Publikime

Bashkimi i ri gjuhësor mbarëshqiptar, i domosdoshëm!
Gjuha standarde shqipe dhe dialektet e shqipes sot
U mbajt punëtoria për përdorimin e “Kullës së shqipes”
Forma paralele të së pakryerës së foljes ‘them’
Mirëmëngjesi Kosovë – Mirëmëngjes Shqipëri
Shqipja e përdorur në rrjete sociale, rasti i Facebook-ut
Ruaju apo ruhu? Një problem i diskutueshëm morfologjik
Lidhet marrëveshja për digjitalizimin e gjuhës shqipe në Malin e Zi
Mundësi të reja të pasurimit të gjuhës
Intervistë me z. Lulëzim Shishani në ATV
Barasvlerësit shqip të termëve të huaja në terminologjinë e informatikës
Gabimet më të shpeshta gjuhësore në gazetat që botohen në Maqedoninë e Veriut
Parimet dhe kriteret për hartimin e Fjalorit të madh të gjuhës shqipe
Toponimia dhe shtrirja dialektore e shqipes - dëshmi e autoktonisë së shqiptarëve edhe në Maqedoninë e Veriut
Letër e hapur për bashkim gjuhësor
Konferencë për media më 5 nëntor, 2022 (e shtunë), ora 14.00, në hotelin “Swiss Diamond” në Prishtinë
Digjitalizimi i gjuhës shqipe në Mal të Zi
Disa këshilla të thjeshta gjuhësore
Shpallet fajtor dhe dënohet për shpifje zyrtari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Valter Memisha
Gjuha shqipe në erën digjitale
Falas për banorët e Republikës së Kosovës
Konflikte gjuhësore gjatë përdorimit të varieteteve në terminologjinë kompjuterike
Fjalori i madh i gjuhës shqipe i Republikës së Kosovës drejt suksesit
Fjalori i madh drejtshkrimor me 300.000 faqe i Republikës së Kosovës
Këshilli Kombëtar Shkencor i projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”
Fjalori i madh i gjuhës shqipe – problemet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë!
Padi penale kundër Valter Memishajt, zyrtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Formohet Këshilli Kombëtar Shkencor i projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”

Gabimet më të shpeshta gjuhësore në gazetat që botohen në Maqedoninë e Veriut

Gjuha standarde shqipe në Maqedoninë e Veriut po përdoret në institucionet arsimore, në mjetet e informimit, në veprat letrare e shkencore, në tekstet shkollore etj. Megjithëkëtë, jemi dëshmitarë se në praktikën gjuhësore shpeshherë po thyhen normat në të gjitha rrafshet, si në rrafshin leksikor, sintaksor (si pjesë më të lëvizshme të gjuhës e më të eksponuara ndaj ndikimeve të huaja), në rrafshin morfologjik, fonetik e fonologjik si dhe në të gjitha fushat e tjera.

Moszbatimi i normave gjuhësore të shqipes standarde në Maqedoninë e Veriut ka qenë e vazhdon të jetë temë trajtimi e shumë gjuhëtarëve. Punime e vepra me vlerë në fushën e kulturës së gjuhës, të planifikimit gjuhësor e të politikës gjuhësore kanë sjellë albanologë të Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë së Veriut si dhe të vendeve të tjera. 

Problemi më i madh në përdorimin e shqipes lidhet me kulturën e dobët gjuhësore, sidomos e brezit të ri. Mosnjohja e mirë e gjuhës amtare, që me sa duket ka të bëjë me mangësi të rënda në arsimin bazë, por edhe me mungesën e leximit tek të rinjtë, krahas me përvetësimin e gjuhëve të huaja dhe krijimin e brezave dy- a tregjuhësh, ka sjellë edhe zëvendësimin e fjalëve dhe shprehjeve ekzistuese shqipe, tashmë të panjohura për të rinjtë, me fjalë e shprehje të gjuhëve të huaja, qoftë të marra drejtpërdrejt, qoftë të përkthyera ose kalkuara në shqip sipas modelit të huaj. 

Vërshimi pa kriter i fjalëve të huaja është një problem, por shohim edhe përdorime të gabuara në drejtshkrimin, në morfologjinë dhe në sintaksën e shqipes; çka flet për mangësi të formimit gjuhësor gjatë shkollimit. Mungesa e kulturës gjuhësore shkon krahas me varfërinë kulturore të përhapur masivisht; mjafton të shohësh gabimet që bëhen në shtypin e përditshëm që pasqyrojnë mungesë kulture të theksuar. (1)

Profesor Gjovalin Shkurtajt një gazetar ia parashtroi pyetjen: Si e shikoni rolin e shtypit dhe të medieve në këtë problematikë që parashtroni? Studiuesi e profesori i njohur u përgjigj: 

“Disa herë në artikuj e kumtesa, si dhe në librat e ligjëratat e mia, kam thënë, stërthënë dhe prapë po e shpreh se ne sot, si popull e si komb shqiptar, kemi shumë djem e vajza me shkollë, që i dinë aq mirë gjuhët e huaja të Europës e të botës, sidomos anglishten, italishten, frëngjishten dhe gjuhë të tjera, kohët e fundit edhe greqishten për arsye të emigracionit në atë vend fqinj e traditashumë. Kam pohuar, përsëritur dhe prapë po e shqiptoj se kjo përbën një gëzim e kënaqësi për nivelin e mirë të arsimimit dhe kulturimit të tyre. 

Edhe Ministria e Arsimit dhe e Shkencës e Shqipërisë, këto vitet e fundit, madje me vendim ministror e në formë detyruese ka shtruar domosdoshmërinë e të nxënit të anglishtes si lëndë mësimore parësore në shkollat tona të mesme. Edhe kjo, kam thënë e po e stërthem, ka qenë e mirë, pa asnjë dyshim vetëm e mirë. Porse, ndërkaq, sa herë kam folur e shkruar për kulturën e gjuhës, nuk kam reshtur s’u ankuari e së pohuari edhe faktin e trishtuar se, ne, si komb e si popull shqiptar, për fat të keq kemi aq pak njerëz që dinë ta flasin e ta shkruajnë shqipen ashtu si duhet; sa herë kam folur për mediat e folura e të shkruara, me dashamirësi e zemër të hapur, ua kam vlerësuar rolin e tyre ndikues, peshën dhe modelin kulturor e shoqëror që koha e sotme u ka dhënë atyre, si “Pushteti i Katërt” që janë, porse, ndërkaq, gjithmonë kam theksuar edhe rolin e tyre modeldhënës: përkatësisht të radios e të televizionit, përfshirë aty edhe shumëçka tjetër të komunikimit elektronik të kohëve të reja, për gjuhën e folur dhe të gazetave e revistave, bashkë me librat, për drejtshkrimin dhe përgjithësisht për kahun e mëtejshëm të shqipes. 

Më se një herë, për të mos gabuar, por edhe pse më është dukur vetja herë-herë edhe disi i vetmuar e pa mbështetjen e duhur nga shteti e shoqëria e sotme, i jam drejtuar për ndihmë e mbështetje, herë Naim Frashërit, Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës që lëvdojnë hiret e shqipes e me ato cilësime ndjellin dashurinë e shqiptarëve për gjuhën shqipe, herë Faik Konicës dhe kam parafrazuar madje fshikullimin e tij të ashpër ndaj gjuhëprishësve, që ai i quante “analfabetë me diplomë”, ashtu sikundër, m’u duk e udhës ta përdor në përgjigjen time të sotme urtësinë dhe porosinë e vyer të poetit Kristo Floqi (...)”.[2]

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut përgjithësisht njohin dhe përdorin varietetin territorial të shqipes (në familje, në komunikimin joformal ndërmjet tyre, në mjedisin shoqëror, në komunikim me telefon e internet), shqipen standarde (në shkollë, në komunikimin formal, në mjetet e informimit publik) si dhe maqedonishten standarde (në jetën publike, në veprimtarinë shoqërore) si gjuhë e parë zyrtare në gjithë territorin e shtetit. 

Për shkak të shumëgjuhësisë (multilinguizmit) shpeshherë ndodhin përzierje kodesh, situatë në të cilën asnjë gjuhë e përdorur vetëm, nuk do të ishte e mjaftueshme. Për të arritur efektin e duhur, folësit përziejnë dy gjuhët me njëra-tjetrën në një lloj kokteji gjuhësor – pak fjalë nga shqipja e pak fjalë nga maqedonishtja, pastaj kthehen tek e para me disa fjalë më shumë (me huazime), me shprehi nyjëtimore të shqipes kur flasin maqedonisht, sidomos në theksimin e fjalëve; me një morfologji e sintaksë të ndërmjetme (herë sipas natyrës së shqipes e herë sipas asaj të maqedonishtes). 

Dukuria e përzierjes së kodeve hetohet jo vetëm në bisedat e përditshme të masës së gjerë popullore, por edhe në gjuhën e të arsimuarve, si në ligjërimin e personave publikë, ashtu edhe në përkthimet dhe interpretimet e shumta që bëhen te ne nga maqedonishtja në shqip. Përkthimet lëngojnë sidomos në zëvendësimin e formave rasore të shqipes me forma analitike: parafjalë + emër, meqë maqedonishtja nuk ka lakim emrash. 

Sidoqoftë, dukuritë e tilla janë me interes e për gjuhët në kontakt dhe ndikimin ndërgjuhësor e përgjithësisht për sociolinguistikën. Por, në këtë artikull vëmendjen tonë do ta përqendrojmë në problemet praktike që janë pasojë e përdorimit të maqedonishtes si gjuhë e parë zyrtare në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut dhe të shqipes si “gjuhë e dytë zyrtare me përdorim të kufizuar”, meqë në dokumentet zyrtare nuk lejohet përdorimi i mëvetësishëm i saj, pa maqedonishten. 

Për të parë kulturën e dobët gjuhësore, mjafton të shfletosh ndonjë gazetë ditore, të shohësh ndonjë web-faqe të rrallë në shqip të institucioneve shtetërore, tekst shkollor të përkthyer nga maqedonishtja në shqip, ndonjë hartim nxënësi, provim, punim seminari a diplome të ndonjë studenti, një dokument zyrtar, ndonjë tekst shqip të ndonjë malli, ndonjë udhëzim për përdorimin e barërave; ose të lexosh tabelat rrugore, shkrimet shqip në ambulanca e spitale, në tabela e dokumente firmash, titrimet e filmave, titujt e këngëve, shkrimet në rrjetet sociale apo edhe shumëçka që ta zë syri të shkruar në shqip

Mjetet e informimit, si shtypi ashtu edhe radioja e televizioni, kanë rëndësi të madhe jo vetëm si mediume më masive të informimit publik, por edhe si mjete e burime për formimin gjuhësor të lexuesve, dëgjuesve dhe të teleshikuesve, meqë drejtpërdrejt ndikojnë për përhapjen dhe ngulitjen e normës letrare te e gjithë popullata shqiptare në Maqedoninë e Veriut e më gjerë. Prandaj, gjuha e gazetave, e radios dhe e televizionit duhet t’u përgjigjet rregullave drejtshkrimore e drejtshqiptimore të shqipes standarde. 

Nga pakujdesia, puna e ngutshme, joserioziteti në punë, papërgjegjësia ose nga mosnjohja e mjaftueshme e normave të shqipes standarde, po bëhen gabime gjuhësore të natyrave të ndryshme.

Në një shtjellim përmbledhës, siç është ky yni, nuk mund të përshkruhen të gjitha shkarjet gjuhësore, por me këtë rast po përmendim disa nga gabimet më të shpeshta që hetohen në media: 

1. Gabime teknike. Shumë shpesh në mediet e shkruara te ne vërehen gabime teknike, si: arsimtar për lnëdet mjekësore (Lajm, 07.12.2012, f. 29), kushtret (duhet: kushtet, f. 29), pas zgjedhjes së nabruar (Lajm, 07.12. 2012, f. 29). Herë-herë në këto gazeta në vend të <i>-së së vogël gjejmë shkronjën <I> të madhe, për shkak të shkrimit kompjuterik të automatizuar të <I>-së së madhe në pozita ta caktuara në anglishten. P.sh.: Në vendet ku është I zhvilluar sporti skitarisë garat zyrtare fillojnë … (Lajm, 07.12.2012, f. 23). Përgatitjet e tyre I kanë filluar që nga gushti dhe atë nëpër vende ku ka kushte adekuate për sportin e skitarisë. (Lajm, 07.12.2012, f. 23). 

2. Ndarja e gabueshme e fjalëve në fund të rreshtit. Gjëja e parë që na ra në sy në shkrimet e gazetave është ndarja e gabueshme e fjalëve në fund të rreshtit. Në ndarjen e tekstit në kolona të ngushta, shpeshherë ndahen edhe dyshkronjëshat (3), si në fjalët: mar-rveshje, fil-limit, lid-hur, urd-hërdhënësi (f. 2), dal-lim (f. 3), ndër-roi (f. 5), pjesëmar-rësve (f. 5), hol-lësi (f. 6), menax-him (f. 14), gjithn-jë (24), mrekul-li (f. 24), ndër-roni (f. 24), mrekul-lueshëm (f. 26) në gazetën “Lajm” të datës 07. 12. 2012; mar-rëveshje, shkol-lë (Koha e datës 07. 12. 2012, f. 2, 9), por ka raste edhe kur një shkronjë e vetme mbetet në fund të rreshtit, si u sh/-pall (Koha, 07.12. 2012, f. 7) etj. 

3. Shkrimi i shkronjës <e> në vend të <ë>-së dhe i <c>-së në vend të <ç>-së. Ka jo pak shkrime gazetareske ku nuk gjejmë të shkruar as <ë>-në e as <ç>-në, por në vend të tyre <e>, përkatësisht <c>-në, si p.sh.: “Lidershipi politik shqiptar ne Maqedoni, me rastin e fitores se sontme dhe kualifikimit te Kombetares per Kampionatin Europian ne France, ka shpalour urimet e perzemerta. Ne vazhdim ju sjellim vec e vec urimet e tyre. Gjuha shqipe sipas analizes se mesiperme del qe eshte e vetmja qe mund te perfaqesoje denjesisht kulturen dhe traditat e verteta te pjeses me te madhe te popullit qe banon ne Maqedoni (Gazeta Lajm, Maqedoni, e diel, 11 tetor 2015).”

4. Në shkrimin e fjalëve bashkë, ndaras dhe me vizë në mes, po kështu hetohen gabime. P.sh.: kundër akuza  (duhet: kundërakuza, Koha, 07.12. 2012, f. 8), ky projekt është shumë vjeçar (duhet: shumëvjeçar, Koha, 07. 12. 2012, f. 3), pauzë e shkurtë dy javore (Lajm, 07.12.2012, f. 23, duhet: dyjavore); Parasëgjithash për shkak të defokusimit të plotë të fqinjit tonë (duhet para së gjithash). Nuk ka më mirë në këtë botë se sa të jesh shqiptar (duhet sesa). Ministri i Ekonomisë Bekim Neziri dje ishte i ftuar në shënimin e jubileut të 10 vjetorit të hyrjes së kompanisë së naftës Lukoil në Maqedoni (duhet 10-vjetorit, Koha, 12 tetor 2015) etj.

5. Përdorimi i gabueshëm i shkronjave të mëdha. Është bërë modë gjuhësore, si duket nën ndikimin e anglishtes, që emrat e muajve të shkruhen me shkronjën e parë të madhe (ndonjëherë edhe pa parafjalën ), si: Mbledhja e nënshkrimeve bëhet 07 Dhjetor 2012. Gazeta Lajm, Maqedoni, E diell, 11. Tetor 2015. Gazeta Koha, E diell, 11. Tetor 2015 (do të duhej: Lajm, e diel, 11 tetor 2015; Koha, e diel, 11 tetor 2015). 

Gabohet shpesh kur shkruajmë emrat e institucioneve, sidomos ata që përbëhen prej grupeve emërore, sepse vetëm emri i parë po shkruhet me shkronjë të parë të madhe, nërsa të gjithë emrat а përcaktorët e tjerë me shkronja të vogla, nën ndikimin e rregullave të drejtshkrimit të maqedonishtes, sipas tipit: Ministria e arsimit dhe shkencës, Byroja e zhvillimit të arsimit, Fakulteti filologjik. 

Siç dihet, sipas rregullave të drejtshkrimit të shqipes të gjitha pjesët përbërëse kuptimplota të emërtimit të institucioneve shkruhen me shkronjë të parë të madhe, përveç fjalëve shërbyese (parafjalët, nyjat, lidhëzat, pjesëzat). Titujt e institucioneve të mësipërme, si edhe emrat e institucioneve të tjera, duhet të shkruhen me shkronjë të parë të madhe, si: Ministria e Аrsimit dhe e Shkencës, Byroja e Zhvillimit të Arsimit, Fakulteti i Filologjisë (nga shembulli i fundit mund të nxirret konstatimi se nuk është e drejtë të thuhet Fakulteti filologjik – me emër + mbiemër (përcaktor), por kjo duhet të përdoret me grup emëror, nga të cilët emri i parë në rasën emërore të njëjësit të shquar, ndërsa emri i dytë në rasën gjinore, d.m.th. formë e drejtë është Fakulteti i Filologjisë.

6. Përdorimi i gabueshëm i <ë>-së. Përdorimi pa vend i [ë]-së në pozitë fundore është i shpeshtë. Jorrallë shkruhet ku nuk duhet ose nuk shkruhet aty ku duhet, si: parasyshë, zgjatë, (Lajm 07.12.2012, f. 13, 12 duhet parasysh, zgjat). Oferta e tyre është e ndërlidhur drejtpërdejtë me popullatën (Koha, 07.12.2012, f. 6, duhet: drejtpërdrejt). Të gjithë lojtarët duhet ta kuptojnë se unë i marrë vendimet. Duhet: i marr). Të shpreh ngushëllim të thellë dhe T'ju inkurajoj në qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë në luftën me dhunës (?) dhe të gjitha aktet kriminele (Koha, e diel, 11 tetor 2015). Struga e gatshme ta përballoj dëborën (duhet: ta përballojë, Koha, 07. 12. 2012, f. 8). Maqedonisë një porosi e drejtpërdrejt i erdhi edhe nga vet eurokomisari i zgjerimit (Koha, 07. 12. 2012, f. 2). Mijallkov kuadër i ekspunuar dhe anëtarë i organit më të lartë të partisë në pushtet (duhet: eksponuar, anëtar). Teksti i Ligjit mund çdo kush ta interpretoj si të doje, por e sjellë ligjvënësi” (Koha, 12. Tetor 2015, Duhet: Tekstin e ligjit mund ta interpretojë çdokush si të dojë, por e sjell ligjvënësi. Ai tha se deri më 20 tetor ky ligj mund të pësoj ndryshime (Koha, 12 tetor 2015).  

Përdorimi i formës së shumësit të disa emrave pa <ë> fundore është dukuri shumë e shpeshtë, si shqiptar (në vend të formës së drejtë shqiptarë), arsimtar (në vend arsimtarë) etj.; ata qytetar (f. 15, Lajm, 07. 12. 2012), synon të vetëdijësojë afaristët shqiptar (pa <ë> në Lajm, 07. 12. 2012, f. 6) tubon afaristët shqiptar (Koha, 07. 12. 2012, f. 6). Ndonjëherë hetohet edhe mospërdorimi i <ë>-së në trup të fjalës: Dializa realizohet nën mbykqyrje të mjekëve specialist (Koha, 07.12.2012, f. 8; duhet: mbikëqyrje, specialistë). Komisioni shtetror (Lajm, 07.12.2012, f. 15, duhet: shtetëror).

7. Mosdallimi i kundërvënies fonologjike ndërmjet bashkëtingëllores shumëdridhëse /rr/ dhe njëdridhëses /r/: Ngjashmëria nyjëtimore dhe ngarkesa e vogël fuksionale ka mundësuar rrafshimin e kundërvënieve fonologjike të bashkëtingëlloreve /r/ dhe /rr/ në disa të folme tona, sidomos në të folmet toske e të folmet e gegërishtes jugore. Mirëpo, këto bashkëtingëllore në shqipen standarde janë dy fonema të veçanta, gjë që provohet me çifte minimale fjalësh të tilla, si ara ~ arra, ruaj ~ rruaj, rasë ~ rrasë, deri ~ derri, rimë ~ rrimë  etj. 

Bashkëtingëllorja /r/ ka denduri përdorimi e përndarje më të madhe sesa çifti i saj /rr/. Marrë në tërësi, si në gazeta, ashtu edhe në radio e televizion përdoren fjalë vetëm me /r/ edhe pse sipas rregullave duhej të kishin /rr/. Pra, shkruhen e shqiptohen gabimisht me /r/ në vend të përdoren me /rr/ shumë fjalë, si: rafsh, ri, rit, rjedh, (i, e) rallë, reth e rotull; karige, përall(ë), qere,  haroj, ndëroj, ngatëroj; disa huazime kryesisht nga gjuhët romane: barikad(ë), karier(ë), korekt, koridor, teritor; andër, kokër, mor, obor, vjehër, zjar etj. 

8. Përdorimi i gabueshëm i apostrofit. Për shkak të ekonomizimit të ligjërimit dhe lehtësimit të shqiptimit në gjuhën shqipe shpeshherë bie zanorja [ë] në rrokje të patheksuar, sidomos kur gjendet në pozitë absolute fundore të fjalës, veçmas te fjalët shërbyese (jokuptimplota): te pjesëza të, te nyjat e përparme të, së; si dhe te trajtat e shkurtra të përemrave vetorë më, të. Ky mosshqiptim i [ë]-së, apo siç e njohim edhe me termin elizion, është i lidhur ngushtë me prirjen e bashkimit a të shkrirjes së fjalëve të patheksuara me fjalët e theksuara, përkatësisht për ndërlidhje shqiptimore fjalësh në tërësi më të mëdha sintaksore (sand’hi), në sintagma e grupe fjalësh, si dukuri e përhershme e ligjërimit të folur.

Kjo dukuri e mosshqiptimit të [ë]-së është përligjur edhe në Drejtshkrim përmes shënimit të apostrofit, sipas modelit: t’i dha (< të i dha), m’i dha (< më i dha), përkatësisht te format m’i, t’i, m’u, t’u, t’et, s’ëmës (< më i, të i, më u, të u, të et, së ëmës) etj. (4)

Në shkrimin e apostrofit në gazetat ditore, përkthimet e gjetiu vërehen më shumë parregullsi sesa përdorim të rregullt të tij. Thjesht, rrallë në ndonjë tekst apostrofi përdoret drejt, d.m.th. rëndom shkruhet aty ku nuk duhet, ndërsa shkruhet aty ku s’duhet të shënohet. P.sh.: Duhet ti shpalosen krejt kuptimet (Lajm, 07. 12. 2012, f. 11; duhet: t’i).  Sikur tu kishim hedhur gaz lotsjellës (duhet: t’u). Për tu pasuruar me paratë publike të qytetarëve (duhet: t’u, Lajm, 11 tetor 2015). 

Apostrofi nuk duhet të shënohet te trajta e shkurtër e bashkuar e kallëzores (e patheksuar): ma (më + e) dhe ta (< të + e), si m’a, t’a. Dihet se këto forma shkruhen pa apostrof, sepse këtu kemi shkrirjen e zanoreve ë + e që kanë dhënë а, por jo rënien [ë]-së patheksuar.   

9. Edhe shenjat e pikësimit shpeshherë nuk përdoren me vend: Nuk ka dëshirë nuk ka vullnet nuk ka gatishmëri  (askund nuk ka presje e do të duhej: Nuk ka dëshirë, nuk ka vullnet, nuk ka gatishmëri. Koha, 07. 12. 2012, f. 4).

10. Përdorimi i kohës së ardhme pa pjesëzën ndeshet shpesh, si: (ai) do lexojë, do punojë (në vend: do të lexojë, do të punojë). Mjaft shpesh gabohet në përdorimin e formës standarde të lidhores, sepse ose në vend të <ë>-së përdoret <e>-ja ose pjesëza të + forma e mënyrës dëftore e kohës të tashme e vetës së tretë njëjës, si p.sh. (ai duhet) të shkoje ose të shkon, të punoje ose të punon, të mësoje ose të mëson (< duhet të shkojë, të punojë, të mësojë) etj. 

11. Përdorimi i gabueshëm i foljeve të zgjedhimit të tretë. Në analogji me foljet e zgjedhimit të parë, edhe foljet e zgjedhimit të tretë disa herë si në të folurit, ashtu edhe në të shkruarit përdoren jo sipas rregullave gramatikore (pa mbaresa vetore në numrin njëjës në kohën e tashme të mënyrës dëftore), por me mbaresa në vetën e dytë dhe të tretë të njëjësit, si (ti, ai, ajo) din, pin, han, flen (< duhet: di, pi, ha, fle) etj. 

12. Gabime në përdorimin e foljeve apofonike. Në prirjen për rrafshimin e formave të foljeve, edhe foljet apofonike (me këmbimet e fonemave /a/ ose /je/ në /o/) (5) në kohën e kryer të thjeshtë dhe në pjesore shpeshherë po përdoren gabimisht. Mbushullojnë format jonormative si në të folur, ashtu edhe në të shkruar: vjel - vjela - vjelur (< duhet: vjel - vola - vjelë), merr - morra - marrur (< duhet: marr - mora - marrë), mbjell - mbjella - mbjellur (< duhet: mbjell - mbolla - mbjellë), sjell - sjella - sjellur (< duhet: sjell - solla - sjellë) etj. 

13. Mospërdorimi i mbaresës së rrjedhores –sh për shumësin e pashquar. Dihet se një ndër dallimet morfologjike ndërmjet dy dialekteve të shqipes është edhe prania në Veri, përkundër mungesës së formave të rrjedhores së shumësit të pashquar në Jug. Me fjalë të tjera, në të folmet e toskërishtes forma e rrjedhores shumës me -sh përdoret shumë rrallë (por është njësuar me formën e shquar, me mbaresën -ve), por në të folmet e gegërishtes kjo ka përdorim të dendur, si: ka pi: u:j bretkocash, kena pas lujt arash, koçak pulash, o:d burrash etj. Në media e në stilin administrativ forma normative dhe e drejtë me -sh (varësisht nga konteksi dhe funkcioni) pothuajse është shuar fare. 

14. Pështjellime në përdorimin i emrave të huaj vetjakë. Emrat e huaj vetjakë që shkruhen me alfabetin latin në shqipen e kohës sonë po shkruhen në dy forma: a) të transkriptuara (sipas shqiptimit në shqipen) ose b) në formën e tyre origjinale (burimore). Ky përdorim i dyllojshëm shfaqet me dysi formash e paraqet problem që duhet zgjidhur. Mendojmë se forma e dytë (b) e shkrimit të emrave të huaj vetjakë është më i drejtë. 

Nga pikëpamja morfologjike, parashtrohet pyetja vallë këta emra të huaj varësisht nga funksioni në fjali duhet të përshtaten sipas rregullave të lakimit të emrave në trajtën e pashquar e në të shquarën, si gjithë emrat e tjerë, pa përjashtim; përfshirë edhe emrat personalë, qofshin ata vendas ose të huaj. Vlerësojmë se edhe emrat e huaj vetjakë në shqipen duhet të lakohen nëpër rasa, duke shënuar me vizë nyjat shquese e mbaresat rasore, sipas tipit: Bayron-i,-it,-in; Victor Hugo, Victor Hugo-i,-it,-in; Friedrich Schiller-i,-it,-in; Heinrich Heine-ja,-it,-en etj. Në normat kategorike të gjuhës (fonetike e morfologjike), nuk duhet të ketë dy apo më shumë forma, por kur ka luhatje e shumësi formash, standardi zgjedh vetëm njërën formë si të drejtë, ndërsa format e tjera nuk zhbëhen, por edhe më tej do të përdoren në ligjërime e në stile të tjera të gjuhës (përveç në ligjërimin libror). 

Për këtë larmi si dhe për probleme të tilla të ngjashme drejtshkrimore, drejtshqiptimore e morfologjike apo edhe të natyrave të tjera që kemi e do t’i sjellë në të ardhmen zhvillimi i gjuhës në rrjedhë të kohës, duhet gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme. Është e njohur se gjuha gjithnjë është në lëvizje, në zhvillim dhe pëson ndryshime nga faktorët gjuhësorë e jashtëgjuhësorë, të brendshëm e të jashtëm. Drejtshkrimi, drejtshqiptimi, gramatikat, fjalorët e veprat e tjera, me të cilat përshkruhet gjuha bashkëkohore dhe përcaktohen normat e standardit, gjithsesi duhet të jenë në përputhje me etapën e zhvillimit të gjuhës. 

Shumë shpesh dëgjojmë e lexojmë emra e mbiemra të huaj personalë të papërshtatur me sistemin e lakimit që ka shqipja, edhe pse sipas funksionit të tyre në fjali do të duhej të përdoreshin në formë rasore të caktuar. Bie fjala, kujtojmë se është e parregullt të thuhet në shqip: U takua me Bush, në vend të formës normative: U takua me Bush-in. Jo: Paraprakisht Veljanovski ka dërguar shkresë deri te Ivanova …; por: Paraprakisht Veljanovski i dërgoi shkresë Ivanov-ës … Koha, 07. 12. 2012, f. 3. Keq: Interi u përforcua me Martinez. Mirë: Interi u përforcua me Martinez-in. 

Pra, është e parregullt të thuhet apo të shkruhet në shqip: 

Gabimisht

Drejt

Trump sulmon Biden ...

Trump-i sulmon Biden-in ... 

(kush?, kë?)

Bush paralajmëron Putin.

Bush-i paralajmëron Putin-in. 

(kush?, kë?)

Biden paralajmëron Putin.

Biden-i paralajmëron Putin-in. 

(kush?, kë?)

Putin do ta paguajë!

Putin-i do ta paguajë! 

(kush?, çfarë?)

Ushtria e Putin ka humbur logjikën ...

Ushtria e Putin-it ka humbur logjikën ...

(kush?, çfarë?)

Putin është bërë njësoj si Millosheviç.Putin-i është bërë njësoj si Millosheviq-i. (kush?, si kush?)
Putin ka folur me Macron.

Putin-i ka folur me Macron-in. 

(kush?, me kë?)

Putin mund t’i ketë ardhur fundit...

Putin-it mund t’i ketë ardhur fundi... 

(kujt?, çka?)

 

Në morfologjinë normative thuhet qartë se “në gjuhën shqipe lakohen të gjithë emrat, pa përjashtim, cilido qoftë burimi i tyre.”

15. Mosdallimi i gjinisë së përemrave vetorë të vetës së tretë të numrit shumës ata dhe ato: ata burra dhe ata gra ose ato burra dhe ato gra (për të dy gjinitë) është dukuri mjaft e përhapur jo vetëm në të folmet shqipe të Maqedonisë së Veriut, por edhe më gjerë;  rrjedhimisht kjo veçori shfaqet shpesh edhe në ligjërimin letrar të folësve të këtij areali, qoftë në formën e folur, qoftë në formën e shkruar. Vlen të përmendet me këtë rast se edhe maqedonishtja ka vetëm një formë të vetme të përemrit vetor të vetës së tretë të shumësit për të dy gjinitë (тие (tie), për gjininë mashkullore e gjininë femërore). Po kështu, jorrallë në vend të përemrave vetorë ne, ju në rasat e drejta (emërore e kallëzore) përdoren gabimisht trajtat e tyre të rasave të zhdrejta (gjinores, dhanores e rrjedhores): neve, juve (neve kemi punuar, juve jeni të zellshëm). 

16. Përdorimi i panevojshëm i përemrave vetorë para foljeve. Nën ndikimin e gjuhëve të huaja (të anglishtes, gjermanishtes ose frëngjishtes), por edhe për të vënë në pah a mbitheksuar vetveten ose partinë, organizatën, shoqatën e tij, veçmas politikanët përdorin përemrat vetorë shumë shpesh, saqë çdo fjali e frazë e fillojnë me unë ose ne, sipas tipit: Unë ju premtoj se do ta asfaltoj rrugën... Ne si parti kemi punuar... Unë ju garantoj se... Në titrimet apo në përkthimet e serialeve turke gabohet me përdorimin e panevojshëm të përemrave, sipas tipit: shiko mua. Ma trego mua të vërtetën. A do ti mua... 

Dihet se në shqipen nuk ka nevojë të paravendosen përemrat vetorë para foljeve, për shkak se mbaresa foljore është tregues i vetëmjaftueshëm i vetës, përkatësisht me kallëzuesin (foljen, veprimin) shprehet edhe kryefjala (kryesi i veprimit, personi që e kryen veprimin). Me fjalë të tjera, shqipja si edhe disa gjuhë të tjera me zgjedhim të pasur foljesh ku mbaresat foljore janë tregues edhe i vetës së personit që kryen veprimin,  pothuajse për çdo vetë ka mbaresa foljore të posaçme (me ndonjë përjashtim), andaj te këto gjuhë nuk është e udhës para çdo foljeje të përdorim edhe përemrin vetor. Përkundër kësaj, te disa gjuhë, si në anglishtes e në frëngjishten shumë folje kanë formë të njëjtë për disa veta, si fjala vjen, në frëngjishten: në kohën e tashme njëjës, veta I: je travaille (unë punoj), veta II: tu travaille (ti punon), veta III: il (elle) travaille (ai (ajo) punon). Pra, për tri vetat e njëjësit përdoret e njëjta formë e foljes: travaille dhe prandaj përdorimi i përemrit vetor para foljes është i nevojshëm e i detyrueshëm. 

17. Përdorimi i pavend i formave rasore të emrave. Gabimet në mospërdorimin e rasës gjinore në shkrimet gazetareske në Maqedoninë e Veriut janë shumë të shpeshta. Në shpalljet a konkurset për punësim, në gazetat shqipe shumë shpesh mund të lexojmë: Një arsimtar për gjuhë maqedonase, për histori, për fizikë, për kimi, për gjuhë angleze, për sociologji (Lajm, 07.12.2012, f. 28, 29, 30; në vend: një arsimtar për lëndën: e maqedonishtes, e historisë, e fizikës, e kimisë, e anglishtes, e sociologjisë). 

Dukuri shumë e shpeshtë është zëvendësimi i formës së drejtë të gjinores së emrit me parafjalë + emër (sipas modelit të anglishtes, maqedonishtes ose të ndonjë gjuhe tjetër që nuk ka lakim). Rëndom, te ne shpeshherë shkruhet gabimisht: Ministri për punë të jashtme të Maqedonisë, Ministria për arsim dhe shkencë (në vend: Ministria e Arsimit dhe e Shkencës); Fakulteti filologjik, Fakulteti ekonomik (në vend: Fakulteti i Filologjisë, Fakulteti i Ekonomisë etj.). 

18. Adresimi i letrave mederi te. Në adresimin e letrave, kërkesave, lutjeve dhe përgjithësisht të ndonjë shkreseje zyrtare rëndom shkruhet gabimisht: deri te…. Ministria për arsim dhe shkencë, Byroja për zhvillimin e arsimit, Këshilli mësimor-shkencor i fakultetit filologjik… Dokumentet dorëzohen deri te Arkivi I Drejtorisë … (Lajm, 07. 10. 2012, f. 12). Dokumentet dorëzohen deri te Arkivi I Drejtorisë … (Lajm,  07. 10. 2012, f. 12). Ivanov dërgoi letër ngushëllimi deri te presidenti i Turqisë. Për këtë çështje Qeveria në gjysmën e parë të vitit ka dhënë drejtime konkrete deri te ministritë kompetente me çka, sipas Atanasoskit, punët kanë shkuar në drejtim më të mirë, ndërsa Drejtoria doganore ka marrë një seri aktivitetesh për lehtësimin dhe shpejtimin e transportimi të dërgesave ndërkombëtare. (Koha, 12 tetor 2015) etj.  

Mbështetur në normat e shqipes standarde, emri i institucionit që i drejtohemi duhet të shkruhet në rasën gjinore, sipas tipit: Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, Byrosë së Zhvillimit të Arsimit, Këshillit Mësimor-shkencor të Fakultetit të Filologjisë. 

Siç mund të vërehet edhe nga shembujt e sjellë, epidemi e përhapur në shkrimet shqip në Maqedoninë e Veriut është jo vetëm përdorimi i emrave në emërore me parafjalë në vend të formës së drejtë të tyre në rasën gjinore, por edhe shkrimi i emrave të institucioneve vetëm me shkronjën e parë të madhe e me të gjitha shkronjat e tjera të vogla, nën ndikimin e rregullave të drejtshkrimit të maqedonishtes. 

19. Fjala shqipe a termi i shqipëruar në vend të fjalës së huaj apo termit joshqip. Zakonisht ashtu siç duhet të kujdesemi gjithnjë për pastërtinë e trupit tonë, mjedisit dhe përgjithësisht për natyrën, ashtu duhet të kujdesemi edhe për pastërtinë e ligjërimit. Shqipja, si edhe shumë gjuhë të tjera të popujve të vegjël, kanë qenë dhe ende janë nën ndikimin e fuqishëm të gjuhëve të huaja, veçmas me depërtimin e vrullshëm e shpeshherë të panevojshëm të fjalëve të huaja. Parimisht, sa më pak fjalë të huaja, aq më mirë për të ruajtur qenien e një gjuhe si dhe për jetëgjatësinë e saj. Të pavetëdijshëm për këtë rrezik, mediet tona po përdorin pa nevojë një mal fjalësh të huaja, sidomos anglizma. Shumë shpesh po dëgjojmë e po lexojmë: peshore precize – peshore e saktë; definicion - përkufizim; kuantitet – sasi; mënyrë direkte – mënyrë e drejtpërdrejtë;  presion - trysni; esencial – themelor; medicinë  – mjekësi; inorganike  - duhet: joorganike); nomenklaturë – emërtim, emërtesë etj. 

20. Përkthimi i fjalëpërfjalshëm. Një dukuri shumë e përhapur në tekstet e mjeteve të informimit shqip në Maqedoninë e Veriut është përkthimi i fjalëpërfjalshëm i disa fjalive, togfjalëshave e shprehjeve, me fjalë e shprehje sipas gjedhës së huaj. Në pjesën më të madhe të rasteve përdoret gabimisht ndonjë fjalë në vend të fjalës përkatëse që përdoret në mbarë shqipen, si “edhe atë” nën ndikimin e maqedonishtes “i toa”: "Këtë vit, më së shumti reklamime janë paraqitur për dërgesat të humbura postare nga ana e operatorit kombëtar edhe atë gjithsej 2046 (Koha, 12 tetor 2015)Numri i aksidenteve edhe atë për 400 më pak se vitin e kaluar.  ... është votuar vendim (maq. e izglasana odluka). Për vitin shkollor 2012/2013 viti (në maqedonishten pas shifrës së vitit rregullisht shkruhet fjala vit - godina): deri më datë 31. korrik 2012 viti (Lajm, 07.12.2012, f. 18), profesor i çrregullt (nga gjuhët sllave, përfshirë edhe maqedonishten: vonreden profesor - në vend të prof. inordinar ose prof. i asocuar), përgatitje dimërore (Koha, 07.12.2012, f. 9, në vend të fjalës pajisje). 

Po kështu, e gabueshme është edhe shprehja “ndaj mendimin me ...” në vend “pajtohem me mendimin e...“ Një dukuri e shpeshtë në mjetet e informimit në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut është shprehja “vjen deri te” që është kalk nga maqedonishtja “doagja do” si në fjalinë: Nëse vjen deri te takimi …, (për: Nëse takohen)… 

Një ndikim tipik është edhe përdorimi i ndajfoljes “gjatë kohë“ kalk nga “dollgo vreme” në vend të shprehjes “për një kohë të gjatë“. Formë e papranueshme është edhe kalku “në pyetje është“ nga “maq. vo prashanje e” në vend që të thuhet “fjala është për” ose kjo është pyetje e rëndësishme nga “maq. ova e znaçajno prashanje” në vend që të thuhet “kjo është çështje e rëndësishme”.   

Gjatë shfletimit të gazetave ditore që botohen në Maqedoninë e Veriut gjejmë edhe fjali me mospërshtatje të përcaktorëve në gjini, përdorime të gabueshme të fjalëve nga pikëpamja kuptimore etj., si p.sh.: Paralajmërohet drejtuesit e automjeteve që të mos marrin rrugë pa ndonjë nevojë dhe pa përgatitje dimërore (duhet: Paralajmërohen …pa pajisje…, Koha, 07. 12. 2012, f. 9). Më 19 dhjetor do të zhvillohet spektri i bukurës (Lajm, 07.12.2012, f. 16, duhet: konkursi, spektakli i bukurisë) etj. 

21. Renditja e fjalëve në fjali sipas gjedhes së huaj. Në stilin administrativ, shoqëror-politik si dhe në stile të tjera të ligjërimit në Maqedoninë e Veriut është e shpeshtë renditja e fjalëve në fjali sipas gjedhes së huaj, veçmas sipas topikës së fjalëve në maqedonisht e në anglisht. 

Mjafton të rikujtojmë me këtë rast propozim-emrin e mëparshëm të Maqedonisë: Republika Ilindenase e Maqedonisë, edhe më keq Republika Ilinditase e Maqedonisë (në vend të formë së mundshme sipas natyrës së shqipes: Republika e Maqedonisë së Ilindenit). Ja disa të tilla: Në origjinal ose kopje e vulosur të diplomës ose certifikatë për arsimin e mbaruar (Lajm, 7.12.2012, f. 29). Origjinal ose kopje e vulosur nga diploma ose vërtetim për arsimin e kryer (Lajm, 07.12.2012, f. 30). Të zotërojnë gjuhën maqedonase dhe literaturë (në vend: Të zotërojnë gjuhën dhe letërsinë maqedonase; në një shpallje, Lajm, 07.12.2012, f. 28). Deri më 31.08. 2013 viti (maq.: do 31. 08 2013 godina; Lajm, 07.12.2012, f. 28, 29, 30); deri më datë 31.08.2012 viti (Lajm, 07.12.2012, f. 18). Që pritet të jep mundësi për pranimin në kohë të sa më të shpejt të kësaj dispozite (Lajm, 07.12.2012, f. 7). Takimi shpejtë është dashur të ndërpritet sepse në aspektin e kohës kaloi në ditën e enjte (duhet: shpejt, presje para lidhëzës sepse, mendimi nuk shprehet qartë; Lajm, 07. 12.2012, f. 2). Shpallje publike për punësim në kohë të caktuar deri më datë 31 gusht 2012 viti në dimenzionet vijuese: një arsimtar për informatikë, dy arsimtarë për mësim klasor… (Lajm, 07.12.2012, f. 30). 

22. Tekst i pakuptueshëm. Ndonjëherë na bie të lexojmë fjali e periudha të paqarta a vështirë të kuptueshme, madje edhe tekste të gjata të pakuptueshme: Evropa, sipas vlerësimit të ekspertëve, paraqitet mirë për në përballje me krizën (Koha, 11 tetor 2015)Në terma afatmesëm, duhej të arrihej edhe integrimi i tyre në tregun e punës. (Koha, 11 tetor 2015).

Si përfundim, mund të thuhet se për shkak të shumëgjuhësisë (multilinguizmit) e kulturës së dobët gjuhësore shpeshherë ndodhin përzierje kodesh. Për të arritur efektin e duhur, folësit përziejnë dy gjuhët me njëra-tjetrën në një lloj kokteji gjuhësor – pak fjalë nga shqipja e pak fjalë nga gjuha e huaj. 

Dukuria e përzierjes së kodeve hetohet jo vetëm në bisedat e përditshme të masës së gjerë popullore, por edhe në gjuhën e të arsimuarve, si në ligjërimin e personave publikë, ashtu edhe në përkthimet dhe interpretimet e shumta që bëhen te ne nga maqedonishtja në shqip, në tekstet e gazetave që botohen në Maqedoninë e Veriut etj. 

Le të shërbejë ky artikull, përfshirë edhe shumë trajtesa të tjera për kulurën e gjuhës, si një nxitje e thirrje për gjithë përdoruesit e gjuhës shqipe: intelektualët, pedagogët, shkrimtarët, gazetarët, përkthyesit, nxënësit, studentët dhe gjithë folësit e shkruesit e shqipes që në veprimtarinë e tyre ta përdorin drejt shqipen standarde.

Edhe me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, që e miratoi Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut (11 janar 2018) shqipja në dokumentet zyrtare nuk mund të përdoret më vete, pa maqedonishten. Maqedonia e Veriut nga modeli me një gjuhë shtetërore, do të duhet të kalojë në modelin me dy gjuhë shtetërore. Shembull i mirë është Kosova, ku gjuha shqipe dhe serbishtja janë gjuhë zyrtare në gjithë territorin e Kosovës, ndërsa gjuhët e minoriteteve janë zyrtare në nivel lokal. Në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut duhet përcaktuar statusin e shqiptarëve si shtetformues dhe të shqipes si gjuhë zyrtare (të barabartë me maqedonishten).[6] 

Masat që duhet ndërmarrë përmirësimin e kësaj gjendjeje të pamirë dhe për mbrojtjen e shqipes

Për të përmirësuar këtë gjendje të pamirë, me pasoja të rënda për gjuhën shqipe, ndihmesë të madhe duhet të japim të gjithë: familja, shkolla, intelektualët, institucionet shtetërore dhe gjithë shoqëria jonë. Çfarë masash duhet ndërmarrë për të përmirësuar këtë gjendje jo të mirë: 

  • prindërit duhet të kujdesen më shumë për arsimin e fëmijëve, për kulturën gjuhësore si dhe për kulturën e tyre të përgjithshme; 
  • mësimdhënësit duhet të punojnë më me përkushtim, me zell dhe me metoda të reja ndërvepruese (interaktive) dhe të zbatojnë normat letrare;
  • të motivohen nxënësit e studentët për të lexuar sa më shumë vepra letrare me vlera artistike e gjuhësore;
  • të sigurohen tekste mësimore cilësore;
  • mjetet e informimit të jenë më të kujdesshëm në zbatimin e normës gjuhësore, të emetojnë më shumë programe arsimore e edukative; 
  • nga organet kompetente, të investohet më shumë në arsim;
  • të themelohet një Këshill për Gjuhën Shqipe që do të mbikëqyr, japë këshilla e sugjerime për problemet e zbatimit praktik të shqipes standarde;
  • të punësohen njerëz kompetentë, lektorë të aftë e të zellshëm në organet e administratës shtetërore e publike, redaksitë e mjeteve të informimit etj.; 
  • kultura e gjuhës të jetë lëndë e domosdoshme në programet mësimore të të gjitha fakulteteve;
  • të organizohen seminare, takime pune, punëtori e kurse me arsimtarët, gazetarët, administratorët për të vetëdijesuar, përmirësuar e ngritur kulturën e tyre gjuhësore;
  • të ngrihet statusi zyrtar i shqipes nga gjuhë me përdorim të kufizuar në komunat me mbi 20% në gjuhë zyrtare në gjithë territorin e Maqedonisë;
  • të rregullohet me ligj ndëshkimi i shkeljes së normës gjuhësore;

dhe krejtësisht në fund: 

  • të ngrihet vetëdija jonë se ruajtja e pasurisë dhe e pastërtisë së gjuhës, zbatimi i saj në praktikë është jo vetëm detyrë individuale e çdo shqiptari, por edhe detyrë kombëtare, sepse pastërtia e gjuhës është treguesi më i mirë i ruajtjes së pastërtisë së kombit. Parashikohet se me globalizimin e botës, në dy shekujt e ardhshëm do të vdesin gjysma e gjuhëve të popujve të vegjël. Nëse e ruajmë gjuhën, do ta ruajmë edhe identitetin kombëtar. Po ta ndotim gjuhën, do ta ndotim edhe kombin. Po ta humbim gjuhën, do ta humbim edhe kombin. 

Prof. dr. Asllan Hamiti

 

Literatura e konsultuar

Material burimor: Gazetat ditore që botohen në Maqedoninë e Veriut “Lajm”, “Koha”.

Hamiti, Asllan, Diglosia në Maqedoni dhe problemi i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, Kumtesat nga Konferenca vjetore e shkencës “Java e Shkencës 2012”, mbajtur në Prishtinë, më 16-19. 05. 2012, f. 187-190. 

Hamiti, Asllan, Fonetika dhe fonologjia e gjuhës standarde shqipe, Shkup; 2005, 2011, 2020.

Hamiti, Asllan, Gjuha në mjetet e informimit publik në Maqedoni, Scupi 2, “Kongresi i Drejtshkrimit të gjuhës shqipe – vepër me vlera të mëdha kombëtare (Konferencë Shkencore, Shkup, 13. 06. 2012), Shkup, 2012, f. 71-86.

Hamiti, Asllan, Gjuha në mjetet e informimit publik në Maqedoni, Scupi 2, ITShKSh, Shkup, 2012, f. 71-86.

Hamiti, Asllan, Kultura e gjuhës për të gjithë, Sak-stil, Shkup, 2018.

Hamiti, Asllan, Përdorimi dhe mbrojtja e shqipes standarde në Maqedoni, Scupi 22, ITShKSh, Shkup, 2018, f. 47-63.

Hamiti, Asllan, Përdorimi i gabueshëm i rasave në përkthimet nga maqedonishtja në shqip, Kultura e gjuhës për të gjithë, Sak-stil, Shkup, 2018, f. 247-353.

Hamiti, Asllan, Redaktimi profesional dhe gjuhësor i përkthimeve, Punimet e Konferencës Shkencore Ndërkombëtare për Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, mbajtur më 20-22 shkurt 2020 në Shkup, Shkup, 2021, f. 35-49. 

Hamiti, Asllan, Shtjellime gjuhësore, Grafoden, Shkup, 2020.  

Ibrahimi, Zeqirija, Planifikimi gjuhësor në Maqedoninë e Veriut, Doracak i nëpunësve administrativë lidhur me zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së, Shkup, 2020, f. 12-18.

Omari, Anila, Problemi më i madh sot, kultura e dobët gjuhësorehttp://www.forumishqiptar.com 

Shkurtaj, Gjovalin, Urgjenca gjuhësore, Naimi, Tiranë, 2017.

Anila Omari, Problemi më i madh sot, kultura e dobët gjuhësorehttp://www.forumishqiptar.com 

Gjovalin Shkurtaj, Urgjenca gjuhësore, Naimi, Tiranë, 2017, f. 199-200.

Alfabeti i gjuhës shqipe ka 27 shkronja njëshe dhe 9 shkronja dyshe: : <th, dh, sh, zh, xh, rr, ll, gj, nj>. Sipas rregullave, shkronjat dyshe nuk ndahen meqë mund të lexohen si shkronja më vete, përkatësisht si fonema të veçanta. Shih: Asllan Hamiti, Fonetika dhe fonologjia e gjuhës standarde shqipe, Shkup, 2011, f. 33, 278.

Asllan Hamiti, Fonetika dhe fonologjia e gjuhës standarde shqipe, Shkup, 2011, f. 255-256. 

Foljet, te të cilat  /а/-ja apo /е/-ja e theksuar e rrënjës në kohën e tashme shndërrohet në  /о/ quhen folje apofonike. Foljet apofonike që në të tashmen mbarojnë me  -l, -ll, -rr nuk marrin ndajshtesën -ur në format e pashtjelluara. Prandaj duhet të themi:  për të dalë (jo: për të dalur), për të vjelë (jo: për të vjelur), për të sjellë (jo: për të sjellur). Shih: Asllan Hamiti, Fonetika dhe fonologjia e gjuhës standarde shqipe, Shkup, 2011, f.  227.

Zeqirija Ibrahimi, Planifikimi gjuhësor në Maqedoninë e Veriut, Doracak i nëpunësve administrativë lidhur me zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së, Shkup, 2020, f. 12-18.