshëm)
  • Për foljen plotësohet kalimtare apo jokalimtare
  • Për përemrin plotësohet lloji i tij (vetor, vetvetor, dëftor, pyetës, lidhor, i pacaktuar)
  • Për pjesët e tjera të ligjëratës (ndajfolje, numëror, lidhëz, parafjalë, pjesëz dhe pasthirrmë) zgjidhet vetëm pjesa e ligjëratës.
  • Për njësi të tjera zgjidhet “E papërcaktuar”, ku përfshihen disa variante: nyjë, onomatope, frazeologji, mjet fjalëformues, shkurtim, shkurtesë dhe shprehje. Me shprehje do të shënohen të gjitha njësitë leksikore me më shumë se një fjalë të cilat emërtojnë një koncept të caktuar. Nga këtu përjashtohen njësitë frazeologjike, të cilat shënohen me “Frazeologji”.
  • Përshkrimi 
    • Përshkrimi i kuptimit do të jetë i mëvetësishëm për çdo kuptim të së njëjtës fjalë.
    • Çdo njësi kuptimore do të ketë përshkrimin e vet të kuptimit, duke shmangur referimet në kuptimet e fjalëve të tjera (nuk do të ketë ‘shih ...’, ‘kuptimi sipas ...’, ‘veprimi sipas ...’ etj.).
    • Përshkrimi i kuptimit duhet të jetë i pastër nga politizimet, i zhveshur nga diskriminimet e ndryshme (fetare, gjinore, racore, fizike, seksuale etj.)
  • Shembujt
    • Brenda platformës është realizuar teknikisht më vete moduli i shembujve. Ata janë të lidhur me fjalët çelës që përmbajnë, duke mundësuar ilustrimin jo thjesht të një fjale, por të gjitha fjalëve kryesore që ajo përmban. Teknikisht është e mundur të punohet në modulin e shembujve ose drejtpërdrejt në shembullin e zërit përkatës, duke redaktuar një shembull aktual ose duke shtuar shembujt të rinj.
    • Një ndihmë të madhe në shtimin e shembujve të rinj ofron korpusi i platformës, në të cilin, me një kërkim të thjeshtë të ofrohen gjithë rastet ku haset fjala e kërkuar.
    • Për përzgjedhjen e shembujve mbahen parasysh disa kritere:
  • çdo njësi kuptimore duhet të jetë e ilustruar me shembujt përkatës
  • shembujt duhet të jenë të përshtatshëm për kuptimin konkret, jo për fjalën në përgjithësi (që mund të dalë me disa kuptime)
  • shembujt duhet të jenë të pastër nga politizimet, të jenë të zhveshur nga diskriminimet e ndryshme (fetare, gjinore, racore, fizike, seksuale etj.)
  • në fjalët emërtuese (emri, mbiemri, folja, ndajfolja) shembujt mund të jenë me togfjalësh (fituesi i çmimit, qytet modern, lexoj librin, shkruaj bukur) ose dhe me fjali të shkurtra.
  • në fjalët e tjera shembujt mund të jenë më të gjatë ose fjali të thjeshta.
  • Fusha e veprimit dhe ngjyrime kuptimore
    • Në këtë rubrikë jepet fusha e përdorimit, nuancat e ndryshme emocionale e shprehëse kuptimore, veçoritë stilistike (një fjalë mund të ketë një ose disa prej tyre të përzgjedhura).
    • Këto plotësohen për secilën njësi kuptimore më vete, pasi shpeshherë nuk i përkasin gjithë zërit.
  • Sinonimet 
    • Për përzgjedhjen e sinonimeve mbahen parasysh disa kritere:
  • zgjidhet sinonimi që i përket së njëjtës pjesë ligjërate
  • zgjidhet sinonimi për atë kuptimin specifik, jo për gjithë fjalën
  • renditja e sinonimeve bëhet në bazë të afrisë më të madhe kuptimore
  • në rastin e mbiemrit, zgjidhet sinonimi mbiemër i së njëjtës gjini
    • Sinonimet lidhen teknikisht me njëri-tjetrin dhe në rast se hartuesi plotëson me sinonim të ri një njësi kuptimore, automatikisht ka ndodhur dhe plotësimi i përkundërt, duke krijuar kështu një rrjetë të plotë të sinonimisë në gjuhën shqipe.
  • Antonimet
    • Për përzgjedhjen e antonimeve mbahen parasysh disa kritere:
  • zgjidhet antonimi që i përket së njëjtës pjesë ligjërate
  • zgjidhet antonimi për atë kuptimin specifik, jo për gjithë fjalën
  • renditja e antonimeve bëhet në bazë të afrisë më të madhe kuptimore.
  • në rastin e mbiemrit, zgjidhet antonimi mbiemër i së njëjtës gjini
    • Antonimet lidhen teknikisht me njëri-tjetrin dhe në rast se hartuesi plotëson me antonim të ri një njësi kuptimore, automatikisht ka ndodhur dhe plotësimi i përkundërt, duke krijuar kështu një rrjet të plotë të antonimisë në gjuhën shqipe.
  • Materialet
    • Kjo është një hapësirë sa e nevojshme, aq dhe e dobishme për hartuesit e Fjalorit, është si një magazinë në miniaturë në të cilën mund të ruhen informacione të ndryshme, të cilat ende nuk janë të gatshme për t’u vendosur në vendin e caktuar ose ende nuk është mbërritur në atë fazë pune për të kryer këtë veprim.
  • Frazeologjitë më mirë: njësitë frazeologjike
    • Një modul më vete brenda platformës është realizuar për frazeologjitë.
    • Fjalët kryesore që bëjnë pjesë në një njësi a shprehje frazeologjike etiketohen, në mënyrë që shprehja frazeologjike të dalë si ilustrim te fjalët përbërëse, p.sh. shprehja vë dorën në zjarr lidhet me tri fjalë: , dorë dhe zjarr dhe paraqitet në të tria këto fjalë.
  • Fjalë të urta
    • Po ashtu si frazeologjitë, fjalët e urta janë realizuar si modul më vete brenda platformës.
    • Në mënyrë të ngjashme me modulin e Frazeologjive, edhe tek fjalët e urta do të etiketohen fjalët kryesore dhe fjala e urtë do të shfaqet në të gjitha këto fjalë kryesore, p.sh. në fjalën e urtë Kali i mirë e shton vetë tagjinë mund të etiketohen fjalët kalë, shtoj, tagji dhe fjala e urtë do të ilustrojë secilën prej tyre.
  • Zakonisht gabohet
    • Në një rubrikë më vete do të shënohen fjalët që jo rrallë shkruhen gabim, të tilla si burek për byrek, mjelmë për mjellmë, tynel për tunel, krypë për kripë, rryp për rrip, kanatiere për kanotiere, kamarier për  kamerier, kompesato  për kompensatë,  demostratë, demostrim, demostroj  për demonstratë, demonstrim, demonstroj,  çertifikatë  për certifikatë, proçedurë, procedoj për procedurë, procedoj,  salçiçe  për salsiçe etj.
  • Zakonisht ngatërrohet
    • Do të shënohen gjithashtu edhe paronimet, të cilat si fjalë që shkruhen ose shqiptohen në mënyrë të ngjashme, por që kanë kuptime të ndryshme leksikore, mund të sjellin keqkuptime në përdorim, si: endje dhe ëndje, frutë dhe fryt, mishëroj dhe mëshiroj, zgjedhje dhe zgjidhje etj.
  • Fjalë të huaja
    • Edhe fjalët e huaja që do të jenë pjesë e fjalësit do të shënohen si të tilla për të realizuar lidhjen dhe me gjegjëset shqipe atje ku është e mundur, duke i dhënë përparësi në sugjerime fjalës shqipe, p.sh. abrogoj do të shënohet si fjalë e huaj për fjalën shqipe shfuqizoj, fjalët adoptoj, adoptim, i (e) adoptuar për fjalët shqipe birësoj, bijësoj, birësim, bijësim, i birësuar, e bijësuar etj.
  • Burimi
    • Për këtë rubrikë do të punohet në një fazë të mëtejme, kur të jetë e mundshme të plotësohet prejardhja a burimi i fjalëve.
  • Shënimet
    • Janë rubrikë personale, në të cilën secili mban shënime të ndryshme gjatë procesit të punës.
    • Shënimet nuk lidhen me një fjalë të caktuar, por janë të përgjithshme për përdoruesin.
    • Shënimet nuk janë të dukshme për përdoruesit e tjerë.
  • Komentet 
    • Komentet janë rubrikë që lidhen me një zë të caktuar të fjalorit.
    • Komentet janë të dukshme për të gjithë përdoruesit.
    • Secili përdorues mund të përgjigjet për komentin e një fjale të caktuar.
    • Komenti del me emrin e përdoruesit që e ka shënuar.

4. Mënyra e paraqitjes së zërave në platformë.

  • Fjalët që u përkasin pjesëve të ndryshueshme të ligjëratës (emri, mbiemri, përemrat), do të paraqiten në formën përfaqësuese:
  • Emri: numri njëjës, rasa emërore, trajta e pashquar (libër, dorë). Përjashtim bëjnë emrat që kanë përdorime të veçanta lidhur me numrin: nëse emri përdoret vetëm në numrin shumës, si përfaqësuese do të jetë forma në numrin shumës, rasa emërore dhe trajta e pashquar (agrume, syze, pantallona etj.).
  • Folja, në varësi të veçorive leksiko-gramatikore, del me disa forma përfaqësuese:
    • foljet e zakonshme: veta I, numri njëjës, koha e tashme, mënyra dëftore, forma veprore (këndoj, rri).
    • foljet njëvetore e pavetore: veta III (vetëtin) koha e tashme, mënyra dëftore, forma veprore.
    • foljet që përdoren në të gjitha vetat vetëm në formën joveprore: veta I, numri njëjës, koha e tashme, mënyra dëftore, forma joveprore (regjistrohem).
    • foljet që përdoren në vetën III, vetëm në formën joveprore: veta III, numri njëjës, koha e tashme, mënyra dëftore, forma joveprore (afishohet).

Përdorimet vetvetore dhe pësore të foljeve nuk do të referohen te folja veprore, por do të jepen si zëra më vete dhe me të gjitha rubrikat e plotësuara. 

  • Mbiemri do të dalë në dy zëra:
    • njëri në gjininë mashkullore, numrin njëjës, rasën emërore (i lartë, dinak);
    • tjetri në gjininë femërore, numrin njëjës, rasën emërore (e lartë, dinake)
  • Përemri, duke qenë i larmishëm në kategori gramatikore, përfaqësohet nga forma të ndryshme: përemrat që dalin me forma të ndryshme rasore, do të kenë si përfaqësuese formën e rasës emërore, ndërsa disa të tjerë janë të ngurtë.
  • Homonimet e mirëfillta jepen si fjalë më vete dhe shënohen me shifra romake për t’u dalluar nga njëri-tjetri; p.sh.:

FLETË I 

1. Gjethe ... 2. Cipë e hollë si gjethe, që mbulon disa organe të bimëve ... 

FLETË II 

1. Copë letre katërkëndëshe, që përdoret zakonisht për të shkruar ...

FLETË III

  1. Krah shpendi ose insekti ... 2. Krah aeroplani ...
  • Çdo shprehje do të paraqitet në formën përfaqësuese të fjalës drejtuese. Meqenëse fjala drejtuese është kryesisht emër, do t’i referohemi trajtës së tij sipas llojit të shprehjes. Emri si fjalë drejtuese do të jetë në numrin njëjës, rasa emërore, përgjithësisht trajta e pashquar, por në disa raste edhe në të shquarën.
  • Zërat e fjalorit ndjekin njëri-tjetrin në rend alfabetik sipas shkronjave, pa marrë parasysh praninë e hapësirave ose të vizave (kihen parasysh shprehjet me më shumë se një fjalë që kanë hapësirë ose vizë në mes): njëri-tjetri, shoku-shoku.
  • Mbiemrat, përemrat dhe emrat e nyjshëm renditen alfabetikisht duke e shfaqur, por duke mos e marrë në konsideratë nyjën (i këndshëm renditet te shkronja dhe jo tek i).
  • Fjalët e plota vijnë para pjesëve të fjalëve të përbëra nga të njëjtat shkronja (GJYSMË f. sh. dhe GJYSMË- fjalëform.). Fjalët renditen të parat dhe pasohen nga kompozitat me vizë dhe më pas shprehjet disafjalëshe.

5. Përshkrimi i kuptimeve dhe i shembujve.

Nisur nga mundësitë e shumta që ofron platforma e këtij fjalori në format elektronik dhe nga veçoritë e shumta leksiko-semantike, gramatikore e stilistike me të cilat do të pajiset çdo element, secili nga kuptimet e ndryshme të së njëjtës fjalë do të paraqitet më vete. Renditja e kuptimeve brenda të njëjtit zë do të bëhet duke u nisur nga kuptimi më i përgjithshëm dhe i drejtpërdrejtë, për të vijuar me kuptimet e tjera dhe të figurshme. Përshkrimi i kuptimeve do të bëhet duke përdorur vetëm fjalë që bëjnë pjesë në fjalor.

Përshkrimi i kuptimeve do të bëhet në disa mënyra, në varësi të kuptimit që kanë zëra të ndryshëm, me qëllim dhënien sa më të thukët dhe të qartë të këtyre kuptimeve.

Ndryshe nga përvoja e deritanishme leksikografike, nisur dhe nga fakti se fjalët do të jenë të shoqëruara edhe me sinonimet dhe antonimet përkatëse, do të jetë prirja për të shmangur përdorimin e sinonimisë dhe të antonimisë në shpjegimin e kuptimeve. Në raste të veçanta, për ta qartësuar më shumë, sinonimet dhe antonimet mund të jepen për të plotësuar përshkrimin e dhënë.

Po kështu është shmangur dhe përshkrimi i kuptimeve nëpërmjet referimit, pra kuptimi i një fjale nuk do të referohet thjesht te një fjalë tjetër, por secila prej tyre do të pajiset me përshkrimin përkatës të kuptimit, edhe pse mund të jenë të njëjta apo të ngjashme. P.sh. për fjalë si abort, laps, trangull nuk do të jetë referimi te fjala dështimkalem, kastravec, por do të plotësohet me përshkrimin e plotë të kuptimit, siç ndeshet edhe te fjalët dështim, kalem, kastravec.

Emrat e gjinisë femërore që tregojnë frymorë jo vetëm që do të dalin më vete, por do të kenë përshkrim të plotë dhe jo duke iu referuar emrave përgjegjës mashkullorë. P.sh. fjala aktore nuk do të referohet te emri aktor, por do të pajiset me përshkrimin e plotë të kuptimit dhe shembuj që lidhen me të.

Në rastet kur kemi të bëjmë me fjalë të huaja, ato do të pajisen me përshkrimin e kuptimit dhe do të etiketohen si fjalë e huaj; ndërsa kur kemi të bëjmë me fjalë të vjetra, ato sërish do të pajisen me përshkrimin e kuptimit dhe do të etiketohen si e tillë të tilla.

Edhe tek emrat prejfoljorë përshkrimi i kuptimit të emrit do të bëhet i plotë, duke u bazuar te kuptimi i foljes. P.sh. emri interpretim do të ketë përshkrimin e plotë të bazuar te kuptimi i foljes interpretoj / interpretohet dhe jo vetëm “veprimi sipas kuptimeve të foljeve interpretoj, interpretohet.”. Nëse folja interpretoj ka tri kuptime, ato kuptime do të dalin edhe për emrin interpretim të pajisura me shembujt përkatës, si më poshtë:

1. Shpjegimi a shkoqitja e diçkaje të errët e të vështirë për të tjerët; paraqitja a sqarimi i diçkaje ashtu me kuptim e mendim timin. (Interpretimi i një çështjeje. Interpretimi i fakteve. Interpretimi i një vendimi.)

2. Dhënia e mendimeve, ndjenjave, dëshirave a kërkesave të një tjetri; të folurit në emër të një tjetri, me bërje të zëdhënësit të tij. (Interpretimi i dëshirave të një tjetri. Interpretimi vullnetit të atij.)

3. Luajtja e një roli në një dramë ose e një pjese muzikore; këndimi i një kënge a luajtja e një valleje në një shfaqje. (Interpretimi i një roli. Interpretimi me mjeshtëri të rrallë.)

Po kështu do të veprohet edhe për mbiemrat prejpjesorë: përshkrimi i kuptimit të mbiemrit do të bëhet i plotë, duke u bazuar te kuptimi i foljes.

Do të jepet i plotë edhe kuptimi i formave pësore të foljeve të ndryshme. Në fund të përshkrimit do të jepet informacioni që është formë pësore e foljes përkatëse. P.sh. për foljen bisedohet, pasi të realizohet lidhja me foljen bisedoj, plotësohet përshkrimi i kuptimit nisur nga kjo formë e fundit:Rrihen mendimet me dikë për një çështje, flitet me një tjetër a me të tjerë për diçka, shqyrtohet”. 

            Plotësimi i kuptimeve do të realizohet me anë të këtyre mënyrave:

  • Përshkrimi

Do të paraqiten tiparet e kuptimit të asaj fjale apo shprehjeje, veçoritë e një dukurie, rrethanat e zhvillimit të një ngjarjeje, dukurie etj. 

  • Përkufizimi

Do të jepet në mënyrë të përmbledhur e shkencore përmbajtja e një kuptimi që mund të shërbejë si term i një fushe të caktuar, duke vënë në dukje tiparet thelbësore dhe anët më të rëndësishme etj.

  • Perifrazimi

Do të jepet përshkrimi i kuptimit, pra e njëjta gjë me fjalë të tjera: shpjegimi i kuptimit të fjalës duke përdorur një frazë më të gjatë në vend të një forme të shprehjes së mundshme më të shkurtër që ka lidhje me fjalën në shqyrtim. 

Shënim: Fjalët që kanë shpjegime të politizuara do të ruhen siç janë, duke i plotësuar me etiketën “Sipas propagandës komuniste”. Ato do të klonohen dhe në variantin e ri do të bëhen ndryshimet e nevojshme për këtë fjalë, qoftë në përshkrimin e kuptimit, qoftë në shembujt ilustrues. Të gjitha kuptimet me etiketën “Sipas propagandës komuniste” do të vendosen në fund të të gjitha kuptime të fjalës. Ruajtja e këtyre kuptimeve ekzistuese ndihmon përdoruesit për të parë se si ka qenë përdorur më parë të ndikuar nga propaganda komuniste.

6. Kritere të përgjithshme.

  1. Secila njësi do të plotësohet sipas një modeli bazë.
  2. Secila njësi, pavarësisht sa dendur a rrallë përdoret, duhet të pajiset me maksimumin e informacionit sipas modelit përkatës.
  3. Gjatë plotësimit të çdo rubrike duhet ruajtur norma drejtshkrimore dhe gramatikore.
  4. Probleme të ndryshme që dalin gjatë punës duhen zgjidhur duke pasur parasysh prirjen njësuese të kritereve.
  5. Duhen ndjekur modelet e ndërtuara sipas pjesëve të ndryshme të ligjëratës, sipas tipit të fjalëformimit, sipas shkallës së afërsisë strukturore dhe semantike të fjalëve.
  6. Strukturat kuptimore do të jenë të plota, analitike për secilën njësi, duke shmangur prirjen drejt sintetizimit të kuptimeve.
  7. Përkufizimet e kuptimeve duhet të jenë pa ngjyrime politike-ideologjike ose vlerësime a gjykime personale të hartuesit.
  8. Si kuptim i parë zakonisht vendoset kuptimi më i përgjithshëm, zakonisht kuptimi i drejtpërdrejtë, pastaj kuptimet që burojnë prej tij dhe kuptimet e figurshme.
  9. Duhen shmangur shembujt që pothuaj përsëritin shpjegimin e fjalës.
  10. Në plotësimin e zërave të ndryshëm duhet të ruhet një formë foljore që të mos ketë laramani. Në përgjithësi për shpjegimin e foljeve zgjidhet forma e vetës I, numri njëjës, koha e tashme, mënyra dëftore.
  11. Duhet ruajtur parimi i shkrimit të shpjegimeve në mënyrën më të thjeshtë të mundshme në mënyrë që ato të kuptohen lehtë nga përdoruesi.
  12. Nuk do të përdoren në shpjegime fjalë që nuk janë pjesë e Fjalorit.
  13. Çdo njësi do të ketë shpjegimin e plotë dhe nuk do të referohet në njësi të tjera.
  14. Nuk do të ketë në fjalor shpjegime me shprehje përgjithësuese që përsëri referojnë në mënyrë të tërthortë në fjalë të tjera, si: veprimi sipas kuptimit ..., gjendja sipas kuptimit ..., veprimi dhe gjendja sipas kuptimit ..., veprimi dhe rrjedhimi i tij sipas kuptimit ...”
  15. Do të plotësohen si zëra më vete kuptimet e fjalëve të prejardhura që dalin në fjalën burimore.
  16. Mbiemrat prejpjesorë shpjegohen me formulimin “që është + pjesoren e foljes përkatëse”; p.sh. I ajrosur mb. që është ajrosur.
  17. Përshkrimi i kuptimeve në Fjalor do të bëhet duke respektuar kriteret e vendosura për përdorimin e shenjave të pikësimit. Në rastet e përshkrimeve të gjata, me më shumë se një fjali, ato do të ndahen me pikëpresje. Ndonëse prirja e përgjithshme ka qenë për t’i shmangur sinonimet nga përshkrimi i kuptimeve, në raste të veçanta, kur ato janë lënë në përshkrim, do të ndahen me pikëpresje nga pjesa tjetër e shpjegimit. Në raste të rralla të dhënies së dy sinonimeve, ato do të ndahen me presje nga njëri-tjetri.

7. Udhëzime për shembujt.

Platforma e leksikografisë është e pajisur me një modul të veçantë të shembujve. Në këtë modul shtohen grupe fjalësh e fjali të ndryshme të nxjerra nga letërsia artistike, nga korpusi i integruar në platformë. Çdo fjalë në këto grupe fjalësh e fjalish etiketohet duke mundësuar kështu shfaqjen e shembullit në fjalor pikërisht te fjala e etiketuar. Nëse një fjalë do të pajiset me shumë shembuj ilustrues, nëpërmjet komandave kufizuese, shfaqen në platformë aq shembuj, sa mendohet se janë të përshtatshëm për atë fjalë. Moduli i shembujve është i integruar me platformën, por njëkohësisht edhe i pavarur, pasi me të mund të punohet pa qenë nevoja të merresh me fjalë konkrete të fjalorit.

Shembujt ilustrues janë shumë të rëndësishëm, sepse kanë funksion të dyfishtë:

1. Nga njëra anë shërbejnë si dëshmi dokumentare për pohimet përshkruese (përkufizimi semantik, kategorizimi gramatikor, shënimi stilistik etj.).

2. Nga ana tjetër ndihmojnë përdoruesin e fjalorit në përdorimin e kuptimit specifik të fjalës në tekstet e tij.

Shumica e kuptimeve në fjalor kanë një ose më shumë shembuj që ilustrojnë se si përdoret fjala me atë kuptim. Shembujt të cilët do të jenë për çdo kuptim të veçantë të fjalëve, duhet të zgjidhen të përshtatshëm dhe tipikë për atë kuptim. Shembulli duhet ta ilustrojë saktësisht kuptimin e një fjale apo një shprehjeje, të përfaqësojë bashkëvendosjen më të shpeshtë me fjalë të tjera në përdorime konkrete dhe të jetë sa më i thjeshtë.

Këto kërkesa për llojin e shembujve janë të realizueshme falë përdorimit të korpusit të shqipes me letërsi artistike dhe materiale të tjera, i cili është hartuar posaçërisht për këtë punë dhe gjendet si modul i integruar brenda platformës së leksikografisë. Ky korpus mundëson përzgjedhjen jo vetëm të shembujve realë, pra, jo krijime të sforcuara, por edhe të atyre shembujve që përdoren më shpesh me fjalë të caktuara, duke dhënë më tepër informacion se si kombinohen fjalët dhe me cilat struktura mund të përdoren më shpesh. Shembujt shpesh shkurtohen ose modifikohen për t'i bërë të përshtatshëm që të përdoren në një fjalor, por ata ofrojnë modele autentike se si përdoret fjala në shqipe. Për fjalë që u përkasin pjesëve të ndryshueshme të ligjëratës është mirë që shembujt ilustrues të përmbajnë forma të ndryshme të tyre.

Shembujt mund të jenë:

  • me sintagma dy- a trifjalëshe (qytete të largëta; mik i largët; ushtimë e largët; udhë e largët.)
  • me fjali të shkurtra (I dukej e largët dita).

Në rastet e shembujve me sintagma, të përzgjidhen ata, ku fjala që po shpjegohet, nëse është e ndryshueshme, të dalë në forma të ndryshme, sidomos në ato forma që paraqesin vështirësi për përdoruesin, p.sh.:

  • kur fjala drejtuese është emër, të përzgjidhen shembuj kur ky emër del edhe në numrin shumës, edhe në rasa të ndryshme. 
  • kur fjala drejtuese është folje, të përzgjidhen shembuj kur kjo folje del edhe në numrin shumës, dhe në kohën e kryer të thjeshtë etj.
    • vetëm veta III, njëjës;

8. Shënuesit gramatikorë dhe shënime të tjera (shkurtimet e tyre).

Për çdo fjalë jepen vetëm ata tregues gramatikorë që janë të domosdoshëm dhe lidhen drejtpërdrejt me kuptimin dhe përshkrimin e tij. 

Për secilin zë njëfjalësh të fjalorit shënohet me shkurtim pjesa përkatëse e ligjëratës. Fjalët e pandryshueshme pajisen vetëm me llojin e pjesës së ligjëratës. Për pjesët e ndryshueshme të ligjëratës  jepen këto veçori gramatikore shtesë:

EMRI: Në shumicën e rasteve jepet vetëm gjinia (mashkullore, femërore ose asnjanëse).

Emrat që kanë përdorime specifike sa i përket numrit, pajisen edhe me shënimin për numrin: vetëm në njëjës, vetëm në shumës, kryesisht në njëjës, kryesisht në shumës. 

FOLJA: Jepet veçoria e kalimtarësisë (kalimtare ose jokalimtare). Për disa folje jepen edhe informacionet për diatezën (pësore, vetvetore).

Disa folje që kanë përdorim vetëm në një vetë apo numër të caktuar, pajisen me shënimet përkatëse:

  • vetëm veta III, shumës;
  • kryesisht veta III.

MBIEMRI: Jepet lloji (i nyjshëm ose i panyjshëm), gjinia (mashkullore ose femërore; vetëm në gjininë mashkullore, vetëm në gjininë femërore).

PËREMRI: Jepet vetëm lloji i përemrit (vetor, pronor, dëftor, pyetës, lidhor, vetvetor, i pacaktuar).

Veç shënimeve të zakonshme të mësipërme, çdo kuptim i një fjale do të pajiset edhe me disa shënime të tjera:

  • fusha e përdorimit, si: term në arkeologji (arkeol.); term në biokimi (biokim.); term në elektronikë (elektr.); term në fiziologji (fiziol.); i stilit të lartë (lart.); i ligjërimit libror (libr.); term në politikë (polit.); fjalë a shprehje e punëve zyrtare (zyrt.) etj.
  • vlerat dhe nuancat kuptimore, si: eufemizëm (euf.); me kuptim keqësues (keq.); me vlerë përforcuese (përf.); me ngjyrim sharës (shar.) etj.

9. Sinonimet, antonimet dhe fjalët e ndërlidhura.

Çdo kuptim në fjalor është i lidhur me modulin e sinonimeve brenda platformës dhe ushqen fjalët e kuptimet e saj me sinonime dhe antonime. Ky modul është një burim unik dhe i pasur që u zhvillua në të njëjtën kohë me përgatitjen e platformës për hartimin e fjalorit. Si pjesë përbërëse e çdo kuptimi janë sinonimet dhe antonimet që lidhen me atë kuptim dhe, nëse klikohet te lidhja për sinonimet e antonimet, do të shfaqet dritarja me listën shteruese të sinonimeve, antonimeve dhe fjalëve të lidhura me atë kuptim.

Në këtë lidhje sinonimike dhe kundërvënie antonimike mbahet parasysh pjesa e ligjëratës: nëse fjala është emër, edhe sinonimi që do të përzgjidhet, do të jetë emër.

Sinonimet nuk do të zgjidhen duke iu referuar zërit, i cili mund të ketë disa kuptime, por njësisë kuptimore përkatëse. Pra, sinonimet do të shpërndahen sipas kuptimeve të ndryshme të së njëjtës fjalë e jo në grup. E njëjta gjë vlen edhe për antonimet. 

10. Publikimi i parë në format elektronik (CD, USB, Windows, Ueb, Android, iOS).

Përparësi dhe trajtim të veçantë do të ketë publikimi në format digjital (si softuer). Publikimi i parë në formatin digjital mundëson edhe përmirësimin e lehtë dhe të shpejtë të gabimeve që mund të kenë kaluar në fazën e parë. Ai lehtëson bashkëpunimin me çdo përdorues që mund të ketë vërejtje, sugjerime apo kërkesa, pasi plotësimi, korrektimi gjuhësor apo teknik mund të bëhet në çdo kohë nga cilido bashkëpunëtor që është përdorues i platformës.

Përveç publikimit digjital, që është përparësia jonë, për një shtresë sado të vogël të popullsisë që nuk e zotëron punën me kompjuter, është i domosdoshëm edhe publikimi në formatin e shtypur si libër. Në formatin e shtypur 10.000 kopjet e para do të jenë posaçërisht për tregun e Shqipërisë, të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut.  

11. Të drejtat autoriale – Copyright (c). 

Fjalori i madh i gjuhës shqipe me 100.000 zëra po hartohet nga Albasoft Qendra për Edukim dhe Përparim, me seli në Prishtinë, dhe Albatag, me seli në Tiranë, të cilët do të jenë 100% pronarë të këtij fjalori. 

Një version i caktuar i këtij fjalori do të jetë falas për përdorim për të gjithë banorët e Kosovës dhe të gjitha institucionet e Kosovës, qeveritare dhe joqeveritare, brenda dhe jashtë vendit.