Shpeshherë është thënë e po thuhet nga qarqet sllave se: shqiptarët në Maqedoninë e sotme nuk janë vendës, por kolonë të ardhur pas shekullit XVI me dyndje të herëpashershme në shekujt XVII, XVIII, XIX e deri në shekullin XX. Edhe në Enciklopedinë Maqedonase, në zërin për shqiptarët thuhet një e pavërtetë se shqiptarët nuk kanë qenë të pranishëm në viset e sotme të Maqedonisë as në Antikitet, as në Mesjetë.
Në tribunën shkencore që bashkorganizuan Instituti i Gjuhës Maqedonase “Kërste Misirkov“ dhe Katedra e Maqedonishtes së Fakultetit të Filologjisë “Bllazhe Koneski” në Shkup në temë “Standardizimi i emrave gjeografikë në Republikën e Maqedonisë”, Shkup, 2004 (1) u trumbetua e u përsërit disa herë se: me versionin në shqip të Ligjit për organizim territorial të vetëqeverisjes lokale, Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë, nr. 55, 16 gusht 2004 po bëhet përkthimi, çmaqedonizimi dhe albanizimi i emrave gjeografikë në Maqedoni (Институт, 2004: 18-20). Në këtë drejtim, shkohet edhe më larg duke thënë se: toponimia e Maqedonisë me shekuj është krijuar dhe formuar nga maqedonasit. Së këndejmi, na duket se është krejtësisht e natyrshme që në kuadrin e toponimisë maqedonase të veprojë tradita maqedonase (Станковска - Миовски, 2004: 22). Përveç tjerash, thuhet edhe se po mohohet tradita ekzistuese e toponimisë së emërtuar sipas maqedonishtes dhe se ajo po albanizohet nëpërmjet përkthimit. Përkthimi ka përfshirë, para së gjithash, emrat e vendbanimeve si dhe emrat e tjerë gjeografikë aq shumë saqë jo vetëm që cënon, por krijon destruksion të përgjithshëm të sistemit toponimik maqedonas në planin gjuhësor, etnik dhe komunikues (Станковска - Миовски, 2004: 24-27). (1) Përkundër shqiptarëve, turqit kanë qenë këtu 500 vjet, por nuk kanë bërë riemërtimin e ojkonimeve, bile as të mikrotoponimeve... (Стаматоски, 2004: 103). Në kumtimin e vet një pjesëmarrës propozoi që gjatë transkriptimit të toponimeve gjithnjë të ruhet forma maqedonase (Јачева - Улчар, 2004: 49-58).
Në një kumtesë tjetër për gjoja depërtimin e dhunshëm të elementit shqiptar në Maqedoni (në aspektin gjuhësor), me paragjykim, që kurrë nuk e ka shënuar historia, thuhet se “ekspansioni më i madh - ekspansioni i furishëm, shkatërrimtar dhe gjakatar (dyndjet në lindje dhe në jug) kanë ndodhur nga fundi i shekullit XVII dhe në shekujt XVIII-XIX... Jeta e popullatës ortodokse maqedonase në kushtet e terrorit të paparë, që vazhdimisht e kanë ushtruar shqiptarët gjatë ekspansionit të tyre në lindje, qe vështirësuar tej mase, jo vetëm për shkak të torturës dhe shfarosjes që ushtronin ekspansionistët, por edhe për shkak të tagrave të shumta që mblidhte pushteti turk... (Пеев, 2004: 31-41).”
Një referues në të ashtuquajturën “tribunë shkencore” jep disa të dhëna të rëndësishme e interesante: “në Republikën e Maqedonisë ka afër 1800 vendbanime. Në shkencë është vërtetuar se 90% e këtyre emërvendeve kanë etimologji maqedonase, përkatësisht sllave, ndërsa vetëm 10% kanë burim gjuhësh të tjera, nga substrati (kryesisht iliro-trakas), turqishtja si dhe disa emra të trashëguar nga administrimi serb në Maqedoni... Më duket shumë interesante që në ojkonimi, edhe krahas bashkëjetesës me shqiptarët në disa vende në Maqedoni, vetëm një - Qafa, në qarkun e Gostivarit është me prejardhje nga shqipja. Kjo është formë shqipe, sipas greqishtes Gjavato ‘kalim, shteg’, siç e ka edhe maqedonishtja ‘премин’. Do të thotë, (shqiptarët) nuk kanë pasur kurrfarë ndikimi, nëse paskan jetuar këtu, ose, siç thonë se me shekuj Maqedonia Perëndimore paskësh qenë e tyre... (Стаматоски, 2004: 102-108)”.
Mbështetjen kryesore për të mohuar vazhdimësinë ilire-shqiptare, rrjedhimisht edhe autoktoninë e shqiptarëve në Ballkan, përfshirë edhe autoktoninë e shqiptarëve në Maqedoni, përpiqen ta gjejnë në përhapjen e dendur të toponimeve sllave në Gadishullin Ballkanik. Të dhënat historike e studimet toponomastike dëshmojnë se toponimet sllave, të cilat sot janë të shumta jo vetëm në viset shqiptare të Maqedonisë, por edhe në mbarë Gadishullin Ballkanik, nuk ndeshen në shekujt e hershëm mesjetarë. Ato në burimet dokumentare dalin më vonë, përkatësisht pas shekullit XI e këtej (Frashëri, 2009: 9-10).
Në artikullin analitik me peshë “E vërteta mbi shqiptarët e Maqedonisë dhe shtrembërimet e Enciklopedisë së Shkupit”, botuar në gazetën “Shqip” të 09-10 dhjetorit 2009, historiani i njohur shqiptar, prof. Kristo Frashëri flet bindshëm për gabime metodike dhe faktologjike të rënda të Enciklopedisë.
Gabimi i parë i palejueshëm për historianët, madje edhe për mësuesit e shkollave të mesme, është “shkelja e parimit më elementar të metodologjisë shkencore të historiografisë, e cila kërkon që ngjarjet historike të shihen në kohë dhe në hapësirë përkatëse. Është pikërisht ky gabim që vihet re në zërin “shqiptarët e Maqedonisë” në Enciklopedinë maqedonase. Në bazë të këtij parimi, Maqedonia antike nuk duhet të identifikohet as për nga shtrirja gjeografike, as për nga etnikoni i banorëve me Republikën e Maqedonisë së ditëve tona. Para së gjithash meqë shtrirja gjeografike e Maqedonisë, gjatë shekujve nuk ka qenë kurdoherë e njëjtë. Kohë pas kohe, kufijtë e saj territorialë kanë pësuar luhatje. Madje, ka pasur raste kur emërtimi gjeografik Maqedoni është zhvendosur krejtësisht jashtë kufijve të sotshëm të saj... Është e vërtetë se herë pas here emërtimi gjeografik Maqedoni është zhvendosur, por zhvendosja ka ndodhur kryesisht drejt lindjes deri në Selanik e përtej dhe asnjëherë drejt veriut, në kurriz të provincës së Dardanisë... Si përfundim, nuk është e drejtë orvatja e disa historianëve, të cilët kur ngjarje që kanë ndodhur në brezin jugor të Dardanisë antike i përfshijnë si ngjarje që i takojnë Maqedonisë antike dhe mesjetare (Frashëri, 2009: 9-10).
Kur flet për strukturën etnike të Maqedonisë në shekullin VI, në pragun e dyndjeve sllave, prof. Kristo Frashëri thotë: “Para se sllavët të vendoseshin në Gadishullin Ballkanik, pra para Mesjetës së hershme, maqedonët e sotshëm, si pjesëtarë të etnive sllave, banonin në stepat e Rusisë. Nuk dimë të ketë historianë që ta kenë ndriçuar parahistorinë e sllavëve, pra historinë kur ata jetonin në atdheun e tyre të hershëm, e cila është ende thellësisht e errët. Në fakt, etnogjeneza e maqedonëve të sotshëm fillon me dyndjet e tyre nga stepat ruse dhe me ngulitjen e tyre në trevat ballkanike. Pra, fillon kur ata u bënë fqinj me popullatat ilire, të cilat banonin në Gadishullin Ballkanik që nga agimi i historisë e këtej. Megjithatë, procesi i formimit të etnisë maqedone apo i paraardhësve të tyre bullgaro-sllavëve nuk u krye menjëherë pas vendosjes së tyre në Gadishullin Ballkanik. Ai pushton shekujt e Mesjetës së hershme” (Frashëri, 2009: 9-10).
Një varg dijetarësh të shquar: historianë, arkeologë e gjuhëtarë shqiptarë e të huaj kanë sjellë një sërë argumentesh historike dhe gjuhësore për origjinën e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe. Disa nga argumentet e vazhdimësisë ilire-shqiptare dhe të autoktonisë, tanimë të njohura botërisht janë këto:
Studimet onomastike shqiptare dëshmojnë se shumë toponime (emra qytetesh, malesh e lumenjsh) të Ballkanit, përfshirë edhe territorin e sotëm të Maqedonisë së Veriut janë të lidhura me shtresën ilire, si Shkup (nga forma e lashtë Skupi), Mali Sharr (Skardus Mons), Vardar (Bardouarios, Bardaros, Bardarion, Bardarus, Bardarum, Bardal, Vardarus, Vardar, nga bard, bardh, bardhar ‘lumë i bardhë’), Kërçova në antikë njihej si Uscana, Hyskana, Uskana; Dibër (Deborus), Shtip (Astibos), emra njerëzish e vendbanimesh Bardus, Bardhovc, Bardovc (nga bardh) etj.
Onomastika shqiptare ka arritur në përfundim se edhe tek emrat e mbiemrat e njerëzve shihen përputhje të ilirishtes me shqipen. Ka analogji emrash ilirë, si Bardus, Barduli, Bardyllis me të shqipes Bardhyl (që të gjithë përmbajnë fjalën ‘bardh’; ilir. Dasius, Dassius, Dasimus - shq. Dash-i; ilir. Bato - shq. Bato; ilir. Lacius - shq. Laç-i; fisi ilir në Shqipëri të Mesme, Taulantët - shq. emër personal Taulant; emri i ilirëve - shq. emër njeriu Ilir; emri i mbretëreshës Teuta - shq. emër femre, Teuta; emri i fisit ilir Dardan - shq. emër njeriu Dardan,-e dhe emri i vjetër i Kosovës, tani edhe emër lagjeje Dardani.
Emra vendesh, mëhallësh e njerëzish me rrënjën Alb-, Arb-, Arn-, Arv-, si Albincë, Allbanȃic; Arbnesh, Arbëresh, Arbër, Arbën, Arben; Arbinovë, Arbanashko, Arbanasi, Arbino, Arnaut, Arnavud, Arbasanci, Arvati; Arnaudov, Arnaqi, Arbanash, Arbanas dëgjohen dendur në truallin e Ballkanit, përfshirë edhe gjithë Maqedoninë e sotme.
Të dhënat historike dëshmojnë se fise ilire që në shekujt V-VI para erës sonë kanë banuar pjesën më të madhe të territorit të Maqedonisë së sotme. Dihet mirëfilli se Enkelejtë ishin banorë të trevës së liqenit Lihnid (liqeni i Ohrit), Linkestët ilirë jetonin përreth Manastirit, Deriopët në rrethinën e Prilepit; Dasaretët (e shpjegueshme me shqipen e sotme “dash, desh”), një nga fiset e mëdha të Ilirisë Jugore, ishin banorë të krahinës Dasaretia, që përfshinte edhe pjesën perëndimore të liqenit Ohrit. Dardanët me qendër në Shkup, jetonin në pjesën veriore të Maqedonisë, në gjithë Kosovën, përkatësisht në një territor edhe më të gjerë, në trekëndëshin Shkup - Nish - Sofje. Paionët ishin një grup fisesh ilire që banonin në luginën e sipërme të Aksiosit (Vardarit) dhe degëve të tij, duke u shtrirë në Lindje deri te lugina e Srymonit (Struma) në kufi me fise trakase, në Perëndim në kufi me dardanët, penestët dhe dasaretët e Ilirisë.
Ndihmesë të madhe për gjuhësinë shqiptare, veçmas për onomastikën, duke e mbrojtur e argumentuar origjinën ilire të shqiptarëve, kanë dhënë Norbert Jokl-i, Xylander-i, Miklosich-i, Johan G. fon Hahn-i, Holger Pedersen-i, G. Vajgand-i, Petar Skok-u, Herman Hirt-i, Konstatin Jereçek-u, Albert Thumb-i, Meyer-i, Vacllav Cimohovsk-i, Paul Kreçmer-i, Konstatin Jireçek-u, Radoslav Katiçiq-i, Karlo Tagliavin-i etj.
Nga studiuesit shqiptarë për çështje të onomastikës shquhen prof. Eqrem Çabej, Mahir Domi, Kolë Luka, Palok Daka, Aleksandër Xhuvani, Shaban Demiraj, Gjovalin Shkurtaj, Seit Mansaku, Xhelal Ylli, Xhevat Lloshi (Shqipëri); Aleksandër Stipçeviqi (arbnesh i Zarës), Idriz Ajeti, Rexhep Ismajli, Shefki Sejdiu, Rexhep Doçi, Skender Gashi, Baftjar Kryeziu, Begzad Baliu (Kosovë), Desnickaja (albanologe ruse); Qemal Murati, Xhemaludin Idrizi, Mustafa Ibrahimi, Izmit Durmishi, Asllan Hamiti (Maqedoni), Ruzhdi Ushaku (Mal të Zi), Zef Valentini (Itali), Fatos Rrapaj (Çamëri), Jusuf Shpuza por edhe një numër i madh gjuhëtarësh të tjerë, të cilët në përshkrimet dialektore të të folmeve, kanë shpjeguar edhe emrat e vendeve e të njerëzve që i takojnë atij areali.
Të folmet shqipe në Maqedoni si dëshmi për vjetërsinë e shqiptarëve në këto troje. Autoktonia e shqiptarëve, banimi e tyre që nga lashtësia në tokat e Ballkanit, pavarësisht kufijve të sotëm shtetërorë, përkatësisht vazhdimësia etnike dhe gjuhësore jona gjen mbështetje të fuqishme edhe në të dhënat e dialektologjisë. Të folmet shqipe brenda territorit të Shqipërisë, ato të Kosovës, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë së Veriut përbëjnë një tërësi të pandërprerë me tipare gjuhësore të shkallëshkallshme. Dihet mirëfilli se të folmet shqipe në Maqedoninë e Veriut, nga të folmet më veriore: të folmet e Kumanovës dhe të Karadakut të Shkupit e deri në të folmet e Strugës i takojnë gegërishtes qendrore. Pra, në të folmet lindore të gegërishtes qendrore përfshihen Kumanova me rrethinë, Shkupi, Tetova, Prilepi, Krusheva, Velesi, Kërçova, Gostivari, Dibra dhe pjesa veriore e qarkut të Strugës. Siç dihet, të folme shqipe në Maqedoni, të folmet lindore të gegërishtes qendrore, kanë simotrat e tyre: të folmet perëndimore të gegërishtes qendrore, që shtrihen pa ndërprerje dhe kanë po të njëjtat tipare gjuhësore me të folmet e Shqipërisë, përkatësisht ato të Fushë-Krujës, të Krujës, të Malësisë së Madhe, të Matit, të Mirditës, të Lumës, të Peshkopisë. Siç dihet, të folmet që sapo u përmendën përbëjnë një izoglosë, një tërësi dialektore, pra janë shumë homogjene: i takojnë dialektit të gegërishtes, nëndialektit të gegërishtes jugore dhe grupit të të folmeve të gegërishtes qendrore.
Siç dihet, në këto të folme, në dallim nga të folmet e tjera shqipe e joshqipe në Ballkan, janë zhvilluar katër risi (inovacione) fonetike: 1. diftongimi i zanoreve /i/ dhe /u/ të theksuara, 2. zhbuzorëzimi i /y/-së në /i/, 3. qiellzorëzimi i [g]-së në [gj] dhe 4. evoluimi i grupeve të bashkëtingëlloreve [pl, bl, fl] në shkallë të ndryshme qiellzorëzimi. Çmojmë si të dobishme në këtë rast për lexuesit të japim pak shpjegime për këto inovacione fonetike karakteristike për të folmet e gegërishtes qendrore:
1) Në të folmet e gegërishtes qendrore (në Lurë, Lumë, Krujë, Mirditë, Mat, Peshkopi; Kumanovë, Shkup, Tetovë, Gostivar, Dibër, Prilep, Krushevë, Kërçovë dhe të folmet veriore të Strugës) në pozitë të theksuar zanoret e mbyllura të theksuara /í/ dhe /ú/ janë shpërbërë në diftongje dytësore, përkatësisht /i/-ja diftongohet në [ȃi, ȇi, ë̑i, ȏi] dhe /ú/-ja në [ȃu, ȏu, ë̑u], sipas tipit: shpí: > shpȃi, shpȇi, shpë̑i, shpȏi; núse > nȃuse, nȏuse, në̑use e në shumë fjalë të tjera.
Nga monografitë dhe skicat dialektore mund të nxirret si përfundim se në gegërishten qendrore në pozita të caktuara fonetike në formë të diftonguar përdoren jo pak fjalë shqipe, huazime latine, greke si dhe huazime të hershme sllave e turke. Përgjithësisht, huazimet e vonshme sllave shqiptohen të padiftonguara, si raki, bollni:c < bollnica ‘spital’, stani:c < stanica ‘stacion’, grani:c < granica ‘kufi’, stoli:c < stolica ‘karrige’ etj. Edhe te huazimet turke kemi forma të dyfishta, të padiftonguara, si: jeshil, katil, pestil, gjigjim, sifir, bitis, kurtalis, terezi etj. dhe të diftonguara, si: xhamȃi, munafȃik, pazarllȃik, begenȃis, iqindȃi, askerllȃik, temcȃi, çivȃi, axhamȃi, saballȃik etj. Edhe toponimet anase shqiptohen në formë të diftonguar, si p.sh. në Karadakun e Shkupit: Haraçȃin ‘Haraçinë’, Grushȃin ‘Grushinë’, Traçë̑ic ‘Straçincë’ etj. Mbizotëron mendimi se diftongimi është dukuri e hershme, që ka vepruar në fillim të shekullit XV. Shpërbërja (diftongimi) e zanoreve përputhet plotësisht me shtrirjen hapësinore të principatës së Kastriotëve (1370-1468), d.m.th. gegërishtja qendrore shtrihet brenda kufijve të principatës së Kastriotëve.
2) Zhbuzorëzimi i /y/-së në /i/. Fonema /y/ në të folmet e gegërishtes qendrore përgjithësisht zhbuzorëzohet në /i/: dy > di, yll > ill, dry > dri etj. dhe kur ka kushte të njëjta me /i/-në, diftongohet sipas tipit sy > si > sȃi etj.
3) Edhe qiellzorëzimi i [g]-së në [gj] është dukuri fonetike mjaft e përhapur në gjithë arealin e gegërishtes qendrore. Në shumë të folme të gegërishtes qendrore në shumicën e fjalëve ku të folmet e tjera kanë fonemën prapagjuhore /g/, ato kanë fonemën qiellzore mbylltore /gj/, si në fjalët: gjisht ‘gisht’, gjur ‘gurë’, gjo:j ‘gojë’, gjardh ‘gardh’, pagjuj ‘paguaj’, zagjar ‘zagar’, megjëll ‘mjegull’, magjar ‘gomar’, argjat ‘argat’, burgj ‘burg’, lu:gj ‘lugë’, pragj ‘prag’, degj ‘degë’, largj ‘larg’, frȃigj ‘frikë’ etj.
4) Evoluimi i grupeve të bashkëtingëlloreve [pl, bl, fl] në izoglosën e gegërishtes qendrore dallon nga të folmet e tjera shqipe, meqë përgjithësisht në të folmet e tjera shqipe këto grupe ruhen si të tilla, ndërsa në gegërishten qendrore qiellzorëzohen (palatalizohen) në shkallë të ndryshme, deri në qiellzore të mirëfillta [q, gj]. Grupi [pl] është zhvilluar në tri variante fonetike [pj, pq, q]; sipas tipit plak > pjak, pqak > qak; bl > ble:t, bgje:t, gje:t; flutur > fqutër > qutër etj. (Hamiti – Qamili, 2014: 208).
Pikat skajore e të folmeve veriore të gegërishtes qendrore në Maqedoni janë fshatrat e Kumanovës, ndërsa pikat jugore gjenden në Strugë. Disa fshatra në veri të Kumanovës i takojnë gegërishtes verilindore (kosovarishtes). Qyteti i Strugës i takon të folmeve kalimtare, ndërsa pjesa perëndimore e rrethit Strugës, Prespa, Resnja, Manastiri i përkasin të folmeve të toskërishtes veriore, që ka tipare të njëjta e vijimësi tokësore me të folmet e tjera toske të Shqipërisë (Skrapar, Opar, Gorë, Pogradec, Korçë, Devoll, Myzeqe, Mallakastër, Vlorë, Mifol, Selenicë, Berat, Fier, Përmet, Kavajë, Tepelenë). Pra, degëzimi dialektor i shqipes nuk përputhet me kufijtë e sotëm shtetërorë, por dëshmon se historikisht kemi pasur e kemi vazhdimësi gjuhësore, etnike e territoriale.
Rrjedhimisht, faktet gjuhësore të shtrirjes dialektore të shqipes në Ballkan dëshmojnë se nuk ka pasur shpërngulje të mëdha shqiptarësh nga një zonë në tjetrën, as nga Shqipëria në Maqedonin; e Veriut, meqë nuk kemi përzierje gjuhësore, por izoglosa me unitet, me vijimësi, me vazhdimësi dialektore e kalimshmëri të shkallëshkallshme. Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se njerëzit e familjet kanë lëvizur gjithnjë e do të lëvizin përherë nga një vend në tjetrin brenda krahinës, por edhe jashtë saj, qoftë edhe brenda Ballkanit, Europës e botës nga luftrat, dhuna apo për të kërkuar kushte më të mira jetese ose për arsye të tjera. Në këtë pikëpamje, janë të njohura botërisht lëvizjet fshat - qytet, zona më pak të zhvilluara drejt më të zhvilluarave etj. Në këtë kuptim, edhe te shqiptarët ka pasur lëvizje të pjesshme brenda territorit të ish-Jugosllavisë, brenda Ballkanit, Europës e botës, por asnjëherë nuk ka pasur uzurpime territoresh me dhunë (luftë) e as dyndje me prapavijë politike.
Fakti që të folmet shqipe të Maqedonisë së Veriut kanë marrë pjesë drejtpërsëdrejti dhe në mënyrë të natyrshme në zhvillimin historik të strukturës dialektore të shqipes, është një provë tjetër e rëndësishme e vjetërsisë së popullsisë shqiptare në këto territore. Kjo dëshmohet në monografitë dialektore për të folmet shqipe si dhe në Atlasin dialektologjik të gjuhës shqipe (Atlasi I, II; Napoli, 2007, 2008).
Leksiku onomastik varet nga veçoritë e gjuhës konkrete dhe nga veçoritë e jetës vendore të popullatës, që lidhen me kulturën, me natyrën, me klimën, me kontaktet etj. Gadishulli Ilirik (emër i lashtë i Ballkanit), kufizohet nga të tria anët me detra: me Adriatikun në perëndim, Mesdheun në jug dhe Detin e Zi në lindje. Në veri për kufi ka Danubin, por përfshin edhe tokat rumune. Këtu, në një truall relativisht të vogël kanë jetuar dhe jetojnë popuj të ndryshëm. Të dhënat arkeologjike, historike, etnologjike, antropologjike dhe gjuhësore dëshmojnë se Ballkani ka qenë i banuar edhe para ardhjes së fiseve indoeuropiane (si pellazgët në jug, që u shkrinë, por gjithsesi kanë lënë gjurmë). Popullimi i hershëm i këtij gadishulli është mundësuar edhe nga pozicioni i tij gjeografik si një urë ndërlidhëse midis Europës dhe Azisë së Vogël. Kjo u ka dhënë shkas gjithashtu dyndjeve të herëpashershme të popujve dhe fiseve të ndryshme, që, edhe kur janë asimiluar nga banorët më të hershëm, apo edhe kur kanë qëndruar për një kohë në Ballkan, prapë kanë lënë gjurmë në kulturën materiale e shpirtërore në këtë gadishull, veçmas në onomastikë.
Aty nga fillimi i mijëvjeçarit të dytë para erës së re, nga djepi i përbashkët indoeuropian u dyndën valë-valë për në jug një popullsi e madhe. Kështu, në jug të Ballkanit kanë jetuar helenët (grekët), në qendër maqedonët e lashtë, në perëndim ilirët, në lindje trakasit (paraardhësit e rumunëve). Gjurmë kanë lënë edhe keltët me dyndjet e tyre në Ballkan (aty nga shek. III para erës sonë), gotët (vizigotët në shek. IV të erës sonë). U krijuan perandori të fuqishme që shtrinë ndikimin e tyre jo vetëm në Ballkan (fjalë turke me kuptimin ‘mal’), por edhe më gjerë nëpër Europë e botë. Të tilla qenë perandoria Romake, Bizantine, Osmane etj.
Të dhënat historike tregojnë se që nga shekulli II para erës sonë, pas shumë luftërave të përgjakshme, Iliria u nënshtrua nga perandoria Romake (megjithëqë pati kryengritje të shpeshta). Në vitin 395 ajo u nda në dy pjesë: në perandorinë Romake të Perëndimit, me Romën kryeqytet dhe në perandorinë Lindore, e quajtur perandori Bizantine me qendër Konstandinopojën (Stambollin e sotëm). Pjesa më e madhe e provincave të atëhershme Ilire (Prevali, Dardania, Epiri i Ri dhe Epiri i Vjetër) gati 10 shekuj (që nga shekulli IV deri në shek. XIV) ishin nën sundimin bizantin. Krishterimi hodhi rrënjë në viset e Ilirisë qysh në shekujt e parë të erës sonë, ndërsa ortodoksizmi u përhap në kohën e sundimit bizantin.
Nga shekujt VI-VII të erës sonë me ardhjen e sllavëve u ndryshua shumë pamja etnike e gjuhësore e Ballkanit, u asimiluan protobullgarët (fise trakase) në bullgarë si dhe një numër i madh banorësh të tjerë. Në shekujt IX-X (në kohën e car Simeonit e car Samuelit) mbretëria bullgare u shtri edhe në tokat shqiptare, ndonëse ato llogariteshin si provincë bizantine. Pas disfatës së fundit që pësuan forcat bullgare afër Beratit (më 1018), u rivendos pushteti bizantin në trevat shqiptare. Nga shek. XIV Ballkani pushtohet nga osmanët dhe me këtë përhapet feja islame. Sundimi i tyre zgjati deri në gjysmën e parë të shek. XX.
Pas shpërbërjes së Perandorisë Turke, në Ballkan formohen shumë shtete, por një pjesë e madhe e popullatave të ndryshme mbeten jashtë kufijve shtetërorë kombëtarë. Gjendja kaotike e konfliktit të të gjithëve kundër të gjithëve, që mbretëroi një kohë të gjatë, do të vazhdojë edhe në luftërat Ballkanike, në ato Botërore e pastaj edhe në ato Jugosllave.
Këto gërshetime civilizimesh të ndryshme: me fqinjësi shumëshekullore, me dyndje, me zhvendosje të brendshme popullsie, me luftra të përgjakshme, urrejtje e mostolerancë, me egoizëm e prirje për të shlyer gjurmët e ekzistimit të tjetrit, me asimilime popujsh; me mbizotërim herë të njërit e herë të tjetrit (shpeshherë edhe të atij që nuk banonte në Ballkan); me paganizëm, politeizëm e monoteizëm (me përhapje më të madhe të tri besimeve: krishterizmit, ortodoksizmit e islamizmit) dhe faktorë të tjerë jashtëgjuhësorë pasqyrohen edhe sot në kulturën materiale e shpirtërore të popujve të Ballkanit; në gjuhët e tyre, sidomos në fushën e leksikut, duke përfshirë edhe emrat gjeografikë, emrat e njerëzve, të bimëve, të kafshëve, të sendeve, të objekteve etj. (Hamiti – Sopaj, 2004: 126-127).
Kjo histori e trazuar e Ballkanit, që karakterizohet me ndërrim të shpeshtë të pamjes etnike e fetare, me administrim në gjuhë të huaja etj., pasqyrohet edhe në onomastikën e tij. Rrjedhimisht, onomastika e Ballkanit është shumë e larmishme: aty gjejmë emra të përveçëm me etimologji ilire-shqiptare, trake, latine, greke, sllave, turke, vllehe e nga ndonjë gjuhë tjetër. Krahas këtyre, ka edhe emra me forma të ndryshuara gjatë shekujve, të përkthyera a të kalkuara, shpeshherë edhe të riemërtuara; emra me forma të përziera (hibride) nga dy e më tepër gjuhë etj.
Për shkak të tretjes apo të mosnjohjes së gjuhëve të vjetra (në mungesë të dokumenteve të shkruara, por me gjurmë onomastike), për shkak të dallimit të ligjësive të përgjithshme gjuhësore me ato onomastike..., etimologjia e një sasie toponimesh e antroponimesh ballkanike deri më sot kanë mbetur e ndoshta edhe në të ardhmen do të mbeten të pazbërthyeshme e të pashpjegueshme.
Përzierjet etnike kudo në Ballkan janë rezultat i proceseve historike shumëshekullore. Shtetet e sotme Ballkanike janë të reja dhe etnikisht nuk janë homogjene. Historia e asnjërit prej popujve ballkanikë nuk mund të mbyllet në suaza të shteteve përkatëse. Me një histori ballkanike përplot ngjarje e kthesa, ku tani thuajse asnjë gurë më nuk mund ta gjesh në vendin e vet, arsyetohet edhe laramania etimologjike e emrave të vendeve dhe të njerëzve në tërë truallin e Gadishullit Ballkanik. Nuk ka vend dhe popull në Ballkan që në fushën e onomastikës të mos ketë shtresëzime të llojllojshme civilizimesh të ndryshme. Pikërisht në këto shtresa të krijuara nëpër mote shpeshherë thyhen shtizat edhe në qarqet shkencore, sepse qasjet e tyre janë të llojllojshme: disa pikëmbështetje për të arsyetuar tezat e veta kanë shtresën e re, disa atë të mesjetës e disa shtresën antike. Mirëpo, dihet se jo vetëm në trojet e ish-Jugosllavisë ku ka shqiptarë, por edhe në truallin brenda kufijve të Shqipërisë, përveç toponimeve me etimologji shqipe, të cilat mbizotërojnë; gjejmë edhe emra me etimologji gjuhësh të ndryshme: latine, greke, sllave, turke, vllehe, ndonëse ndonjë edhe me prejardhje të pashpjegueshme deri më sot.
Toponimia në shumë vise të Gadishullit Ballkanik ruan deri më sot karakterin e vjetër ilir. Shqiptarët janë të vetmit që kanë ruajtur emrat ilirë, emrat e vendbanimeve, madje edhe emrat e njerëzve. Shqiptarët e sotëm janë pasardhësit e drejtpërdrejtë të ilirëve. Përveç argumenteve historike, gjeografike, antropologjike etj., këtë e dëshmojnë edhe zbulimet arkeologjike dhe faktet gjuhësore, sepse emrat ilirë shpjegohen vetëm me anë të shqipes. Krahasimi i formave të lashta ilire të emrave të vendeve dhe të njerëzve me format përgjegjëse të shqipes së sotme, vërtetojnë se ato janë zhvilluar me rregullat e fonologjisë dhe të gramatikës historike të shqipes.
Analiza e fakteve të shumta të gjuhës shqipe, dëshmojnë se stërgjyshërit e shqiptarëve në lashtësi kanë qenë fqinjët veriorë dhe veri-perëndimorë të grekëve të vjetër dhe të nënshtruarit e hershëm të Perandorisë Romake. Si rrjedhim, mendimi i mbrojtur nga një varg dijetarësh që shqiptarët e sotëm janë pasardhësit e drejtpërdrejtë të ilirëve jugorë, gjen një mbështetje të fuqishme në dëshmitë e shumta të gjuhës shqipe, e cila është zhvilluar nëpërmjet evolucionit të një a disa dielekteve, që fliteshin në lashtësi pikërisht në trevat e Ilirisë Jugore (Hamiti – Sopaj, 2004: 130).
Nëse vështrohet Gadishulli Ilirik (më vonë i riemërtuar në Gadishull Ballkanik) në dritën e toponimisë, do të vërehet se shumë emra vendesh u takojnë disa periudhave kohore: antikës, mesjetës dhe kohës së re; përkastësisht disa shtresimeve etno-kulturore dhe gjuhësore (paraindoeuropiane, indoeuropiane, ilire, protoshqiptare e shqiptare, latine, romane e vllehe, greke, sllave, turke etj.
Pushtuesit kanë lënë, pra, gjurmët e tyre edhe në emrat e vendeve, që, sado u përpoqën t’i eliminojnë gjurmët e tyre edhe emrat e vendeve iliro-shqiptarë, ato nuk u zhdukën krejtësisht. Sot, ndjehet nevoja e mbledhjes, regjistrimit, studimit dhe e standardizimit të toponimisë shqiptare, përfshirë edhe toponiminë e Maqedonisë së Veriut. Për këtë punë të ngutshme interdisiplinare duhet një bashkërendim i onomasiologëve, dialektologëve, standardologëve, gjeografëve, historianëve dhe i arkeologëve (Sejdiu, 2002: 112-113).
Nga monografitë përshkruese për të folmet shqipe në Maqedoninë e Veriut si dhe nga studimet për toponiminë e mikrotoponiminë e Maqedonisë së Veriut mund të nxirret një konstatim i përgjithshëm se: Maqedonia mbushullon me emërvende shqipe, krahas me ato të burimit të huaj: pellazgjik, latin, grek, turk, sllav etj.
Sipas analizës së bërë në Mikrotoponiminë e Karshiakës së Shkupit në vendbanimet me popullsi shqiptare numri më i madh i mikrotoponimeve është i gurrës shqipe, ndërsa në ato të banuara me popullsi maqedonase i asaj sllave (Idrizi, 2003: 14).
Numri më i madh i emërvendeve në Pollogun e Epërm të Gostivarit, sipas kolegut Izmit Durmishi, është me origjinë shqipe, por nuk mungojnë edhe ato me etimologji sllave, turke dhe gjuhësh të tjera (Durmishi, 2008: 53).
Autoktonia e shqiptarëve në trojet e Maqedonisë së Veriut dëshmohet edhe më bindshëm me mikrotoponiminë. Fjala vjen, nga 100 mikrotoponime të fshatit Goshincë të Kumanovës, mbi 90 sosh kanë etimologji shqipe... Edhe në vendbanimet shqiptare të Karadakut të Shkupit mbizotërojnë mikrotoponimet me burim nga gjuha shqipe. Tipike janë emërtimet: Gjuri Zi, Kepi Shipës, Kepi Selvajës, Kepi Bollës, Kepi Madh, Kepi Dullës, Kepi n’Dushk, Kepi Borës, Kepi Kuç, Shpella Arashës, Kodra Holl, Kodra Furrës, Livadhi Madh, Livadhi n’Lak, Livadhi Isenit, Ara Madhe, Ara n’Prrae, Ara n’Kodër, Mali Ashit, Mali Shpesh, Kroi Bardh, Kroi Ftoft, Kroi Mullajnit, Lisi n’Kodër, Kama Draŋoit etj. (Hamiti, 2011).
Edhe mikrotoponimia e vendbanimeve shqiptare në zonën e Prilepit, të Krushevës dhe të Velesit, sipas kolegut Mustafa Ibrahimi na del kryesisht me etimologji shqipe: nga 2057 njësi toponomastike (oronime, hidronime si dhe emra të tjerë vendesh të vogla) 1308 janë shqipe (63.6%), 382 (18.5%) sllave, 297 (4.4%) turke, 25 (1.2%) greke, 8 (0.4%) arumune, 12 fjalë latine (0.6%) dhe 23 (2.8%) topoleksema me etimologji gjuhësh të tjera (Ibrahimi, 2010: 230).
Në Fjalorin toponomastik të tërthoreve shqiptare të Maqedonisë, dr. Qemal Murati me të drejtë konstaton se: toponomastika - emrat gjeografikë të vendeve, është quajtur me të drejtë “gjuha e tokës”, arkeologji pa lopatë dhe arkiv i vërtetë historie (Murati, 2008: 5). Toponomastika shqiptare përbën mbase dokumentin më kryesor që vërteton autoktonitetin e popullit shqiptar në vendbanimin e tij të sotëm, d.m.th. faktin që shqiptarët janë vendës në këto anë që nga kohët më të lashta të historisë, pa ndërprerje (Çabej: 1975, V). Lënda e pasur e tërthoreve shqiptare të Maqedonisë me 4.200 topoleksema na dëshmon se shqiptarët në Maqedoni nuk janë të djeshëm - sikundër janë përpjekur t’i paraqesin kështu onomasticientët maqedonas, sepse vetë emërtesa toponomastike ata i gjen në këtë anë shumë kohë para ardhjes së sllavëve (Murati, 2008: 6).
Ndalimi me ligj i pagëzimit të fëmijëve me emra kombëtarë si dhe ndalimi i përdorimit të toponimeve në shqip. Gjatë viteve 1982-1991 në Maqedoni kishte nisur të zbatohej dhunshëm një ligj i çuditshëm, sipas të cilit, shqiptarëve u mohohej e drejta të pagëzonin fëmijët e tyre me emra kombëtarë si dhe me detyrim t’i përdornin toponimet vetëm maqedonisht. Pra, në librat amë të të lindurve ofiqarët e kishin të ndaluar të regjistronin emrat e tipit Ilir, Teuta, Shqipe, Bardhyl, Arbër etj. Edhe toponimet detyrimisht duhej përdorur vetëm në maqedonisht. Pra, Shkup-i do të quhej Skopje, Dibra – Debar, Tetova – Tetovo, Kërçova – Kiçevo, Manastiri – Bitolla etj. Në mjetet e informimit publik (përveç në gazetën “Flaka e vëllazërimit”), në shkresat zyrtare, në tekstet shkollore etj. toponimet nuk shkruheshin e nuk thuheshin më në trajtën shqipe, por në maqedonisht. Kundërshtimi i shqiptarëve quhej nacionalizëm. Moszbatimi i këtij urdhri u ndoq me masën e përjashtimit nga puna e shumë intelektualëve shqiptarë. Kjo përpjekje për të ndaluar me ligj të drejtën themelore të njeriut për të pagëzuar fëmijën e tij ashtu siç do, si dhe për ndërhyrje të gabuar, të dëmshme e të panatyrshme për të prishur sistemin onomastik të shqipes nuk pati sukses. Rezistenca e shqiptarëve ishte e madhe, por, grushtin e vërtetë kësaj së keqeje ia dha vetëmbrojtja e gjuhës shqipe (Zllatku, 2022: 10-11).
Pengimi i përdorimit të emërvendeve në shqip në qarqet maqedonase arsyetohej me "unifikimin" e “mosalbanizimin” e emrave gjeografikë në Maqedoni, ndërsa ndalimi me ligj i pagëzimit të shqiptarëve me emra kombëtarë qenkëshka “luftë kundër nacionalizmit shqiptar”.
Siç dihet, unifikimi a standardizimi i toponimisë bëhet vetëm në kaudrin e një gjuhe dhe kurrsesi nuk mund të dalë jashtë caqeve të asaj dhe të cënojë gjuhët e tjera, përkatësisht t’ua imponojë normat e veta. Pra, çështja e unifikimit apo e zëvendësimit të toponimeve shqipe e të tjera me ato maqedonase është joshkencore, jopraktike, e papranueshme e me prapavijë politike. Shqipja, si çdo gjuhë tjetër e botës, ka sistemin e saj fonetik, gramatikor dhe leksikor. Prandaj, çdo prekje dhe çdo intervenim i jashtëm dhe i dhunshëm në cilindo rrafsh, lëndon gjuhën, e cila siç do të thoshte Sosyri "është sistem që njeh vetëm rendin e vet" (Sejdiu, 2002: 112-113).
Çdo ndërmarrje për eliminimin e trajtave të njërës a të tjetrës gjuhë, thotë prof. Shefki Sejdiu, në veprën Sprova etimologjike, Prishtinë, 2002, f. 115, s’mund të quhej ndryshe pos padrejtësi dhe diskriminim ndaj asaj gjuhe që këto toponime i solli deri në format e tashme, duke i ruajtur nga stuhitë që i sillnin kohërat mbi qiellin e këtyre viseve shekuj me radhë. .. Andaj, në përputhje me ligjet e secilës gjuhë dhe normave humane të çdo shoqërie të civilizuar, përdorimi paralel i toponimeve shqipe (nga albanofonët), maqedone (nga maqedonofonët) dhe atyre turke (nga turkofonët) nuk paraqesin as pengesë as vështirësi në komunikim, përkundrazi është begati dhe dëshmi e jetës së përbashkët shekullore të këtyre popujve në këto troje. Ky paralelizëm duhet të vazhdojë dhe nuk duhet prekur në asnjërin rrafsh të asnjërës gjuhë, duke e lënë këtë paralelizëm të gjallërojë natyrshëm, ashtu sikundër që vepron bota e civilizuar dhe gjuhësisht e njerëzisht e ngritur (Sejdiu, 2002: 115).
Të dhënat arkeologjike, historike, gjuhësore dhe ato të kulturës materiale e shpirtërore dëshmojnë se ka vijimësi nga ilirët antikë te shqiptarët e sotëm. Autoktonia e shqiptarëve në Gadishullin Ilirik duhet vështruar jo në pikëpamjen e kufijve të sotëm shtetërorë, por në kontekstin gjeografik e historik të kohës antike e të mesjetës. Gjuha dhe rrugëtimi ynë historik janë të përbashkëta, të pandashme për gjithë kombin. Shqiptarët janë vendës jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, në Preshevë, Bujanovc, Medvegjë; në Mal të Zi, në Maqedoninë e Veriut e në Greqi. Sllavët e grekët kanë pushtuar toka iliro-shqiptare, ndërsa shqiptarët nuk kanë uzurpuar as toka sllave e as greke. Territori i sotëm i Ballkanit i banuar me shqiptarë është rrjedhojë e tkurrjes (ngushtimit, rrudhjes) së shqiptarëve e jo i ekspansionit të tyre.
Ky artikull kundërshton bindshëm gënjeshtrën se “shqiptarët në Maqedoninë e sotme nuk janë vendës, por kolonë të ardhur gjatë shekujve XVI-XX, duke dëbuar, torturuar dhe shfarosur maqedonas. Veç dëshmive të tjera, edhe onomastika e shtrirja dialektore e shqipes janë prova të pamohueshme për autoktoninë e shqiptarëve në të gjitha trojet Ballkanike, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut.
Detyrë e shkencës është të zbulojë, të argumentojë e të thotë të vërtetën për shoqërinë e botën që na rrethon, qoftë ajo e vërtetë e hidhur apo e këndshme. Ajo duhet thënë vetëm të vërtetën, nuk duhet të jetë nën ndikimin e politikës ditore. Rrjedhimisht, jo pak shqiptarë bashkë me maqedonasit dhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera bashkëjetojnë me shekuj dhe janë banorë e shtatas të Maqedonisë së Veriut. E drejtë e çdo kombi është t’i emërtojë gjërat, përfshirë edhe emrat e fëmijëve dhe emrat gjeografikë, sipas dëshirës, traditës e natyrës së gjuhës së tij. Veprimtarinë tonë duhet mbështetur në frymën e respektimit të ndërsjellë të veçorive e të dallimeve kulturore, gjuhësore, fetare të tjetrit, të tolerancës, të mirëkuptimit, e përgjithësisht të orientimit tonë për një të ardhme të lumtur. Të mos jemi pre e urrejtjes, mohimit, egoizmit, miteve, stereotipeve, paragjykimeve etj., por të punojmë për Europë të bashkuar dhe të përgatitur për të mbijetuar në një botë të globalizuar.
Prof. dr. Asllan Hamiti
Bibliografia:
Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe I, II (2007, 2008), Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Vëllimi I, II; Napoli.
Baliu, Begzad (2008), Onomastika e Kosovës (ndërmjet miteve dhe identiteteve), Prishtinë.
Beci, Bahri (2013), Shqiptarët e Maqedonisë, më të hershëm se sllavët, www.Pashtriku.org. 20.04.2013.
Çabej, dr. Eqrem (1976), Studime gjuhësore III, Prishtinë.
Çabej, dr. Eqrem (1975), Studime gjuhësore V, Prishtinë.
Durmishi, Izmit (2008), Vëzhgime gjuhësore mbi toponiminë dhe antroponiminë e Pollogut të Epërm të Gostivarit, Gostivar.
Doçi, dr. Rexhep (1990), Antroponimia e shqiptarëve të Kosovës I, Prishtinë.
Frashëri, Kristo (2009), E vërteta mbi shqiptarët e Maqedonisë dhe shtrembërimet e Enciklopedisë së Shkupit, gazeta “Shqip”, 9-10. 12. 2009.
Hamiti, Asllan - Qamili, Ajten (2014), Dialektologjia e gjuhës shqipe, UIShM, Shkup.
Hamiti, Asllan (2011), Mikrotoponimet dhe antroponimet e fshatit Goshincë, Instituti Alb-Shkenca, Takimi VI Vjetor Ndërkombëtar, Prishtinë, 1-4 shtator 2011.
Hamiti, Asllan (2007), Antroponimia e shqiptarëve të Maqedonisë dhe planifikimi gjuhësor, Konferenca e parë Albanologjike, Ohër, 23-27 shtator 2007, f. 339-346.
Hamiti, Asllan – Sopaj, Nehas (2004), Gjuhë shqipe dhe letërsi për vitin IV të gjimnazit të reformuar, Prosvetno Dello, Shkup.
Институт за македонски јазик “Крсте Мисирков” - Скопје (2004), Јазикот наш денешен - книга 11, Стандардизацијата на географските имиња во Република Македонија, Зборник на трудови од трибината одржана на 30 септември 2004 година, Скопје.
Ibrahimi, Mustafa (2010), Mikrotoponimet në vendbanimet shqiptare të rrethit të Prilepit, Krushevës dhe Velesit, Intelingua, Shkup.
Idrizi, Xhemaludin (2003), Mikrotoponimia e Karshiakës së Shkupit, Shkup.
Ismaili, Mustafa (1998), Goshinca e Kumanovës, Shkup.
Murati, Qemal (1996), Kërçova në traditat e saj të vjetra, Shkup, 1996.
Murati, dr. Qemal (2008), Fjalor toponomastik i tërthoreve shqiptare të Maqedonisë, Tetovë.
Selmani, Asllan (2000), Gjeografia e Maqedonisë antike, Kumanovë, 2000.
Sejdiu, Shefki (2002), Sprova etimologjike, Prishtinë.
Sulejmani, Fadil (1979), Toponimia e Malësisë së Tetovës, në Onomastika e Kosovës, Prishtinë.
Shkurtaj, Gjovalin (2001), Onomastikë dhe etnolinguistikë, ShBLU, Tiranë.
Ymeri, Haki (1997), E folmja shqipe e Karshiakës, Shkupi, Shkup.
Zllatku, Rexhep (2002), Bataçikllëku me toponimet, Vetëmbrojtja e shqipes, ExLibris, 14.05.2022, f. 10-11.
Институт за македонски јазик “Крсте Мисирков” - Скопје, Јазикот наш денешен - книга 11, Стандардизацијата на географските имиња во Република Македонија, Зборник на трудови од трибината одржана на 30 септември 2004 година, Скопје, 2004 (Instituti i Gjuhës Maqedonase “Kërste Misirkov” - Shkup, Gjuha jonë e sotme - libri 11, Standardizimi i emrave gjeografikë në Republikën e Maqedonisë, Përmbledhje punimesh e tribunës së mbajtur më 30 shtator 2004, Shkup, 2004).
“...барањата за рамноправност и во рамките на употребата на топонимите, односно на географските имиња, а што во основа се сведува на барање за промена на македонскиот топонимски систем, односно за негова албанизација”.