NJOFTIM PËR MEDIE
Qendra për Edukim dhe Përparim (QEP), me seli në Prishtinë, ka ngritur padi penale kundër zyrtarit të Akademisë për Studime Albanologjike në Shqipëri, z. Valter Memisha, për shpifje dhe informacione të rreme, që cenojnë nderin dhe dinjitetin e këtij institucioni.
I akuzuari Memisha, sekretar i projektit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në mënyrë të paskrupullt ka thënë shumë të pavërteta kundër QEP-it, në emisionin e drejtpërdrejtë në RTSH të datës 02.06.2021.
Në këtë emision z. Memisha ka shpifur kundër QEP-it dhe punës profesionale për gjuhën shqipe, që bëhet nga ky institucion, me seli në Prishtinë.
Ai ka shpifur ndaj QEP-it kinse kemi marrë 1.5 milionë euro nga Fondacioni Evropian për fjalorin e tyre, duke thënë: “...dhe kishin marrë 1.5 milion euro nga fondacioni evropian për fjalorin tonë”.
Kurrë nuk kemi marrë as edhe një euro të vetme nga Fondacioni Evropian, as në Kosovë, as në Shqipëri, apo në ndonjë shtet tjetër, e lëre më të kemi vjedhur ndonjë gjë ndonjëherë.
Burimet kryesore të financimit tonë janë nga Qeveria e Kosovës dhe shitja e softuerëve tanë kompanisë botërore Microsoft.
Me Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë përhapja e qëllimshme e thënieve dhe informacioneve të rreme, kur kjo kryhet botërisht, dënohet deri në 3 milionë lekë.
Të gjitha ato që ka thënë për ne janë trillime qëllimkëqija për të realizuar konkurrencë të pandershme, duke dëmtuar reputacionin tonë të mirë që kemi në përparimin e gjuhës shqipe.
QEP-i ka një kontratë me Qeverinë e Kosovës, për më shumë se dhjetë softuerë për banorët e Kosovës, ndër të tjerë edhe softuerin për drejtshkrim, softuerin për sintaksë, softuerin për morfologji etj. Po kështu edhe hartimin e Fjalorit të madh të shqipes, në Prishtinë, proces ky që është në ecuri e sipër të zhvillimit të tij, me përfshirjen e gjuhëtarëve nga Prishtina, Tirana dhe më gjerë.
Në lidhje me këtë fakt, njëkohësisht, në Republikën e Shqipërisë, është duke u zhvilluar i njëjti projekt, i hartimit të Fjalorit të madh të shqipes, në Tiranë, nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e atjeshme e Studimeve Albanologjike.
Pra, në të njëjtën kohë, kombi shqiptar po zhvillon dy fjalorë, në kundërshtim të ashpër me njëri-tjetrin, njërin të financuar nga Qeveria e Kosovës, që do të jetë falas për banorët e Kosovës dhe tjetrin të financuar nga Qeveria e Shqipërisë përmes dy akademive të përmendura më sipër, me një buxhet shumë të madh për t’u hartuar, dhe një çmim tjetër shtesë që duhet ta paguajë çdo blerës për ta pasur në dorë, e jo falas, siç do të duhej të ishte, ngase paguhet paraprakisht nga Qeveria e Shqipërisë.
Sekretari i Projektit të hartimit të Fjalorit të madh të shqipes, nga Akademia e Shkencave dhe Akademia e Studimeve Albanologjike në Shqipëri, është pikërisht i akuzuari Valter Memisha.
Ne i dimë problemet e mëdha që ka zbatimi i ligjit në Shqipëri, por kemi shpresë të madhe se avokati i mirënjohur, z. Spartak Ngjela, do t’i shkojë drejtësisë deri në fund në këtë rast dhe gjykata në Shqipëri, sipas ligjit, të merret me të akuzuarin Valter Memisha dhe secilin që shpif kundër nesh, që kemi synim kryesor përparimin e gjuhës shqipe përmes digjitalizimit të saj.
Gjuha shqipe është pasuri kombëtare dhe nuk duhet lënë në duart e zyrtarëve të ulët shtetërorë. Madje, siç thotë Heidegger, “Gjuha është tepër e rëndësishme për t'ua lënë vetëm gjuhëtarëve”.
Prishtinë, 06.10.2021
Lulëzim Shishani, drejtor
Qendra për Edukim dhe Përparim