Prof. dr. Enver Hysa
Sistemi foljor i shqipes, siç dihet, shquhet për një larmi të madhe trajtash e mjetesh të shprehjes së kuptimeve gramatikore. Po të mbahen parasysh tipat e ndryshëm fonetikë të klasave foljore që përbëjnë këtë sistem, atëherë del më qartë në dukje se edhe nga pikëpamja e normës drejtshkrimore një varg problemesh janë zgjidhur në vija të përgjithshme drejt, por ka edhe probleme që presin ende të zgjidhen në mënyrë përfundimtare, në përputhje dhe me veçoritë gramatikore të vetë sistemit. Në këtë artikull do të diskutojmë për shkrimin e foljeve me –ua në formën joveprore të mënyrës urdhërore.
Ndër foljet e shqipes një vend të veçantë zë dhe një numër jo aq i madh foljesh, por jo i papërfillshëm, të cilat në kohën e tashme të mënyrës dëftore dalin me togun zanor –ua–. Këtij grupi i përkasin foljet bluaj, druaj, gatuaj, gjuaj, kruaj, luaj, paguaj, quaj, ruaj, rruaj, shquaj, shkruaj, shuaj, shpaguaj, tëhuaj, truaj, vuaj si dhe foljet që formohen prej tyre: brendashkruaj, jashtëshkruaj, nënshkruaj, parapaguaj, parashkruaj, përshkruaj, përshquaj, rishkruaj, rrethshkruaj, shpërbluaj.
Për shkak të kësaj karakteristike fonetike ato përbëjnë një grup më vete, gjë që shfaqet në përgjithësi edhe në trajtat paradigmore, të cilat në shumicën e rasteve paraqesin ndryshime të njëjta. Nuk është fjala për të shqyrtuar të gjitha trajtat që kanë foljet e kësaj klase, sepse ato në gjuhën letrare si rregull nuk kanë dysorë. Këtu do të merremi me çështjen që shtuam në fillim: si duhen përdorur foljet e këtij tipi në mënyrën urdhërore të formës joveprore: ruhu, kruhu, shuhu apo ruaju, kruaju, shquaju? Në radhë të parë, këtu duhet theksuar se jo të gjitha foljet e mësipërme e bie puna të përdoren në trajtën joveprore. Kjo duhet kuptuar kështu që, edhe në qoftë se ndonjëra prej tyre përdoret në ndonjë mënyrë, kohë a vetë në trajtën joveprore, ajo nuk del në një trajtë të tillë në urdhërore. Kështu ndodh, p.sh., me foljet bluaj, luaj, vuaj e disa të tjera që, edhe pse dalin në mënyra e kohë të ndryshme në trajtën joveprore: bluhet, është bluar, u blua; luhet, është luajtur, u luajt, u luajtka, të luhet, do të luhet etj., si rregull nuk dalin në një trajtë të tillë në urdhërore, në gjuhën e shkruar (megjithatë nuk mund të përjashtohet mundësia e përdorimit të ndonjërës prej tyre në raste të veçanta, të paktën në gjuhën e folur, edhe në urdhëroren joveprore.
Foljet e këtij tipi, që kanë urdhërore joveprore ose që mund të dalin në këtë trajtë në gjuhën e folur, por edhe në të shkruarën, herë-herë paraqiten në dy trajta: në trajtën që e ruan togun zanor –ua-të temës dhe merr tingullin –j- për zhdukjen e hiatusit ndërmjet këtij togu dhe pjesëzës së prapangjitur –u- të trajtës joveprore, si ruaju, shquaju, shkruaju, shuaju etj., dhe trajta tjetër, ku togu zanor –ua- thjeshtohet në –u- dhe shtohet tingulli -h- për të zhdukur hiatusin ndërmjet kësaj –u-je dhe pjesëzës u të trajtës joveprore: ruhu, shquhu, shkruhu, shuhu, kruhu, rruhu etj. Për këtë tip foljesh në këtë trajtë nuk është mbajtur qëndrim në veprat normëzuese.
Për të bërë një zgjedhje sa më të drejtë ndërmjet këtyre dy trajtave variante, për të ngritur në normë në gjuhën letrare njërën prej tyre, është e nevojshme të hedhim një sy edhe në grupet e tjera të foljeve, qoftë të një tipi fonetik të afërt me tipin në shqyrtim, qoftë të tipave të tjerë. Kështu, në radhë të parë, vijnë në vështrim foljet që dalin me togun zanor –ye-, të tilla si gërryej, kryej, lyej, ngjyej, përkryej, përlyej, shqyej, thyej, zhgërryej etj., por edhe foljet e tjera të zgjedhimit të parë që mbarojnë në zanore, të tilla si laj, thaj, largoj, shtyj etj.. Foljet e tipit me togun zanor –ye-, kanë përdorim paralel me foljet me togun zanor –ua-, prandaj zgjidhja që do të vendoset për njërin grup do të shtrihet dhe në grupin tjetër.
Siç dihet, mënyra urdhërore e shqipes ka dy trajta të veçanta: një për vetën e dytë njëjës dhe një për vetën e dytë shumës, të cilat në mjaft raste dalin njësoj si trajtat e vetave përkatëse të mënyrës dëftore, por në disa tipa foljesh vihen re dhe ndryshime jo të parëndësishme. Veçanërisht të dukshme janë ndryshimet për trajtat joveprore.
Foljet e tipit me temë në zanore –a-, -y- në vetën e dytë të njëjësit në urdhërore marrin mbaresën –j: la-j, tha-j, fry-j. Po kështu dalin në urdhërore edhe foljet me temë në togun zanor –ua-, –ye-, -ie-: shkrua-j, ngjye-j, zie-j. Foljet me temë në –o-, -e-, -i- në urdhërore dalin pa mbaresë: puno, ndërto, mëso, këmbe, rrëfe, fshi etj. (1) Kështu dalin në përgjithësi, me përjashtime të rralla, këto folje në mënyrën urdhërore edhe kur prihen nga pjesëza e mohimit mos.
Në formën joveprore të urdhërores foljet prihen ose ndiqen nga pjesëza u që shërben për të ndërtuar këtë trajtë foljore, jo vetëm të urdhërores, por edhe të disa kohëve të mënyrave të tjera. Sipas tipave të mësipërm të foljeve, kur formanti u i paraprin trajtës joveprore të foljes kemi format: mos u la-j, mos u tha-j, mos u fry-j, mos u largo, mos u këmbe, mos u fshi etj. Të njëjtin tip ndërtimi kanë në këtë trajtë foljore edhe foljet në shqyrtim: mos u ruaj, mos u rruaj, mos u shkruaj, mos u kruaj, mos u lyej, mos u ngjyej, mos u përlyej, mos u shqyej, mos u zhgërryej.
Kur formanti –u- ndjek foljen në urdhërore, për të shmangur takimin e zanores fundore të temës me këtë formant, foljet në zanore marrin tingullin –h- kundër hiatusit: lahu-lahuni, thahu- thahuni, fryhu-fryhuni, largohu-largohuni, këmbehu-këmbehuni, fshihu-fshihuni etj. Edhe pse në ndonjë të folme të shqies në vend të tingullit –h- dëgjohet tingulli –j- (ktheju, laju, thaju) ose ndonjë variant pa tingull kundër hiatit, gjuha letrare ka përgjithësuar e ngritur në normë me të drejtë trajtat e tipit lahu, lahuni etj.
Ndryshe nga foljet në zanore, foljet me temë në –ua-, -ye- në trajtën joveprore dalin në urdhërore me dy variante: ruaju-ruajuni dhe ruhu-ruhuni; lyeju-lyejuni dhe lyhu-lyhuni. Po të niseshim nga trajtat ku formanti u prin foljen (mos u ruaj, mos u shkruaj, , mos u lyej, mos u ngjyej) , atëherë do të mendonim që, për hir të ruajtjes së temës foljore, të pranonim si normë variantin me tingullin –j- kundër hiatit, edhe kur formanti u vendoset prapa, pra: ruaju-ruajuni, lyeju-lyejuni. Kështu ruhen të plota edhe togjet e zanoreve –ua, -ye-, duke kaluar nga njëjësi në shumës. Mirë po kjo do të binte ndesh, së pari, me gjithë sistemin e trajtave të formës joveprore, ku del tingulli –h- për të shmangur hiatin dhe ku togjet zanore –au- e –ye- thjeshtohen në –u- dhe –y-. Mjafton të kujtojmë këtu format bluhet, druhet, gatuhet, kruhem, luhet, paguhet, shkruhet, ruhem, rruhem, kryhet, lyhet, përkryhet, shquhem, thyhem, zhgërryhem etj., për të cilat as që shtrohet problemi i ruajtjes së togjeve zanore –ua- e –ye- si të tilla; ato në këto forma thjeshtohen në –u- dhe –y-. Së dyti, edhe foljet me temë në zanore, siç u pa më lart, marrin tingullin –h-, kur formanti –u- i prapangjitet temës së foljes, duke u paraqitur kështu disi ndryshe nga njëjësi. Krahaso: mos u laj dhe lahu, mos u fryj dhe fryhu.
Për këto arsye, ne mendojmë se për foljet me temë në –ua- dhe –ye- , sido që varianti me tingullin –j- ka një përdorim relativisht jo të vogël, sidomos në gjuhën e folur, duhen parapëlqyer e përgjithësuar si normative trajtat me tingullin –h- si antihiatizues, pra: druhu-druhuni, kruhu-kruhuni, quhu-quhuni, ruhu-ruhuni, rruhu-rruhuni, shkruhu-shkruhuni, truhu-truhuni, lyhu-lyhuni, ngjyhu-ngjyhuni, përlyhu-përlyhuni, shqyhu-shqyhuni, thyhu-thyhuni, zhgërryhu-zhgërryhuni. Në këtë mënyrë edhe foljet e këtij tipi nuk bëjnë përjashtim nga sistemi i trajtave joveprore të foljeve të vështruara në tërësi e jo vetëm brenda mënyrës urdhërore. Këtë zgjidhje e bën më bindëse dhe trajta e shumësit të urdhërores joveprore të folje ruaj ruhuni (Ruhuni nga vini! Ruhuni nga boja!) që mund të thuhet se është ngulitur edhe në përdorimin e përditshëm.
(Gjuha jonë, 1983, 3, f. 71-74)
(1) Shih për këtë dhe Fonetika dhe gramatika e gjuhës letrare shqipe, II, Morfologjia, Tiranë, 1976, f. 253-254 dhe Gjuha letrare shqipe për të gjithë, Tiranë, 1976, f. 146-148