Publikime

Bashkimi i ri gjuhësor mbarëshqiptar, i domosdoshëm!
Gjuha standarde shqipe dhe dialektet e shqipes sot
U mbajt punëtoria për përdorimin e “Kullës së shqipes”
Forma paralele të së pakryerës së foljes ‘them’
Mirëmëngjesi Kosovë – Mirëmëngjes Shqipëri
Shqipja e përdorur në rrjete sociale, rasti i Facebook-ut
Ruaju apo ruhu? Një problem i diskutueshëm morfologjik
Lidhet marrëveshja për digjitalizimin e gjuhës shqipe në Malin e Zi
Mundësi të reja të pasurimit të gjuhës
Intervistë me z. Lulëzim Shishani në ATV
Barasvlerësit shqip të termëve të huaja në terminologjinë e informatikës
Gabimet më të shpeshta gjuhësore në gazetat që botohen në Maqedoninë e Veriut
Parimet dhe kriteret për hartimin e Fjalorit të madh të gjuhës shqipe
Toponimia dhe shtrirja dialektore e shqipes - dëshmi e autoktonisë së shqiptarëve edhe në Maqedoninë e Veriut
Letër e hapur për bashkim gjuhësor
Konferencë për media më 5 nëntor, 2022 (e shtunë), ora 14.00, në hotelin “Swiss Diamond” në Prishtinë
Digjitalizimi i gjuhës shqipe në Mal të Zi
Disa këshilla të thjeshta gjuhësore
Shpallet fajtor dhe dënohet për shpifje zyrtari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Valter Memisha
Gjuha shqipe në erën digjitale
Falas për banorët e Republikës së Kosovës
Konflikte gjuhësore gjatë përdorimit të varieteteve në terminologjinë kompjuterike
Fjalori i madh i gjuhës shqipe i Republikës së Kosovës drejt suksesit
Fjalori i madh drejtshkrimor me 300.000 faqe i Republikës së Kosovës
Këshilli Kombëtar Shkencor i projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”
Fjalori i madh i gjuhës shqipe – problemet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë!
Padi penale kundër Valter Memishajt, zyrtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Formohet Këshilli Kombëtar Shkencor i projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”

Konflikte gjuhësore gjatë përdorimit të varieteteve në terminologjinë kompjuterike

Prof.dr. Mustafa Ibrahimi

Termi ideologjia gjuhësore në kuptim më të gjerë ka të bëjë me një sistem të besimeve të përbashkëta për vlerat e varieteteve të ndryshme gjuhësore. Në këtë punim do shqyrtojmë konfliktin gjuhësor që paraqitet midis purizmit gjuhësor dhe ideologjisë gjuhësore gjatë përdorimit të termave të huaja kompjuterike në krahasim me termat e gjuhës shqipe. Shumë shtete të cilët manifestojnë identitetin e vet, i japin rëndësi çdo aspekti gjuhësor, duke përfshirë edhe format e reprezentimit grafik, shikuar nga aspekti sociolinguistik. Emërtimet kompjuterike shqipe shpesh marrin emrat nga gjuha angleze, me adaptime të ndryshme gjuhësore. Në këtë punim do të tregojmë tri mënyra, theks të veçantë do ti kushtojmë zëvendësimit të fjalëve të huaja me fjalë shqipe. Por sa kjo respektohet dhe nga cilat shtresa do të jetë tema kryesore e punimit tonë.

Fjalë kyçe: konflikt gjuhësor, ideologjia gjuhësore, purizmi, terme kompjuterike, identiteti, terminologji   

Hyrje

      Baza e hulumtimit të këtij punimi do të jenë ideologjia gjuhësore, konflikti gjuhësor dhe purizmi në kuadër të diskutimeve rreth anglicizmave  që përdoren në terminologjinë kompjuterike. Përdorimi i kësaj teknologjie e me këtë edhe emërtimet e saja, konsiderohet si kusht kryesor për funksionimin e një bashkësie shoqërore. Ndikimi kaq i madh, zanafillën e ka nga vitet 90 të shek.XX, kur teknologjia kompjuteristike mori hov, duke patur ndikim të veçantë në gjuhët evropiane  (Fischer 2008:2), vlerësohet se për çdo vit krijohen rreth 1000 fjalë të reja nga fusha e teknologjisë informative (Munday 2005:61). 

Ky ndikim i anglishtes nuk është karakteristik vetëm ndaj gjuhës shqipe, por anglishtja në masë të njëjtë ka ndikim edhe ndaj gjuhëve tjera botërore, në të cilat  po ashtu analizat janë të përqendruara në fushën leksikore (Gorlach 2003:1). Ky ndikim ka vazhduar edhe në fillim të shek.XXI, falë zhvillimit teknologjik që vazhdon edhe sot me një intensitet edhe më të madh, duke u vetëkuptuar se edhe pas dy dekadash numri i anglicizmave është në rritje edhe në Shqipëri, Kosovë dhe viset tjera shqipfolëse.  Shkaku pse ndodh kështu, gjithsesi përgjigjen e gjejmë tek statusi i anglishtes sot si gjuhë globale dhe si lingua franca. Ndikimi i anglishtes, nuk është i vogël edhe në fushat tjera, porse në fushën e kompjuteristikës ai është më i madh (Hoffmann 2000:10). Domosdoshmëria  për njohjen e këtij repertori leksikor vërtetohet edhe në faktin se me këtë terminologji përveç folësve të rritur, shërbehen edhe shumë fëmijë, (Robinson, 2009:3), madje në raste të caktuara edhe fëmijë nga mosha tetëmbëdhjetë muajsh (Healy 1998:20).   Mirëpo, emërtimet kompjuterike në të shumtën e rasteve nuk janë të rregulluara mirë, prej këtu ekzistojnë edhe shumë dilema, pasiguri dhe dyshime (Jurko 2005:235), që e bën kjo fushë të jetë interesante për hulumtim, jo vetëm nga aspekti leksikologjik në kuadër të kontakteve gjuhësore, por edhe në aspektin e konflikteve gjuhësore si dhe manifestimeve të ndryshme të ideologjive gjuhësore.

  1. Rreth termit anglicizma

      Anglicizmat që përdoren në terminologjinë kompjuterike shumë rrallë konsiderohen si ndërkombëtare, sepse anglishtja shërben si burim i veçantë nga dalin të gjitha emërtimet kompjuterike. Emërtimi anglicizëm në këtë punim është përdorur me kuptimin “fjalë me burim të fundit nga anglishtja, pavarësisht nga rruga e hyrjes në gjuhën shqipe”. Anglicizmat përbëjnë shtresën më të re të huazimeve të shqipes dhe si të tilla nuk kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve nga fusha e etimologjisë. Në “pjesën hyrëse” prej më se 100 faqesh të veprës së tij në 7 vëllime “Studime etimologjike në fushë të shqipes”, Eqrem Çabej nuk përmend asnjë fjalë me burim nga anglishtja. Në gjuhësinë shqiptare anglicizmat kanë filluar të trajtohen si të tilla në vitet ’80 të shekullit të shkuar. (Lafe 2011:294).  Studiuesi Vesel Nuhiu, në përpjekjen për të përcaktuar anglicizmat e kodifikuar  të përfshirë në “Fjalorin drejtshkrimor të gjuhës shqipe (1976) dhe në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe”(1980)  ka nxjerr se të dy këta fjalorë së bashku përmbajnë 160 anglicizma, ndërsa sipas vëzhgimeve të tij në gjuhën e folur e të shkruar përdoren rreth 850 anglicizma. (Nuhiu 1988:88,129). Sipas studiuesit Emil Lafe, nga një listë prej 600 anglicizmash që janë të njohur në një masë pak a shumë të gjerë njerëzish në Shqipëri dhe në Kosovë, do shohim se anglicizmat që lidhen me fushën kompjuterike, informatike dhe internetit zënë vendin e dytë me 77 terma, menjëherë pas fushës së sportit me 79 terma. (Lafe 2011:296-297).

      2. Purizmi

Kur bëhet fjalë për manifestimet e ndryshme të ideologjive gjuhësore, më e rëndësishme është ajo që lidhet me intervenimin e drejtpërdrejtë gjuhësor në kuadër të planifikimit gjuhësor, purizmit gjuhësor dhe standardizimit. Purizmi gjuhësor njësoj është i lidhur si me shprehjet e gjuhës amtare ashtu edhe me shprehjet e huazuara që nuk janë të pranuara me normat e standardit, por në një apo në mënyrë tjetër kanë gjetur përdorim të gjerë në një gjuhë. 

2.1. Purizmi në shtetet e ndryshme të botës dhe tek ne

Purizmi ka pasur një truall të përshtatshëm dhe ka lulëzuar sidomos në regjimet diktatoriale, të cilët me këtë kanë dashur të krijojnë një sensibilitet për gjuhën e popullit të vet. Kështu Pol Poti, gjatë sundimit të tij diktatorial në Kamboxhia, kishte futur si një nen kushtetues “dënimin” me vuajtje fizike për atë që përdorte fjalë franceze gjatë shkrimit në gjuhën kmere. Diktatori spanjoll, gjenerali Franko e shpalli jolegale komunikimin në çfarëdo gjuhe tjetër përveç katalonishtes spanjolle, duke ndaluar gjuhët baske, katalonase dhe gale. (Trask 2005:154). Edhe gjatë diktaturës në Shqipëri ka pasur një politikë puriste. Interesante është edhe regjimi kinez i cili ndalon të gjitha fjalët e huaja.

Te disa popuj purizmi është më i theksuar, se disa të tjerë. Për pastërtinë e gjuhës nga elementi i huaj si kampione mund të shquhet Franca, e cila me ligjin numër 94-665 detyrohen të gjithë që lajmërimet publike, reklamat e me këtë edhe fjalët kompjuterike të jenë në gjuhën frënge. Ky ligj është i njohur edhe si ligji i Toubonit. Irlandezët për çdo shprehje angleze krijojnë neologjizëm nga gjuha e vet. Purizmi në gjuhën gjermane është trajtuar në traktate e botime të veçanta dhe vazhdon të trajtohet edhe sot. Te popujt e Ballkanit, purizmi është më i theksuar te kroatët, i cili gjerësisht mbështetet edhe nga qeveria, duke krijuar statusin e religjionit shtetëror. Edhe në gjuhën shqipe purizmi vazhdon të konceptohet si një shekull më parë – pothuajse si në epokën e romantizmit. Megjithatë ekzistojnë shumë gjuhëtarë që janë vënë në anën e purizmit, duke filluar me rilindësit Naim e Sami Frashëri, A.Xhuvani, E.Çabej, S.Pepa etj. Dhe kundërshtarët e purizmit që nuk janë të paktë, si: Fan Noli, J.Nokli, Sh.Demiraj, K.Jorgaçi, A.Vebiu, të cilët mbajnë një tjetër qëndrim të përkundërt ndaj purizmit. (Murati 2011:284-285).

2.2. Anglicizmat në raport me purizmin si formë të ideologjisë gjuhësore

Procesi i standardizimit dhe përpjekjet puriste janë ngushtë të lidhura dhe janë në kompetenca  thelbësore të kulturës gjuhësore. Në purizmin gjuhësor mund të shikojmë edhe si një formë e ideologjisë gjuhësore, në kuadër të cilës vjen deri te izolimi i gjuhës ndaj huazimeve nga jashtë. Në kuadër të zhvillimit të purizmit gjuhësor, ky izolim është selektues, sepse në të shumtën e rasteve bëhet fjalë për mënjanimin e elementeve të atyre gjuhë të huaja që paraqesin rrezik në kontekst të gjerë sociolinguistik (Weinstein 1989). Në situata të tilla lind konflikti gjuhësor, që në të shumtën e rasteve manifestohet në vetëdijen e individit në raport me qëndrimet ose stereotipat ndaj gjuhëve të caktuara ose varieteteve gjuhësore, gjegjësisht folësve të tyre.

Edhe ndikimi i anglishtes ndaj gjuhëve tjera, përfshirë këtu edhe gjuhën shqipe sjell deri te reaksionet puriste me intensitete të ndryshme. Interpretimet e anglicizmave në kuadër të gjuhës shqipe, jo përherë gjejmë qasje puriste tradicionale, duke ditur se në proceset e përgjithshme globale, anglishtja luan rol kryesor, andaj edhe shumë fjalë nuk mund të përkthehen. Pa marrë parasysh se në periudha të caktuara të zhvillimit historik të gjuhës shqipe ka pasur tendenca purizmi, kryesisht në periudhën e Rilindjes Kombëtare gjatë shek. XIX, në kohën e krijimit të identiteteve, si dhe gjatë diktaturës në Shqipëri kur ka pasur një politikë puriste. Kjo veprimtari puriste me fjalët e huazuara nga turqishtja gjatë Rilindjes zhvillohej  si shenjë e urrejtjes ndaj sundimit të gjatë osman, kurse gjatë diktaturës si shenjë ndaj urrejtjes ideologjike ndaj imperializmit anglo-amerikan. Falë albanologëve të ditur të kohës, siç ishte Norbert Jokli, i këshillonte që ta ndalin këtë veprimtari jodobiprurëse për vetë ata, duke theksuar “Mos shani gjuhën duke kujtuar se po e pastroni. Puna nuk është aq në fjalët e huaja sesa në shpirtin e gjuhës, të cilin duhet ta ruani nga çdo bastardim”. (Murati 2011:274).

3. Format e konfliktit gjuhësor midis anglishtes dhe shqipes

3.1. Format e konfliktit gjuhësor në fushën e leksikut

Format e konfliktit gjuhësor midis anglishtes dhe shqipes, paraqiten më së shumti në fushën e leksikut. Analiza serioze të këtij konflikti gjuhësor daton nga gjysma e dytë e shekullit XX. Ky ndikim i anglishtes nuk është karakteristik vetëm ndaj gjuhës shqipe, por anglishtja në masë të njëjtë ka ndikim edhe ndaj gjuhëve tjera botërore, në të cilat  po ashtu analizat janë përqendruar në fushën leksikore (Gurlach 2003:1). Ky ndikim ka vazhduar edhe në fillim të shek.XXI, falë zhvillimit teknologjik që vazhdon edhe sot me një intensitet të madh.

Teoria e konfliktit gjuhësor lindi me zhvillimin e gjuhësisë së kontaktit në pjesën e dytë të shek.XX, zakonisht midis folësit dhe bashkësisë gjuhësore, e jo midis vetë gjuhëve ose varieteteve të tyre gjuhësore. Konfliktet midis gjuhëve lindin edhe për shkak të kuptimit dhe vlerës që folësi ia përshkruan një forme gjuhësore (Bugarski 1990). Sipas parimeve të gjuhësisë së kontaktit, çdo kontakt gjuhësor përfshinë edhe konfliktin gjuhësor (Strubell 2001:48; Nelde 1991:59; Salverda 2003:130), sidomos në raportin gjuha e shumicës në raport me gjuhën e pakicës në një shtet shumëkulturor dhe shumëgjuhësor. Por një situatë të tillë nuk kemi midis anglishtes dhe shqipes, sepse shqipja nuk është pakicë në një shtet anglishtfolës, prandaj shtohet pyetja a kemi konflikt gjuhësor, pa kontakt gjuhësor? A bëhet këtu fjalë për konflikt gjuhësor serioz, apo konflikti gjuhësor që është paraqitur në një kohët të caktuar, i pranishëm vetëm si një mundësi.  Prej këtu ky konflikt gjuhësor përmban dimension shoqëror, sepse folësi nuk përdor qëndrime apo stereotipa ndaj një gjuhe të caktuar apo varieteti gjuhësor, apo ndaj folësve të tyre (McRae 1989).

3.2. Purizmi si tentativa e spastrimit rrënjësor të gjuhës 

Purizmi në kuptimin e sotëm filologjik është pastrimi i gjuhës nga fjalët e huaja me tendencë për të larguar çdo huazim nga gjuhët e huaja. Purizmi nuk ka qenë kurë i theksuar te anglishtfolësit, por folësit e kroatishtes, frëngjishtes, gjermanishtes, islandishtes, turqishtes, finlandishtes, baskishtes, shqipes etj, kanë qenë më kërkues në veprimtarinë e tyre gjuhë pastruese nga elementet e huaja. Kështu francezët edhe termin e anglishtes computer “llogaritës” e quajnë ordinateur, termin software “pajisje programore” – logiciel, etj. (Trask 2005:154). Si argument i kësaj, shpeshherë si  ekuivalent i fjalës së huaj, në gjuhën shqipe, por edhe në shumë gjuhë tjera paraqiten më tepër fjalë, p.sh.:   hardware   -    “pjesë metalike / pjesë elektronike”, software  (softuer) -   “program / mjete programuese / program kompjuterik” (Hysa 1998).  Mungesa e emërtimeve të tilla ndodh për shkak se janë joekonomik dhe se është shumë vështirë të formohen fjalë të reja, me të cilat termi do të mund të shpjegohej në mënyrë më precize. Megjithatë, në të shumtën e rasteve gjatë përkthimit të një huazimi, paraqitet një rezistencë e fortë. Një argument tjetër gjatë përpjekjes  që një huazim të zëvendësohet me një fjalë burimore është dëshira për vënien e shprehjeve burimore si imponim i autoritetit gjuhësor.  

Koncepti i ideologjisë gjuhësore, në kuptim më të gjerë i referohet një sistemi të besimit të përbashkët të vlerave të varieteteve të ndryshme gjuhësore. Në përputhje me purizmin gjuhësor, si një formë e ideologjisë gjuhësore, e cila në mënyrë parësore manifestohet me mospranimin e elementeve të huaja (në rastin tonë anglicizmave), hulumtimi duhet të tregojë raportin konkret midis përdorimit të anglicizmave dhe shprehjeve burimore të shqipes, në kuadër të terminologjisë kompjuterike. Një vend të rëndësishëm do ti jepet edhe theksit, si një formë e rëndësishme të ideologjisë gjuhësore. Në vendet të cilët e theksojnë identitetin e tyre, kujdesen për çdo aspekt, duke përfshirë edhe “format e përfaqësimit grafik”(Woolard 1998:23). Deri te kjo vjen, sepse sipas kontekstit sociolinguistik, si normë krijuese nuk merren vetëm format drejtshkrimore, por edhe simbolet të cilët me veti mbajnë kuptime historike, kulturore dhe politike. Në këtë mënyrë drejtshqiptimi është ngushtë i lidhur me konceptin e vlerave që i jepen një shenje të caktuar gjuhësore (Schieffelin i Charlier Doucet 1998: 285), e me këtë edhe konceptit të ideologjisë gjuhësore. Shkallët e ndryshme e adaptimit të anglicizmave mund të zbulojnë edhe ekzistimin  dhe natyrën e kësaj forme të ideologjisë gjuhësore.

Emërtimet shqipe të termeve kompjuterike shpesh krijohen me marrjen e termave angleze në shkallë të ndryshme të adaptimit. Zakonisht gjatë huazimeve leksikore zhvillohet procesi i ndërimit të huazimeve dhe zëvendësimi me shprehje burimore. Numri më i madh i huazimeve (p.sh. firewall, web, multitasking) ose në kufirin e huazimit (hakerizëm, disketa etj.). Gjithashtu duhet theksuar se deri sa më parë emërtimet kompjuterike adaptoheshin në aspektin drejtshkrimor (harduer, softuer) ose në aspektin morfologjik (aplikim, adresoj ) , sot më së tepërmi gjejmë emërtime të paadaptuara angleze (shareware, download, freeware, firewall, desktop), në disa raste edhe me përdorimin e gabuar të fjalëve të huaja.

Megjithatë, rezistenca ndaj huazimeve nuk ka ndalur dhe ka qenë element përbërës i zhvillimit të gjuhës shqipe. Si rezultat i kësaj, në këtë veprimtari shquhet emri i Aleksandër Xhuvani, me veprën e tij “Për pastërtinë e gjuhës shqipe. (Tiranë, 1956). Në vitin 1979 u formua Komisioni i përhershëm për organizimin e punës për pastrimin dhe pasurimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe. Në revistën “Gjuha jonë” u hap rubrika e re “Fjalë shqipe në vend të fjalës së huaj”. Në vitin 1998, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Tiranës, botoi fjalorin “Për pastërtinë e gjuhës shqipe”.  Në vitin 1999, ky fjalor është botuar edhe në Prishtinë Fjalë shqipe në vend të fjalës së huaj”.  Të gjithë këto përpjekje u botuan për të dhënë një nxitje të re punës konkrete në fushën e pastërtisë së gjuhës, për zëvendësimin e fjalëve të huaja me fjalë shqipe.

Për të vërtetuar sa më mirë ndikimin e gjuhës angleze në përdorimin e emërtimeve kompjuterike shqipe, dhe në bazë të rezultateve duhet të jemi në gjendje të nxjerrim përfundime për konfliktin gjuhësor dhe ideologjinë gjuhësore. Hulumtimet, midis tjerash duhet të na sigurojë informacione  për intensitetin dhe formën e adaptimeve të tilla, në bazë të të cilave mund të sjellim përfundime për ekzistimin eventual dhe natyrën e ideologjisë së dhënë gjuhësore në lidhje me emërtimet kompjuterike në gjuhën shqipe.

Shkalla e përshtatjes së anglicizmave

Shumë shtete të cilët manifestojnë identitetin e vet, i japin rëndësi çdo aspekti gjuhësor, duke përfshirë edhe format e reprezentimit grafik, shikuar nga aspekti sociolinguistik. Emërtimet kompjuterike shqipe shpesh marrin emrat nga gjuha angleze, me adaptime të ndryshme gjuhësore. Në ato punime, theks të veçantë duhet ti kushtojmë zëvendësimit të fjalëve të huaja me fjalë shqipe. Por sa kjo respektohet dhe nga cilat shtresa duhet të jetë tema kryesore e punimeve tona. Ne mund të vijmë në të dhëna se:

  1. Huazimet nuk shkruhen sipas grafisë origjinale, por sipas grafisë së shqipes.

P.sh.: kopi pejs (copy past), sërç (search)

  1. Një numër të anglicizmash të rinj po shkruhen si në anglisht. P.sh. : copyright, e-mail, zoom
  2. Në disa raste përdoret herë forma shqipe sipas shqiptimit, herë forma e anglishtes. P.sh. onlajn/online, flesh/flash,
  3. Në një numër të vogël rastesh fjala shkruhet si në anglishte dhe shqiptohet si të ishte një fjalë e shqipes. P.sh.: modem, monitor.

Përfundim

Nga përkufizimet e gjuhëtarëve, por edhe nga rezultate e fituara mund të përfundojmë se prishja e gjuhës nuk vjen nga ndikimi i gjuhëve të huaja, por nga njohja e keqe të tyre dhe përdorimi i gabuar i tyre. Dihet se nuk ka gjuhë në botë pa huazime, por çdo gjuhë duhet të përpiqet ta ruaje brumin e tyre, duke mos shmangur çdo gjë që vjen nga jashtë, por as duke pranuar në mënyrë jokritike çdo risi.

Në botën globale, fjalët e huaja janë të nevojshme për çdo kulturë, por ato duhet të përdoren me formën dhe kuptimin e duhur, aty ku ka vend, dhe në masën e nevojshme.

Në kohën e globalizmit apo pushtetit të madh kompjuterik, komunikimi shqip nuk mund të jetë më vetëm brenda llojit, por prapë kjo nuk do të thotë se duhet t’i përbuzim dhe përjashtojmë fjalët tona.

LITERATURA

BUGARSKI, Ranko (1990). The social basis of language conflict and language attitudes. Plurilingua

CAKA, NEBI. (2005). Terminologjia e informatikës në gjuhën shqipe dhe standardizimi i saj në fjalorë. Në Leksikografia shqipe – trashëgimi dhe perspektivë (Konferencë shkencore, Tiranë, 3 dhjetor 2004). Tiranë.

COULMAS, Florian, ur. A Language Policy for the European Community: Prospects and Quandries. Berlin – New York: Mouton de Gruyter, 59–73.

FISCHER, Roswitha (2008). Introduction. Studying anglicisms. Fischer, Roswitha, Hanna Puaczewska, ur. Anglicisms in Europe: Linguistic Diversity in a Global Context. Newcastleupon Tyne: Cambridge Scholars Publishing, 1–15.

GORLACH, Manfred (2003). English Words Abroad. Amsterdam – Philadelphia: John Benjamins Publishing.

HEALY, Jane M. (1998). Failure to Connect: How Computers Affect Our Children's Minds –For Better and Worse. New York: Simon & Schuster.

HOFFMANN, Charlotte (2000). The spread of English and the growth of multilingualism with English in Europe. Cenoz, Jasone, Ulrike Jessner, ur. English in Europe: The Acquisition of a Third Language. Clevedon – New York – North York – Artarmon: Multilingual Matters, 1–21.

HYSA, Ramazan (1998).Fjalor anglisht-shqip. Tiranë.

JURKO, Nela (2005). Integracija engleskoga ra_unalnog nazivlja u talijanskom i hrvatskom jeziku. Stolac, Diana, Nada Ivaneti_, Boris Pritchard, ur. Jezik u društvenoj interakciji. Zbornik radova sa savjetovanja održanoga 16. i 17. svibnja u Opatiji. Zagreb – Rijeka: HDPL, 227–236.

LAFE, Emil. (2011). Rreth fjalëve me burim nga anglishtja në shqipen e sotme. (Konferencë shkencore “Java e Albanologjisë”, Prishtinë, 25-29 tetor 2010). Botuar në Albanologji, nr.1/2010, vëll.II. Prishtinë.

McRAE, Kenneth D. (1989). Linguistic conflict: Some theoretical reflections. Plurilingua (Urban Language Conflict) 7: 1–20.

MUNDAY, Jeremy (2005). E-mail, Emilio or Mensaje de Correo Electrуnico? The Spanish language fight for purity in the new technologies. Anderman, Gunilla, Margaret Rogers, ur. In and Out of English: For Better, For Worse? Clevedon – Buffalo – Toronto: Multilingual Matters, 57–70.

MURATI, Qemal. (2011). Për të ashtuquajturat fjalë të huaja dhe purizmin. (Konferencë shkencore “Java e Albanologjisë”, Prishtinë, 25-29 tetor 2010). Botuar në Albanologji, nr.1/2010, vëll.II. Prishtinë.

NELDE, Peter Hans (1991). Language conflicts in multilingual Europe – Prospects for 1993.

NUHIU, Vesel. (1988). Reth disa termave me prejardhje nga anglishtja. Në Gjendja e terminologjisë shqipe në Jugosllavi. ((Konferencë shkencore, Prishtinë, 28 dhe 29 janar 1988). Prishtinë.

ROBINSON, Helen Mele (2009). Emergent Computer Literacy: A Developmental Perspective. London – New York: Routledge.

SALVERDA, Reinier (2003). Conflict linguistics and the case of multilingualism in London. Plurilingua (Methodology of Conflict Linguistics) 24: 129–144.

SCHIEFFELIN, Bambi B., Rachelle Charlier Doucet (1998). The “real” Haitian Creole: Ideology, metalinguistics, and orthographic choice. 

STRUBELL, Miquel (2001). Minorities and European language policies. Plurilingua (Minorities and Language Policy) 22: 45–58.

TRASK, Robert Lawrenece. (2005). Temelnji lingvistički pojmovi. Školska knjiga. Zagreb.

WEINSTEIN, Brian (1989). Francophonie: Purism at the international level. 

WOOLARD, Kathryn A. (1998). Language ideology as a field of inquiry. 

 

Prof.dr. Mustafa Ibrahimi

Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup

[email protected]